Hejza
Është i vetmi poet i varur në krejt botën, qysh nga mesjeta; është i vetmi poet me kryet e prerë për së vdekuri, qysh para kohëve homerike.
Atë Zef Pllumi shkruan për një të denuar në burgun e Ballshit, ia sharruan këmbët kur ndërroi jetë, pasi arkivoli zyrtar, një arkë e sajuar, ishte me dërrasa të shkurta, sa për një foshnjë. A thua koka e Havzi Nelës doli tepër lart mbi dhé, gropa e një shtylle ku e rrasën kambas nuk qe mjaftueshëm e thellë, dhe për këtë arsye e prenë, kushedi ku e degdisën për të mos u gjetur kurrë? Ishte shfryrje mllefi, sepse në të gjallë kryet e tij çohej nalt mbi pushtetin, mençurisht dhe trimërisht? – do të shkruante Mehmet Elezi.
Havzi Nela njihet si prej poetëve kundërshtarë të regjimit komunist, i cili që prej vitit 1967 u burgos dhe internua derisa në vitin 1988 u var në mes të Kukësit, me vendim të Ramiz Alisë.
Ai u lind më 20 shkurt të vitit 1934, në fshatin Kollovoz të Kukësit.
Gjatë studimeve në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës (sot Universiteti Luigj Gurakuqi), Nela u përjashtua për bindjet e tij kundër diktaturës, si element destruktiv.
Puna e tij e parë ishte si mësues në shkollën fillore të Planit të Bardhë, në Mat. Por shumë shpejt u dëbua edhe nga ky fshat për shkak të aktivitetit të dyshimtë: u lexonte nxënësve poemat e tij.
Më vonë arriti të përfundonte Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës me korrespondencë. Punoi si mësues në fshatra të ndryshme, si Krumë, Lojmë dhe Shishtavec, deri në vitin 1967, kur u transferua në Topojan. Aty kontrollohej vazhdimisht, u mor në paraburgim shumë herë dhe kufizohej mbi llojin e punës që mund të bënte dhe ku mund të jetonte.
Më 26 prill 1967, bashkë me të shoqen, Lavdien, kaluan kufirin me Kosovën. U arrestuan nga ushtarët jugosllavë dhe u burgosën në burgun e Prizrenit.
Më 6 maj 1967, jugosllavët i kthyen në pikën kufitare të Morinës, në këmbim të shqiptarëve nga Kosova, që qeveria komuniste e Enver Hoxhës ia dorëzonte policisë sekrete jugosllave, UDB-së.
Më 22 maj 1967, u dënua me pesëmbëdhjetë vjet burg për kalim të paligjshëm kufiri. E gjithë pasuria e tij u konfiskua. E shoqja u dënua me dhjetë vjet burg. Më 8 gusht 1975, iu shtuan edhe tetë vite të tjera. U lirua më 19 dhjetor 1986, por vetëm për një kohë të shkurtër.
Më pak se një vit më vonë, më 12 tetor 1987, u internua në fshatin Arrën për 5 vjet.
Më 24 qershor 1988, Gjykata e Lartë hodhi poshtë kërkesën e Lavdie Nelës, dhe ai u dënua me varje. Miratimi përfundimtar i dënimit me vdekje nga Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor, Ramiz Alia, çoi në ekzekutimin e tij më 10 gusht 1988, në mes të qytetit të Kukësit.
Pasi u ekspozua gjatë gjithë ditës së 10 gushtit, u varros vertikalisht në vrimën e krijuar nga heqja e një shtylle. Është dekoruar me medaljen “Martir i Demokracisë” nga Presidenti i Republikës.
Vetëm pas 30 vitesh, bashkia e Kukësit, në vitin 2018, vendosi bustin e tij dhe rindërtoi shtëpinë-muze në Kollovoz, fshatin e lindjes, ndërsa emrin e tij e mban gjimnazi i qytetit.