Kroi i Mbretit

0
862

Nexhat Halimi

– Do të ndalemi cazë të pushojmë këtu!
– Unë do të marr një shishe me lëng të dredhëzës, -tha Dea dhe doli nga automobili e eci përpara ndërtesës së vogël.
– Ulu nën këtë pemë. Tash vjen kamerieri dhe porositë çfarë do. Unë nuk vonohem, – ia bëra Deas dhe fola me zë të ulët me bankierin të më tregonte ku e kanë nevojtoren.

E kreva nevojën e ecja me mendje larg në kohë, te zanafilla e krijimit te gojëdhënës për Kroin e mbretit.

Ky këtu është një krua shumëvjeçar, uji i të cilit është ilaç për shëndet të mirë. Siç thotë legjenda, gjatë një udhëtimi të gjatë, një mbret kishte ndalur këtu të pushonte cazë me suitën e vet të zgjedhur. Gjatë udhëtimit mbretin e kishte zënë etje e madhe, e suita askund në afërsi nuk gjente ujë për të. Ai do të alivanosej ndërkohë, ndërsa një vendas shqiptar që kalonte aty afër, me të marrë vesh për çfarë bëhet fjalë, nis e qeshet me të madhe.

– Pse qesh, – iu kërcënua një ushtar.
– Pse? Ju mërziteni për hiç gjë. Ja, – flet fshatari.-Ky qenka alivanos e kali i sillet rreth me tërbim…
– E, – ia kthen ushtari.
– Ky është mbreti e ka etje të madhe…
– Me vete e ka kalin, apo jo?
– Po.
– Kali e gjen ilaçin.
– Si thua, or!

Suita e ngrehën në këmbë mbretin e kali i bardhë i binte gurit me shqelma nga ku nuk vonoi dhe shpërtheu uji. Ia mbushën mbretit një tas me ujë dhe ai u kthjellë fare…
Atë ditë e gjithnjë këtu rrjedhë uji i pastër si loti dhe vendi quhet kroi i mbretit.

Eca deri te Dea dhe u ula në karrigen nën pemë dhe e pyeta çfarë do të porosiste të pinte.
– Dua lëng molle, – tha ajo.
– Unë dua një gotë uji burimi. Ky ujë dhe ai siç më ka shpjeguar Gjyshi është ilaç.
Nisa t’ia flas Deas vjershën për kalin dhe pija ujë të freskët të kroit të fshatit Korroticë.

Intuita e gjyshit

Gjyshi pa qiellin, në gjunjë ra.
E puthiti pakëz veshin me tokë.
“Këtu bjeri me kazmë”, – tha,
“Këtu gjithsesi ujë ka!”

Kurrsesi s`më hynte në kokë:
Si e zë gjyshi me vesh ujin
nga rrjedh brenda në tokë!?

Te hambari i grurit leh këlyshi.
Po ky çfarë dëgjon, çfarë ka?
Leh e leh e leh, pa pra…

“Bjereni atin këtu, bri murit”,
foli thellë gjyshi mjekërbardhë.
“Ja, sa i urtë, si çukërmon gurit,
Aty ku e dëgjoj ujin dhe unë,
Te djegia e vjetër nën dardhë!”

Gjyshi prapë në gjunjë ra.
“Këtu, a nuk iu thash, ujë ka!”

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.