‘Dora e butë’ e drejtësisë me krimet zgjedhore minon demokracinë shqiptare

0
291
Takimi përmbyllés i PS në Tiranë

Partia Socialiste mban mitingun përmbyllës në Tiranë (Foto)
Mitingu përmbyllës në Tiranë i Partisë Socialiste. 22 qershor 2017. Foto: Ivana Dervishi/BIRN

Ndëshkimet minimale të sistemit të drejtësisë për krimet zgjedhore janë sipas ekspertëve tregues i inkurajimit të këtyre veprave penale nga politika në dëm të demokracisë dhe të ardhmes së vendit.

Nga Vladimir KarajReporter.al

Gjashtë vjet pasi u përgjuan nga Prokuroria në përpjekje për të deformuar rezultatin e zgjedhjeve të pjesshme lokale në 11 shtator 2016 për Bashkinë e Dibrës, çështja ndaj katër zyrtarëve lokalë po zvarritet drejt fundit.

Më 13 dhjetor të vitit të shkuar, Gjykata e Dibrës dënoi me 120 orë punë publike ish-drejtorin lokal të Arsimit, Drini Gjeci, dhe me 16 muaj dënim me kusht për Nuri Medën, ish-administrator i njësisë Tomin.

Saga gjyqësore paralele me të pandehur ish-shefin e komisariatit, Robert Aga dhe ish-administratorin Hasan Hoti po mbyllet gjithashtu me shërbim prove.

Dosja e njohur publikisht me nr. 184 ishte ndër më të lakuarat e drejtësisë mbi krimet zgjedhore. Bashkë me simotrën “Dosjen 339” me përgjime mbi ndërhyrjet e krimit të organizuar në zgjedhjet e vitit 2017 në Durrës, ato u bënë shkak që opozita të braktiste parlamentin dhe më pas edhe zgjedhjet lokale të vitit 2019, duke sjellë një krizë të re politike.

“Dora e butë” e drejtësisë në Dibër nuk është një rast i izoluar, por vijim i së njëjtës politikë penale ndaj krimit zgjedhor në Shqipëri.

Ndërsa kreu 10 i Kodit Penal mbi “Vepra që prekin zgjedhjet e lira” parashikon dënime që variojnë nga 6 muaj deri në 8 vjet burg, vendimet e dhëna gjatë dekadës së fundit anojnë në shumicë nga minimumi ligjor.

Sipas statistikave të publikuara nga Ministria e Drejtësisë, prej vitit 2013 janë dhënë 79 vendime fajësie për krime zgjedhore nga gjykatat e vendit, por vetëm njëri prej tyre është më shumë se dy vjet burgim.

Për 47 vendime dënimet kanë qenë nën 2 vjet burg, 8 vendime kanë qenë me gjobë, 15 me kufizim të lirisë dhe në 4 raste citohet neni 63 i pezullimit të dënimit. Për 4 vendime të tjera nuk cilësohet dënimi.

Rreth 54% e totalit të dënimeve për krime zgjedhore i përkasin vitit 2021; mes të cilave edhe 21 të pandehurit e së ashtuquajturës “Dosja 339” në Durrës.

Situatë të ngjashme paraqesin hetimet dhe dënimet për veprat penale të “Korrupsionit aktiv dhe pasiv në zgjedhje”, të cilat prej vitit 2020 hetohen nga Struktura e Posaçme, SPAK.

Një prej hetime të SPAK, që provoi pas një denoncimi publik me video se kandidati për deputet i ish-Lëvizjes Socialiste për Integrim Etion Joka pa blinte vota, u mbyll me dënimin minimal për të akuzuarin, ndërsa dënim i njëjtë iu dha edhe denoncuesit.

I pyetur nga BIRN se si këto vendime ndikonin në procesin zgjedhor, Ilirjan Celibashi, komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve tha se nuk mund të komentonin institucionet e tjera.

“Nuk jemi në pozitën institucionale për të komentuar veprimtarinë e institucionit të prokurorisë, apo dhe të institucioneve të tjera të sistemit të drejtësisë. Përfshirë këtu edhe vendimarrjet e tyre respektive,” tha Celibashi në një përgjigje me email.

Ekspertë të zgjedhjeve dhe të politikës e shohim megjithatë si një problem të rëndë, lehtësinë me të cilën trajtohen vepra penale, që sipas tyre cënojnë direkt demokracinë dhe rendin kushtetues të vendit.

Drejtori i Institutit të Studimeve Politike, Afrim Krasniqi i tha BIRN se kjo sjellje ishte pjesë e një normaliteti të imponuar nga politika, që i promovonte shkelësit e ligjit zgjedhor.

“Skandalet e votave në Dibër apo Durrës, në Lezhë apo Peqin e Elbasan, Shkodër apo Durrës, përfshijnë figura të rëndësishme politike dhe zyrtare, të cilët, për shkak të imunitetit dhe ndikimit të vendimmarrje, ia kanë dalë të mos hetohen dhe madje të promovohen,” tha Krasniqi për BIRN.

“Edhe organet ligjzbatuese, përfshirë SPAK, KQZ, Policia e Shtetit, ndjehen komode me heshtjen apo zhvendosjen e vëmendjes ndaj krimeve zgjedhore, jo vetëm për shkak se ato vetë janë produkt i politikës, por edhe sepse rastet e denoncuara shihen si pjesë të tranzicionit dhe normalitetit…”, shtoi ai.

Edhe Rigels Xhemollari, drejtor ekzekutiv i “Qendresa Qytetare”, një organizatë që monitoron procesin zgjedhor, e cilëson reagimin e drejtësisë ndaj krimit zgjedhor si pjesë e vullnetit politik për ta toleruar këtë krim.

“Citimi i fjalëve “tërmet” apo “patronazhist” nga kryeminsitri me konotacion pozitiv shpreh vullnetin e qeverisë për të toleruar të tilla vepra,” tha Xhemollari.

Sipas tij, dënimet simbolike që merrnin shkelësit e kësaj natyre nga ana e organeve të hetimit dekurajonte kallëzimet nga qytetarët dhe shoqëria civile dhe ishin përgjegjëse për “këtë kulturë, e cila prek jo vetëm procesin në një zonë të caktuar, por minon totalisht procesin zgjedhor dhe rendin kushtetues”.

Ekspertët theksojnë gjithashtu se ndryshimet në Kodin Penal dhe ashpërsimi i ndëshkimeve nuk kanë sjellë asnjë ndryshim të situatës.

“Pandëshkueshmëria e krimeve zgjedhore mbetet e lartë dhe zyrtarët të cilët janë përfshirë në të tilla raste nuk janë dëmtuar realisht nga hetimet penale, madje disa prej tyre janë promovuar dhe rritur në karrierën e tyre politike,” tha Xhemollari.

Për Afrim Krasniqin, pandëshkueshmëria i shërben ruajtjes së status quo-së dhe dëmton të ardhmen e vendit.

“Tregtimi i votave dhe amnistia periodike për shkelësit e ligjit janë akte të rënda korrupsioni politik, janë investim për ruajtjen e status quos dhe pengesë serioze për kulturën politike dhe progresin e vendit drejt një shoqërie më të hapur, më qytetare dhe më të integruar,”përfundoi ai.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.