E PËRBASHKËTA E NJERIUT ËSHTË NJERËZORJA

3
Dingy Saint Claire

Mehmetali Rexhepi

NGA DËSHMIA E NGAZËLLON M. REXHEPIT

Ngazëllon M. Rexhepi përfaqëson dinjitetin e tij kombëtar dhe njerëzor në Francë. Më 3 tetor 2025 në Dingy Saint Claire, në rrethinën e qytetit të bukur Annecy, mblidhet Asociacioni i Bamirësisë për aktin e përmbylljes së veprimtarisë bamirëse. Kryesia e këtij Asociacioni përcaktohet njëzëri që anëtarëve të Asociacionit t`iu qaset me një përmbledhje përshtypjesh vlerësuese pikërisht Ngazëllon M. Rexhepi. Në praninë e anëtarëve të organizuar vullnetarisht për vepra humanitare në vendbanimin e lartpërmendur rrëzë malit Parmalan, Ngazëllon Rexhepi shpalosi përshtypjet e dramës bashkë me gruan e tij, dramë e peripecive për mbijetesë e dy të rinjve të bukur, që me trastë gjysmë të zbrazur, përplot ëndrra të papërmbushura endeshin rrugëve të huaja, pa e ditur se ku do ta kalonin natën. “Ishim, veçse dy hije që kërkonim një grimë shpresë.”

Dy të rinjtë Ngazëlloni dhe Kaltërina iu kishin mbështetur fatit të padukshëm në mësymjet e tyre për jetën që t`ua siguronte një mirëqenie jetësore. Baraspeshën e ecejakeve të pafundme në kërkim të mirëqenies ua mbante dashuria e pakëputur për njëri-tjetrin; një trajtë besimi e vagulluar dhe shpresa… Por, ku i shpinte kjo sprovë në një mjedis të huaj: pa njohje të gjuhës përkatëse dhe të njerëzve në rrethana e mendësi krejtësisht tjetërsoj?
Më tej Ngazëllon M. Rexhepi para një tubimi të konsiderueshëm pjesëmarrësish në tubimin e Asociacionit, përmes një rrëfimi të shkurtë, i ngjeshur, i artikuluar, i rrjedhshëm, shpaloi të priturat dhe të papriturat e vuajtjeve, bujtjeve kudo, përjetime të hirta, por shih: ndodhi mrekullia! Si ndodhi? Ndodhi rastësia për të cilën thuhet se është “mbreti i botës!”

Të pranishmit në sallë u përqendruan në ligjërimin shprehimor dhe, tërë sy e vesh gëlltitnin të emocionuar ligjërimin e sprovave, përmes një frëngjishteje të kulluar në shqiptimet e gojës së një ardhacaku, që me doza sinqeriteti shfaqte takimin e rastësishëm me njerëzit e Asociacionit, se si kishte hasur në zemra të hapura, pa u parë e pa u ndjerë, thellësisht njerëzore! Iu kishte mbushur zemra me diçka të papërshkrueshme. Ligjëruesi i sprovës pohonte: “Në fillim nuk kuptonim asgjë: kush ishit ju, pse na ndihmonit, pse e hapnit zemrën tuaj për dy të panjohur? Por, koha tregoi se brenda këtij asociacioni gjendeshin zemrat më të mëdha, më humane e më të pastra që mund të takonim ndonjëherë.”

Në përshkrimin e tij Ngazëllon M. Rexhepi renditi përkushtimin e ndihmës së anëtarëve të Asociacionit të Dingy Saint Claire: sjelljen sipas rregullave të shtetit të Francës, mësimi i frëngjishtes, jo vetëm si gjuhë, por edhe frymën e saj. Në këtë vazhdimësi gjithsesi pason qasja për t’u lidhur me njerëzit që u gjendën në ditët e vështira dhe, respekti për ta.
Pas lodhjes fizike e shpirtërore dhe pritjes së gjatë, erdhi viti 2019, kur Prefektura e Annecy më në fund rregulloi statusin e çiftit Rexhepi. Në rrëfimin e tij Ngazëlloni solli ndjenjën e gëzimit që kishte përjetuar duke u ndjerë të lehtësuar… Ai e shpërfaqi atë gëzim përpara fytyrave bamirësish të cilëve po u lotonin sytë: “Por, dini çfarë? Kishim ndjesinë se ju, miqtë tanë të dashur të Asociacionit, ishit edhe më të gëzuar se ne dhe, kjo ishte dëshmi se gëzimi juaj për ne ishte i sinqertë, i pastër, i madhërishëm…”

Në përmbyllje të paraqitjes së tij, Ngazëllon M. Rexhepi parashtroi dy rrethana mbresëlënëse:
“Sot, unë dhe Kaltërina jetojmë të lumtur në Francë. Por, kjo lumturi ka sot një hije trishtimi: Asociacioni ynë i dashur po mbyllet. Një kapitull i çmuar po mbyllet, por faqet e tij do të mbeten përherë të hapura në zemrat tona.” Duke vijuar diskursi ligjërimor i të riut mërgimtar, sikurse rasti i këtyre të rinjve, Ngazëlloni shqiptoi shfaqjen dhe përmbushjen njerëzore:

“Ju na dhatë më shumë se sa mund të kërkonim. Na dhatë kohë, gjuhë, miqësi, sinqeritet, ngrohtësi…”
Vlen të nënvizohet pohimi mirënjohës i të riut mërgimtar Ngazëllon M. Rexhepi kundruall bamirësve e bamirëseve franceze: “Për ne, ju do të mbeteni gjithmonë njerëzit më të bukur në botë.” Nëse po mbyllet Asociacioni që na ktheu besimin për kthimin e buzëqeshjes në fytyrat e shpirtrat tanë… “Kujtimet nuk i mbyllë dot askush; ato do të rrojnë me ne, në çdo Krishtlindje që do të vijë, në çdo buzëqeshje që na shoqëron.”

Një dozë mallëngjimi e mirënjohjes së ndërsjellë kishte kapluar në sallë dyanshëm zemrat, veçmas përmbyllja domethënëse e udhërrëfyesit: “ne do të kujtojmë çfarë bëtë për ne dhe do t’ua përcjellim më tej, sepse kjo është trashëgimia juaj më e madhe: të na mësoni të jemi dritë për të tjerët.

Ju përqafojmë me gjithë shpirt! Faleminderit!”

Përmbyllja e tillë e peripecive e të riut shqiptar në Dingy Saint Claire Ngazëllon M. Rexhepi për bëmat e mira të evropianëve, shpërfaqi nivelin e një dinjiteti modern evropian, gjithnjë në funksion të ngadhënjimit të miqësisë e të njerëzores pa paragjykime, tej përkatësive etnike, racore, fetare e, veçantive të mendësive shoqërore. Si rrjedhojë e përbashkëta e njeriut është vetëm e vetëm njerëzorja.

Këtu ngadhënjeu njerëzorja!


Të dashur miq, anëtarë të Asociacionit të Dingy Saint Claire,

Në verën e vitit 2015, unë dhe Kaltrina mbetëm pa strehë, pas refuzimit të autoriteteve franceze për të na dhënë statusin e qëndrimit. Imazhi i asaj dite më është ngulitur në kujtesë: dy të rinj, me valixhe gjysmë të zbrazura, plot ëndrra të papërmbushura, endeshim rrugëve pa e ditur ku do ta kalonim natën. Ishim veçse dy hije, që kërkonin një grimë shprese.

Dhe atëherë ndodhi diçka që nuk e kishim pritur: një takim i rastësishëm me ju — njerëz që nuk i kishim parë kurrë më parë. Në fillim nuk kuptonim asgjë: kush ishit ju, pse na ndihmonit, pse e hapnit zemrën tuaj për dy të panjohur. Por koha tregoi se brenda këtij asociacioni gjendeshin zemrat më të mëdha, më humane e më të pastra që mund të takonim ndonjëherë.

Me hapa të ngadalshëm, filluam të ringriheshim. Brenda mureve tuaja mësuam frëngjishten — jo vetëm gjuhën, por edhe frymën e saj. Mësuam të ecim sipas rregullave të Francës, ta njohim e ta duam atë. Dhe ndërsa ne po mësonim të shpresonim sërish, ju po na jepnit pa e ditur një dhuratë më të madhe: një ndjenjë familjeje.

Kaluan ditë të vështira, netë plot ankth, por ju nuk na latë kurrë vetëm. Ju na dhatë shpresë kur ne e kishim humbur. Na bëtë të qeshim kur fytyrat tona ishin rënduar nga dhimbja. Dhe më kujtohet, me një buzëqeshje që s’do të shuhet kurrë, se sa shumë kemi qeshur bashkë. Pushimet që ndamë, shëtitjet, bisedat e pafundme, dhe mbi të gjitha Krishtlindjet — ato Krishtlindje që për mua dhe Kaltrinën do të mbeten më të bukurat e jetës sonë. Jo për dritat e qytetit, por për ngrohtësinë që na dhatë ju.

Pastaj erdhi viti 2019. Pas lodhjes fizike dhe shpirtërore, pas pritjes së gjatë, Prefektura e Annecy më në fund rregulloi statusin tonë. Çfarë gëzimi! Sa shumë u ndjemë të lehtësuar! Por e dini çfarë? Kishim ndjesinë se ju, miqtë tanë të dashur të asociacionit, ishit edhe më të gëzuar se ne. Dhe kjo ishte dëshmi se gëzimi juaj për ne ishte i sinqertë, i pastër, i madhërishëm…

Sot, unë dhe Kaltrina jetojmë të lumtur në Francë. Por kjo lumturi ka sot një hije trishtimi: Asociacioni ynë i dashur po mbyllet. Një kapitull i çmuar po mbyllet, por faqet e tij do të mbeten përherë të hapura në zemrat tona.

Ju na dhatë më shumë se sa mund të kërkonim. Na dhatë kohë, gjuhë, miqësi, ngrohtësi. Na dhatë jetën e dytë. Dhe për këtë, unë dhe Kaltrina do të jemi mirënjohës përgjithmonë.

Kujtimet me ju do të mbeten thesari ynë më i shtrenjtë. Sepse kujtimet nuk i mbyll dot askush; ato do të rrojnë me ne, në çdo Krishtlindje që do të vijë, në çdo buzëqeshje që na shoqëron.

Ju falënderojmë nga zemra. Për ne, ju do të mbeteni gjithmonë njerëzit më të bukur në botë. Dhe nëse një ditë, diku, një çift tjetër i humbur do të endet rrugëve pa shpresë — ne do të kujtojmë çfarë bëtë për ne dhe do t’ua përcjellim më tej. Sepse ky është trashëgimia juaj më e madhe: të na mësoni të jemi dritë për të tjerët.

Ju përqafojmë me gjithë shpirt. Faleminderit!

3 KOMENTE

  1. I nderuari z. Mehmetali Rexhepi!

    Portali FJALa e LIRË, Kryeredaktor e së cilës është i respektuari z. Arben Çokaj, gjithëherë publikon shkrime të cilat zgjojnë kërshërinë dhe kureshtjën për lexim dhe koment.

    Lexova më kujdes shkrimin e juaj dhe DËSHMINË e Ngazëllonit, e cila më rikthej kujtesën në përjetimin tim dhe gruas sime Mejremës pas emigrimit në Suedi. Ishte viti 2004, kur me padëshirë e lëshuam Kosovën (Mitrovicën) dhe erdhëm për vizitë të djali (Armendi) në Suedi. Me preferimin e djalit tonë kërkuam LEJEQËNDRIM, por pas dy vitësh pritjeje, na REFUZUAN, por me të drejtën për ankesë, dhe ANKESËN e kam shkruar me dorën time në gjuhën e ëmbel shqipe, me SQARIM: “PASI NUK NJOH GJUHËN SUEDISHTE, ANKESËN PO E BËJ NË GJUHËN SHQIPE” Pra, nuk angazhova avokat sepse nuk kishim para (korona).

    Në Ankesë, përveç tjerash, ju pata shkruar: “Në qoftë se na ktheni në vendin tonë, ku na rrezikohet jeta (nga kriminelët serbë), né do të bëjmë vetëvrasje këtu në Qendër të qytetit,” ndersa vetë u shtrova në spitalin Psikiatrik, gjoja se kam përjetuar TRONDITJE shkaku i REFUZIMIT.
    Për fatin tonë ANKESA ka rënë në duart e një suedezi dhe të një shqiptari (përshkakun se ANKESËN e kisha shkruar në SHQIP) dhe pas 8 ditësh e kemi FITUAR LEJEQËNDRIMIN E PËRHERSHËM.

    Pasi fillova të merrëm me shkrime, Suedisë ia kushtova një poezi me titull: “SUEDIA- VENDLINDJA E DYTË”, dhe për këtë poezi, gazetarja e gazetës suedeze #NORRA SKÅNE”, më ka “qitë në gazetë”. Për ÇDO KRISHTLINDJE u dërgoj URIME.
    Më falni se e ndoshta e teprova me KOMENTIN e stërzgjatur!

    Respekt,
    për Juve z. Mehmetali dhe
    për z. Arben Çokaj

  2. I nderuari Ismet M. Hasani! Ndonëse me vonesë prej disa javësh, dua të shpreh falënderimin dhe respektin tim ndaj qasjes tënde shkrimit tim për Ngazëllon M. Rexhepin në Francë. Për shkak të pushtimit të trojeve shqiptare dhe armiqësisë së fqinjve tanë grabitqarë,madje dhe për të metat e dobësitë tona gjenetike për shtet-ndërtim, te të rinjtë shqiptarë ndodhin drama të tilla gati me përfundime tragjike, sikurse ajo e juaja, me qëllimin e vetëm për të siguruar mirëqenie e jetë dinjitoze! Të dëshiroj mirëqenie atje ku je vendosur gjithnjë duke e respektuar shtetin mikpritës Suedinë! Një repekt të veçantë kam për z. Arben Çokaj dhe portalin kulturor Fjala e Lirë, aty ku shkrimet e mia gjejnë shprehjen e publikimit të dinjitetshëm. Me nderime! Mehmetali REXHEPI, shkrimtar

  3. I nderuari Muhametali REXHEPI!

    Nuk është aspak me vonesë PËRGJIGJËJA e Juaj në komentin tim. I ndershmi të nderon. Nderi (nderimi) nuk mplaket KURRË deri sa të jemi gjallë. Kur e përmenda fjalinë “derisa të jemi gjallë” për momenin m’u përkujtuan fjalët e Fishtës, i cili – ndër të tjera thotë:

    Derisa t’mundëm me ligjërue,
    e derisa me frymë, unë të jam
    kurrë Shqypni s’kam me t’harrue,
    edhe n¨varr me t’permendë kam!

    Juve dhe Ngazëllimit ju dëshiroj shëndet të plotë, qetësi shpirtërore dhe FAT në jetë!

    PS!
    Unë jam nga Juniku i Kosovës;
    në Suedi jam që nga viti 2004

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.