DJEMTË E BALLIT

0
320
Kalosh Çeliku

(Fragment nga romani Luftës 2001:
“ME TRE VARRE”, Shkup, 2002).

NGA KALOSH ҪELIKU

E mbylla shfletimin e gazetës të “vëllazërim-bashkimit”, dhe dola te Rrapi, në Shkup. Gjokun e lidha nën hije te Rrapi historik, i vara armët në një degë. Vapë. Uji i Shatërvanit gurgullonte gur më gur. Kamarieri  m’i solli dy shtama me verë. Matanë rrugës rrallë, shumë  rrallë kalonin kalimtarë të rastit nëpër “Bit-Pazar”.

O Imzot, sikur t’i kishte përbirë toka. Po, ku humbi i gjithë ai popull shqiptarë nëpër sokaçet e “Ҫarshisë të Shkupit?! Shumica i kishin mbyllur edhe dyqanet. Tavernat. E kishin braktisur Qytetin e qyqeve. Papritur e kujtuar, duke ikur nga sytë këmbët nëpër botë. Thanë: është “Ramazan”. Nesër, e presin “Bajramin” edhe në Shkup.

  • Alo, tungjatjeta! Me kë kam nderin të flas në telefon?
  • Me të ashtuquajturin “Kryeterrorist”. U përgjigja, pasi e njoha zërin e Patriotit të Vonuar.
  • Ehë… Ehë… Ehë… E, këndej telit është: Patrioti Vonuar. Ja, sa u ktheva nga Kosova.
  • E, si kalove, zoti “Patriot”?
  • Shkëlqyeshëm. E kreva një punë me rëndësi patriotike. Po, kur u ktheva këtu në vendlindje, e gjeta belanë me katundarët primitivë të partive politike.
  • Hë, çka është puna?
  • E kanë përhapur nëpër qytet, se: unë, kam ikur nga lufta.
  • Edhe, atë: për cilin, Zoti Patriotin e Vonuar?!
  • Jo, vetëm kaq. Po, gjoja se: unë, e paskam lëshuar edhe mëzatin nëpër kopshtet e hallkut nëpër katund për “zullume” fshatare…
  • E pamundur?! Nuk e thotë, Zoti Madh.Patrioti Vonuar një gabim të tillë ta bëjë në këtë kohë lufte. Tjetër?
  • Nëna Parti ka mbajtur edhe mbledhje me rend dite për mëzatin e patredhur.
  • Hi-hi-hiii… E paskan tepruar në politikë… A, kanë bërë edhe ndonjë marrëzi politike?
  • Po?!
  • E, çka, po?! Thuaje!
  • Në katund, në emër të UÇK -së i kanë dërguar edhe 70 qefinë… Një nga ato qefinë edhe mua si Patriot i vonuar shqiptar.
  • E pamundur. Sigurisht, e kanë bërë këlyshët e Nënës Parti për t’i përçarë shqiptarët. Edhe, ashtu të përçarë me “Din e Iman”.
  • Jo, vetëm te ne, po edhe në disa katunde të Kërçovës i kanë dërguar, diku 50, diku 40 e diku 30 qefinë para dere të shtëpive.
  • E, çka bëre ti me qefinin?!
  • Dihet, ia lidha mëzatit të patredhur për brirësh. E meritonte dënimin, kishte bërë dëme. Ja, edhe pse duhej ta shihte e gjithë bota si “tradhtar”.
  • Hi-hi-hiii… Nëna Parti, me siguri paska vendosur edhe ta dënojë me vdekje. Ose, ta dërgojë ministër në Qeverinë e “vëllazërim-bashkimit”?! Nuk mora përgjigje.

E mbylla telefonin dhe u arratisa në mendime. Provinca e mirrte njeriun më qafë. Njerëzit nuk kanë me çka të merren, ku ta humbin kohën. Në rend dite të mbledhjeve partiake të Nënës Parti e shtinin në debate edhe mëzatin. E dënonin për dëmet që kishte bërë gjatë luftës. I kishte shkelur rregullat e Nënës Parti. Fat, që në këtë parti politike nuk është anëtar “i ashtuquajturi“ Destan Balli, se do t’ia lexonte dënimin para popullit: thikën në qafë.  Dhe, për tri ditë rresht do ta hante me Djemtë e Ballit nën hijen e Lisit midis Livadhit.

Natë. Terri jashtë çdo gjë e ka mbështjellë me ferexhenë e zezë. Edhe me shami në kokë. Hoxhallarët fluturuan nga minaret e xhamive si shejtanët e Dexhallit. E zbritën veten Ditën e Madhe në mes të “xhematit” për të përhapur “shqiptarizëm”. Thanë: Flamuri kombëtar shqiptar, është “basme” (leckë). Shqiponja dykrenare – “zog”. Fytas u rrokën me Haxhi Deputetin, (ish Ministrin e Kulturës) që i luteshte Zotit për mëkate, në rendin e parë, përpara këmbëve të Hoxhës. I vunë në përdorim grushtat në vend të Kur’anit të shenjtë, se: cili do ta falë “xhematin” në Shtëpinë e Allahut. E kujt është Xhamia e Madhe. “Allahu” me keqardhje, vetëm i shikoi nga qielli këto “besimtarë muslimanë”.

Përçudi, nuk u zemrua me këta shejtanë arapi, që tinëz i kishin hyrë në xhami, t’i kapi “toptan” me gjithë xhami t’i hudhë bythekrye në Vardar, t’i përcjellë me lumin në Greqi. Haramët, që nuk dinë ku e kanë kokën e ku bythën. Përditë si halldupë turku i ngrejnë bythët në hava edhe në mes të rrugës. E në anën tjetër: ditënatë e torturojnë popullin me kërcnime, vjedhje, drogë, spiunim e vrasje pas shpine. Në emër të “Allahut” punojnë për shërbime të huaja sekrete antishqiptare. Përmëtepër, policia i merr në mbrojtje gjoja si misionarë fetar që përhapin “dashuri dhe paqe” përpara syve të tyre në xhami.

O Imzot! A ka ndonjë “Xhehmnem” (Ferr) më i rëndë se ky i sotmi, në Shtetin e “përbashkët demokratik”? Jo, nuk ka. Shkaku, se: ky nuk është dënimi më i vështirë i “Allahut” (Zotit). E dini pse?! Edhe këtë nuk e dini?! Pash më pash dua t’i bie Ferrit! Myslimanët e vërtetë le të thonë: “Xhehenemit”!

Edhe dy-tri fjalë si te ajo kënga popullore shqiptare, të cilën shpeshëherë poeti bohem Mirko Gashi, na e këndonte në manifestimet kulturore poetike, në Kosovë: “Përpara se shpirti i ka dalë, i ka thënë dy tri fjalë”… Shqiptarët nuk hanë bar. Dhe, vazhdo ta lëvdosh ish Minisitrin e Kulturës (Haxhi Deputetin) në gazetë si  të ”sukseshëm” para këmbëve tua si “hoxhë”! Unë e di, edhe një histori të dhimbshme, kur Haxhi Deputeti yt “musliman” ka qenë Ministër i Kulturës, dhe ia ka “blerë” dy piktura profesorit dhe mikut tim të nderuar Adem Kastratit. Pikturat edhe sot e kësaj dite janë të papaguara.

Miku im, me “honorarin” e atyre dy pikturave, iku nga mesi ynë në kushte të vështira ekonomike pa e pirë edhe një kafe nga Ministria e Kulturës. “Shpërblimin” e pikturave e trashëgoi dhe e “mori” djali i tij A. K. me dënimin gjygjësor të SHGB “ASDRENI”, autorit të librit F. C. recenzenti I. B. me pagesën e dënimit disa mijëra euro për publikimin e Ditarit të Babait: “Kështu mendonte, fliste e shkruante Adem Kastrati” (2009). Përmëtepër, sipas shtetit ligjor, përsëri futni edhe një çotek (dajak) të mirë këtij “besimtari musliman” të “Allahut”, që para këmbëve të Hoxhës i falë pesë vakte në xhami! Shkaku, se: e ka pak çotekun e autorit të këtij shkrimi publik, ai me shokë ka vendosur t’i lajë mëkatet, jo në atë Dynja, po në këtë Dynja, edhe atë: në Xhaminë Shqiptare.

Pasmesnate, aty – këtu bën dritë ndonjë fener rruge, që ende nuk e kanë thyer rrugaçët e “Çairit” të Shkupi. Njerëzit, herët janë mbyllur nëpër banesa. Shtëpi. Ndërtesat kanë humbur në errësirë. Rrallë, shumë rrallë ndonjë dhomë ende bënë dritë. Ora, një pasmesnate. Dhoma ime ende i ndez-shuan dritat. Përpiqem t’i shtij edhe ndonjë fragment këtij libri për luftën e 2001 -it. Kot, kur “besimtarët e Allahut” përhapin tmerr dhe frikë në popull. Ora, katër pasmesnate. Shumica në gjumë. Hëna, nuk delë në dritare. Larg, Agimi. Matanë dritareve, dëgjohet një rafal automatiku. Lehja  e qenëve përtej gardhit. Përsëri, heshtje.

Errësirë. Edhe njëherë dëgjohet automatiku: Ka-kaa-kaaa. Heshtje. Qetësi, varri që i futet natës si pykë. E marr në telefon Miken me ferexhe.

  • Alo, urdhëroni?!
  • Mirëmëngjes. Hë, a ta prisha gjumin?!
  • A, të kam thënë që pasmesnate të mos më paraqitesh në telefon? Nesër, herët jam në punë me lajmet e përditshme të partive politike.
  • E di, po thash: të ta dëgjoj zërin… Çka bënë pasmesnate?
  • Ja, po kërcej… Mbrëmë e kam bërë atë punë… U kapa…
  • E poshtër, kurvëz… Vazhdo të kapesh!…
  • E ti, a u ktheve nga mali?!
  • Po, vendosa ta përfundoj romanin për luftën e 2001 -it: “ME TRE VARRE”.
  • E, si i ke punët me lekë? A ke nevojë të të dërgoj ndonjë thes me para?
  • Katastrofë. E kam thënë moti unë, se: mua më duhet një grua pasanike! E ty, një burrë sheik. Ose, hoxhë me çallmë turku në kokë. Shkaku, se: Hoxha me kësulë të bardhë në kokë, e ka vështirë të të mbajë Ty si Grua putane kombëtare.
  • E, a ta gjej unë një burrë asgan me dy kobure në brez, që të na mbajë të dyve?
  • Jo, ta gjej unë një Grua aristokrate, që të na mbajë të dyve.
  • I poshtër… Kurvar… E kam në disponim një arap… Katran, është i zi.
  • Edhe ky na mungon tashti t’i dalë zot Atdheut me çifteli… E kënaqën hoxhallarët e “Allahut”. Tashti, i ka mbetur radha edhe këtij “kreshniku” t’i nxjerrë armët nga brezi, rroki në dorë. Merre me mend, zezaku i vogël se çfarë patrioti… Shtatë vjeç djalë, e bënë copë-copë çiftelinë duke i kënduar Skendërbeut… Flamurit kuqezi … Atdheut…
  • Hajde më, boll i dole zot Rrapit… E shpalle edhe “Zonë të lirë” te “Parku i Grave” në Shkup, dil në aksion, nëse nuk do t’i këndojë zezaku Mëmëdheut me çifteli!
  • E poshtër… Epabesë… Nesër, do të nisem edhe më këmbë, vetëm e vetëm që zezaku të mos i këndojë Mëmëdheut me çifteli.
  • Nesër?! Atëherë të të pres, ta përgadis fushëbetejën?
  • Patjetër. Gjallë, a vdekur: Nesër, do t’u bie “Sarajeve të Pashait”… Ditën e mirë!
  • Ditën e mirë! Përgjigja, matanë telit!

E mbylla telefonin. Dhe, i hoqa perdet e dritares. Përtej maleve të Çelvjollcës, zbriste më këmbë Agimi. Dielli me rreze. Edhe njëherë e përcolla Natën… Thashë, me Vete: Djemtë e Ballit, ende janë gjallë në Trojet Etnike Shqiptare…

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.