Autore:
Elife LUZHA
Kur, në një rend demokratik, politika brenda një periudhe të shkurtër kohore u drejtohet disa herë qytetarëve për të kërkuar besimin e tyre, atëherë pyetja nuk shtrohet më se kush do të fitojë, por çfarë po humbet gjatë rrugës.
Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, që do të mbahen më 7 qershor, nuk janë thjesht një proces, por një tregues i çartë se kriza jonë nuk qëndron te rezultati, por te mungesa e vullnetit për ta respektuar atë.
Ky realitet na flet qartë se ajo që po ndodh nuk është vetëm pasojë e rrethanave politike, por edhe pasqyrim i mungesës së cilësisë dhe përgatitjes së atyre që e ushtrojnë atë.
Prandaj, pyetja thelbësore që duhet shtruar sot nuk është sa shpesh shkojmë në zgjedhje, por kush janë ata që e ushtrojnë, apo pretendojnë ta ushtrojnë, profesionin e politikanit pa qenë të përgatitur për të.
Në këtë drejtim, mendimi i atdhetarit dhe politologut Ukshin Hoti, tingëllon më aktual se kurrë. Ai e koncepton politikën si një veprimtari shoqërore për të cilën vetëm disa janë kompetent. Sipas tij, ashtu siç vjershëtari nuk bëhet poet vetëm pse shkruan vargje, edhe individi që angazhohet në politikë nuk bëhet politikan vetëm pse merr pjesë në të.
Dhe, vërtet, duhet ta pranojmë se politika në vendin tonë, në përmasa shqetësuese, ushtrohet nga individë që thjesht marrin pjesë në të, e jo nga ata që janë të përgatitur për të.
Me fjalë të tjera, politika në vendin tonë ushtrohet nga ata që flasin shumë, por thonë pak, apo nga ata që kërkojnë pushtet por i shmangen përgjegjësisë…
Shumë nga përfaqësuesit politikë, të ardhur nga fusha të tjera, pa formim dhe përgjegjësinë që kërkon ky profesion, angazhimin politik e shohin më tepër si një mundësi për avancim personal, sesa si shërbim ndaj qytetarit. Ndërkohë, pasojat i paguajmë të gjithë, përmes vendimmarrjeve të dobëta, institucioneve të brishta dhe besimit që po venitet përditë.
Ky realitet bëhet edhe më shqetësues kur kemi parasysh se pikërisht këta përfaqësues, edhe pa mbështetjen e nevojshme qytetare, ngulin këmbë në marrjen e pushtetit me çdo kusht, duke e reduktuar politikën nga një mekanizëm përfaqësimi në një hapësirë dominimi, dhe duke cenuar kështu stabilitetin shtetëror dhe institucional.
Por kjo duhet të marrë fund, një herë e përgjithmonë.
Në zgjedhjet që po afrohen, më shumë se kurdoherë, qytetari duhet të sillet jo vetëm si votues apo spektator, por si punëdhënës që kërkon llogari, vizion dhe ndershmëri nga ata që kërkojnë mandatin e përfaqësimit.
Në këtë frymë, qytetarët votues duhet t’i refuzojnë partitë dhe liderët politikë të cilët, në vend që të shpalosin programe konkrete, përdorin gjuhë përçarëse, fyese dhe degraduese ndaj kundërshtarëve politikë.
Transparenca, llogaridhënia dhe funksionalizimi i institucioneve shtetërore duhet të jenë në qendër të çdo programi dhe diskutimi publik.
Njëkohësisht, qytetarët duhet të vlerësojnë integritetin, aftësinë dhe ndershmërinë e çdo kandidati, si dhe të kërkojnë prej tyre plane të qarta veprimi, afate kohore konkrete dhe përgjegjësi të plotë, përfshirë edhe gatishmërinë për dorëheqje në rast të mos realizimit të premtimeve.
Sepse në realitet, përgjegjësia nuk bie vetëm mbi ata që i zgjedhim, por edhe mbi ata që zgjedhin.
Krejt në fund, dua të shpreh besimin se, si edhe herëve të tjera, votuesi kosovar do të dëshmojë kulturë të lartë votimi, duke zgjedhur më të mirin, më të dëshmuarin dhe më të merituarin.
Ashtu qoftë!






