LEKSIKONI I ARTEVE DRAMATIKE-VEPËR ME VLERA TË VEÇANTA

0
Leksion i arteve dramatike

Shkruan: Isak A H M E T I

LEKSIKONI I ARTEVE DRAMATIKE, i autorëve: Prof. dr. Luljeta Isaku & Prof. dr. Nebi Islami, botues INSTITUTI ALBANOLOGJIK I PRISHTINËS, Prishtinë 2012 (Redaktor: Dr. Salajdin Salihu, recensentë: Prof. dr. Remzi Nesimi & Prof. Fadil Hysaj) është një vepër me vlera të veçanta. Autorët e këtij libri, emra shumë të njohur në letrat shqipe, kanë sjellë një lëndë të vëllimshme me interes për opinionin kulturor, studentët, kritikët e artit dhe studiuesit.

Me këtë libër, të cilin autorët ma kanë dhuruar me dedikim të veçantë, për çka i falënderoj publikisht nga zemra, kanë dhënë një kontribut të çmueshëm sistemit dhe konsolidimit të kësaj materie ndër ne, të munguar dhe të shkapërderdhur (Prof. dr. Remzi Nesimi, te Leksikoni, fq.5).

Veçantia e këtij Leksikoni, të cilin po e marrim në shqyrtim, qëndron në faktin se, krahas zhvillimeve në fushat e arteve dramatike botërore, të cilat jepen në diakroni dhe sinkroni që nga antika e deri në kohët tona, sjellë shembuj paradigmatik mbi ndikimet dhe fluidat e tyre në artet tona dramatike si dhe gjendjen aktuale të saj. Një cilësi e veçantë e këtij Leksikoni, siç e ka vërejtur edhe Prof. dr. Remzi Nesimi (vep. e cit. fq .5) është se sjell më shumë zëra nga haplësira etnike e krijuesve nga ish Jugosllavia me theks mbi zhvillimet në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Luginë të Preshevës, që deri tash tërësisht kanë munguar.

Vlen të theksohet se përmes këtij Leksikoni, autorët kanë dhënë një pasqyrë bazike e të domosdoshme mbi zhvillimet botërore dhe reflekset e tyre në zhvillimet brenda nesh. Theksat këtu janë vënë më tepër tek autorët këtej kufirit të Shqipërisë administrative, ndërsa janë përfshirë ata zëra nga Shqipëria për të cilët autorët gjykojnë se janë më meritorët.

Përkundër përkushtimit dhe punës shumëvjeçara, autorët janë të vetëdijshëm se libri mund të ketë edhe dobësi për shkak të heterogjenitetit të materies dhe mënyrës së valorizimit e cila, sipas autorëve, ka nxjerrë në syprinë subjektivitetin për selektimin dhe reprezentimin e lëndës e hapësirës që duhej dhënë zërave përkatës (fq 3).

Megjithatë, autorët janë të bindur se ky Leksikon do të jetë ndihmesë për veprimtarët e kulturës, për studentët, por edhe për studiuesit të cilët mund ta shfrytëzojnë si bazë për t’i thelluar hulumtimet në fushën përkatëse, sepse mundëson, siç e kanë theksuar me të drejtë edhe autorët me rastin e botimit të këtij Leksikoni, relativisht shpejtë, thjeshtë dhe lehtë të orientohen dhe t’i marrin informatat e domosdoshme.

Ky Leksikon, sipas autorëve, lehtëson punën për të sqaruar termin e panjohur dhe definicionin e ngjeshur të nocionit përkatës, të dhënat dhe vitet e caktuara, periudhat e zhvillimeve përkatëse, drejtimet apo formacionet stilistike, njohuritlë lidhur me rrymat ideore, me konceptet letrare, sociale, filizofike dhe përfaqësuesit karakteristik të kohës.

Krejt në fund le të theksojmë se ky është një libër me vlera të veçanta, është një libër me cilësi të theksuara, për çka autorëve u takon një mirënjohje e veçantë!

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.