Majlinda Bufin, Kryetaren e Roskovecit, zor se e ka bërë mami dhe babi

0
511
Majlinda Bufi

Nga Edison Ypi

Për ta ngjizur Majlinda Bufin kanë bashkëpunuar qielli, dielli, toka, uji, zjarri, shenjtëria e Tomorrit serioziteti i Shpiragut, vërshimi i Semanit, magjia e fushës, flladi i kodrave, kripa e detit, pjelloria e tokës, dehja e vreshtave, gjaku i qershive, paqja e ullinjve.

Në Roskovec, ku toka është aq pjellore, fusha është aq drithëruese, Kishat janë aq magjepsëse, konstatimi i mësipërm, sado i çuditshëm, është më se i vërtetë.

Me gjithë respektin për të mbjellat, të korrat, frutat, zarzavatet, specat, karrotat, bostanat, bulmetrat, bujqit e nderuar dhe ekspertat respektivë që i kultivojnë dhe prodhojnë këto të mira.

Majlinda Bufi është prova dhe dëshmia se Myzeqeja dhe myzeqarët janë shumë më tepër se specat dhe karrotat që kultivojnë, bulmetrat që përgatisin nëpër baxhat.

Majlinda Bufin nuk e rrokin dot cilësimet banale, “e aftë”, “e përgatitur” etj.
Majlinda Bufi është fenomen natyror.

Majlinda Bufi është si stinët, si malet, detet, si Myzeqeja, si Mallakastra.
Majlinda Bufi për Roskovecin është më e rëndësishme, më e dashur dhe më e dhimsur, se Margaret Thatcher për Anglinë, Zhana D’Arc për Francën, Maria Kyri për shkencën.

Majlinda Bufi i pastë me Ymër dhe i rrofshin sa malet kalamajtë dhe burri. Ama Majlinda Bufi është e dashuruar me Roskovecin.
E begatë, e lakmuar, e nxehtë, misterioze, Myzeqeja është një Afrikë europiane.
Mëhalla më mahnitëse e afrikës europiane, është Roskoveci.

Majlinda Bufi dhe Roskoveci janë qënie simbiotike. Japin e marrin. Hyjnë e dalin. Nuk mund të ekzistojnë pa njëritjetrin.
Me kalimin e kohës, Majlinda Bufi e bën Roskovecin të përsosur si vetja, Roskoveci e bën Majlinda Bufin të magjishme si Myzeqeja.

Me pasion, vendosmëri, kreativitet, Majlinda Bufi, për gjithçka kujdeset vet, çdo përgjegjësi e merr vet.
Për qetësinë dhe paqen e komunitetit.
Përmirësimet dhe ndërtimet infrastrukturore.
Mbarvajtjen e punëve.
Shkurtimin dhe thjeshtimin e procedurave burokratike.

Organizimin e eventeve të shumllojshme, prodhuese, tregëtare, religjioze, shoqërore, artistike me pjesëmarrjen e artistëve vendas dhe të huaj, deri edhe “Jazz në Roskovec”.
O Zot ç’nuk i pjell mendja shenjtores Majlinda Bufi.

Ja një ndër shembujt e panumurt që mjafton dhe tepron për ta shpallur Majlinda Bufin “Kryebashkiakja e Botës”:
Pas përmirësimit rrënjësor të infrastrukturës, disiplinimit të shërbimeve, jo pas kaq e aq viteve, por pas shekujsh, në lokalet dhe sheshet e Roskovecit ka Femra që kryejnë punët e veta, frekuentojnë lokalet, shetisin të qeta.

Më përpara rrinin mbyllur në shtëpi nga frika. Tani në Roskovec Femrat dalin pa teklif.
Ku Majlinda Bufi është e këtyre përmasave, Roskoveci nuk mund të jetë më pak.
Kur hyn në Roskovec nga lindja, të mahnit një monument, “Tregëtari i Roskovecit”.
Nuk të bëhet tu besosh syve.

Shtatorja “Tregëtari i Roskovecit”, hiç më pak se “Tregëtari i Venedikut”, pavdekëson një “Shajlok” myzeqar mbi kandar, aq të vëmendshëm e të kujdesshëm, sa duket sikur nuk po peshon fiq, domate, speca, por uranium.

Kur në Roskovec hyn nga perëndimi, të përshëndet një tjetër monument. “Bukuroshja myzeqare” plot hire, perria “Poncia” që princat më të shquar vijnë nga fundi i dheut dhe përulen para Saj për ti kërkuar dorën.

Mund të jeshë edhe mbret, por përbrenda je plot hezitime, plot difekte – ky është Shekspiri.
Qindra, ndoshta mijëra, vilat dhe ndërtimet e tjera në Roskovec, janë madhështore. Është krejt e natyrshme, s’përbën asnjë problem, ato vila e ato ndërtime të jenë me halle brenda. Kështu është Jeta. E tillë është ekzistenca. Kështu funksionon Natyra, – këtë ka përcjellë Majlinda Bufi duke e rrethuar Roskovecin me dy Monumente shekspiriane.

Me “Shajlok” në hyrje dhe “Poncia” në dalje, pra rrethuar me Shekspir, ndryrë në dramaticitet, Roskoveci ka qënë gjithmonë, Majlinda Bufi, Roskovecin shekspirian veçse e shpalli, veçse e bëri të njohur.

Përmeti është naimian.
Pogradeci është lasgushian.
Shkodra është danteske.
Lezha është fishtiane.
Korça është balzakiane.
Kolonja është Noliane.
Gjirokastra është kadareane.
Roskoveci është shekspirian.

Majlinda Bufi, Roskovecin nuk e bëri shekspirian me gjumë pasditeje, naze snobiste, dëngla autoreferenciale, ankesa fantazmagorike.
Majlinda Bufi, Roskovecin e bëri madhështor me 48 orë punë në 24 orë.

Majlinda Bufi e ka bërë Roskovecin si Meka dhe Jerusalemi. Vend të shenjtë. Vend pelegrinazhi. Ku shqiptarët të venë të falen për mëkatet që kanë bërë, dhe të mësojnë: si bëhen punët, si respektohet Shteti, si ruhet qetësia, si garantohet serioziteti, si troket lavdia, dhe të tjera.

Asnjë cilësim, asnjë kompliment, asnjë lavd, nuk është i tepërt për Majlinda Bufin.
Roskoveci sot, nuk është, dhe nuk dëshiron të jetë, si Milano, Londra, Parisi.

Roskoveci sot është një qytezë e ndrequr, e qetë, e qytetëruar, më funksionuese, më dinamike se qytezat e përgjumura europiane, falë Majlinda Bufit.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.