FUGA E VDEKJES – poezi të zgjedhura nga Paul Celan

0
1195
Paul Celan - Todesfuge

PAUL CELAN

FUGA E VDEKJES
(Poezi të përzgjedhura)

Zgjodhi dhe shqipëroi nga gjuha gjermane
Isak A H M E T I

PAUL CELAN – POET I TRAGJIKËS NJERËZORE
(1920-1970 )

I.

Paul Celan-i është ndër poetët më të mëdhenj bashkëkohës gjarmanë. U lind në Çernoviç të Rumanisë me 1920, ndërsa në fillim të muajt maj 1970 përfundon jetën në mënyrë tragjike në Paris. Rrjedh nga një familje hebreje, e cila si gjuhë amtare e kishte gjermanishten. Në vitin 1942 fashistët e kishin dërguar në kampin e përqëndrimit, por, pas shumë torturave, arriti të shpëtojë. Pas çlirimit kthehet në Rumani, ku ka kontribuar pamasë në ngritjen kulturore. Ndërkaq me 1947 ai largohet nga Rumania dhe shkon në Vjenë, ndërsa më 1948 shkon në Paris ku jetoi deri në vdekje.

Pasi kryen gjimnazin në vendlindje, regjistron medicinën, ndërsa më pas studjon romanistikën, gjermanistikën dhe linguistikën në Universitetin e Çernoviçit dhe të Parisit (Horst Bingel: Deutsche Lyrik Gedichte seit 1945, München 1972, fq.233). Kjo, prandaj, ia bëri të mundshme Celanit të fitojë një bagazh njohurish teoriko-letrare dhe estetike për të krijuar, pos tjerash, edhe: FUGA E VDEKJES (TODES FUGE), që konsiderohet si njëra nga poezitë më të bukura të lirikës gjermane të pas LDB.

Paul Celan-i është poet i cili, për mrekulli, ka zotëruar mjetet më të rafinuara të artit poetik modern. Këtë e kanë dëshmuar studiues të shumtë të veprës së tij poetike. Ai është poet meditativ, poet refleksiv, poet filozof… është poet i tragjikës njerëzore. Këtë e dëshmon më se miri poezia e tij me vlera antologjike: FUGA E VDEKJES, ku kemi një paraqitje poetike, fenomenale, të realitetit bashkëkohës…

FUGA E VDEKJES, sipas të cilës edhe e emërtuam këtë përzgjedhje, është realizimi më i bukur i poetit, Paul Celan-it. Atë duhet kuptuar si metaforë poetike, si kontrapunkt të jetës dhe vdekjes, të pikëllimit dhe gëzimit, të dritës dhe errësirës. Duke u nisur nga nocioni titullor “FUGA” mund të pohohet me plot të drejtë se intencë e vetme e poetit në fjalë ka qenë që të lidhë, në mënyrë të vetëdijshme, komplekset e ndryshme tematike në një tërësi të vetme dhe pastaj ato t’i përpunojë poetikisht brenda një tërësie. Kjo, prandaj, dëshmohet edhe me faktin se në të kemi katër nocione kryesore, katër komplekse tematike:

1. QUMËSHTI I ZI I AGIMIT (SCHWARZE MILCH DER FRÜHE),
2. NJERIU QË LUAN ME GJARPËRINJ (EIN MANN …SPIELT MIT DEN SCHLANGEN),
3. AI SHKRUAN NË GJERMANI (DER SCHTEIBT …NACH DEUTSCHLAND), dhe
4. VARRI NË AJËR (EIN GRAB IN DER LUFT). Por kuptohet se tema kryesore e poezisë: FUGA E VDEKJES, është “QUMËSHTI I ZI I AGIMIT”, ndërsa temë përcjellëse është “NJERIU QË LUAN ME GJARPËRINJ”. Kurse bartës kryesor i gjithë kësaj është subjekti: NE (WIR), dhe AI(ER). Veta e parë: NE (WIR), është shprehje e identifikimit monolog, ndërsa veta e tretë: AI (ER), është shprehje e qartë e distancës objektive. Për më tepër edhe NE edhe AI janë të ndërthurur mes veti dhe baras të transponuar në tërë tekstin poetik.

II.
Në lidhshmërinë intensive dhe të vulosur të komplekseve është masa e të robëruarëve: NE (WIR) me kompleksin e atij: NJERIUT QË LUAN ME GJARPËRINJ e që në fakt konkretizon kobin… “QUMËSHTI I ZI” haset që në vargun e parë dhe përsëritet sipas principit të imitimit edhe tri herë. Sepse në fakt kjo është tema e parë kryesore e “FUGES SË VDEKJES” dhe paraqet tymin e zi të krematoriumit. “QUMËSHTI I ZI” është i lidhur me atributin e gjenitivit të “AGIMIT” (SCHWARZE MILCH DER FRÜHE” dhe i jep figurës një dimension kuptimor më të thellë. “AGIMI” këtu nuk simbolizon çastet e para të ditës, por periudhën më të tmershme të historisë së hebrenjve. Figura e “QUMËSHTIT” paraqet ekzistencën lakuriqe, ndërsa atributi “i zi” simbolizon kërcënimin, kobin, vdekjen, e cila paralajmërohet që në vetë titullin.

Bartësi i dytë tematik i “FUGËS SË VDEKJES” është: AI(ER). Poeti e quan “njeri”, pra”njeri që luan me gjarpërinj”, “një njeri banon në shtëpi” dhe “luan me gjarpërinj”, “shkruan në Gjermani”, dhe “i ndjell qent e vet”, “i thrret hebrenjt e vet”, “na dhuron një varr n’ajër”, “luan me gjarpërinj dhe ëndërron”. Ai (er), si subjekt karakteristik kalon në emëtimin vdekje. Dhe pikërisht këtu: FUGA E VDEKJES, e Celanit arrin kulmin e vet poetik: vdekja është një mjeshtër nga Gjermania (der Tod ist ein Meister aus Deutschland). Këtu këputet zinxhiri i asociacionit dhe kështu bëhet shprehje e momentit historik: fati i hebrenjve në LDB. Përndryshe pirja e “qumështit të zi të agimit” për çdo ditë e fiton këtu kuptimin konkret në momentin e konfrontimit me”njeriun”në duart e të cilit është fati i hebrenjëve të robëruar. Njeriu “me sy të kaltër” (sein Auge ist blau), në këtë poezi personifikon kobin e hebrenjve.

Njeriu bart në vete elemente të vrazhdësisë dhe të sentimentalitetit, të erotizmit dhe të dëshirës për lojë. Rekuizitat për lojë në FUGËN E VDEKJES janë “gjarpërinjt”, “qent”, dhe “hebrenjt”. Momenti i lojës në FUGËN E VDEKJES të Celanit është me shumë rëndësi. Por këtu loja nuk simbolizon forcën për t’i kundërshtuar fatit dhe fatkeqësisë. Pra loja (vallëzimi) këtu ka kuptim tjetër, jo kuptimin e shpëtimit. Vallja (vallëzimi) këtu përfundon në tymin e krematoriumit. Ky vallëzim, kjo lojë, është mortore – viktimë me ritëm mortor me refren të katërfisht.

Nuk mund të mos e përmend këtu edhe faktin se çelësi i të kuptuarit të FUGËS SË VDEKJES ofron asociacone të përgjithshme dhe të njohura. Ato janë të lidhura me dy emra karakteristikë:

Floku yt i artë Margaretë
Floku yt i përhimtë Sulamitë“.

Margareta flokë artë është në fakt tipi i vajzës gjermane, njëkohësisht qenia pa ngjyrë, si klishe banal me funksion kontrasti. Margareta jeton në Gjermani, asaj i shkruan letër “njeriu me sy të kaltër“, ajo ka flokë të arta “deine goldenes Haar Magareta“.

Sulamita ndërkaq është e dashura e poetit nga “KËNGA E TË GJITHA KËNGËVE” të Biblës. Ajo është antipod i Margaretës gjermane. Sulamita e Celanit ka flokë të përhimta “deine aschnes Haar Sulamith“. Kjo ngjyrë përndryshe është simbol i pikëllimt oriental.Hiri këtu është shifër e vuajtjes.

FUGA E VDEKJES në veçanti dhe poezia tjetër e Celanit në përgjithësi, edhe ajo që është përfshirë në këtë libër, ka ndjekur gjurmët e asaj poezie e cila gjatë njëqindvjeçarit vazhdimisht ka gjakuar t’i thyejë kufinjtë e konvencës duke kërkuar hapësira të reja, përmbajtje të reja si dhe, në përputhshmëri me këtë, mudësinë e ekspresionit gjuhësor. Edhe Celani porsi Baudelaire, Rimbaud, Mallarme etj. është një “avanturist” i gjuhës poetike, i pafat dhe guximtar; është kapur fytafyt me qiellin dhe ferin duke kundërshtuar kështu normat ekzistuese të traditës për t’u lëshuar në labirinthet e botës së brendshme të njeriut. Dhe si e tillë, poezia e Celanit u bë e njohur në Evropë dhe botë Ndërkaq shqiptarët në ish-Jugosllavi kanë pasur fatin të njihen ndër të parët me vlerat e njëmendëta poetike të këtij porti të madh. Prezentimin e parë të këtij poeti të madh tek ne, e kam bërë unë në vitet e 70-ta te revista “Fjala“, 12.12.1970.

Krejt në fund le të theksojmë se poeti në fjalë çmohet dhe vlerësohet si njëri nga poetët prijetarë evropianë, në veprën e të cilit hasim frymën prijëse të filozofisë së ekzitencës.
Poezitë e librit: FUGA E VDEKJES, janë përzgjedhë nga libri: Paul Celan: GEDICHTE I-II, Suhrkamp Verlag Frankfurt am Main, 1975.

Isak AHMETI

I

LULEKUQJA DHE KUJTESA, 1952
(MOHN UND GEDÄCHTNIS)

RREZJA E NATËS

Digjej flakë floku i dashurisë sime në mbrëmje:
asaj ia kam dërguar arkivolin nga druri më i lehtë.
Është vërshuar me valë si shtroja e ëndrrave tona në Romë;
ka flokë t’rrejshme t’bardha si unë dhe flet me zë të mbytur:
flet si unë kur afrojmë zemrat.
E di këngën françeze mbi dashurinë që kam kënduar në vjeshtë,
kur isha n’udhëtim në vend të bukur
dhe letra i shkruaja agimit.
I bukur është arkivoli, i gdhendur nga druri i ndjenjës.
Edhe unë kam lundruar me të nëpër gjak, kur isha më i ri se syri yt.
Tash ti je e re, si zogu i vrarë, në borën e marsit,
tash t’afrohet dhe të këndon këngën e vet françeze.
Ju jeni të lehtë: Verëni pranverën time në gjumë deri në fund.

Unë jam më i lehtë:
Këndoj për vendin e huaj.

( 2 )

KUJTOJ FRANCËN

Kujto me mua: qiellin e Parisit…
Kemi blerë zemra te shitsja e luleve:
Ishin të kaltërta dhe kishin lulëzuar n’ujë.
Në dhomën tonë kish filluar të bjerë shi,
dhe na erdhi fqinji, Monsieur Le Songe.
Kemi lozur letra, kam humbur dritën e syve;
ma dhe flokun, e humba atë, ai na rrahu.
Doli nga dera i përcjellë me shi.

Ishim të vdekur dhe mund të merrnim frymë.

( 3 )

RËRA PREJ URNE

Kaltëri shkëlqimtare është shtëpia e harresës.
Para dyerve të shkatërtuara kaltrohet
valltari yt me kokë të prerë.
Ai i bie daulles prej myshku dhe flokut të
të turpshëm;
me gishtin e qelbur të këmbës vizaton
në rërë vetullën tënde.
E vizaton më të gjatë se ç’ishte dhe të kuqët e buzëve tua.
Këtu ti mbush urnën dhe kafshon zemrën
tënde.

( 4 )

MESNATË

Mesnatë. Me thikat e ëndrrës e shtrënguar në sytë vezullues.
Mos bërtit nga dhembja: si fluska shpërndahen retë.
Qilimi i mendafshtë ashtu i gozhduar mes nesh,
për të vallëzuar nga errësira n’errësirë.
Fyellin e zi na e kanë gdhendur nga druri i gjallë
dhe tash po vjen valltarja.
Gishtërinjtë e tjerrur nga shkumë e detit na i fut në sy:
aty diçka ende do qajë?
Asgjë. Ashtu kalon në dhembjen e lume,
dhe daullja bëhët më e zëshme.
Na i hedh unazat, ne i zëmë me thika.
A kurorëzohet kështu? Dëgjohet një zë i thyer dhe tash
prapë e di:
ti s’ke vdekur
me ngjyrën e mullagës.

( 5 )

KOT VIZATON ZEMRAT

Kot vizaton zemrat në dritare:
mbreti i qetësisë
përtërin numrin e ushtarëve atje n’obor të pallatit.
Flamuri i tij valon në pemë-gjeth i kaltër duket kur vjeshta është afër;
ushtarëve ua jep mburojat e pikëllimit dhe lulet e kohërave:
me zogj në flokë niset t’i dorëzojë shpatat.
Kot vizaton zemrat në dritare: një Zot është mes çetave
i mbështjellë me gunë që atëbotë i kishte rënë krahëve,
shkallëve, natën,
atëbotë kur pallati po digjej flakë,
pat folë ndryshe: e dashur…
Ai s’e njeh gunën, s’e thërret yllin, po e ndjek atë gjeth që po fluturon para tij,
i parafytyrohet “mburoja” o “lule e kohërave”.

( 6 )

LAVDATË LARGËSISË

Në kroin e syve tu
rrojnë rrjetat e peshqëve të detit.
Në kroin e syve tu
deti ruan premtimin e vet.

Këtu e hudha unë,
një zemër që rroi mes njerëzve,
hoqa prej vetes këmishën dhe përflakjen e betimit.

Më e zeza në të zeza,jam i zhveshur.
Pabesisë i bëhem besnik.
Unë jam ti kur unë jam unë.

Në kroin e syve tu
punoj unë dhe ëndërroj prenë.

Një rrjetë ka zënë rrjetën tjetër:
ne ndahemi të përqafuar.
Në kroin e sve tu
një i varur
mbyt litarin.

( 7 )

FUGA E VDEKJES

I

Qumështin e zi t’agimit ne e pimë në mbrëmje
ne e pimë në mesditë në mëngjes dhe natën
ne pimë dhe pimë
ne gërmojmë një varr në ajër aty s’është ngushtë për t’u shtrirë
një njeri banon në shtëpi dhe luan me gjarpërinj
ai shkruan
ai shkruan në Gjermani kur floku yt i artë Margaretë
po ngryset
ai shkruan dhe del para shtëpisë dhe yjet ndriçojnë
me fishkëllimë i ndjell qentë e vet
i thërret dhe hebrenjtë e vet pranë dhe urdhëron gërmimin
e një varri në tokë
urdhëron që tash të jehojë muzikë vallëzimi

( 8 )

II

Qumsht i zi i agimit ne ty të pimë natën
ne ty të pimë në mëngjes dhe në mesditë ne ty të pimë
në mbrëmje
ne pimë dhe pimë
një njeri banon në shtëpi dhe luan me gjarpërinj
ai shkruan
ai shkruan në Gjermani kur floku yt i artë Margaretë
po ngryset
floku yt i përhimtë Sulamitë ne gërmojmë një varr
në ajër aty s’është ngushtë për t’u shtrirë
na urdhëron groponi më thellë në tokë ju të tjerët këndoni
dhe vallëzoni
i shtrëngon prangat dhe vringëllojnë sytë e tij janë të kaltër
më thellë lopatën vazhdoni këngën dhe vallëzimin

( 9 )

III

Qumësht i zi i agimit ne ty të pimë natën
ne ty të pimë në mesditë dhe në mëngjes ne ty të pimë në mbrëmje
ne pimë dhe pimë
një njeri banon në shtëpi floku yt i artë Margaretë

floku yt i përhimtë Sulamitë ai luan me gjarpërinj
ai fton vallëzoni vdekja më e ëmbël
vdekja është mjeshtër nga Gjermania
ai grish bini lahutës më ngrysur dhe do ngritemi n’ajër
si tymi
do e kemi varrin në mjegulla aty nuk do jetë ngushtë

( 10 )

Qymësht i zi i agimit ne ty të pimë natën
ne ty të pimë në mesditë vdekja është mjeshtër nga Gjermania
ne ty të pimë në mbrëmje dhe në mëngjes
ne pimë dhe pimë
vdekja është mjeshtër nga Gjermania
syrin e ka të kaltër
ai të qëllon saktë me plumb
një njeri banon në shtëpi floky yt i artë
Margaretë
ai të qëllon saktë me plumb
një njeri banon në shtëpi floku yt i artë
Margaretë
ai na i ndërsen qentë e vet na e dhuron varrin n’ajër
ai luan me gjarpërinj dhe ëndërron vdekja është mjeshtër nga Gjermania

floku yt i artë Margaretë
floku yt i përhimtë Sulamitë

( 11 )

II

NGA PRAGU NË PRAG
(VON SCHWELLE ZU SCHWELLE)

12

DËGJOVA SE PO FLITEJ

Dëgjova se po flitej
n’ujë është guri e rrethi
sipër ujit fjala,
përqark gurit bën rrethin.

Vërejta plepin tim duke zbritur n’ujë,
vërejta se si dora po i zhytej në thellësi,
vërejta rrënjët e tij duke kërkuar natën nga qielli.

Nuk nxitova pas tij,
vetëm nga dyshemeja mblodha atë thërmijë
që ka dritën e syrit dhe fisnikërinë tënde,
unë nga dora mora atë varg fjalësh
dhe me to qepa për rreth tryezën ku rrinte thërmia.

Dhe kurrë më s’u duk plepi im.

( 13 )

DRITA

Me trup të heshtur
rri në rërë afër meje,
e yllëzuar.

Mos u thye rrezja këtu
tek unë?
Mos ishte thupër
e thyer mbi trupin tonë
dhe ashtu bën dritë?

( 14 )

PESHA

Peshën që ma hudhe
nuk është nga guri, ai shkrihet,
ku me gishtin e përlyer
ia çelë thellësitë në flokë të krehur.

Vetëm ty
kah unë të shtyn
ajo që e ka hedhur.

Pëshpërit për plumbin,
pëshpërit plumbi sapo hëna të ndritë.
Kalin tim kqyre.
Krehe kalin tim derisa dora ta ndajë bukën këtu.
Shiloje deri tek tryeza këtej kah lugu i ujit.

( 15 )

KOKËRRZA E RËRËS

Shkëmbi ku të gdhenda,
kur nata bridhte pyllit të vet:
të ndava si drurin
e të lidha në barin e murrmë të fjalëve
më të qeta
si në rrënjë

një zog
prej loti më të rrumbullakët,
lëviz përmbi ty si ndoj gjeth:

mund të presësh
derisa midis atyre syve
mos ta vendosin kokërzën e rërës
që më ndihmoi të ëndërroj
kur u zhyta të të gjej-

Ti përpara ia zbulon
rrënjët,
të flatrojnë derisa toka digjet nga vdekja,
ti shtrihesh përpjetë,
e unë përplasem mbi ty si gjeth,

që di se hapen dyert.

( 16 )

FIGURË E DYFISHTË

Le të jetë syri yt gacë në dhomë,
shikimi yt shkëmb,
le të jem unë dhe i vërbuar
që ta ndezi flakën.

Jo.
Le të ndodh diçka tjetër.

Dil para shtëpisë,
vërja takëmin e shalës ëndrrës së larme,
le t’i flasin thundrat
borës, që, duke fryrë, po ma heq
nga maja e shpirtit tim.

( 17 )

LARGËSITË

Sy me sy, në acar,
të fillojmë edhe ne
ashu bashkë
le të thithim atë pëlhurë të hollë
që po na fshehet nga njëri-tjetri,
kur mbrëmja nis të largohet,
edhe sa është larg
prej çdo pamjeje muar
deri te pamja
që ne të dyve na dha.

( 18 )

ATY KU ËSHTË AKULL

Aty ku është akull, për ty është ftohtë.
Për të dy: për atë të ftova.
Fryma si erë ishte rreth teje-
erdhe nga trëndafili.

Kam pyetur:si të quanin atje?
Ma the atë emër:
në të si prej hiri qëndronte drita
nga trëndafili ke ardhur.

Aty ku është akull për ty është ftohtë:
dy emra t’i dhashë.
Ke çelur syrin nga poshtë-
Shkëlqimi mugullonte n’akull.

Do të mbyll tash unë, kam folë:
Merre këtë fjalë-i tha syri im tëndit!
Merre, përsërite bashk me mua,
përsërite bashk me mua, përsërite ngadalë,
përsërite ngadalë, zgjate,
dhe syrin tënd-mbaje gjatë ashtu të hapur.

( 19 )

AI QË NA I NUMËRONTE ORËT

Ai që na i numëronte orët,
ai ende na i numëron.
Trego, ç’po numëron ai?
Ai numëron dhe numëron.

Nuk do bëhet më ftohtë,
as më errët,
as më ritueshëm.

Ajo që na ndihmoi të dëgjojmë:
vetëm ajo tash dëgjon
vetëm për vete.

( 20 )

ME ÇELËS TË NDRYSHUAR

Me çëlës të ndryshuar
po e hap shtëpinë,ku
borë e të heshturve bie.
Sipas gjakut që të vlon
prej syrit, prej gojës ose prej veshit,
të ndërrohet çelësi.

Ndërrohet çelësi yt, ndërrohet fjala,
që me fjolla guxon të flatrojë.
E sipas erës që të hedh
mbështillet lëmshi i borës rreth fjalëve.

( 21 )

SYRI I KOHËS

Ky është syri i kohës:
shikon shtrembër,
nën vetullën shtatëngjyrëshe.
Kapakun ia lajnë zjarret,
lotin e ka avull.

Ylli i verbër turret në të
dhe shkrihet në qepallën e nxehtë:
bota ngrohet më shumë,
të vdekurit
bulëzojnë dhe lulëzojnë..

( 22 )

KENOTAF

Hedhi lulet tua, njeri i huaj, hedhi qetësisht:
po ua jep thellësive poshtë,
kopshteve

Ai që duhej të rrinte këtu, nuk ndejti
askund. Po pranë tij rri bota.
Bota që i hapte sytë
para bulimit të larmishëm.

Dhe ai, mbasi pa gjithçka,
u ndal me të verbërit:
dhe voli shumë:

voli erën e luleve-
ata që e shikuan, nuk ia falën.

Atëherë u nis dhe piu një pikë të mrekullueshme:
Detin.
Peshqit-
a u aftuan tek ai peshqit?

( 23 )

MIKU

Shumë kohë para darkës
tek ti vjen ai që përshëndetjen
e ndërroi me errësirën.

Pa aguar dita,
zgjohet
dhe para vajtjes trazon ëndrrën,
ëndrrën ku rrapëlluan hapat:
ti e dëgjon duke matur largësitë
dhe shpirtin tënd po e gjuan atje.

( 24 )

III

PARMAKU I FJALËS, 1959
(SPRACHGITTER )

25

ZËRI I JAKOBIT

Lot.
Lot në syrin vëllazëror.
Një lot rrinte varur, rritej.
Në të banojmë.
Merr frymë,
që të ndahet.

26

ZËRAT NË BRENDËSI

Vetëm
goja
rri e fshehur. Ju
që po fundoseni, dëgjoni
dhe ne.

27

ZËRAT

të rritur
me natën, litarë,
ku ti e varë këmbanën.

28

ZËRAT NGA RRUGA NË HITHËRA

Eja tek ne nëpër duar.
Kush është vetëm me dritë,
ka vetëm dorën, që të lexojë.

29

DORA

Tavolinë me drurin e orës.
Me ushqim :oriz dhe verë.

Aty heshtet, hahet, pihet.

Dora që kam puthur,
e bën më të hareshme gojën.

30

KÖLN, AM HOF

Kohë e zemrave,
ëndërrimtarët qëndrojnë
për shifrën e mesnatës.

Disi ka folë në heshtje, disi ka heshtur,
disi ecte rrugës së vet.

E internuara dhe e humbura
ka mbetur në shtëpi.

Ju katedrale.

Ju katedrale të papara,
Ju lumenj të pa përgjuar,
Ju orë thellë në ne.

31

LULJA

Shkëmb,
Shkëmb n’ajër, atë e kam ndjekur.
Syri yt i verbër si shkëmbi.

Kemi qenë,
duar,
e kemi shpërndarë terrin, kemi
gjetë fjalën, që është ngritur me fluturim:
Lule.

Lule- fjalë e verbër.
Syri yt dhe syri im:
kujdesën për ujë.

Lartësim.
Muri i zemrës rrotull murit të zemrës
gjethëson.

Akoma fjalë si kjo
dhe çekanët
luhatën në liri.

32

SHPIRTËRAT E PURGATORIT

Ç’kam bërë
unë?
Natë e mbarësuar,
sikur të mund të kishte edhe të tjera
si kjo.

Fluturimzogu, fluturimguri, njëmijë
rrugë të përshkruara. Pamje,
të rrëmbyeshme dhe të këputura. Deti,
i provuar, i shterrur, i ëndërruar. Një orë,
e errësuar nga shpirtërat. Tjetra, një dritë vjeshte,
e sjellë me ndoj ndjenjë që erdhi rrugës. Të tjerët,
shumë, pa vend dhe të rënduar nga vetvetja: të njohur
dhe të panjohur.
Fëmijë të gjetur, yje
të zezë dhe plot gjuhë: të emërtuar
pas betimit.
Dhe njëherë (kur ?) edhe kjo është e harruar):
ndjen tehun e lakuar
ku pulsi rrezikonte të kundërtat.

33

IV

TRËNDAFILI I ASKUJT, 1960
(NIEMANDSROSE)

34

PSALM

Askush më nuk na krijon nga dheu e balta,
askush s’i flet hirit tonë.
Askush.

Qofsh lavdëruar ti, Askush.
Do lulëzojmë
për dashurinë tënde.
Ty të dalim në takim.

Kemi qenë, kurgja jemi e do mbesim,
gjthnjë, duke lulëzuar:
kjo kurgjë-
trëndafil i askujt.

Me
dorën e shpirtit të ndritur
thekë e qiellit të shkatërruar,
me kurorë të kuqe
prej fjalës së purpurtë që e kënduam
për therrën, o
për therrën.

35

ERËRAT E VJESHTËS

Astra kish kaluar
nëpër mes të atdheut e humnerës
nëpër kujtesën tënde.

Ndoj humbje e huaj
ishte e pranishme në fytyrë,
thuaj se
ke jetuar.

36

FJALË PËR HYRJE NË THELLËSI

I kemi lëruar.
Vitet, fjalët që atëherë.
Ende jemi gjallë.

E di, hapësira është e pakufi,
e di, nuk duhet të fluturosh,
e di, ajo që t’është shkruar në sy
na shpie më thellë.

37

S’ËSHTË MË AJO

Ajo
peshë e fundosur
ndonjëherë me ty
në orë.
Një tjetër
është.

Është kjo peshë
që ruan zbrazëtirën,
dhe do niset
me ty.
Ajo s’ka emër, as ti. Ndoshta
jeni të njëjtë. Ndoshta dikur
ahtu do më quash.

38

KISHIN TOKË dhe
ata groponin

Groponin dhe groponin, ashtu u kalonte
dita, nata. Dhe nuk e lavdëronin Zotin,
ashtu kishin dëgjuar, atë e kishte kërkuar,
ashtu kishin dëgjuar, atë e kishte kërkuar.

Groponin dhe më asgjë nuk dëgjuan,
s’u bënë të mençur, s’e zbuluan këngën,
s’e zbuluan asnjë gjuhë
Ata groponin.

Dhe arrin heshtja, arrin edhe stuhia,
arritën të gjithë detërat.
Unë gropoj, ti gropon, gropon dhe krimbi,
dhe kënga atje thotë: ata gropojnë.

Një ose asnjë, askush ose ti:
Ku, kur askund nuk shkohej?
Dhe ti gropon dhe unë gropoj, gropoj
gropoj veten kah ti dhe gisht-unaza zgjohet.

39

QIELLI

QIELLI-lëkurë-lepuri. Shënon
gjithnjë krah të dukshëm.

Dhe unë erdha
si kojrrilë
duke kujtuar
ngjyrat e pluhurosura.

40

ÇKA KA NDODHUR

ÇKA KA NDODHUR? Shkëmbi doli nga mali.
Kush u zgjua? Ti dhe unë.
Gjuha, gjuha. Janë yll. Tokë e dytë.
Më e varfër. E hapur. E atdheut.

Ku të shpje kjo? Rrugë që s’bërlyket.
Lëviz me shkëmbin, me ne të dytë.
Zemra dhe zemra. Vështirë mbahet.
Të bëhesh më i rëndë. Për të qenë më i lehtë.

41

V

KTHIMI I FRYMËS, 1967
(ATEMWENDE)

42

FILL I DIELLIT

Mbi shkretëtirën e përhirtë
në të kuqe
si ndoj pemë
mendimi i lartë
e zë dritën e zërit:
ende ka këngë për t’i kënduar
matanë njerëzimit.

43

NË LUMENJ

NË LUMENJ në veri të ardhmërisë
hudh rrjetën duke u hamendur
ti e vështirëson
me gurë hijesh të shkruara

44

PARA FYTYRËS SATE

Vetëm-
duke ecur midis netëve
që edhe mua më kanë ndryshuar,
është ndalë diçka,
që dikur ishte tek ne,
e pa prekur me mend.

45

MUND LIRISHT

të më shërbesh me dëborë:
sa herë që kam hapëruar
krah m’krah
nëpër verë me drurin e manit,
i bërtiste gjethi i ri.

46

NËPËR HIDHËRIMIN E RRËMBYESHËM

pranë plagëve të hapura
të pasqyrës:
aty pluskojnë dyzet
drunj të zhveshur të jetës.

Vetëm një kundër-
notare, ti
i numëron, të gjithë
i prekë.

47

RRUGË NË HIJE TË THYERA

të dorës sate.

Nga hullia e gishtërinjve
i gërryej vetes
bekimin e ngurosur.

48

TRE ZËRAT E TOKËS

tre skorpionë:
populli mysafir, me ne
në barkë.

49

NJË OSHËTIMË

është kjo

e vërteta që ka hyrë
tek njerëzit
midis stuhisë së metaforave.

50

NË MBRËMJE

në Hamburg,
lidhëse e pakufizuar e këpucës,
atë e përtypin shpirtërat-
lidhë dy gishtërinjt e pëgjakur
për betim.

51

VI

FILL I DIELLIT, 1968
(FADENSONNEN)

52

GJURMË E KAFSHIMIT
ASKUND

Gjurmë e kafshimit askund
Atë duhet ta kthesh mbrapa
këtej

53

KE QENË VDEKJA IME

Ke qenë vdekja ime:
kam mund të të mbaj
derisa kisha forcë.

54

I DUKSHËM

në drurin e trurit dhe të zemrës,

të pa nxirë, shigjetari i mesnatës, n’agim
gjuan këngën e dymbëdhjetë
nëpër palcën e tradhëtisë
dhe të rrënimit

55

HENDAYE

Fulithi me ngjyrë portokalli,
të ngjitet në ballë,
me heshtje vë në dukje therrën nga teli
me atë lajkaton
dhe tash
dëgjoje atë,
sa zgjat një padurim.

56

NË ZHURMË ZËRASH

sikur në fillimin tonë

në qafë mali,
ku të pata,
prapë e kam kurdisur atë
kuti që fishkëllon-ti
e di: atë të padukshmen,
atë që nuk dëgjohet.

57

DROMCA ËNDRRE, gozhda

të ngulitura askund.
Mbetemi për vete të njëjtë,
Ylli i rrumbullakët
pajtohet me ne.

58

VII

DHUNA E DRITËS
(LICHTZWANG)

59

KEMI QËNDRUAR të shtrirë

thellë në hashash , kur më në fund
arrite duke u zvarritur.
Nuk kemi mund të nxihemi
pranë teje:
mbretëronte
dhuna e dritës.

60

I NGARKUAR ME REFLEKTIM

te
insektet qiellore
në mal.

Vdekjen,
borxh,
po ta kthej.

61

AJO QË

na hodhi në grumbull,
na shpërndan me frikë,
shkëmbi i botës, larg nga dielli,
ushton.

62

NJËHERË

Vdekja ishte në turr,
ti je fshehur në mua.

63

DIJA E PËRPARUAR kullon gjak

dy herë pas perdes,
dija pjesëmarrëse
shkumon.

64

FUNDOSU

nga rrudha e dorës,

merre me vete
një rrahje pulsi,

fshehu në të,
jashtë.

65

TASH

Me qenë se
bankat e lutjes
po digjen fkakë,
po e ha librin
të tërë.

66

VIII

PJESË E BORËS, 1971
(SCHNEEPART)

67

VIT I FILLUAR

Me skaje të kalbura
të bukës së humbur.

Pi
nga goja ime.

68

TI ME HOBE T’ERRËT

Ti me gur:

Është më shumë se mbrëmje,
bëj dritë për vetveten.

Më ul,
mbaro
me ne

69

LARGOHU, dhemb

Mos i mësho në fytyrë,
ngjitu në lartësitë ranore,
aty ku është bardh aty pranë.

70

THIRRJE E NGARKUAR TEPËR

Përcjellësi yt, i njohur,
pranë cepit të grisur të librit:

eja me shkëlqimin e leximit,
kjo është barrikadë.

71

MBISHKRIM NË MUR

I përkulur-engjëlli-sërish-hesht-
një figurë që vetëdijesohet,

arma
astrale me drurin e heshtës të kujtesës:
vëmendshëm përshëndetë
luajt e vet
të ideve

72

PËR ERIKON

Në magnetofon
gërmon historinë,
në lagjen periferike
gjëmojnë tanket,

gota jonë
mbushet me mendafsh,

qëndrojmë.

73

NË APARATIN E VESHIT

mugullon lulja,

ti je viti i saj, ty të këshillon
bota
pa gjuhë,
këtë e di
çdo i gjashti.

74

GJETH, dru

Për Bertolt Brechtin

Çfarë kohësh janë këto
kur çfarëdo bisedimi
gati është krim,
sepse përmban aq shumë
që është thënë më parë

75


PËRMBAJTJA

PAUL CELAN – POET I TRAGJIKËS NJERËZORE

I. LULEKUQJA DHE KUJTESA, 1952
Rrezja e natës ……………………………………………………………. 2
Kujtoj Francën ……………………………………………………………. 3
Rëra prej urne ……………………………………………………………. 4
Mesnatë …………………………………………………………………… 5
Kot vizaton zemrat ………………………………………………………. 6
Lavdatë largësisë ………………………………………………………… 7
Fuga e vdekjes ……………………………………………………….. 8-11

II. PREJ PRAGU NË PRAG, 1955 …………………………………. 12
Dëgjova se po flitej …………………………………………………….. 13
Drita ………………………………………………………………………. 14
Pesha ……………………………………………………………………… 15
Kokërza e rërës …………………………………………………………. 16
Figurë e dyfishtë ………………………………………………………… 17
Largësitë …………………………………………………………………. 18
Aty ku është akull ………………………………………………………. 19
Ai që na i numëronte …………………………………………………… 20
Me çelës të ndryshuar ………………………………………………….. 21
Syri i kohës ………………………………………………………………. 22
Kenotaf …………………………………………………………………… 23
Miku ………………………………………………………………………. 24

III. PARMAKU I FJALËS ……………………………………………. 25
Zëri i Jakobit ……………………………………………………………. 26
Zërat në brendësi ……………………………………………………… 27
Zërat …………………………………………………………………….. 28
Zërat nga rruga me hithëra ………………………………………….. 29
Dora ……………………………………………………………………… 30
Köln am Hof …………………………………………………………….. 31
Lulja ……………………………………………………………………… 32
Shpirtërat e purgatorit ……………………………………………….. 33

IV. TRËNDAFILI I ASKUJT ……………………………………….. 34
Psalm ……………………………………………………………………. 35
Erërat e heshtura të vjeshtës ……………………………………….. 36
Fjalë për hyrje në thellësi ……………………………………………. 37
S’është më ajo ………………………………………………………… 38
Kishin tokë …………………………………………………………….. 39
Qiell …………………………………………………………………….. 40
Çka ka ndodhur ……………………………………………………….. 41

V. KTHIMI I FRYMËS, 1967 …………………………………….. 42
Fill i dritës …………………………………………………………….. 43
Në lumenj …………………………………………………………….. 44
Para fytyrës sate …………………………………………………….. 45
Mund lirisht …………………………………………………………… 46
Nëpër hodhërimin e rrembyeshëm ……………………………….. 47
Rrugë në hije të thyera …………………………………………….. 48
Tre zëra ……………………………………………………………….. 49
Një oshëtimë …………………………………………………………. 50
Në mbrëmje ………………………………………………………….. 51

VI. FILL I DIELLIT ……………………………………………….. 52
Gjurmë e kafshimit …………………………………………………. 53
Ke qenë vdekja ime ………………………………………………… 54
I dukshëm ……………………………………………………………. 55
HENDAYE …………………………………………………………….. 56
Në zhurmë zërash ………………………………………………….. 57
Dromca ëndrre ……………………………………………………… 58

VII. DHUNA E DRITËS …………………………………………. 59
Kemi qëndruar ……………………………………………………… 60
I ngarkuar me reflektim ………………………………………….. 61
Ajo qe ……………………………………………………………….. 62
Njëherë ……………………………………………………………… 63
Dija e përparuar …………………………………………………… 64
Fundosu …………………………………………………………….. 65
Tash ………………………………………………………………….. 66

VIII. PJESË E BORËS ………………………………………….. 67
Vit i filluar ………………………………………………………….. 68
Ti me hobe t’errët ………………………………………………… 69
Largohu …………………………………………………………….. 70
Thirrje e ngarkuar tepër …………………………………………. 71
Mbishkrim në mur ………………………………………………… 72
Për Rrikon ………………………………………………………….. 73
Në aparatin e veshit ……………………………………………… 74
Gjeth ……………………………………………………………….. 75


Shënime për përkthyesin

Isak Ahmeti (1946), Shkrimtar nga Kosova.

Ka botuar këto vepra:
1. Gallatea, poezi, Rilindja, Prishtinë 1972,
2. Uratë zbulimi, poezi, Ril. Prishtinë 1976,
3. Kushtimebesë, poezi, Ril. Prishtinë 1983,
4. Dritë e përjetësuar, poezi, ShB “Faik Konica”, (me Parathënie Anton Nikë Berisha), Prishtinë 2019,
5. Njeri i kohës sime, poezi të S.Quasimodos, Ril. Prishtinë 1979,
6. Qumështi i zi i agimit, Lirikë e re gjermane, Ril. Prishtinë 1988,
7. Kleri Katolik Shqiptar dhe Letërsia, ShB “Drita”, Ferizaj-Bergamo (Italy), 1994,
8. Kosova, monografi, Prishtinë 1996,
9. Bibla në Letërsinë Shqiptare, Rilindja 1999,
10. Letërsia Kishtare dhe Filozofia e saj, Illyricum Sacrum, Prishtinë 2000,
11. Weisse Zeit(Kohë e bardhë), lirikë e re gjermane, shqip-gjermanisht, Zym-Has 2000,
12. Kur’ani në Letërsinë Shqiptare, botim elektronik, Shkoder.net 2006,
13. Mëvetësi e studimit dhe krijimit të letërsisë, Qasje veprave të Anton Nikë Berishës, ShB “Faik Konica”, Prishtinë 2014,
14. Vepër vlerash të mëdha poetike, Qasje veprave të Anton Nikë Berishës, ShB”Faik Konica”, Prishtinë 2018,
15. Isak Ahmeti-Mariana Grigore: Dashuri e bekuar, poezi shqip-rumanisht, Am. Edit Verlag, Bukuresht 2021,
16. Letërsia Shqiptare e Kosovës, ShB “Lenagraphic”, Prishtinë 2021,
17. Golgota e Martirëve Shqiptarë të Karadakut, ShB”Lena”, Prishtinë 2021.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.