ËNDRRA ME TË VDEKUR SHOH DHE TË GJALLË

0
Kalosh Çeliku

NGA KALOSH ҪELIKU

Ëndrra. Dhe, vetëm ëndrra shoh gati gjithë jetën me të vdekurit dhe të gjallët. E kaloj Natën. Ëndrra, që dikur gjatë jetës fëmijërore i shihja livadheve, fushave dhe maleve, në Katundin rrëzë Ҫuke. Hurdhave të Lumit Zajazit mes shelgjeve. Rrënjëve. Verës, kur i iknim Vapës madhe. Dhe, rreziteshim në Diell. E, u turreshim Librave të Këndimit në shkollë me vjershat e Rilindasëve shqiptar.

Gjatë vitit të parë në gjimnaz me Tatëlijen, siç e kishte pagëzuar im Atë, jo Unë Cucën e Kodrës Tike, së cilës asaj kohe edhe i përkushtova disa poezi. E cila ishte ankuar te im Atë, se: djali yt, po më ngacmon rrugës për në gjimnaz. Poezi, të cilat nuk i kam si dorëshkrime, as si publikime në librat e mi me poezi. Nuk e di, a i ruan Ajo ato poezi.

Asaj kohe më ka dashur edhe një Cucë tjetër Katundi, e familjes të Tatëlijes Sh. E cila herë pas here më përcillte kumbulla të zeza “magareçka” kopështi katundi. Dihet, i kam hëngër ato kumbulla natyrore për hatrin saj. Nuk e kam vrarë mendjen se mund të jenë larë me magji. Shumë vonë në Prishtinë, e kuptova se, mua nuk më zënë magjitë, pas ndarjes me gruan e parë, në Prishtinë. Nana, dhe Babai, kur me mollë të stërpikura e hajmali të Qershfit, përpiqeshin që ta kthejnë në Shtëpi.

Përderisa, vetë Hoxhë Qeshafi një ditë të shtune pazari, pasi më pa matanë trotuarit veshur fundekrye me të zeza, mjekër dhe flokë të gjata lëshuar pas shpine me gunën e zezë deri në fund të këmbëve, i tha Babait: Minçe, mos më vish më për këtë shejtan! Nuk e zënë magjitë. Dhe, shpëtova nga hajmalitë e Hoxhë Qeshafit, por shpëtoi edhe Babai nga pagesat me para marramendëse shpërblim hoxhës “shpëtimtar”. Edhe pse, jetonim me Sh. -në në të njëjtin Katund, kurrë nuk kam biseduar me të as edhe kur takoheshim rrugës nëpër Katund. Arsyeja, dihet: Iknim nga Syri i keq. Postieri i saj një vogëlush, pas  të cilit m’i përcillte kumbëllat më rrëfente, se Ajo: edhe mëzatin e saj të lopëve e kishte pagëzuar me emrin tim. Madhështore.

Tatëlijen, e kisha përditë në klasë. Rrugën, e bënim bashkë vjeshtë e dimër më këmbë dhe biçikleta nga Katundi në Kërçovë. Shpeshëherë, edhe me goma të shpuara. Ngacmime të dalldisura djaloshare. Dimrit, edhe gjuajtje me topa bore. E, rrokullisje bythekrye në jorganin e bardhë. Dordoleci na bënte roje. Vetëm, se: Tatlija ishte nxënsja më e mirë me dy-tri veta në klasë. E sidomos, në gjuhën latine. Gjuhë e vdekur, të cilën unë nuk e dua edhe sotekësajdite. E njihte edhe gjuhën maqedonase më mirë se ne nxënësit e katundeve.

Edhe e kaloi vitin e parë të gjimnazit me dy paralet e para me rreth 70 nxënës. Gjimnazi i parë në gjuhën shqipe me dy paraletet e para, pranë gjimnazit maqedonas “Mirko Mileski”, që u mbyllën pas një viti. Shkaku, numrit të nxënësve, se: ato dy paralele me këmbënguljen e veteranëve të arsimit shqiptar, mezi u hapën asaj kohe. Edhe pse, ne nxënësit shqiptarë kishim edhe një lëndë më shumë gjuhën shqipe sesa nxënësit maqedonas. Lëndët tjera të gjitha na i jepnin profesorët maqedonas. Edhe, shovenizmi i tyre primitiv na sharroi në fund të vitit shkollor. Na shpërnadu si “Kashta Kumbarës”: disa në Gostivar, Shkup. Ndonjërin edhe në Tetovë.

Shkollën Normale, edhe pse: Unë, asaj kohe pas provimit pranues dhe regjistrimit, përshkak të plotësimit të numrit nxënësve hapjen e paraleve në gjuhën shqipe, e braktisa për hapjen e gjimnazit në gjuhën shqipe. Përsëri, pas një viti edhe një herë hyra në provim pranues para komisionit tre anëtarësh. Sisot, më kujtohet: përveç, testit pranues nga gjuha shqipe edhe kënga popullore të cilën e kam kënduar nga lënda e muzikës: “Përmidis pazarit të Shkupit”.

Këngë, të cilën asaj kohe e dëgjoja tinëz përmes valëve të Radio Tiranës nga këngëtarja e madhe popullore Fitnete Rexha. Vetëmse, këngës popullore ia ndërrova qytetin: Durrësin e zëvendsova me Shkupin. Edhe, e kalova provimin pranues asaj kohe nga gjuha shqipe dhe edukata muzikore në pranimin e tre anëtarëve të komisionit shkollës Normale “Zef Lush Marku”, në Shkup. Pavetëdije, se: kjo këngë popullore mua si shkrimtar do të më përcjellë gjithë jetën deri në Varr.

Jeta shkollore e dalldisur pas librave në këtë qytet, e ndryshoi edhe jetën time djaloshare. I harrova livadhet, fushat, malet, dardhat gorrice… Dhentë dhe lopët. Dashuritë e katundit. U dalldisa pas diskoklubeve të Natës. Rokenrollit të grupeve: Beatles, Rolling Stones, Led Zeppelin, Janis Joplin’s, Johnny Hollyday, Jimi Hendrix, Chansons Françaises… Jetës natës me cuca shqiptare,  maqedonase, “turke”, boshnjake, serbe, françeze, bullgare dhe rome.

Mezi shpëtova gjallë me pak shpirt nga jeta e çmendur Nate. Pas kryerjes të shkollës Normale, ika në Paris. Atje, me vite punonte edhe Im Vëlla, që shkaku hapjes dhe përndjekjes për gjimnazin me një grupë arsimdashës, i lanë vendet e punës, dhe ikën në Paris. Edhe, si azilant u punësova në Paris, dhe u regjistrova në Serbonë me ndihmën e profesorit Abaz Ermeni si mik tim Vëllai. Nuk shkuan as tre muaj në Paris, im Vëlla më tha një ditë: Unë, më nuk mund të kthehem në vendlindje për shkaqe politike. Ne, ende i kemi gjallë nënën dhe babain. Familjen. Edhe, pasuri. Së paku ti kthehu në vendlindje, dhe regjistrohu në Universitetin e Prishtinës. Shpenzimet materiale të studimeve do t’i heq unë gjatë atyre viteve. Edhe, më bindi me parashikimin për Ditën e Nesërme. E lash Parisin.

U ktheva pas tre muajve në vendlindje. Katund. Noshta qe, edhe punë me mend. Shkaku, se: mund të martohesha atje me ndonjë françeze. Dhe do të mbetesha përgjithmonë. Siç ndodhi me disa mësuesë të mi që u martuan me françeze, dhe nuk u kthyen kurrë në vedlindje. Ose, ndoshta mund të bëhesha edhe ndonjë shkrimtar i madh me famë botërore dhe Ҫmime ndërkombëtare i salloneve mbretërore. Nuk ka problem. Iku. Edhe, këtu në vendlindje nuk kalova keq, përveç përndjekjeve policore politike, ia arrita qëllimit artistik letrar. Vendlindja, më bëri shkrimtar.

Vitin shkollor 1970/ ’71, së bashku me shokun e gjimnazit të Kërçovës, poetin Shaqir Sadiku u nisëm për në Prishtinë. Vëretë shkolla e mesme na ndau katër vite fizikisht, mua në Shkup dhe atë në Gostivar, por jo edhe shpirtërisht. Herë pas here korrespondonim me anë të letareve dhe poezive të “rrezikshme”, që ia përcillnim përmes postës njëri – tjetrit si krijuesë.

Posa zbritëm në Prishtinë, rrugës për ta gjetur Universitetin, e pyetëm një kalimtar rasti, se: ku është rruga kryesore? Ai, na u përgjigjë: po, kjo është rruga kryesore e Prishtinës. Unë, që vija nga Shkupi, qytet i ndërtuar me ndihmat humanitare nga e gjithë bota pas tërmatit katrasofal të vitit 1963, thashë vetëmevete: kjo, mund të jetë gjithëçka, por jo edhe rruga kryesore e Prishtinës e shtruar me baltë kuqe?!

Ditën e nesërme, pasi u regjistruam në Universitet Dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, u bindëm, se: vërtetë ajo kishte qenë rruga kryesore përpara Hotel “Bozhurit”. Sot, “Iliria”. Rrugë e vetme, në Prishtinë e shtruar me baltë të kuqe pa asnjë semafor në rrugë. Baltë e kuqe, e cila do të na ndiqte dhe ngatërroheshte vite me radhë këmbëve deri në Universitet.

Një vitë mes librave e kaluam me Shaqirin në një dhomë. Përderisa, unë nuk do të dalldisem pas vajzave rrugaçe dhe diskoklubeve të Prishtinës. Edhe në këtë qytet ta sjellë atë jetë të dalldisur djaloshare. Brenda një dite, t’i kem dy – tri takime me vajza azgane.  E, asnjëra mos takohet me njëra tjetrën. Prishtina, nuk ishte Shkup me plotë rrugë kryesore si Shkupi, parqe për takime. Vendstrehime të fshehta strategjike erotike. E kishte vetëm një rrugë kryesore, që kalonte pranë Hotel “Bozhurit”, dhe një park “Tauk Bahçe”.

Shkak, që i humba të gjitha vajzat rrugaçe me të cilat njohtohesha në qytet dhe fakultet ditën dhe natën. Dhe, i humbja ditën. Tre muaj mbeta pa asnjë mike besnike. E kuptova gabimin. Ndal, i thash vetes Kalosh Ҫeliku! Këtu, nuk është Shkupi me plotë rrugë dhe parqe për vendtakime. Jetë Nate. Është Prishtina, vetëm me një rrugë kryesore pa semaforë, dhe një park. Mund të kesh takime erotike, por vetëm me një vajzë besnike. Pastaj, mund të përfundosh edhe në theqafje.

Jetë, e çfrenuar dhe e bujshme studentore në Prishtinë, që na i ndau edhe rrugët e jetës. Rrallë, shiheshim rrugës nëpër Qytet. Unë, nga gabimi shkova në gabim. Përfundova me martesë. Ndërsa, ai u punësua si gazetar në Televizionin e Prishtinës. E, më vonë arratisje nëpër botë. Gjatë kthimit në vendlindje, Shaqiri përfundoi edhe në burg. Edhe, unë u punësova si arsimtar i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Gllogovc (Drenas) të Drenicës. Tre veta ishim asaj kohe në Prishtinë me flokë të gjata, mjekra dhe guna të zeza deri në fund të këmbëve. Njëri nga Shkupi, dy të tjerët nga Kosova. Ndoshta, edhe ne e sollëm Revolucionin në Kosovë?!

Kohë, kur rrugët e Prishtinës ishin të shtruara me baltë kuqe. E kishte vetëm një rrugë kryesore, atë që kalonte përmes qytetit pranë Hotel “Bozhurit” deri në Universitet me dy korzo të ndarë të njëjtës rruge me dy anë: korzon shqiptare dhe korzon serbe. Edhe, përronin “Prishtevka” pa lumë. Afër së cilës, në breg e kisha edhe barakën me dërrasa si banesë. Që, më vonë sistemi komunist, në vend që ta shndërroj në lumë natyror, e mbuloi me beton dhe e përjetësuan në kanal nëntoksor të ujëvarave të zeza. Arsyeja, se: asaj kohe, kishte kushte dhe mundësi ta ringjallin “Prishtevkën” me ujërat e Liqenit të Ujëmirit.

E kishte edhe, “Tauk Bahaçen”, “Gërminë” dhe Liqenin artificial të “Badovcit”, nga ku e merr ujin për pije. Verë e dimër i rrahur nga era, shiu, breshëri dhe bora. Qytet, i vetëm në botë me këto kushte politike, natyrore dhe atmosferike që ende e mbante veten gjallë?! Shkaku, se: Qytetet, gjithmonë janë ndërtuar udhëkryqeve, pranë lumenjëve, bregliqeneve, bregdeteve. Kutadi, Unë: Ndoshta edhe nga ky shkak e ka marrë emrin si Kryeqytet Prishtina?! Përndryshe, kryeqytet i Kosovës është dashur të jetë Prizreni. Sistemi komunist, nuk e ka lënë Prizrenin si Kryeqytet të Kosovës, shkaku ngjarjeve historike që kanë ndodhur në atë qytet, dhe që është në kufi politik me Shqipërinë.

Dhjetë vite më vonë me gjithë studime dhe punë, pas një atentati të dështuar në Hotelin “Bozhur”, ika edhe nga Prishtina, rrëzë Ҫuke në Katund të Kërçovës. Nga ku, pas një viti si i papunë do t’i humbë gjurmët si ushtar në Knin të Kroacisë. Kazermë ushtarake “potkazen punkt” (punkt i të dënuarve), që ma përkujtonte vendlindjen Kërçovën. Përçdudi, e kishin po të njëjtën pozitë gjeografike, emërim dhe pozitë ushtarake. Vetëmse, i dallonin lumnjtë. Kërçova e kishte Lumin e Zajazit, e Knini lumin Kërka.

Pas, një viti të shërbimit ushtrisë do të kthehem në Shkup. Qytet, që përshak, se: nuk isha banorë i këtij qyteti, u detyrova të punësohem si mësues në Malësinë e Shkupit. Nga ku, edhe sipas një bisede informative në polici nga një denoncim me njëzetë emra dhe mbiemra shqiptarë, se: unë jam i dërguar nga Kosova që të veproj në këto anë. Dhe, Ҫështjen Shqiptare dua ta zgjidhë me luftë! Përmëtepër, se: edhe Unë, jam ai kryesori. Qesha. U thashë: Unë dua të jem ai kryesori, por fatkeqësisht, nuk jam. Edhe, se: Disa takime të fshehta kam pasur në Bullgari. Dhjetëra mijëra marka i kam dorëzuar Partisë Socialiste, në Shqipëri?!

Vite më vonë, ndodhi Lufta e 2001 -shit. Shërbimet informative policore, dhjetë vite më herët kishin informata të sakta për këtë Luftë “çlirimtare” në IRJ të Maqedonisë. Pas lufte, në skenë doli edhe Koronavirusi me masat qeveritare: mos dilni në rrugë pa maska! Lani duart me Sapun! Dy metra larg edhe me Gruan besnike! Pastaj, Pandemia politike. Vaksina pa të cilën nuk mund të kaloheshin kufinjt politik shqiptaro – shqiptar. Hyrja, në restorante. Liri, kishe vetëm te “Parku i Garve”, në Shkup. Askush, nuk të kërkonte vaksinë.

Luftë, bërtita me Koronavirusin! Pandeminë politike. Thirrje profetike, pas vdekjes klinike në Voskopojë, dhe ringjalljes në Korçë (2000). Parashikim i Luftës të 2001 -it, që ndodhi në IRJ të Maqeodnisë (2001). Armët e vetme të mia luftarake: Pena, rakia e rrushit. Dy shtamat me verë të Mikes Laydi Di. Dhe, Poezia. Ëndrrat e tmerrshme me të vdekurit, dhe të gjallët, që i shihja përnatë me “armikun e padukshëm” pasmesnate: Koronavirusin dhe Pandeminë. edhe me të gjallët. Edhe, të vdekurit. U Ringjalla.

Ikëm me vite nga jeta e bujshme studentore – artistike, por jo edhe nga Balta e kuqe…

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.