Shkruan: Florim Zeqa, 16.07.2022
Të gjithë në parim janë pro Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, por të gjithë janë kundër ndërhyrjeve politike, kundër veprimeve kundërkushtetuese dhe kundër mospërfilljeve të opinioneve të Komisionit të Venedikut (Commissione di Venezia).
Byro pa hakmarrje personale dhe partiake
Byroja Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, duhet të themelohet në përputhje me opinionet e Komisionit të Venedikut apo thënë ndryshe, na duhet ndërtimi i një mekanizmi të ri të drejtësisë i cili nuk ndikohet nga urdhrat e partive në pushtet dhe nga cilado qeveri që vjen pas kësaj aktuale.
Mendoj se pak rëndësi ka se i kujt dhe i cilës parti ishte propozimi për themelimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, e rëndësishme është mirëfunksionimi i saj, pa hakmarrje personale dhe partiake.
Për arsye se, interesi i shtetit nuk guxon të ndërlidhet me interesat partiake dhe personale të individëve.
Republikës së Kosovës i duhet një sistem i drejtësisë i cili garanton barazi e drejtësi për të gjithë pa dallime partiake, pa pozicionime pushteti apo opozite, i cili pamundëson ndërhyrjet partiake dhe ndikimin e urdhrave të partive në pushtet.
Efikasiteti i Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme varet nga disa faktorë: duhet të jetë në përputhje me opinionet e Komisionit të Venedikut dhe në harmoni të plotë me kushtetutën e vendit, pa politizime, por me profesionalizëm dhe përkushtim të lartë shtetërorë.
Dështimi i partive politike me sistemin e drejtësisë
Në asnjë rrethanë Byroja Shtetërore nuk guxon të kthehet në një super institucion mbi Kushtetutën dhe ligjet që burojnë prej saj, as mbi institucionet e pavarura shtetërore, por një mekanizëm koordinues dhe unifikues, ku secili prej institucioneve të pavarura do ta jepte mendimin dhe vlerësimin profesional të faktuar me prova të pakontestuara ndaj dyshimeve të supozuara për pasuri të pajustifikueshme të ish zyrtarëve dhe këtyre aktual shtetërorë, të cilët janë duke u pasuruar në mënyrë marramendëse dhe brenda një kohe relativisht të shkurtë!
Mosmarrja e përgjegjësisë nga askush për dështimin e sistemit të drejtësisë përgjatë këtyre viteve të pasluftës, nënkupton përveç involvimit në këtë dështim edhe dëshirën e politikanëve për një situatë të tillë konfuze, ku askush nuk i jepë llogari askujt!
Pothuajse të gjitha partitë politike kanë dështuar në drejtimin e shtyllës më të rëndësishme të shtetit, qofshin ata ministra apo zv.ministra, paanashkaluar të gjithë kryeministrat deri tek ky i fundit, i cili është duke i befasuar të gjithë për mosmbajtjen e premtimeve elektorale, mungesën e guximit dhe paaftësinë qeverisëse!
Iku Lumezi por nuk u kthye Elezi
Politizimi i ‘Byrosë Shtetërore’ rrezikon që edhe kjo ta ketë fatin e Agjensionit Antikorrupsion dhe Task Forcës, të cilat për vite të tëra nuk arriten ta vënë para drejtësisë asnjërin nga “peshqit e mëdhenj”!
Premtimi bazik elektoral i keyeministrit aktual ishte forcimi i sistemit të drejtësisë. Të gjithë i kemi të freskëta fjalët e Albinit: “Do të ikë Lumezi e do të kthehet Elezi në Kosovë”, por nuk ndodhi ashtu! Vërtetë Lumezi iku, por jo pse e largoi Albini, por pse e përfundoi mandatin kushtetues, ndërsa për Elezin nuk e flet më asnjë fjalë!
Pse?
Sepse nuk është në gjendje t’i ofrojë siguri personale dhe as veprimtari të lirë profesionale në Kosovë. Për më keq se kaq, edhe pas disa muajve, Kosova vazhdon të mbetet pa kryeprokuror, emri i të cilit ende nuk është dekretuar nga presidentja e shtetit!
Pse?
Janë edhe shumë ‘Pse’ të tjerë, saqë, sikur të ishte gjallë Sterjo Spasse, as ai nuk do mund të jepte përgjigje në këto rrethana, por të vazhdonte deri në pambarim me romanin e tij ‘Pse’.
Prandaj, në rrethanat e krijuara, pa erdhjen në pushtet të një klase të re, të guximshme dhe me duar të pastra, të pakorruptuar dhe painkrimunar, të pashantazhuar dhe pandikuar nga faktorët e jashtëm, përmirësimi në sistemin e drejtësisë, përveçse një dëshirë, rrezikon të shndërrohet në iluzion të pambarim për qytetarët e Kosovës.