Filozofi shkodran dhe ish i dënuari politik Bepin Kuqani (1931-2016) – Një jetë e tërë mes idealizmit dhe materializmit

0
256
Bep Kuqani - Tri ese problematike

Klajd Kapinova 

Meditacion mbi esse-në e kredos së njohurive etiko-shkencore filozofike të autorit Bepin Kuqani

Gjatë vizitave të shpeshta në shtëpinë konforte amerikane, të ndërtuar nga duart e arta e mjeshtërit Genc Bepin Kuqani, pranë qytetit të bukur të Stamfordit në shtetin Kenerike në ShBA, publicisti Bep Kuqani, me një modesti e thjeshtësi fisnike më dhuroi librin e ri: “Kredoja ime filozofike”, të botuar në vendlindje.

Në vorbullën e titujve të shumtë të librave në gjuhën shqipe, që janë botuar nga shqiptaro amerikanët pas vitit 2000 në SHBA, është edhe libri i besueshmërisë së pikëpamjeve filozofike të autorit shkodran Bepin Kuqani.

Këto mendime dhe pikëpamje filozofike mbi gjithësine dhe jetën mes njereëzve në planetin tonë e kanë preokupuar gjatë dekadave të jetës në vendlindje Shkodër dhe vendbanimin aktual në Stamford (SHBA), njeriun me dije të thella dhe gjëra mbi shkencat ekzakte dhe ne vecanti mbi matematikën dhe filozofinë.

Sikurse kam mësuar nga vetë autori Kuqani, gjatë bashkëbisedimeve të shpeshta me te dhe mikun tonë të përbashkët studiuesin dhe publicistin shqiptaro amerikanë Tomë Mrijaj, këto dije të thella filozofike dhe matematikore përvec se ne shkollat katolike në Shkodër para ardhjes së komunizmit në Shqipëri, Bepi ynë i ka mësuar nga shumë të burgosur të ndryshëm politikë nga shtete (ish klerike katolikë italianë, gjermanë, kosovarë, shqiptarë), qytete, katunde dhe zona e krahina të ndryshme të Shqipërisë, me nivele dhe pozitë të ndryshme shoqërore (me gjendje ekonomike të shtresave të ndryshme, si: të pasur (sh tregtar të famshëm shkodran etj.), të mesëm (si ish mesues, intelektual, punëtor etj.) dhe të varfër (nga fshatrat malore dhe dhe katundet e ndryshme) dhe shkollore, gjatë vitëve të errëta, që ai kaloi në burgjet dhe kampet e përqendrimit nazikomunist asokohe, kur ai vuante dënimin e privimit të lirisë, për arsye të bindjeve të tij politike, shoqërore, ekonomike dhe pikëpamjeve të pastra filozofike, teologjike dhe ideologjike anti komuniste.

Që në hyrje të veprës, ai ka lënë të gdhendur në përjetësi përkushtimin: “At Pjetër Meshkallës dhe Hafiz Ali Tare Krajës: dy bashkvuajtsve të mi; dy kundërshtarëve të pikëpamjeve të mija filozofike-religjioze; por edhe dy miqve të mij, ma të mirë e ma të dashtun, që në debatet e tyne shumë të sinqerta dhe shumë dashamirëse, më hapën horizonte të reja në fushën filozofike-theologjike të panjohuna prej meje deri n’atë kohë. Ne shej Nderimi të thellë dhe Kujtimi të Përjetshëm ua kushtoj”.

Si fushat e tjera të diturisë edhe filozofia, sikurse analizon autori, ka qenë një mollë e ndaluar. Në këtë privim ishin të përfshirë historia e popujve të vendeve të botës, historia evoluitive e dokeve dhe zakoneve, traditave të transmetuar brez pas brezi, kultura fetare me epërsitë dhe vlerat e shumta shpirtërore e nacionale në historinë e popullit shqiptar e përtej, me të cilat u pasurua më tej historia e njerëzimit.

Në këtë kontekst, shqiptarët, ishin të përjashtuar, për të njohur të vërtetën, përmes dritës të së vërtetës, sikurse natyrshëm ndodh në vendet e qytetëruara dhe të lira të botës, ku pikësëpari respektohet diversiteti i mendimeve dhe ideve të ndryshme pa paragjykime.

Kushdo e di në vendlindje dhe këtu në SHBA nga bashkëkombasit tanë, se kjo e drejtë ka qenë privilegj i madh apo e drejtë ekskluzive vetëm i drejtuesve komunistë, për bijtë e bijat, përsonat e zgjedhur dhe shumë të besueshëm dhe të afërt me udhëheqjen e shtresës së lartë nazikomuniste.

Autori Kuqani, sqaron lexuesit e kombit të vet, se “Këto “kuadro”, të brumosuna me idena komuniste – tipike bizantine – do të përdoreshin në vazhdimësi, jo për t’i përhapun këto dije në popull, por për të luftue kundër çdo rryme filozofike e shkencore, që binte sadopak në kundershtim me të ashtequajtunen filozofi markisiste-leniniste, staliniste, maucedoniste e, në veçanti enveriste; qëllimi i së cilës ishte dhe mbeti perjetimi i sundimit politik e ekonomik.”

Ndonëse ka shkruar një libër me tematikën e dashur të filozofisë, falë modestisë që e përshkon qënien e tij, e ndien në shpirt boshllekun e madh që solli për pasojë sistemi nazikomunist i antivlerave humane dhe shpirtërore në Shqipëri.

Vetë autori, u përshkua padrejtësisht nga kalvari i gjatë i mundimeve dhe burgut politik, ku e plandosi diktatura e egër e Enver Hoxhës. Por, megjithatë, autori në qelitë e ftohta të burgjeve, fati i krijoi mundësinë të merrte një univesitet cilësor me dije të qendrueshme, pa injorancën dhe propagandën me elozhet, fodullekun dhe pseudointelektualizimin bosh të servilëve propagandist shterpë të sistemit dhe diktaturës komuniste.

Ai meditoi kështu thellë e më thellë për jetën, edhe pse trupin e kishte të sfilitur nga vuajtjet, i izoluar e i stërmunduar nga trajtimi më ç’njerëzor, që iu bë të gjithë elementëve shumë të ditur dhe të mirëshkolluar antikomunistë.

Pas punës, me orë të tëra në miniera, hapje kanalesh, në ndërtim, mendjen dhe shpirtin e pamposhtur e kishte të lirë, që fare lehtë të mund të fluturonte ku të donte, jo vetëm jashtë hekurave të akullta, por edhe në vendet më të zhvilluara të botës “por edhe jashta kufijve të kohës së tashme: në kohën e kalueme dhe të ardhshme”, vlerëson ndër të tjera autori.

Edhe pse në kafazin komunist, ai e ndiente në shpirt agimin e lirisë, ndiente se një ditë ky system bosh i ndërtuar si kalaja me rërë do të shembej keqas, sikurse dhe ndoshi në realitet në vitin 1991…

 

Si mundi Bepi të mbaronte universitetin në burg

Shumë intelektualë të Shqipërisë dhe të Kosovës, që ishin diplomuar në universitetet e famshme të Evropës dhe të Amerikës dhe që i shpëtuan ekzekutimit, kishin sjellë në burg nga bibliotekat e tyre përsonale veprat “që i ruajtëm si libra të Shenjtë, falë injorancës së plotë të rojeve dhe oficerave të burgut, tue i maskue me kopertina veprash marksiste – leniniste dhe të E. Hoxhës (që s’do të ishin diktue kurrë, veçse nga denoncimet e ndonjë spiuni të fëlliqun), mujtëm na – brezi i ri i asaj kohe – (bahet fjalë për afro 45 vjet më parë në burgun e Burrelit), me krijue ndonjë ide të saktë mbi filozofinë e me vu deri në njëfarë shkalle bazat e formimit intelektual e shpirtëror”, shkruan Bepi në librin e tij.

Duke medituar mbi faqet e para të autorit, buron natyrshëm mendimi, se vetëm me dije të sakta dhe me një kulturë të vërtetë solide do t’a mundim të keqen, që ka mbirë thellë gjatë vitëve të zeza të sistemit komunist.

Në qelitë e ftohta të burgjeve vdekjeprurëse, autori qëndroi dhe bisedoi deri në orët e vona, me njërëz të ndritur të nacionit, mësoi dhe provoi mëdyshjet i ideve dhe pikëpamjeve filozofike mbi aspektet që ai personalisht ishte me shumë i interesuar.

Takimet me këtyre njerëzve të ndritur, që patën një fund tragjik në burgje, litar e pushkatim, ishin në të vërtetë libra të gjallë, të cilat i respektoi dhe fiksoi thellë në memorien e tij fenomenale autori Kuqani.

Njohja dhe përvetësimi shumë mirë i gjuhëve të huaja, ishin një mundësi më shumë për të zhvilluar biseda shoqërore, pa u zbuluar nga afijet katil dhe vrastarë të Sigurimit të Shtetit komunist (ose policia secrete komuniste) në qelitë e burgjeve që ata krijuan pothujase kudo për 50 vjet në shtetin burg të Shqipërisë së mjerë.

Njeriu, që qënie me nivelin më të lartë arsyes, gjithnjë ka qenë i pritur për të njohur hapësirën që e rrethon, dëshirë kjo e papërmbajtur, intensiteti i së cilës, me kalimin e shekujve ka ardhur duke u rritur.

Kozmosi, misteret, sistemet diellore, galaktikat dhe megagalaktikat, fenomenet dhe dukuritë e pandeprera (drejt infinitit) mbushur me mantelin e misteriozitetit dhe pikëpyetjeve shumë shekullore, të shoqëruar me pafundësi enigmash, vazhdimisht kanë zgjuar kërshërinë e dijetarëve dje dhe sot.

Pikërisht, pafundësia që e rrethon njeriun, u bë edhe lënda e parë e marrë në studim në të gjitha pikëvështrimet. Tërësia e të gjithë këtyre problemeve, ka bërë të mundur që për njeriun të lind shkenca e mirëfilltë e filozofisë, që cekë të gjitha fushat e dijet njerëzore të planetit tonë.

Këtë dëshirë dhe passion të mijëra gjeneratave, ka pasur si dëshirë deri sa mbylli sytë dituraku ynë Bepin Kuqani, që me kulturën solide arsyetuese që zotëronte, mbeti modeli i një intelektuali të heshtur deri në madhështi.

Ashtu, sikurse filozofia është e vjetër, sa vetë historia e njerëzimit, edhe kërkesa për dituritë shoqërore dhe shkencore të autorit janë të hershme, që zënë fill në moshën e fëmijërisë, pranë shkollës fillore privare katolike të Urdhërit të Shën Françeskut (Kolegji i Fretenve), ku zotërimi i gjuhëve të huaja europiane të vjetra (greqishtja e vjetër dhe latinishtja) dhe të reja e kanë zhytur në botën e labirintheve filozofike.

Si pa i kuptuar, në fillim profesorët françeskënë të shkollës, kanë filluar shpiegimin me alfen fillestare për shkencat ekzakte, përpjekjet me dashuri për të njohur ligjet dhe fenomenet e ndryshme të natyrës: njohja e çdo ligji të fizikës apo astronomisë, që merrte në orën e mësimit, e ka bërë autorin e librit, të zgjojë interesim për lëndët që quhen filozofi.

Në shkolla, universitete (college) dhe akademi botërore, filluan të rriteshin e zhvilloheshin shkencat, që nga ana e tjetër e ulte nivelin e nocionit të filozofisë, sepse ligjet dhe kuptimi i fenomenit, tashmë kishte një emër të shkencës që i përkiste. Por, asokohe dhe më vonë prapë njerëzimi, nuk rreshti së kërkuari, ku si gjithnjë për njerëzit e sferës së filozofisë si objekt i përhershëm mbeti rruga e filozofisë, për të njohë e shpieguar botën dhe kompleksitetin e saj në vetvete dhe hapësirë, përmes mendjes së etur për të shuar kërshërinë.

Si për të gjithë edhe për Kuqanin, studimi i botës solli lindjen e një vargu shkencash të natyrës me profile më të ngushta, si: matematika, fizika, kimia, astronomia, biologjia e shumë të tjera, që kanë si objekt studimi botën e trupave organikë dhe inorganikë.

Mirëpo, nga ana e tjetër, vetë njeriu u bë gjithnjë e më shumë objekt vëzhgimi si individ dhe si komunitet, ku ai përfshihet, duke lindur kështu shkenca e përgjithshme e Antropologjisë. Ajo në tërësinë e saj i kushtohet studimit të shfaqjes së jashtme të veprimtarisë njerëzore.

Sërisht asokohe dhe më vonë, në dobi të saj erdhën në ndihmë edhe shkencat filozofike, me degët e nëndegët e saj, që kanë si temë studimi mënyrën se si njerëzit flasin dhe shprehin mendimet e tyre. Të tilla janë: sociologjia, politika, drejtësia, teologjia, ekonomia politike, që e studiojnë njeriun si qënie të komunitetit, për të mbërritur në grupin e shkencave historike, si: historia e filozofisë, politike, shkencore, letrare, arti, religjioni etj., që sipas kënshikimit të tyre studiojnë jetën e njerëzve dhe ngjarjet e tyre.

Autori shkodran, pasi përshkruan grupet e shkencave psikologjike, që trajtojnë studimin e botës së brëndshme të njerëzve (psikologjinë racionale), shtjellon objektin e studimit, që përfshinë metafizikën e natyrës (kozmologji), me synim studimin e prejardhjes së vetëdijës dhe botës që na rrethon.

Duke qenë i pritur pas logjikës racionale, ai përlqen të flasë dhe argumentojë pikërisht logjikën, që si objekt të studimit të vet ka ligjet e arsyetimit, që sërisht sipas këndvështrmit apo kredos së Bepit, ajo duhet t’i prijë intelektitit në kërkimin e së vërtetës. Kështu thuhet edhe për lëmin e etikës, e cila nga ana e saj studion mundësitë e zhvillimit dhe të pasurimit të imagjinatës krijuese, në konceptimin sa sa më ideal të së bukurës dhe shprehjen e saj me vepra konkrete arti etj.

Jo pa rëndësi mbetet (etika), që studion mundësitë dhe rrugët, që duhet t’i prijnë vullnetit në jetë drejt të mirës dhe psikologjia eksperimentale, që trajton shkaqet e jashtme të vetëdijes.

Në faqet e librit të Bepit, mësojmë për shndërrimin gradual të filozofisë në shkenca të reja, që në momente të caktuara shkaktuan lindjen e një farë konfuzioni rreth ngushtimit gjithnjë e më tepër që mori fjala e njohur filozofi.

Objektet, që mund ose duhet t’i përkasin filozofisë, assesi nuk mund të kuptohen jashtë konceptit të fjalës filozofi pa objektin e studimit të saj.

Kushdo që ka lexuar sado pak nga historia e gjenialëve të njerëzimit ndër shekuj dhe enciklopeditë më të njohura në gjuhët më të folura të botës, do të shoh me kujdes, se pikërisht këtu e ka zanafillën historia e pasur e shkencëtarëve me famë botërore, mbasi pa qenë filozof, nuk mund të mendohet që të kemi një shkencëtar të suksesshëm, qofshin këto edhe sot e në të ardhmen e karrierës së tij, në fushën e së cilës ai është i përkushtuar.

Për të treguar dashurinë, që autori ka për shkencën e pasur të filozofisë (e cila sido që ta vështrosh e kupton se ajo zhvillon natyrshëm logjikën mendore), jep shembuj përkufizimi sipas vizionit të tij, që ai i ka regjistruar me kujdes në trurin e pasur me kulturë, kur shkruan: “Filozofia asht “Poezia e shpirtit”, “Shkenca e ideve”, “Shkenca e shpirtit njerëzor”, “shkenca e ligjeve, simbas të cilave zhvillohet njohja”, “Shkenca e njohjes së Zotit dhe e vetës sonë”, etj., të cilat gjatë jetës së autorit Kuqani, i ka pasur si vija udhëheqëse në jetën e përditshme dhe ka shuar kërshërinë për t’u futur edhe më tej në labirinthet e saj.

Ndërsa, për njohuritë që i përkasin shkencave normative e, posaçe grupit të dytë të tyre, që perifrazuam më lart (shkencave psikologjike), kemi sipas adhuruesit të filozofisë, një larmi pafundësisht teorish, sistemesh, e interpretimesh nga më të ndryshmet dhe shpesh herë ashpërsisht kontradiktore.

I pjekur me përvojën e studimit të disiplinave dhe këndvështrimeve filozofike, arrin në përfundimin e tij origjinal, se: “Me gjithë përpjekjet vigane të mendimtarëve ma të mëdhenj e deri te ata të ditëve të sotme, nuk asht ba e mundun të ndërtohet një shkencë e mirëfilltë shoqnore, e saktë dhe e pranueshme nga të gjithë. Dhe kjo ose pse mendja e jonë ka krijue edhe Zotin, edhe djallin, për të mos u marrë vesht kurrë njeni me tjetrin.” (Kuqani, f. 12-13)

Megjithëse, gjatë historisë mijëravjeçare të njerëzimit, në tërësinë e kulturave të lashta, mesjetare dhe moderne, konfuzionet, konfliktet në lëmin e mendimit filozofik, kanë qenë dhe mbeten, grupi i shkencave normative. E parë më mënyrë individuale, duhet venë në dukje, se këtu spikat dukshëm epërsia e veçantë, që ka mbizotëruar në psikologjinë racionale, e cila në vetvete përfshinë problemin e qënies absolute të Zotit, të Shpirtit dhe Trupit, të botës së ideve objektive (materiale), ose e shprehur ndryshe, si problemi i metafizikës së shpirtit dhe i botës, përkatësisht i gnozologjisë dhe kozmologjisë.

Me një logjikë e fakte historike, autori filozof ka sjellë si argument problemet dhe pasojat, me të cilat është ballafaquar njerëzimi, ku ai e vë theksin në mijëra trakte të shkruar gjatë shekujve, që nga lashtësia me papirus deri në ditët tona, ku tematika filozofike mbetet mbizotëruese, në tryezat apo debatet, librat, konferencat internacionale, si çështje ende në diskutim dhe pa udhëzgjidhje definitive.

Në liber natyrshëm trajtohen disa pyetje, që natyrshëm shtrohen me përgjigje, dora-dorës gjatë fletëve interesante të librit tërheqës të hulumtuesit dhe filozofit Kuqanit.

Kështu në kredon filozofike të autorit shtrohet pyetjet enigmatike se:

A ekziston mendja si realitet objektiv ose lëndor?

A ekzistojnë edhe trupi edhe mendja, bota shpirtërore si realitet objektv ose lëndor?

A ekzistojnë edhe trupi edhe mendja në mënyrë të pavarur ose jo njëra nga tjetra, a por të dyja këto janë një gjë e vetme?

A është realiteti shqisor produkt i mendimit, a por mendimi është produkt i këtij realiteti?

A është mendja (bota e ideve) primare dhe bota shqisore sekondare apo anasjelltas etj.

Gjithsesi, me gjithë vorbullen e mistereve, që e shoqërojnë njeriun, për të dalë nga gjendja paradoksale e shekujve të kaluar, sipas kredos së autorit, për kuptimin e disa çështjeve të tjera lënda, kur do të gjendet çelësi i arsyes objektive do të kemi do të kemi udhëzgjidhjen e tyre, për të krijuar kështu zanafillën e pikëpamjeve të reja mbi të cilën të shpresojmë se do të ndërtohet një shkencë e re dhe e vetme e njohurive tërësore të psikologjsë racionale, duke zgjidhur dobishëm gamën e problemeve, që vërtiten më mendjet e njerëve të planetit tonë.

Për të përforcuar idenë e tij, autori sjell si argument shkencën e gjeometrisë, që dallohet për një saktësi pothuajse absolute “tue u nisë vetëm nga nji “Pikë” abstrakte, premisë kjo krejtë e pakapëshme dhe e papërkufizueme; se shoqnia njerëzore ecë vetëm përpara dhe vetëm përpara drejt njohjes së botës dhe mistereve të saj. Çështja e “kohës” këtu, nuk përbën asnji problem para përjetësisë.” (Kuqani, f. 15)

Nëse do të meditonim në qetësi rezultatet finale të të dy rrymave kundërshtare, çdo lexues i kujdeshëm, do të pajtohej (ose jo) me mendimin, se fatkeqësitë më mizore mbi popuj të ndryshëm në këtë planet janë kryer nga përfaqësues të rrymës idealiste dhe materialiste.

Kështu, historia tregon shembuj të ruajtur thellë në kujtesën e popujve, se si fashizmi dhe nazizmi, pjellë e kampit të idealizmit (gjatë Luftës së Dytë Botërore, janë vrarë mbi 57 milion njerëz, ndër të cilët 6 milion kanë qenë ebrej) dhe komunizmi ateist, pjellë e kampit të materializmit (janë vrarë barbarisht mbi 100,000.000 njerëz të pafajshëm pse nuk besuan në ideologjinë sharlatane marksiste dhe komunizmin e kuq vrastar), që i shkaktuan njerëzimit miliona viktima, vuajtje e mjerime, internime dhe masakrime të papërshkrueshme.

Të marrim si shembull të freskët audheun tonë Shqipërinë, në rastin e keq të komunizmit të kuq dhe zi (shqiptar). Gjatë regjimit komunist në Shqipëri, janë pushkatuar barbarisht me dhe më së shumti pa gjyq 5577 burra dhe 450 gra për arsye politike. Janë dënuar politikisht 26768 burra dhe 7367 gra, kanë vdekur në internime 7022 vetë.

Për të qenë më konkret në shifra, i bie që çdo tre ditë një përson ekzekutohej me ose pa gjyq për motive të pastra politike. Çdo dy javë një i burgosur politik vdiste në burg, çdo dy ditë internoheshin tre përsona thjeshtë për motivin absurd politik. Çdo dy muaj, një i burgosur politik pësonte gjymtime për shkak të keqtrajtimeve në hetuesi dhe në burg.[1]

Pra, në këtë rast, filozofia si shkencë, është keqpërdorë nga njerëz aventurierë sherrbudall dhe të papërgjeshëm, që në momente krize mendore të caktuar kanë pasur në dorë fatet e zeza të katastrofike të njerëzimit.

Në kundërshtim me realitetin, në të vërtetë qëllimi i real dhe i fundit i filozofisë “ka qenë dhe asht përfeksionimi i njeriut në shkallën ma të naltë si figura morale, intelektuale dhe shoqnore, si dhe gjetja e një forme organizimi të jetës shoqnore, ma të miren e mundshme mbi këtë Tokë; por te mënyra e kuptimit të tyne: ndryshe i kupton idealizmi e ndryshe materializmi.” (Kuqani, f. 17)

Autori hulumtues, si një vëzhgues gjakftohtë, në veprën e vet shpreh haptas opinionin e lirë, duke i dhënë përgjigje pyetjes themelore kredos së vet, se: Cila nga këto dy rryma filozofike është më reale dhe cila na jep një shpiegim më të saktë për botën, për moralin, për të mirën, për të keqen e për gjithçka ekziston!?

Ai e shtrin më tej mendimin e vet kur pranon, se idealizimi e materializmi, ndonëse me diferenca botëkuptimesh filozofike, mund dhe duhet të bashkëjetojnë brenda individit dhe komunitetit, duke e shtrirë argumentin me shembullin e mirënjohur si dy anët e ndryshme të së njëjtës medalje.

Kësisoj, ato në këtë rast zbulojnë dy cilësitë reale të kësaj medalje, që mbetet “Gjithësia, Universi, gjithë Natyra ose Hapësina e pafund që janë e njëjta gja”, që si rreze ndriçojnë rrugën në kërkimin e së vërtetës.

Për argumentimet filozofike Kuqani ndalet edhe tek filozofi i famshëm Hegel, mbi temën e materies, si subjekt e jo si lëndë, duke shtuar se “… kjo “gja e vetme” asht e gjitha landë”, duke pasë parasysh me fjalën “landë” një gjë që konceptohet prej të gjithë shqisave, atë gjë që ka tingull, dritë, lëvizje, rrezatim, enërgji etj., e, sidomos në rastin tonë si specie njerëzore edhe mendim ose shpirt.”

Ai pranon se për njerëzit aspak nuk duhet të jetë e çuditshme dhe e paparanueshme fakti, se edhe mendimi ose shpirti të mund të jenë prej lënde dhe më tej shtron pyetjen: Pse duhet të habitemi për këtë?

Të gjithë e dimë, se kështu ndodhi edhe më pak se një shekull që ka kaluar, kur për rastin e dritës, thuhej se ishte diçka e pa lëndë.

Por, shkenca, falë dureses, mundi të argumentojë bindshëm dhe në mënyrë të pakundërshtueshme se edhe drita është e përbërë prej lëndes (tufa e grimcave të vogla të quajtura fotone), ku ajo ka veti të dyfishtë: valore dhe korpuskulare.

I nxitur nga ky fakt, ai e shtrin argumentin e vet kur thotë se logjika, na shtynë me forcë të besojmë në vetinë e dyfishtë të botës: edhe si “mendim”, edhe si “trupësi”, si vërtetim të identitetit në mes të mendimit dhe qënies, duke hequr një paralele logjike, se ashtu sikurse drita e syrit nuk është gjë tjetër veçse një pjesë reale e dritës së plotë, po kështu edhe mendja e jonë s’mund të jetë tjetër veçse një pjesë reale e mendjes universale, që filozofi i madh Leibnit e quante “monadë”.

Përballë këtyre mendimeve, të filozofëve botërorë dhe mendimit të pavarur të filozofit shqiptar Kuqani, duhet pohuar, se sot në këtë epokë zbulimesh të mëdha, është e natyrshme dhe e pritshme, që çdo hap përpara që arrinë të bëj shkenca në tërësi dhe disiplinat specifike në veçanti, shkenca përsëri ndeshet me surpriza dhe probleme të reja, përmbajtja e re e kuptimit të të cilave do të na lëkundë besimin shekullor “të konviksioneve” tona në të gjitha konceptet e mëparshme, qofshin këto me karakter shkencor apo filozofik, fetar apo politik, shkruan autori.

Në pjesën e fundit të librit, autori i rikthehet edhe një herë në mënyrë konceptuale faktulteteve shpirtërore dhe trupore të individit, me qëllimin që të mund të krijohet një ide më e plotë rreth tyre, dhe pse jo për një studim më të hollësishëm të këtyre faktulteteve.

Ai i ndan fakultetet në dy mënyra:

  1. a) në fakultete shpirtërore dhe
  2. b) në fakultete trupore.

Në grupin e parë përfshinë 10 fakultete, që janë: Koshienca, Subkoshienca, Arsyeja, Intuita, Memoria, Logjika, Fantazia, Vegimi, Andrra dhe Parandjenja.

Ndërsa në ndarjen e dytë, bëjnë pjesë katër fakultete trupore, si: Instiktet, Ndjenjat, Veset dhe Forca Sugjestionuese dhe Hipnotizuese.

Ndoshta, vetëm paksa u mundova të cekë pjesë nga kredoja filozofike dhe diapazoni i gjërë dhe i thellë që munda të lexoj nga libri “Kredoja ime filozofike”.

Mund të them, se gjenialiteti i njeriut shpërthen në çdo moshë dhe për autorin unë mendoj, që për shumë arsye e rrethana të jetës plot kalvare e mbijetese u zbulua në librin modest të tij.

Ai nuk i ngjason serive voluminoze të “veprave” akademike shqiptare, që shpesh sillen e sillen rreth e përqark e nuk thojnë asgjë.

Kësisoj, autori ynë i paharruar Kuqani, ka një mendim sintezë me objekt e logjikë fine, plot mbprehtësi e logjikë të arsyeshme.

Si gjithnjë qytetari i thjeshtë e modest shkodran, me ndjeshmëri zemre e shpirti rradhiti faqet e këtij libri. Ai thotë, se në këtë ESSE, shpreson të ndezë një shkëndijë drite sado të vogël, në errësirën e madhe që mbulon misterin e metafizikës së botës dhe të vetë shpirtit tonë racional, “atëherë do ta konsiderojshe të plotësuem qëllimin tem”.

Studiuesi skrupoloz Beqin Kuqani, me dashamirësi, përmes librit përcjellë mesazhin e kjartë drejtuar studentëve në përgjithësi dhe amatorëve të filozofisë në veçanti, që të nxiten për t’u thelluar në këtë fushë dhe të formojnë edhe ata kredon e tyre.

 

Telegrafikisht jeta dhe mbijetesa e kredos së Bepit mes lakvarit të vuajtjeve

Filozofi shqiptar shkodran dhe ish i burgosuri politik gjate kohes se rregjimit komunist ne Shqiperi Bep Kuqani, lindi në vitin 1931, në qytetin e Shkodrës, ku ai u rrit dhe mbaroi shkollën e ciklit të ulët dhe të mesmen. Me vendosjen e regjimit komunist vend, ai arrestohet dy herë: më 20 shkurt të vitit 1957, dhe më 24 prill 1957, me vendim nr. 56, dhe Gjykata e Juntës Ushtarake Komuniste e Tiranës së kuqe e deklaroi atë fajtor për “krimin e agjitacion e propagandës kundër pushtetit popullor” dhe e dënoi me 10 vjet burg dhe humbjen e të drejtës elektorale. Më 27 shkurt 1957, me dekret nr. 250 i falet gjysma e dënimit.

Këto mendime ose shënime në formë “skice”, sikurse thekson autori i kishte titulluar: “Mbi Përjetësinë“, të përgatitur dora-dorës në burgun famkeq të Burrelit, gjatë viteve 1958-1962, duke i përmbledhur në dy fletore të vogla “kineze” asokohe, “që shokut tem nder ma të mirët dhe të paharrueshëm, të ndjerit Lan Kraja, në përpjekjen e tij për t’i nxjerrë jashtë burgut, ia gjetën gjatë kontrollit dhe i dogjën: ishte mundi i nji pune prej katër vitesh”, kujton autori filozof Bep Kuqani.

Mbas lirimit nga burgu, autori shtrohet në spital në Sanateriumin e qytetit në Shkodër, ku meqenëse kishte shumë kohë të lirë, u mundua, t’i “ripërtrijë” ato mendime, por nuk mundi të kujtojë më shumë se një gjysmë fletore të zakonshme…

Falë vullnetit të hekurt dhe duresës së madhe, për të risjellë në fletore tezat e shënimeve dhe pikëpamjeve filozofike, iu rifut punës edhe një herë nga e para, duke u mbështetur në në pikat dhe idetë kryesore, që kishte zhvilluar më parë.

Pas disa kohe, që kishte dalë nga spitali dhe kishte filluar punën në gjendje invalidi të grupit të dytë (i paaftë për asnjë punë), pa të drejtë ndihme materiale dhe financiare nga shteti, humbet vullnetin dhe durimin.

Tashmë në familejne tij varfëria e tejskajshme ishte ulur këmbkryq dhe sëbashku me luftën për mbijetesë, u bënë shkak që të braktisë shënimet, që i dhimbeshin në shpirt. Dhe kjo ndodhi në vitin 1966…

Sikurse dihet nga të gjithë që kalojnë këto përvoja jo të dëshiruara, gjuha shkon atje ku dhëmb dhëmbi. Herë pas here Bepi kujton, nëpër vitet në vijim më ngacmonte më forcë dëshira që t’i kthehej edhe një herë studimit, që flinte prej vitesh në vorbullën e madhe të librave të tij.

Në pragfundin e shekullit XX, ai rinisë edhe një herë përkujdesin për studimin, që priste autorin t’i jepte dorën e fundit dhe jetë një librit të ri.

Me sa duket, vitet kishin bërë punën e vet, duke i marrë me vete tekstin e plotë origjinal, në sasi e përmbajtje, që kishte hartuar gjatë kohës që vuante privimin e lirisë…

Por, gjithsesi, pasi ke përfunduar librin e kredove filozofike, me autor shkodranin hulumtues Bepin Kuqanin, për lexuesit dhe admiruesit e filozofisë, vepra është më shumë se esenca e ideve kryesore, sikurse shpiegon ai në fund të ideve të librit, që janë edhe idetë me të cilët ai bashkëjeton prej dekadash

 

Në vazhdën e martirëve të gjallë

Fytyra, pasqyra e shpirtit – Bep Kuqani (Facies speculum animae) Proverb latin

Fytyra kjo pasqyrë e gjallë e shpirtit njerëzor, ka qenë dhe mbetët për psikologët, ashtu si dhe për krijuesit e penës, daltës dhe penelit, një objekt fort i kërkuar, në evidentimin gjithnjë e më të saktë të këtij shpirti, sepse ata e dinin dhe e dinë sot e kësaj dite që ajo (fytyra), në dinamizmin e jetës është shumë herë pasqyrë mjaft besnike dhe e saktë e tij.

Madje duke u shtyrë edhe në qëniet e tjera zoologjike, që vijnë fill pas njeriut, tek primatët, artistët në riprodhimin e tyre nga natyra, gjejnë se edhe në fytyrat kafshore dalin mjaftë elementë të natyrës së tyre shpirtërore. Kështu, imazhi i fytyrës së luanit zbulon nga një anë forcën, por edhe krenarinë.

Ai i fytyrës së majmunit, me grimasat e saj, qesharaken. Sytë dhe turiri i gjatë i dhelprës, dinakërinë e saj klasike.

Imazhi i kokës së gjarpërit të flet njëherazi për fshehtësinë, pabesinë, përshtirosjen dhe helmin vdekjeprurës. Dhe më fort se kudo, këto imazhe dalin fort bukur në pah tek filmat multiplikativë, të një Walt Disney, apo Hana e Barbara të Holliwood-it.

Nga ana e tjetër, nofulla e madhe dhe e dalë e Musolini-t, për piktorë fashistë ishte shprehje e vullnetit, ndërsa për piktorët e vërtetë ishte shenjë e një mendjemadhësie qesharake, që përfundon në tragjizëm, sepse i ngjan më fort fryrjes tej mase të bretkosës së Ezopit që desh të rritej sa një ka dhe plasi.

Kurse cullufja në ballë dhe mustaqet nevrike të Hitlerit, nxjerrin fort mirë në pah paranojën kriminale të diktatorit nazist, ashtu si fytyra e akullt, e vrarë lije, me mustaqet e rënda të Stalinit, si prej derrit të egër, vë në dukje fare qartë kriminelin cinik të miliona e miliona njerëzve të pafajshme të të gjithë vendit të madh ku sundonte ky kasap.

Vini re me kujdes fytyrën e Krishtit, në linjat e së cilës, duke filluar nga sytë e përvujtnia shkrihet aq ëmbël me shenjtërinë.

Fytyrën simbolike të një Bude, ku mistika e thellë unjizohet me qetësinë harmonike e të përjetshme të Nirvanës. Apo portretet e burrave të mëdhenj të shtetit: Një Cromwell, Willima Pitt i Ri, Bismark, Winston Churchil, Woodroë Wilson, si dhe përvijimet akoma më të theksuara të një Ataturku.

Shikoni edhe kotësinë e një fytyre të një Nikolle të II të Rusisë, egërsinë prej një xhandari të një Stolipini apo “shenjtërinë dinake” të një mistiku vagabond tek fytyra e një Rasputini.

E ndër filozofët, fytyrën plot rrudha e grimsa të një ironie që anon fort tek sarkazmi të një Voltaire-i, ose harmoninë një bukurie shpirtërore dhe ndershmërisë së një Viktor Hygo-i. E kështu me radhë.

Fytyra e shokut tim bashkëvujtës, e mikut tim të mirë, Bep Kuqanit, është sigurisht diçka më vete. Padyshim aty ravijohet fort qartë e mira dhe pashmëria e matur flet për mirësi të shpirtit, sytë e menduar për thellësinë e mendimit dhe llogjikën e shëndoshë, si dhe për një ekuilibër shembullor mes ndjenjës dhe mendimit dhe nganjëherë një rrudhë e vogël mes ballit flet qartë për afinitetin ndaj filozofisë dhe shkencës.

Shpirtin e Bepit e përbëjnë harmonishëm katër elementë parësorë:
Karakteri i hekurt, ku e ka folënë ndershmëria; drejtpërshimi dhe fjala e matur, ashtu si qëndrimi pa sqimë e poza, flasin vetë për një modesti dhe thjeshtësi të lindur; ndjenja e thellë për të bukurën dhe të drejtën, dashurinë e madhe për artin, dashuri dhe pasioni për shkencën e filozofinë, që harmonizohet fort bukur me vullnetin dhe vendosmërinë e patundur.

Te personaliteti i Bep Kuqanit, nuk ka dualizëm mes tre pasioneve që e ndihmojnë dhe e ushqejnë fuqishëm njeri-tjetrin: Pasioni për dijeni dhe ai për artin. Dhe mbi këta të dy një i tretë, edhe më thelbësor tek ai, që u rri si diametë përfaqësuesve dhe kryesore dy të parëve: Një atdhedashuri e pakufishme, ku e ka bazën njëkohsisht një ndjenjë e fuqishme qytetare, elementë këto të fundit që fatkeqësisht nuk janë fort të rëndomtë në jetën e sotme shqiptare…

Bep Kuqanin nuk e kam njohur në burg, por ka qëlluar, edhe për fatin tjetër, se ai ka kaluar para meje në atë kalvar. E njoha pas burgut në Shkodër, nga fillimet e vitit tashmë të largët 1991.

Si dy vjet më parë (1989-1990), Shkodra, ziente nga përpjekjet për liri. Ajo sikur i paraprinte startit drejt lirisë e demokracisë, duke i dhënë një shembull vetmohimi heroik gjithë vendit, që lëngonte rëndë nën diktaturën komuniste.

A nuk është një fakt sa i dhimbshëm, aq edhe heroik, 2 Prill i 91-shit, me tributin e gjakut në djegien e Komitetit famkeq të Partisë?

Me Bepin punuam së bashku me pasion për themelimin e Shoqatës në Shkodër, madje pak më parë se ajo të shpallej edhe në Tiranë. Ishte koha e pasioneve të mëdha, e shpresave të mëdha. Por, kur Shoqata e qytetit heroik ra në dorë të ndonjë apo disa elementëve të padenja, u distancuam për krijimin e konsolidimin e Partisë së Bashkimit Demokratik (jo kjo e sotmja), parti që në thelb të saj mblodhi elementët më të ndërgjeshëm dhe më të mirë të masës së ish-të Përndjekurve Politikë Antikomunistë, parti që kishte si qëllim bashkimin e ish-ballistëve, zogistëve, intelektualëve të ndershëm, fshatarëve dhe punëtorëve që nuk kishin qenë fëlliqur sado pak nën komunizmin, si dhe masës së rinisë së gjërë.

Bepi ishte nënkryetari efektiv i Degës së asaj partie, duke punuar me ngulm, pa u lodhur kurrë, ditën dhe natën, duke e konsideruar partinë si shtëpinë e tij të lindjes.

Por, kur edhe kjo parti ra në duar të njerëzve me horizont tepër të kufizuar, pa asnjë largpamësi, madje me një fanatizëm të sëmurë, atëherë edhe Bepi i distancua, duke u marrë me veprimtari publicistike.

Gazeta “Liria”, për vite me radhë ka faqet e saj shumë artikuj kritikë me firmën e Bep Kuqanit, me problematikë të zgjedhur për shtresën e martirizuar të ish- të Dënuarve Politikë. Kurse sot tepër i zhgënjyer, i lodhur dhe i sëmurë është tërhequr në vetminë e tij, në moshë tashmë të thyer, afër 70-ave…

Megjithatë në izolimin e tij sa vullnetar aq edhe detyruar nga gjendja e rëndë shëndetësore, interesimi për problemet politike të kohës dhe për kulturën vazhdon po me atë pasionin e viteve të shkuara.

Ai nuk lë gazetë apo libër të ri pa lexuar, sa për politikën, aq edhe për letërsinë dhe dijet shkencore. Sepse tek ai dija shkencore shoqërore, si edhe arti janë si dy kotiledonet e një fare të vetme.

Si shkodran autentik, pas virtyteve të tjera morale dhe intelektuale, Bepi kanë gjak edhe atë thimthin e mprehtë të satirës dhe të humorit.

Si fishtjan dhe njohës i mirë i humorit të qytetit të tij, ai e ka për zemër të qeshi, të bëj shaka të kripura, herë duke qeshur me gjithë zemër, herë duke shpotitur të metat apo veset dhe duke stigmatizuar nga ana e tjetër negativitetin e njerëzve të këqinj e punët e tyre.

Tek përpiqem të hulumtoj mbi formimin dhe botëkuptimin e tij, më shkon mendja sa tek Pitagora e lashtë, aq edhe tek Descates-i e Pascal-i, këto tre filozof të mëdhenj, që njëkohsisht ishin edhe matematikanë të mëdhenj.

Si duke dashur të ndjekë udhën e tyre në fushën e dijes, në bazë të qënies së tij menduese, ka llogjikën dhe intuitën matematike, disiplinë kjo ndër të zgjedhurat e tij.

Racionalizimi kartezian është tek Bepi në epiqendrën e argumentimit të tij të gjatë një diskutimi serioz apo shkrimi kritik. E kritik sigurisht në kuptimin kartian. Po në këtë më hyn shpesh edhe intuita, ky element parësor në filozofinë e Bergson-it, tjetër filozof e matematikan edhe ky.

Kam mendimin se botkuptimi filozofik i Bepit është një lloj e mesme proporcionale (që të shprehemi si ka dëshirë ai, matematikisht) mes idealizimit dhe materializmit, a më mirë mes argumentave më tërheqëse të të dy rrymave kontradiktore.

Kështu, kam përshtypjen se tek ai, ka një lloj ekletizmi, ku filozofia, shkencat e natyrës dhe posaçërisht abstraksioni matematik shkrihen me njera-tjetren, në masën e duhur për të dhënë një rezultante logjike.

Por, me gjithë këtë Bepi e nderon fenë. Sipas meje ai ka një koncept volter në këtë drejtim. Dhe dihet, që Voltaire, nuk ishte aspak ateist. Botkuptimi i tij politik është vendosmërisht i djathtë. Por djathtizmi i tij nuk është aspak konservatorizëm.

Përkundrazi, është një djathtizëm modern, i përbërë nga tre elementë bazë: shpirtin e vendosur nacionalist, respektimin e dindividit, duke filluar me të drejtën e pronës private dhe një politikë sociale moderne dhe efikase për shtresat e varfëra të komunitetit.

Pra, në këtë botëkuptim ka shumë elementë të socialdemokracisë moderne evropiane perëndimore, që i bëri ato vende të arrijnë primate të tilla të shkëlqyera në të gjitha fushat e mirëqënies materiale, morale, kulturore, etj. Bep Kuqani me idealizimin e tij klasik politik e qytetar nuk do asgjë për vete.

Atij i qan zemra për popullin, rininë, për të ardhmen e tyre. Ai me modestinë që e ka karakterizuar gjithë jetën e tij të kaluar me vuajtje, varfëri, mundime, është i qetë dhe relativisht i kënaqur në atë apartamentin e tij në lagjen “Rus” të Shkodrës, një apartament i vogël, i katit përdhes, i errët, pa asnjë lloj komoditeti, pa le luksi, gjithë lagështi!…

Ai është vërtet i zhgënjyer nga jeta e vet, si çdo njeri i mençur tek e fundit, e sidomos si çdo shqiptar i brezit tonë. Por, prapë pesimizmi nuk zë kurrë vend në shpirtin e tij.

Madje edhe pse mjaft i sëmurë, hera-herës ende një rreze drite i përshkon ata sytë e tij inteligjentë. Eshtë si një rreze shprese për Shqipërinë, për popullin e tij martir, për mbarë kombin shqiptar. Po a është ky rrezatim, më fort, shpresë, apo urim për të ardhmen?… (Material në dorëshkrim nga Uran Kalakulla)

 

Mbi ekzistencën e shpirtit (Esse nga Bep Kuqani, New York)

Pa shtue asnji argument tjeter, por vetëm tue u bazue mbi tri eset-ë e maparëshme “Kredoja e ime Filozofike“, “Kredoa e ime Religjoze” dhe “Bota Sensuale”, mund të vertetohet  me disa prova të thjeshta “ekzistenca e shpirtit” ose Pavdeksia e tij”.

Dihet, se nji pjesë e konsiderueshme e njerëzimit nuk beson ne ekzistenecën e “Shpirtit”, ose në “Pavdeksinë e tij” dhe në vazhdimësinë e pafund të “jetës shpirtnore”, në nji formë krejtësisht të ndryshme nga pikëpamja “cilësore” me ate të jetës Tokësore.

Kjo, sepse njerëzit e zakonëshem besojnë ma shumë n’atë çka shohin, çka ndigjojnëtij”, çka prekin, çka nuhasin dhe çka shijojnë. D.m.th. besojnë vetëm n’atë pjesë të realitetit të kësaj bote, që perceptohet nga shqiset tona. Besojnë gjithashtu edhe në realitetin e botës shkencore, megjithëse edhe këto nuk janë të verteta perfundimtare.

Në këte mosbesim perfshihen jo vetëm individë të veçantë nga të gjitha vendet e kësaj Toke, nga të gjitha shtresat shqnore dhe nga të gjitha nivelet intelektuale dhe kulturale, por edhe “Besime Fetare”, tue fillue qysh nga feja ma e vjeter, simbas “Biblës”: Judeizmi, e deri te feja ma e re: Jehovajt; pa permendë fenë e fundit të Realianëve, që s’dihet në se besojnë ose jo në “Pavdeksinë e Shpirtit”, që unë besoj se ata duhet t’a kenë zgjidhë me kohë këte problem, në favor të ekzistencës së “përjetësisë së shpirtit”.

Nji ndikim të madh në krijimin e frymës  së këtij mosbesimi, kanë ushtrue edhe Kristianizmi dhe Islamizmi, me shpikjen në jeten e pertejme te “ferrit” dhe “parrizit” (xhehnetit dhe xhehnemit) me mundimet dhe gëzimet e pa imagjinueshme, per nji kohë që s’merr fund kurrë, ku perfundojnë shpirtnat e njerëzve mbas ndrrimit të kësaj jete të shkurtë, varësisht nga veprat e këqija ose të mira të kryeme në këte jetë.

Në “Bibël”, nuk permendet dhe nuk njihet fare ekzistenca e shpirtit dhe as e “ferrit” dhe e “parrizit” në boten tjeter. Per hebrejt, “ferri” e “parrizi” gjinden këtu, në këte jetë e mbi këte Tokë. Parrizi mbi këte Tokë ka kenë “Kopshti i Edenit” që Adami e Eva e humbën porsa hangren “mollen e ndalueme” e, bashkë me ‘ta edhe gjithë njerëzimi mbas-ardhës; ndersa me “ferrin’ kuptohej jeta e veshtirë dhe e mundimëshme jashtë këtij “Kopshti”.

Edhe “Deshmitarët e Jehovajt” mësojnë se ‘shpirti nuk asht i pa vdekshëm dhe i perjetëshem: KUR NJERIU VDES, NUK EKZISTON MA. Vdekja asht e kunderta e jetës -mësojnë ata-. Asnji pjesë e jona nuk ekziston mbas vdekjes. Ata mësojnë gjithashtu se “Jehovaj e dergoi Jezusin në Tokë që të vdiste per ne e të na faleshin mëkatet”.

Këtu lindë pyetja: Pse duhej të vinte Jezusi në Tokë per ne e të na falesin mëkatet kur shpirti nuk asht i pa vdekëshem dhe kur me vdekjen e njeriut “ai nuk ekziston ma”, Pra “merr fund gjithshka”?

Asht fakt, që edhe pse “Bibla” nuk e njeh fare ekzistencen e shpirtit, asht e gjithëpranueshme në tanësinë e vet edhe nga Kristianizmi dhe Islamizmi.
Dhe jo vetem Judeizmi (feja e hebrejve). Por, asnji nga besimet fetare të vjetra si Hinduizmi, Budizmi, Paganizmzi dhe cdo besim tjeter fetar që ka ekzistuje në lashtësinë e thellë të jetës mbi Tokë, nuk gjejmë asnji gjurmë të predikimeve të tyne mbi “Jetën e përtejme” dhe asnji gjurmë të besimit të tyne ne nji jetë tjetër përtej Varrit: Nuk ekzistojnë dy jetë, nji e këtejme dhe nji e përtejme, por ekziston NJI Jetë e Vetme, NJI GJTHËSI e Vetme dhe NJI ZOT i Vetëm pa Fillim e pa Mbarim.

Nji tjetër motiv, që i largon njerëzit nga besimet fetare asht edhe fakti se në themel të doktrinave të tyne fetare qëndrojnë “të pa vertetat”,   trillimet dhe ngjarjet absurde, të pamdununa me ndodhë.

Dihet se burimet e para të dijes njerëzore mbi “Boten dhe Mendjen’, i kanë fillesat te “Feja” dhe te “Shkencat”. Guri themeltar i dijeve fetare asht “Bibla” e Vjeter dhe e RE si dhe “Kurani”, d.m.th. në pergjithësi “Shkrimet e Shejta” që pretendojnë  të jenë “të verteta absolute”, “të perjetëshme”, “të pagabueshme” dhe të “pa kundershtueshme”.

Ndersa guri themeltar i dijeve shkencore asht “Filozofia”: Fillesa e të gjitha shkencave të realizueme deri më sot dhe që na zbulon vazhdimisht gjana të reja mbi “Boten e Mendjen” të pa njohuna ma parë.

Pikrisht,  këtu qëndron paradoksi i madh dhe absurditeti që edhe sot në shekullin e XXI-të, njerëzit vazhdojnë me besue në dy burimet kontradiktore të dijes, asaj fetarë që ka si premisë “Zoti krijoi gjithshka prej asgjaje” dhe asaj shkencorte që ka si premisë “Asgja nuk krijohet, asgja nuk zhduket, çdo gja transformohet”.

Dhe kjo shpjegohet me faktin, sepse besimi në dijet fetare ka kenë jashtëzakonisht i madh dhe ka dominue per nji periudhë të gjatë kohore prej disa shekujsh në shoqninë primitive të atëherëshme, si i vetmi burim ditunije i asaj kohe, kur filozofia ishte në hapat e para të saj dhe shkencat nuk kishin krijue ende bazat e veta te shndoshta; kështu që  ato  dije fetare nguliteshin mire në trunin e zbrazët të asaj shoqnije primitive, ku dijet shkencore mungonin pothuejse krejtësisht...

Per ta ba edhe ma të besueshme këte fe të re ata trilluen edhe  historinë shumë tërheqëse të krijimit të botës dhe të jetës qysh prej njeriut të parë profetit Adam e deri te profeti ma i fundit i tyne Malakia, që vazhdon edhe sot të tërheqë dhe të besohet nga nji mase jo e vogel njerëzish sepse ishte kjo ndoshta shpikja e parë, që trajtonte historine e krijimit të botës dhe të njeriut edhe pse jashtë çdo kriteri shkencor e real.

Feja p.sh. mësonte se Toka asht në qender të Gjithësisë; se ajo asht e sheshtë dhe e pa lëvizëshme; se Dielli rrotullohet rreth Tokës; e plot kësi absurditetesh rë tjera.

Por kur filozofia dhe shkencat filluen të thellohen dhe të pasunohen me njohuni të reja, atëherë filloi të duket kjartë edhe kontradikta e thellë në mes këtyne dy fushave të njohunisë.

Zbulimet shkencore pergënjeshtronin komplet “shkrimet e shejta” mbi krijimin e botës dhe të Njeriut.

Këto kontradikta, me zhvillimin dhe perparimin e dijeve shkencore, u kthyen në konflikte të ashpra dhe të pergjakëshme, aq sa shumë shkencëtarë  i paguen me vuejtje, me tortura dhe edhe me jetë zbulimet e tyne shkencore, vetëm pse binin ndesh me “shkrimet e shejta”

Te esse-ja “Kredoja ime Religjoze” janë trajtue ma hollësisht këto çeshtje, prandaj nuk po zgjatem ma mbi këte argument.

Le të kthehemi tash te  argumentat mbi ekzistencen e shpirtit:
Besoj, se nuk ka njeri që të më kundershtojë, se kjo “Botë” që na rrethon nga të gjitha anët asht edhe e “dukëshme”, edhe e “pa dukëshme”; edhe “konkrete”, edhe “abstrakte”; edhe “objektive”, edhe “subjektikve”; edhe “e fundme”, edhe e “pa fundme”; edhe “e perkoheshme”, edhe “e perjetëshme”.

Pjesa e kësaj bote, që në perftyrimin tonë na paraqitet “e dukëshme”, “konkrete”, objektive”, e “fundme” dhe e “perkohëshme”; asht pikërisht bota e kësaj jete tokësore “Bota e Ndijshme”, të cilen e kam trajtue te ese-ja  “Bota Sensuale”.

Ndersa pjesa tjeter e botës, që në vetëdijen tonë na pasqyrohet e “pa dukëshme”, “abstrakte”, “subjektive”, e “pa fundme” dhe e “perjetëshme” asht “Bota Shpirtnore” bota e pa perceptueshme, prej shqiseve tona; ajo Botë “misterioze” ose “Bota Mendore”, energjinë e së cilës e ndjene apriori çdo individ në qenien e tij. Asht kjo energji që mbanë gjallë jeten, vazhdimësinë e saj të pa fund : Jeta pa shpirt nuk mund të ekzistojë.

“Shpirtin” Leibnitzi e perkufizon si nji “monadë”, si nji thermi jashtëzakonisht të vogel konsubstanciale me shpirtin e Gjithësisë, që asht vetë ZOTI.

Afersisht po kështu e perkufizon edhe Hegel-i: “Si nji moment i procesit të krijimit të Universales dhe shuma e këtyne momenteve perban ABSOLUTEN (Zotin)”

Shpirti e mendja, janë nji gja e vetme. Shpirti e ka seline e vet në trunin e njeriut, ndersa ndnjenjat ose sentimentet në zemren e tij.

Këto perkufizime të   dhana nga dy dijetarë të medhaj, nuk mund të mos konsiderohen si dy prova per ekzistgencen e shpirtit.

Por, këto nuk janë të vetmet prova. Per ekzistencen e shpirtit ka edhe shumë prova të tjera, nder të cilat unë do të veçoj tri ma kryesoret e ma bindëset :

1) RELIGJONIN;
2) ARTET dhe
3) SHKENCAT.

RELIGJONI: Religjoni, nuk asht nji objekt i “botës tokësore” të perceptueshme nga shqiset siç janë Dielli, Hana, hyjet, oqeanet, flora, fauna, etj., por asht nji subjekt i bashkëlindun me prejardhje nga “bota shpirtnore”, në të gjitha qeniet e arsyeshme, kudo ku mujnd të ekzistojnë.

Ai asht NJI I VETËM, në të gjithë Universin. Edhe shkalla e ndjeshmënisë dhe e vetëdijes së pranisë të këtij Religjoni asht e njejtë në të gjitha qeniet e arsyeshme, pavarsisht nga niveli i tyne intelektual e kultural.

Te njerëzit e lashtë, në fillimet e jetës njerëzore mbi këte Tokë, niveli intelektual e kultural i dijeve fetare dhe shkencore ishte “zero”, sepse nuk ekzistojshin as njena dhe as tjetra. Por Religjoni ekzistonte.

Besimi në “perjetësinë e shpirtit”, ishte i pa tundun. Ata  ndjenin instiktivisht nji siguri absolute se njerëzit kur vdisnin nuk zhdukeshin, por pësonin nji transformim të kësaj jete në nji tjeter të ndryshme, ma të zhvilluerme dhe ma të naltë intelektualisht dhe se ky cikël transformimesh, zhvillimesh dhe ngritjesh perherë e ma nalt në sferen e ditunisë vazhdon pafundësisht.

Kjo intuitë, ky ndriçim i mendjes dhe këte besim të plotë nuk kishte kush t’ua mësonte sepse n”ato kohna tejet primitive nuk ekzistojshin as “shkrimet e shejta” dhe as “vepra shkencore”, por ishte thjeshtë “Besimi ose Religjoni i lindun bashkë me ‘ta.

Pra, Religjoni e ka origjinen nga nji botë tjeter krejtësisht të pastërt, predispozitat morale të së cilës janë të perjetëshmë dhe të pa ndryshueshme.

Këto predispozita perbajnë esencen e Religjonit dhe janë të gdhenuna në ndergjergjen e çdo individi që vjen në këte botë.

Respektimi sa ma i mirë i tyne garantojnë paqen, lumtuninë dhe mirëqenien në këte jetë.

 

Arti

E njejta gja mund të thuhet edhe per Artin dhe per origjinen e tij. Le të marrim artin e “Muzkës.”

Në “boten objektive” të perceptueshme nga shqiset tona nuk ekzistojnë ‘tone”, “akorde” as “melodi”. Në këte botë kemi vetëm “zhurma”, nga njiherë të forta, të fuqishme, të frikshme e jo rrall katastrrofike.

Të tilla janë zhurmat e vullkaneve, të termeteve, të rrebesheve të shinave të rrëmbyeshem, të vetimave e bumbullinave, të ernave të shpejta dhe të fuqishme, që janë absolutisht të pa krahasueshme me tingujt melodiozë të muzikës.

Muzika, harmonia e tingujve, janë të hueja per boten shqisore. Burimi i të gjithë krijimtarisë në këte art  si dhe krijimi i dhjetra instrumentave të ndryshëm muzikorë, tingujt e mahnitëshem të të cilave nuk gjinden askund mbi këte rruzull, por na vijnë nga nji botë tjeter; nga bota shpirtnore.

Ndryshe si spjegohet fakti i ekzistencës së dhjetra dhe qindra kompozitorëve dhe instrumentistave virtuozë në moshat adoleshente, pa asnji pervojë nga jeta e kësaj bote shqisore!?

Po fakti që Bet’hoveni kryeveprat ma të mëdha muzikore i krijoi mbasi u shurdhue komplet dhe s’kishte asnji kontakt me zhurmat e kësaj Toke!?

 Janë të pashterrëshme krijimet melodioze aq të mrekullueshmë, me nji bukuri të pa pershkrueshme të këtij Arti Suprem të supergjenive Bah, Bet’hoven, Vagner, Moxart e plot të tjerë; krijime të cilat do të vazhdojne persëri pafund,sa të jetë jeta në të gjitha gjinitë e këtij arti, sepse e bukur dhe e pafund asht edhe vetë bota shpirtnore.

Piktura dhe Skulptura, nuk janë kopjime të thjeshta të Natyrës, por janë imazhe të nji bukurije ideale të saj, plot jettë e gjallni, plot dritë e hijeshi.

Në boten e dukëshme na gjejmë vetëm shtatë ngjyrat e ylberiit ndersa në veprat e gjenive të mëdhej të pikturës e skulpturës:  të Mikelangelos e Da Vincit, të Raffaelos e Rembrandit, të Van Goghut e Picassos, të Rubensit e Samsonit e të sa e sa gjenive të tjerë të këtij Arti, na gjejmë nji pafundsi ngjyrash të krijueme nga nuancat e ngjyrave të ylberit.

Asnji nga veprat e tyne, kjofshin piktura apo skulptura, nuk mund të identifikohen me asnji objekt të botës reale në sensin e bukurisë, të cilat janë të pa krahasueshme dhe inekzistente ne boten reale: Ato janë imazhe fantastike të nji bukurije të persosun me origjinë nga bota shpirtnore.

Letersia, asht nji tjeter Art i mrekullueshem, që na pasunon boten shpirtnore, me njohje në fushen e psikologjisë njerëzore.

Janë të pavdekëshme dhe të pa arrijtëshme veprat artistike të Homerit, Shekspirit, Dantes, Gëtes, Servantesit e të sa e sa të tjerëve në të gjitha gjinitë e këtij Arti si në Poezi e në Prozë; në Epikë e Lirikë; në Tragjedi e Komedi.

 

Shkencat

Janë fushat e ditunisë, që studjojnë e na mndësojnë njohjen e ligjeve të Natyrës. Arsyeja, Logjika dhe Kujtesa (Memoria), janë fakultete thellsisht shpirtnore.

Shpirti, asht ajo thermi e vogel konsubstanciale me Mendjen Universale, që Leibnitzi e quente “Monadë”, ndersa Hegel-i e quente ”nji Moment i procesit të krijimit të Universales”, shuma totale e të cilave perban Mendjen Universale që ata e identifikojnë me Zotin.

Me zhvillimin e shkencave, me njohjen e saktë të  disa ligjeve të Natyrfës, Njeriu mrrijti të eci jo vetëm mbi Tokë, por edhe nën Tokë; jo vetëm mbi det, por edhe nën det; jo vetëm të fluturojë në hapsinat për rreth Tokës, por edhe të shkëputet fare nga gravitacioni i saj dhe të fluturojë në hapsinat e pa matëshme të Kozmosit  Asht merita e Gjenive të mëdhej të shkencave, si: Pitagora e Arkimedi,  Galileu e Koperniku, Dekarti e Paskali. Njujtoni e Ainshtaini, Leibniytzi e Makswelli dhe i dhjetra shkencëtarve të shquar Astronome e Fizikantë, Matematicienë e Arkitektë, Filozofë e Antropologë, Arkeologë e Kimistë që me zbulimet e tyne bane të mundun arritjen e këtyne mrekullitë të verteta.

Të gjitha këto janë frute të prodhimtarisë shpirtnore, që provojnë ekzistencen e shpirtit, i cili edhe pse asht vetëm nji thermi infinitezmale e Shpirtit ose e Mendjes Universal, permbanë potenciale të pakufishme në zhvillimet dhe aftësitë njohëse, per ditë e ma teper të Botës dhe të Mendjes.

Keto tri Prova, që heret a vonë do t’i kuptojmë  dhe do t’i përjetojmë realisht, mund t’i quejmë edhe kështru: Religjoni asht E Mira; Arti asht E Bukura dhe Shkenca asht E Verteta.

Pra, Natyra, na ka dhurue tri mundësitë absolute ma të mira, per t’a gëzue dhe per ta shjiue jeten trupore dhe shirtnore; në këte botë dhe në këte jetë.

Asht gabimi shekullor mija vjecar i njerëzimit me origjinë fetare, që na privoi nga këto tri dhurata ma të cmueshme të Natyrës, tue krijue diktaturen, dhunen, ligjet anti njerëzore, luften, burgjet, ndeshkimet me vdekje, torturat, rrenat, mashtrimet e plot mundime të tmerëshme, per t’i imponue njerëzve besimet e tyne fetare, të ushtrueme me egersi kjoftë nga Hebraizmi, Kristianizmi dhe Islamizmi.

Para ekzistencës së këtyne besimeve, jeta e njerëzimit ka kenë ma paqësore, ma shpirtnore ma e arsyeshme, ma dinjitoze e ma e lumtun.

Sa ma shumë të ecim në thellësi të shekujve, aq ma e bukur ka kenë jeta; aq ma afer këtyne dhuratave të Natyrës.

Evolucioni i jetës njerëzore, potencialet e pakufishme të  botës shpirtnore dhe predisponibiliteti per t’u zhvillue per ditë e ma teper, në këto tri fusha, perbajnë bazen e krijimit në nji t’ardhme jo të largët të parajsës se vertetë tokësore, tue i ndrrue krejtësisht drejtimin  rrugës së gabueme të ndjekun prej mija e mija vjetësh, që  e shndrruen  në nji “ferrë” të pamerituem shejtninë e kësaj jete.


[1] Gazeta “Liria”, Organ i Shoqatës Kombëtare të Ish- Përndjekurve dhe të Denuarve Politikë në Shqipëri, Tiranë.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.