Mirënjohje për mësuesin e parë vendas të Bastarit, Tahir Jamaku!

1
650

Ibrahim Kabili Në Tiranë, Babrru dhe rrethina ka një numër të madh banorësh të ardhur nga krahina e Bendës dhe fshatrat e saj. Tahiri dhe familja e e tij janë vendosur në Babrru që në vitet ’60-të të shekullit të kaluar. Historia e tij nuk nis këtu. Ajo fillon në vendlindje, vazhdon me punën si mësues në Bastar e shkollat e tjera të zonës, dhe më pas me veprimtarinë e tij të gjatë në Babrru. Megjithëse ka kushte shumë të mira, ai përsëri mendjen e ka tek vendlindja. Ruan kujtimet më të bukura për të. Me datën 13.04.2022 bëj një bisedë në shtëpinë e tij, me mësuesin e parë vendas nga Bastari, Tahir Sulejman Jamaku.

Pasi përshëndetëm i tregoj qëllimin e vizitës. Biseda vazhdoj duke parë një foto të vjetër të vendosur në një kornizë, në këndin e shtëpisë. Në këtë foto ai ruante shumë kujtime nga fëmijëria e tij. Kishte dalë në moshë të vogël së bashku me dy prindërit, dhe vëllain e tij Rexhepin i cili vdiq aksidentalisht i ri. Në bisedë qenë të pranishëm bashkëshortja e tij Zyhraja dhe djali i madh, Sula. Biseda qe shumë miqësore dhe plotësohej herë pas here edhe nga dy familiarët… Ky shkrim për të, fshin sadopak “pluhurin e harresës” dhe lufton aq sa mundet “ndryshkun” që do sjellin vitet…

Tahir Jamaku lindi në vitin 1935 në një familje të thjeshtë në fshatin Bastar. Megjithëse në kushte shumë të vështira ekonomike, prindërit e tij bënë kujdes që ai të vazhdonte arsimin fillor dhe atë shtatë vjeçar. Në vend dhe në krahinë mbizotëronte analfabetizmi. Ky shkollim ishte komod për kohën. Arsimin fillor ai e kreu në Bastar, tek aneksi i xhamisë. Duke kujtuar atë periudhë Tahiri shprehet: “E kisha larg shkollën por kisha dëshirë të madhe për shkollë. Mësuesit e parë që punuan si mësues pas çlirimit në Bastar qenë; Ibrahim Kuka,
Kalem Tola, Engjëllush Gremi, Jani Rexha, Idriz Rizvani, etj. Kishte vështirësi për lokalin dhe mungonte baza materiale.

Kjo u tejkalua me kohën. Si mësues i ri punoja shumë dhe i kushtoja shumë kohë përgatitjes ditore. Në fillore dola me nota shumë të mira. Pasi kreva arsimit fillor u regjistrova me korespondencë në arsimin shtatë vjeçar pranë ish-shkollës pedagogjike në Tiranë. Qenë kohë të vështira, kishte shumë analfabetë, mungonin kudrot me arsim përkatës. Ndërkohë që vazhdoja shkollën shtatë vjeçare më thirrën në seksion dhe më ofruan të bëhesha mësues në Bastar. Mbeta i habitur fillimisht, ndonëse kisha shumë dëshirë të bëhesha mësues. Kjo sot mund të duket e pabesueshme. Ky qe realiteti kur unë fillova punë si mësues, ndonëse pa arsim përkatës.

Më kënaq fakti që sot nga Bastari ka shumë mësues me arsim të lartë që punojnë në arsim. Pas arsimit shtatë vjeçar për katër vite rresht dhe me kohë të pjesshme njëmujore, unë bëra kurs në shkollën pedagogjike. Atje mora njohuritë e para si mësues, u aftësova nga ana metodike dhe u pajisa me dëshminë përkatëse. Me pasion mund të arrish diçka në punë, ndoshta kjo ndodhi edhe me mua. Gjatë periudhës në arsim kam punuar në disa fshatra për një periudhë kohore prej trembëdhjetë vitesh. Në Bastar të Mesëm kam punuar me ndërprerje shtatë vjet. Ndër nxënësit e parë që kam pasur unë si mësues kanë qenë: Rabie Doka, Rabie Gjeçi, Zyhra dhe Hamide Kuka, etj. Fëmijët ishin të përkushtuar dhe të etur për dije e arsim. Më kanë ndihmuar shumë kryetarët e këshillit Haxhi Zeneli dhe Asllan Hysa.

Në fshatin Bastar-Murrizë shkolla qe tek shtëpia e Xan Nasufit. Nxënësit qenë të interesuar për mësim. Kam pasur koleg pune e ruaj përshtypjet më të mira për mësuesin Xhelal Luzi. Në shkollë ne mësuesit na ka përkrahur shumë kryetari i këshillit Hamit Çuni. Në Vilëz kam punuar tre vjet. SHkolla ishte tek shtëpia e Bajram Dokës. Të tre këto shkolla ishin vartëse nga shkolla 7 vjeçare e Zall-Mënerit. Më pas në këto shkolla u rrit numri nxënësve dhe u bënë 7-të dhe 8-të vjeçare. Kam punuar mësues tre vjet në Mojsit në shkollën 7 vjeçare, në ciklin e ulët, drejtor ka qenë Halil Ruzi. Kujtoj me respekt mësuesit Isuf Nelaj dhe Ilmi Brakaj. Kam punuar pak edhe në Shupal e shkolla të tjera si zevendësues”.

Gjatë punës në arsim Tahiri u tregua mjaft korrekt me nxënësit. Ai ishte kërkues, metodist i mirë dhe i afrueshëm me nxënësit. Ish-nxënësi i tij Ramazan Sita, sot 68 vjeç, kujton: “Mësues Tahirin e kam pasur mësues në klasën e parë në vitin 1961. Ruaj kujtimet dhe mbresat më të mira për të. Ai qe shumë i thjeshtë, i kuptueshëm në shpjegim, i dashur me nxënësit e komunitetin, shumë korrekt dhe kërkues, serioz në punë, metodist i mirë, i kushtonte shumë rëndësi përsëritjes gjatë orës së mësimit dhe këmbëngulte që mësimi të përvetësohej në klasë. Mësues Tahiri edhe “të keqin” apo “harrakatin” e bënte të mirë. Unë ruaj edhe sot marrdhëniet me të. Ai, ashtu si dikur edhe sot i ruan vlerat njerëzore dhe gëzon respektin e njerëzve ku banon”.

Duke e pyetur për mbresat që ai ka nga puna në arsim: Ai citon: – “Në vitin1967 u vendosa me banim në Babrru. Mu krijua mundësia dhe kalova në një punë tjetër. Për vitet në arsim them me bindje të plotë se:
● Nxënësit e atyre viteve qenë të etur për shkrim, këndim, matematikë.
● Si mësues ishim të përkushtuam në punë. I gjithë vendi ishte në lëvizje në vitet e para të pasçlirimit, po kështu edhe ne mësuesit.
● Prindërit qenë shumë të interesuar për tu dhënë shkollë fëmijëve, marrë parasysh këtu edhe kushtet e vështira të kohës.
● Në shkollë vinin shumica e nxënësve, më shumë djemtë, por edhe vajzat. Kjo qe arritje për kohën.
● Lufta kundra analfabetizmit e viteve 1947-1954 në zonë pati shumë rezultate. Me të filloj një epokë tjetër për arsimin, ku përfshiu banorët që ishin nën moshën 50 vjeç. Në Bastar kurset u bëheshin në lagje. Për drejtimin e tyre u aktivizuan shumë të rinj që kishin mësuar më parë shkrim e këndim. Unë kam qenë drejtues kursi për lagjen time, por ndihmova edhe në lagjet e tjera. Drejtues kursi në lagjet e tyre kanë qenë edhe Ymer Sita, Osman Doka, etj.
● Zona është arsimdashëse. Këtë e tregon fakti që krahina jonë sot ka qindra kudro me arsim të lartë.
● Ne mësuesit e parë të pas çlirimit vumë nga një tullë në murin e kalasë së arsimit. Sot arsimi në Bastar ka shumë arritje”.

Në aspektin familiar Tahiri është martuar me Zyhra Kukën. Kjo vjen nga një familje e fisme me origjinë nga Bastari. Kanë lindur pesë fëmijë: Nazimen, Fatbardhën, Luljetën, Sulejmanin dhe Sokolin. Tre vajzat kanë mbaruar arsimin e lartë për infermieri. Sulejmani ka mbaruar arsimin e lartë dy vjeçar për oficer. Ai punon në aktivitet privat në biznesin e tij. Djali tjetër Sokoli është me arsimin të mesëm dhe punon si emigrant në Hollandë.

Me punë të ndershme familja e tij ka krijuar kushte të mira jetese. Shtëpia e Tahirit ka qenë dhe do të mbetet një derë e hapur për banorët e zonës, miqtë dhe dashamirësit e shumtë të tij…

Ibrahim Kabili
Tiranë më 14.04.2022

1 KOMENT

  1. Mirenjiohia- CILESIA dalluese e PENAVE-perciellesse…!

    ..I nderuar Ibrahi Kabili-nje ish Nxenes ne vitet 66-73-ne kohen time, si mesues e drejtues shkolle ne Zall.Mner e Zall-Dajt, si nxenes i pasionuar per arsimin dale Mesues , bere koleg nje jete ne ate zone sa kuader drejtues shkoallash ee pushtetit lokal,sa nje pasionat si gazetar sa botime librash me ben ta ruaj konsideraten per te dhe mbi 30 vite une pesionist, me ate mbajtur lidhie si zedhenes i asaj zone,une nissur Misionin e nderuar te MESUESISE.I faleminderit sa sot me kujtoi nje nga MESUESIT e pare te Zones se Tamadhese te nderuarin Tahir Hamaku, punuar ne ate zone deri sa une e meruar me 1966 Figrn e tij si MESUES e njoha se e mbanin ne Goje gjithe anoret e fshatrave ai punuar,si e pasqyron dhe Ju i nderuari Ibraim sot ne Gazetar GJURME lenes-deri Historian i asaj krahine,Ju lumte. Nderi e konsiderate nga Une Families sa femijeve te nderuar KUADRO dale,nderuar ate familiesa BABANE e tyre ish Mesues i pare i zones Malore te Bastar- Zallmnerit sa ZallDajtit.

    Ju prifte e mira Gjithsa jeni Trashegimtare te asj ZONE nga me te njohura te Malsise Tiranes,sot marre nje zhvillim te pa krahasuar sidomos me aate Lidhien me RRUGEN drejt Burrelite deri Peshkopi. Si 87 vjecar rruget e emigracionit marre sot e 30 vjet,nuk le pa Vizituar- BENDE e Tamadhene,dy krahinat malore te pas Dajtit te Tirane, misionin e mesuesise nis.Ju prifte e mira dhe si gjithnje- MODEL i fshatrave te TIRANES sa mbare atdheut tone. Gezuar festat e ketij fundd Viti 2023, mresa te pa harruare marre me festat e TRE NENDOREVE,nga mediat.Ndies edhe RRESPEKT per tere KUADROT e asaj zone-Kranari dhe per mua- kontribur modest ddhene.

    Me ju ne Vijimesi i ndeuar Ibrahim Kabili- Me ne krah Vajzen Lindita,cupe qe Gjenezen e mori ne Zall-Dajt ne Prinderit te dy MESUES- une drejtor i Pare i shkolles deri te mesme Hapur 1967- 8 vjecare ,vujuar me te MESME me 1971. (Fatkeqesisht pas 90te mbyll- Ruajeni si MUZEUM te pakten,ate ndertes MODEL,mes lugines sa futesh ne ate Zone- drejt Selite me Malin me Gropa sa Zall-Bastar Zall-Mnes -Vilze e deri ne Qafshtambe ,perla e Natyre Turistie e Atdheut tone.Dite NJEMIJE i ndeuar Kolegu im,pasues deri me PENEN tende-Migjeniano- Naimjane! *7 vjecar nga Tornto ju uron festat e Nendorit,sa vitin e Ri…

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.