Komandanti i vendit, Nezir Fejza…

1
1214
Nezir Fejza

Ibrahim Kabili Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare ka vlerat e saj të padiskutueshme. Ajo qe një nga periudhat më të rëndësishme historike që nxori në pah protagonisët e saj dhe vlerat njerëzore të tyre. E gjithë krahina jonë u përfshi në këtë luftë. Ajo në një formë apo tjetër, dha një kontribut të madh për fitoren e saj. Një përshkrim të hollësishëm deri në detaje të kësaj periudhe, e kemi bërë në librin “Benda në rrjedhën e historisë”, me bashkëautor Hysen Hysa. Nuk është ky qëllimi i këtij shkrimi. Nëpërmjet këtyre radhëve të këtij dua të fiksoj dhe të nxjerr në pah, kontributin e Komandantit të Vendit Nezir Fejza, në 25 vjetorin e vdekjes së tij. Ai dha një kontribut të madh në këtë luftë pasi i shkonte fjala në fis, lagje, fshat dhe gjithë krahinën. Unë në vitin 1987 kam bërë një bisedë të gjatë me të, kam mbajtur shënime të cilat i disponoj.

Ai duke më folur për origjinën e fisit Fejza në bisedë, ka pohuar: -“Fezët kanë ardhur nga Zerqani i Dibrës, të cilët atje njiheshin me mbiemrin Ruçmetaj. Fejza, mbiemri i sotëm ka ngelur nga kryefamiljari i cili quhej Fejzë, dhe u shpërngul nga Dibra në Bastar. Në Zall-Bastar thuhet se kemi ardhur rreth 250-300 vjet më parë”. Për fatin tim jo të mirë, më shumë e kam pyetur për ngjarje të tjera për Bastarin (Bastar i Mesëm, Zall-Bastar dhe Bastar-Murrizë), dhe gjithë zonën, se sa për atë dhe familjen e tij.

Shënimet e mia, bisedat e shumta me atë sa qe gjallë, dhe bisedat e fundit me familiarët e tij; Haqifin, Nazmiun, Eminin dhe Limen, me datën 19.06.2022 e plotësojnë sadopak jetën dhe veprimtarinë e Nezirit. Ky shkrim në tërësinë e tij do të ndikojë sadopak në shkundjen e pluhurit të harresës dhe forcimin e kujtesës historike për persona me kontribute, sikundër është edhe Nezir Fejza…

Nezir Abdi Fejza lindi në fshatin Zall-Bastar më 05.02.1905. Ai lindi në një familje të thjeshtë por me tradita patriotike dhe atdhetare. Babai i tij Abdi Fejza ka qenë pjesmarrës në Luftën e Shkodrës të vitit 1912-1913. Abdiu së bashku me Dërvish Taren, dhe Nexhip Hoxhën dhe të gjitha forcat ushtarake rezerviste treguan trimëri të rrallë në këtë luftë. Abdiu qe komandant i përgjithshëm i forcave vullnetare për Krahinën e Bendës dhe Rrethinën (Zall-Herr, Priskë, Tujan,Tufinë). Abdiu u përzgjodh si komandant në Luftën e Shkodrës nga patrioti Abdi pashë Toptani. Për këtë Kujtim Bylyku citon: “Vjen patrioti Abdi Toptani për të mbledhur e organizuar luftëtar për Luftën e Shkodrës.

Mbledhja bëhet tek kulla tre katëshe e stërgjyshit tim Osman Fejza. Dua një djalë ta bëjmë komandant i thotë ai, Osmanit. Osmani në fillim i jep emrin e Sali Fejzës, të cilin nuk e morën në luftë për arsye familjare. Duke qenë shumë trim Osmani jep emrin e Abdi Fejzës. Osmani ishte mbështetës i Turqisë, kryente detyrën e kadiut dhe mbante edhe vulë, vulë të cilën e disponoj unë sot. Këto të dhëna i ruaj të freskëta edhe sot e kësaj dite prej prindërve dhe gjyshërve të mi”. Pasi zgjidhet komandant Abdiu organizon forca të shumta në Luftën e Shkodrës. Ai tregoi trimëri të rrallë atje. Në kuadër të batalionit rezervist “Erzeni” këto forca treguan guxim dhe heroizëm në mbrojtjen e Shkodrës e rrethinave të saj. Për këtë vargjet e këngës, thonë:

…Abdi Fejza një burrë i shkurtër,
Ka marr malsinë e ka marrë fushën,
U hap lajmi anë më anë,
Luftojnë trimat për vatanë…

Pas Luftës së Shkodrës Abdi Fejza del kaçak dhe bën rezistencë edhe ndaj austro-hungarezëve. Për këtë nipi i Abdiut, Haqifi shton: “Abdiun e ruante shumë gruaja e dytë Razia. Ajo qe një grua e zgjuar dhe vinte nga fisi i njohur Mansaku. Në shumicën e kohës Abdiu rrinte i strehuar jashtë shtëpisë së tij. I sëmuret gruaja e dytë dhe ai vjen të kujdeset për të. Afër shtëpisë së Barlikëve bie në pritë me austriakët. Pasi vret dy austriak, vritet edhe vetë. Për të ngjallur frikë austriakët e lidhin dhe e tërheqin zvarrë pas kalit”. Abdiu la dy djem Sulajmanin dhe Nezirin. Gjashtë muaj pas vrasjes së Abdiut djali më i madh i tij Sulajmani vdes, dhe Neziri mbeti djal i vetëm.

Si i tillë, Neziri rritet nën përkujdesjen e nënës së tij Razies, dhe gruas së dytë të Avdiut, po me emrin Razie. Ai kishte edhe një farë mbështetje nga kushuriri i parë i tij, Mehmet Fejza. I diktuar nga kushtet dhe rrethanat familjare të kohës Neziri martohet fare i ri, me Sulltane Lilën nga Bastari. Ajo qe një grua shumë e lartë pasi vinte nga një familje e fisme e Bastarit, ajo e Halil Lilës. Ata lindën katër djem; Avdiun, Sulajmanin, Asllanin dhe Haqifin. Avdiu mbante emrin e gjyshit të tij, Abdi Fejza.

Gjatë kësaj periudhe me rritjen e fëmijëve dhe me mbështetjen e bashkëshortes familja e Nezirit filloi të fuqizohet nga ana ekonomike dhe të trashëgonte më shumë vlerat që kishte babai i tij, Abdiu. Në këtë periudhë Nezirit i vdes në moshën 45 vjeçare, bashkëshortja e tij Sulltana. Kështu prishen përsëri ekuilibrat në familje. Pas disa kohësh martohet përsëri me Mejte Gjikolën, dhe nga kjo martesë nuk patën fëmijë.

Neziri qe një njeri dhe kryefamiljar shumë i mirë edhe për familjen e tij. Për këtë, Limja shton: “Neziri qe shumë i drejtë si kryefamiljar. Ai qe shumë i mirë për gjithë familjen, po kështu edhe për ne të rejat e ardhura. Ne kemi pritur e përcjell shumë njerëz nga e gjithë krahina dhe më gjerë. Neziri në qoshe shkëlqente gjithë shtëpinë”. Nga bisedat e vazhdueshme që unë kam patur me Nezirin, pohon Nazmiu, ai më është shprehur: “Gjithë jetën time e kam ndier veten krenar që jam djali i Abdi Fejzës. Kjo krenari ka edhe detyrimet e veta. Unë jam rritur jetim nga babai, por nëna ime dhe njerka Razia, më edukuan me dashurinë e madhe për babain tim.

Kur unë erdha në moshë i vura vetes detyrë që mos ta turpëroj figurën e tij. Duhej të ecja në gjurmët e babait dhe ta ruaja traditën familjare. Kjo krenari e brendëshme më ka bërë që unë të eci përpara dhe ta forcoj traditën duke krijuar një rreth miqësor dhe shoqëror të mirë”. Pra Nezir Fejza u lind, u rrit, dhe u edukua në një rreth të till familjar dhe për rrjedhojë ai e forcoi edhe më shumë traditën. Ai vuri shumë miq dhe shokë dhe qe besnik ndaj tyre.

Natyrisht kur tregohesh besnik fiton besimin dhe dashurinë e tyre. Lidhur me virtutet e Nezirit, Emini plotëson: “Neziri qe shumë i drejtë, i sjellshëm, human, njerëzor, babaxhan, trim dhe i vendosur. Ai gjithnjë ishte me të drejtën dhe e mbështeste atë. Këto cilësi dhe të tjera si këto bënë që Neziri, pavarësisht se ishte edhe pa shkollë, të fitonte besimin e banorëve të krahinës dhe të bëhej pëfaqësuesi më i mirë i tyre”. Në vitet e Luftës Antifashiste Nacionalclirimtare familja e tij, ashtu si edhe e gjithë zona, e mbështeti luftën. Shtëpia e Nezir Fejzës në Zall-Bastar, krahas asaj të Ram Bekës në Vilëz, dhe shumë familjeve të tjera të cituara nga burimi në fjalë, u bënë baza të fuqishme e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Tek shtëpia e Nezirit dhe të afërmëve të tij, janë strehuar dhe kanë zhvilluar aktivitetin e tyre propagandistik për Luftën, partizanët dhe veprimtarët e devotshëm të luftës të “Batalionit Dajti”; Nush Shllaku, Njazi Meka, Mërkur Çela, Mahmut Sallaku, Sherif Sela, ejt. Me to u lidh dhe punoi për Luftën edhe Nezir Fejza.

Për ti dhënë një hov të ri organizimit të luftës në kuadër të Brigatës së XXIII-të Sulmuese u zgjodhën Këshillat Nacionalçlirimtare në të gjithë krahinën. Rezultojnë të zgjedhur si Kryetar të Këshillit Nacionalçlirimtar 1: Në Zall-Mëner, Abdulla Lila; në Bulçesh, Beshir Ibrahimi; në Rrëzë, Hajdar Rrema; në Bruz-Zall, Ramazan Dërvishi; në Bastar, Ejup Kuka; në Selitë, Sadik Sallaku; në Shupal, Sali Elezi; në Shëngjin, Mal Hidri. Anëtarë të Këshillave Nacionalçlirimtare për krahinën u zgjodhën 2: Për Zall-Mënerin, Bajram Abazi dhe Zenel Ademi; për Bulçeshin, Ibrahim Koçija; për Rrëzën, Osman Hoxha dhe Isuf Bilja; për Bastarin, Bajram Qorri, Zeqir Selmani, Mehmet Fejza dhe Ramazan Hysa; për Selitën, Islam Dërvishi, Sinan Cani, Mexhit Alla dhe Isuf Kuka; për Shupalin, Sali Llusha.

Në shtator 1944 u krijua Komanda e Vendit me qendër në Shupal. Komanda e Vendit kishte si detyrë kryesore drejtimin dhe zbatimin e detyrave ushtarake dhe organizimin e jetës së përditshme ku nuk kishte forca armike. Komanda ishte organ ekzekutiv për gjithë krahinën.

Komanda kishte si detyrë kryesore:
1-Të mbronte pushtetin e këshillave nacionalçlirimtare.
2-Të mbronte popullin nga çdo padrejtësi.
3-Të mbante rregull dhe disiplinë në zonën e saj.
4-Të organizonte rrjetin e informacionit për problemet shqetësuese që paraqiteshin.

Komanda dhe drejtuesit e saj vareshin direkt nga Komanda e Divizionit I Sulmues. Për meritat që tham më sipër, Komandant vendi për krahinën u emërua Nezir Fejza. Komisar u emëruaq3: Fadil Bardhi dhe Beqir Zela pas tij. Zëvendës komandantë kanë qenë; Halil Meta, Ruzhdi Tufa, Shaban Hasa, Xhemal Tafa, Beqir Mansaku, Xhemal Ahmeti.

Komanda e vendit nën drejtimin e Nezir Fejzës i kreu shumë mirë detyrat e ngarkuara ndaj saj nga Divizioni I Sulmues. Komanda e Vendit kishte edhe rojet vullnetare, që përgjithësisht ishin partizanë me moshë të re. Ajo funksionoi deri në çlirimin e plotë të vendit më 29.11.1944. Në plotësimin me sukses të detyrave të saj, meritë ka edhe Komandanti i Vendit, Nezir Fejza.

Siç kemi shkruar edhe herë të tjera krahina jonë ka katër dëshmorët e saj të rënë në luftën për liri. Kemi shumë partizanët që kanë marrë pjesë në formacionet luftarake të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, kemi shumë emra njerëzish të organizuar në çetat nacionaliste. Një gjë është mëse realiste për krahinën tonë sipas protagonistëve të kohës, krahina ka kontribuar shumë në luftën kundra pushtuesve.

Pavarësisht bindjeve politike midis dy grupimeve të kundërta në përgjithësi nuk ka patur konfrontime, por mbrojtje të ndërsjelltë të disa nacionalistëve vendas nga forcat partizane dhe anasjelltas. Kjo ka ndodhur, në momentet kyçe kur rrezikohej jeta e tjetrit. Për këtë Nezir Fejza, më ka pohuar: “Mua jetën ma ka shpëtuar nacionalisti Mustafa Visha. Abaz Kupi duke parë pozicionin dhe aktivitetin tim gjatë luftës kërkon të më eleminoj fizikisht.

Ndërhyn Mustafai tek ai, e bind për mua dhe më shpëton jetën”. Ka patur dhe shumë raste të tjera të kësaj natyre në krahinë të treguara nga Rexhep Beka, Sul Domi, etj. Kjo është vlerë! Në zonën tonë nuk ka patur luftë vëllavrasëse. Kontradiktat midis dy grupimeve të kundërta edhe në krahinë u ashpërsuan pas takimit të Shëngjergjit. Për pasojë nacionalistët antikomunist vuajtën gjatë pasojat e luftës së klasave…

Pas çlirimit të vendit deri në vitin 1953, Nezir Fejza kreu detyrën e kryplakut për fshatin Bastar. Edhe gjatë kësaj periudhe ai u dallua si njeri i thjeshtë, i drejtë, human, i pakorruptueshëm, i papërtueshëm në zgjidhjen e halleve e problemeve të popullit. Si një familje e madhe dhe me tradita priste dhe përcillte shumë njerëz. Shtëpia e tij nuk rrinte asnjë natë pa miq, shokë dhe rrugëtarë të tjerë.

Kjo e bëri atë shumë të njohur në tre Bastarnat, krahinë dhe më gjerë. Kjo traditë vazhdon edhe sot nga trashëgimtarët e tij në breza. Neziri mbështeste njerëzit në nevojë që kishin probleme. Ai ka zgjidhur shumë mosmarrveshje, ka ndarë gjygje me drejtësi dhe kurrë nuk e pranoi ryshfetin! Drejtësia, sinqeriteti, humanizmi, trimëria, qenë virtutet më të larta tij. Vlerat mbesin të tilla edhe pas largimit fizik të njerëzve…

1-Benda nê rrjedhën e historisë. I.Kabili, H.Hysa. faqe 146.
2-Po aty. Faqe 146
3-Po aty. Faqe 152

Ibrahim Kabili
Tiranë më 28.06.2022

1 KOMENT

  1. Ibrahim Kabili – te lumet PENA – sjelle kete shkrim qe ma donte-ZEMRA!

    Jam nje 86 vjecar, Bir i *Dangellise Naimjane*, i Zavalanit emer lene-bijte dhe bijat e tij, qe ne kulmin e femijnise sime, pas lufte ne Seliten e Malit, (sektoret e 7-8=9-te te Kantjerit Pare, im vella Stavri Mihali-Xhoga nga Partizan, drejtues i rindertimit te vendit pas luftes. Une si jetim, mbetur nga Lufta, (ballistet autore direkt, si familie sa fis-Patrizane) vellai madh ish Partizan, drejtor i kantiereve te ndertimit te Hidrocentalit, tashme, te SELITES* si e therrsim te gjithe, une nisur si *korieri TUNELEVE* 1950=51, qe pas vite 60 do te nisia misionin e MESUESIT e deri drejtor shkolle, sa kultures.

    Jane pikeisht ato vite, njohur te ndierin e te Madhin- Nezir Fejza-bir i Zall-Bastarit,kete figure te shquar te asaj Zone si e pershkruani JU, me Luften N.Cl. si Komandanti i Vendit si e pershkruani Ju, i nderuar Ibrahim Kabili, Ai, nje nga Athetaret lene gjurme te mua dhe ne vitet 1964-73. Drejtor sholle ne Zall-Mene e Zall-Dajt, Nezir Fejz0, krah ne mesuesve, mjekeve dhe tere fshatrave. Me kenaqet, ju mbajtur ato DITARE me tregimet e tij.. Hapat e para te arresimit te pas luftes, kane VULEN e Vezir fejzos ne ate zone.Vertet ajo shtepi e FEJZOVE ne Zall-Bastar, qender per gjithe sa punonin ne ate zone. Mirenjohie, une sa si *korier i Tuneleve* dhe mesues e Drejtor shkolle ne vite 1966-73.. Mirenjohie pershtypiet mare nga ajo zone deri sot pesionist, sa ne emigracion ne Zall=Bastar e Zall-Dajt, mar TRINITRINA, ish Nxenesit sot kuadro te nderuar, si Ju, i miri yne Ibrahi Kabili tashme PENE – zedhenese e kohes qe jetojme. Ju prifte e mira.

    Mire ju gjetsha… 20 Korrikun dua ta festoj mes jush, Toronto(Kanada) bere ATDHE i DYTE!
    I perjetshem Kujtimi i EMRIT dhe VEPRES se te paharruarit Nezir FEJZO – Kapedani *po e quaj une, pasardhesi i kapedan Jano P Xhoga Zavalani rene me 1913te, mes Dangelli shqirise, mbrojtur PV.e vendit sulmuar fqinjet-jugore, sa shpallur-Ismail Qemali me shoke.
    Pasardhesve-PASARDHES te DENJE-ju uroj sukse me atdhetarizem, si TRASHEGIMI e Tyre!

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.