Disa fjalë për vëllimimin poetik “Jeta s’është lodër”, të poetes Valentina Shabani-Marra

0
349
Valentina Shabani-Marra - Bota s'është lodër

Zymer Mehani

Poetja Valentina Shabani-Marra, para lexuesve sërish vjen me një libër tjetër, kësaj radhe të veçantë përnga struktura, ngase ai është i konceptuar me poezi, me dromca prozaike dhe me mendime (thënie) të arta.

Ajo që të bie menjëherë në sy pas leximit të kësaj përmbledhjeje, s’do mend se është evoluimi prej artisteje i autores Shabani, pjekuria poetike e saj, tashmë me një përvojë jo të shkurtër si poete, ngase ky është libri i tretë i saj.

Libri në fjalë është treguesi më i mirë se autorja Valentina Shabani ka përparuar në aspektin teoriko-letrar.

Pra, ky libër përbëhet prej tri pjesëve. Në pjesën e parë bëjnë pjesë poezitë e autores, në pjesën e dytë i gjejmë dromcat prozaike, ndërsa në pjesën e tretë mund t’i gjejmë mendimet e arta të Valentina Shabanit.

Poezitë e vëllimit në fjalë janë lirika të bukura, që ndahen në poezi liriko-meditative dhe në poezi malli e dhimbjeje. Pra, janë këto poezi me tematika ndodhish, me temën e emigracionit, me kushtime etj.

Mesazhet e poetes janë dhënë në masën e duhur, të fuqishme në mënyrë artistike, si në vargje, ashtu edhe në dromcat prozaike.

Elemente biografike poetja Shabani ka futur në disa poezi dhe proza, natyrisht aq sa ia ka lejuar hapësira krijuese.

Janë të shumta poezitë e kësaj poeteje, që sapo të kontaktosh me to, të mbeten në mendje dhe të bëjnë për vete për stilin dhe motivet e tyre.

Këto poezi të këtij vëllimi, e sidomos prozat e shkurtra, ndoshta janë ato, ndaj të cilave poetja Shabani ka derdhur të gjithë nektarin poetik të saj. Ndryshe ajo nuk do t’u jepte aq hapësirë në librin e saj dhe nuk do t’i gdhendte me aq kujdes me penën e vet.

Në sasi të mjaftueshme përfshihen një pjesë e konsiderueshme e poezive të ngarkuara me mall dhe dhimbje. Është e rëndësishme, që poetja i përcjell mesazhet e vargjeve të saj pa humbur sensin e masës, në mënyrë që dhimbja të mos e kthejë në rrënojë dhimbjesh vetë poezinë e saj, përkundrazi ajo arrin të përforcojë mesazhin e saj poetik.

Poezi të tilla, si: ” Më fal”, “Të kam falur”, ” Ku ta gjej atë që s’e shoh”, “Shqiptar”, “Ma gërvishe shpirtin”, etj, mbartin në vargjet e tyre një ngarkesë të fuqishme emocionale dhe e ngrenë nivelin artistik të poezive dhe përgjithësisht të librit.

Tematika e mendimeve të autores Shabani, në faqet e këtij libri kaq interesant, është tepër e gjerë dhe tepër e larmishme. Mund të thuhet se s’ka aspekt të jetës së njeriut, s’ka cep të mendimit e të psikologjisë së tij, ku të mos ketë depërtuar drita e fuqishme e syrit të mprehtë dhe e mençurisë së proverbit dhe e aforizmit të zgjedhur dhe të krijuar nga autorja për probleme, fenomene, situata, etj., që plotësojnë njëri-tjetrin dhe në tërësinë e tyre e japin mendimin për probleme në gjithë gjerësinë e thellësinë e tyre.

Dhe, kështu vërtet kjo përmbledhje na del një xhevahir në vete, pra një perlë artistike. Prandaj, ne shkrimtaren Valentina Shabani-Marra e urojmë dhe e përgëzojmë për këtë përmbledhje kaq interesante, kurse lexuesve tanë të shumtë u urojmë lexim të këndshëm!
Poetja e talentuar Valentina Shabani-Marra vazhdon rrugëtimin e poetik të saj me hapa të sugurtë drejt shtigjeve të poezisë sonë në veçanti dhe të letërsisë shqipe përgjithësisht. Uroj që ky shtegtim të jetë i gjatë, i bukur, pa andralla dhe plot befasi.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.