19.8 C
Tirana
E premte, 24 Korrik 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj Portreti politik e diplomatik i Skënderbeut

Portreti politik e diplomatik i Skënderbeut

0
Virgjil Kule - Kryqtari i fundit

Virgjil Kule, Gjergj Kastrioti Skënderbeu – Kryqtari i Fundit, Fast Track Albania, Tiranë, 2018

Në gamën e gjerë të studimeve dhe botimeve të veçanta që kanë të bëjnë me personalitetin e Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu i shtohet edhe një libër interesant shkruar nga Virgjil Kule, me titull “Gjergj Kastrioti Skënderbeu – Kryqtari i Fundit”, Fast Track Albania, Tiranë, 2018. Kemi të bëjmë me botimin e dytë sepse botimi i parë nga OMBRA-GVG, është botuar në vitin 2011. Kemi të bëjmë me një libër të veçantë si për nga konceptimi, përmbajtja dhe rrefimi kushtuar veprimtarisë politike e diplomatike të Heroit Kombëtar si askush deri më sot nga një autor shqiptar

Dr. Nail Draga

Në këtë botim autori trajton çështje të jetës dhe veprimtarisë së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, duke u përqendruar në aspektet më të rëndësishme të karrierës së tij: nga dalja e tij në skenën politike, deri tek organizimi i qëndresës shqiptare kundër osmaneve, si dhe lidhjet me fuqitë evropiane të kohës. Nuk ka dilemë se ky studim përpiqet të ofrojë një pasqyrë të Skënderbeut për krijimin e një shteti shqiptar të pavarur, ku në sajë të literaturës së konsultuar por edhe të dokumenteve të prezantuara del qartë roli i Skënderbeut në koalicionin e madh ushtarak (kryqëzatë) të Europës Perëndimore kundër dyndjes osmane në shekullin e XV. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe sepse Skënderbeu për një çerek shekulli ishte mburojë e Europës nga invazioni i Perandorisë Osmane. Me angazhimin politik, diplomatik e ushtarak Skënderbeu e dëshmoj në praktikë mbrojtjën e civilizimit shqiptar, që ishte identik me ate europian.

Kur analizohet roli dhe kontributi i Skënderbeut në shek.XV, duhet cekur se në këtë periudhë kohore ishin arbërit përkatësisht Arbëria e cila ka sakrifikuar shumë në mbrojtje të identitetit për të mbijetuar të lirë në trojet autoktone. Por, një sfidë e tillë nuk ka qenë e lehtë, ku Skënderbeu me mjeshtri politike e diplomatike sfidoi rrethanat e kohës.

Ditari diplomatik

Nga momenti i kthimit të Skënderbeut dhe vendosja e pushtetit në Krujë me 28 nëntor 1943 e deri sa vdiq me 17 janar 1468, autori na ofron të dhëna me interes, jo vetëm vit pas viti, por muaji duke na ofruar një ditar diplomatik si askush deri me tash. Pikërisht një qasje e tillë i mundëson lexuesit për të ndjekur evoluimin e ngjarjeve dhe për të kuptuar më mirë portretin e Skënderbeut në shumë aspekte, ku në rastin konkret parësore janë veprimtaria politike e diplomatike, duke mos anashkaluar as ate ushtarake. Sepse sipas autorit, Skënderbeu nuk ishte thjesht një luftëtar i zakonshëm, por një mendimtar dhe kryqtari i fundit që përfaqësonte Evropën në luftën kundër Perandorisë Osmane.

Aleancat për mbijetesë

Në rrethana të tilla shoqërore e në veçanti ushtarake Skënderbeu krahas Frontit Verior të Danubit, ai krojoi Frontin e Dytë në Ballkanin Perëndimor, duke i bërë pengesë depertimit të turqëve në këtë pjesë të Europës Juglindore. Ndonëse shqiptarët për nga numri ishin të pakët, por në sajë të Skënderbeut kanë luajtur një rol të rëndësishëm, në mbrojtje të vlerave evropiane. Një veprim i tillë ka kushtëzuar fillimisht arritjen e bashkimit të principatare të shqiptarëve, që është realizuar me 2 mars 1444 , që njihet me emrin Besëlidhja e Lezhës, ndërsa me pas ka pasur edhe aleancë me të tjerët ku kanë dominuar ata nga vendet italike, si Venediku, Mbretëria e Napolit, Papa i Romës, Hungaria etj.

Mjeshtër i diplomacisë

Në sajë të moshës dhe të përvojës në rrethana të reja shoqërore është për t´u vlerësuar mjeshtria e Skënderbeut i cili është veçuar me diplomaci duke shfrytëzuar situatat konfliktuale sidomos ato ndëritalike, për të siguruar paqë dhe stabilitet politik jo vetëm në Arbëri por edhe me gjerë në regjion.

Duke lexuar këtë studim del qartë se Skënderbeu nuk ishte faktor periferik në luftën kundër Perandorisë Osmane, por e kundërta, me peshë të madhe, sepse duke mbrojtur Arbërinë, ai mbronte edhe të tjerët, që është dëshmuar në praktikë me aleancat e ndryshme si dhe ndihmat jo vetëm ushtarake.

Nuk ka dilemë se një veprim i tillë mund të realizohej në praktikë nga një burrë shteti i cili me mjeshtri ka shfrytëzuar potencialin politik dhe ushtarak të kryqëzatës, për të krijuar shtetin shqiptar në trajtë mbretërie, nën dinastinë e Kastriotëve. Ky mision, krahas gjenialitetit ushtarak, lypte edhe një talent të jashtëzakonshëm për jurisprudencë dhe diplomaci, të cilat lexuesve iu ofrohen nga autori i këtij botimi, i cili me të drejtë quhet ditar diplomatik.

Kontribut studimeve historike

Nga ajo që u tha më lartë libri „Gjergj Kastrioti Skënderbeu-Kryqtari i Fundit“ nga Virgjl Kule, paraqet kontribut me vlerë në studimet historike kushtuar Heroit tonë Kombëtar. Autori me kompetencë profesionale ka trajtuar çështjet historike të mesjetës shqiptare duke ofruar të dhëna me interes për opinionin e gjerë shkencorë e kulturor.

Kryesisht kemi të bëjmë me aspektet politike e diplomatike të Skënderbeut, që deri më tash nuk janë trajtuar në këtë formë, nga asnjë autor shqiptar. Për përgatitjen e këtij botimi autori krahas literaturës historike ka shfrytëzuar edhe dokumente arkivore, duke i komentuar varësisht prej ngjarjeve të kohës, ndërsa gjuha e stili i shkrimit dëshmojnë qasjen intelektuale të autorit.

Libri me të drejtë quhet ditar diplomatik, sepse lënda trajtohet në diakroni e sinkroni sipas vitëve përkatëse (1443-1467), madje edhe sipas muajve e javëve duke ofruar të dhëna me interes me përmasa shoqërore e historike për Arbërinë si asnjë botim deri më tash. Në këtë botim prezantohen fakte dhe analiza historike që hedhin dritë mbi shumë aspekte të jetës së Skënderbeut që më së shumti nuk kanë qenë të njohura për opinionin e gjerë.

Sfidanti i kohës

Vetëm pas leximit të këtij libri çdo kush do ta ketë të qartë se në çfarë rrethanash është përballuar Skënderbeu i cili me mjeshtri ia arriti të përballojë sfidat, për një çerek shekulli, ndaj perandorisë më të madhe të kohës.

Autori e përshkruan Skënderbeun si një individ të zgjuar, të aftë dhe me një vizion të qartë për të ardhmen e vendit të tij dhe Evropës. Autori e prezanton atë jo vetëm si një hero kombëtar, por edhe si një figurë komplekse dhe ndërkombëtare me ndikim të madh në fatin e kontinentit.

Duke lexuar këtë libër, lexuesi ka mundësi të kuptoj rrethanat gjeopolitike në regjion, ku Skënderbeu ndonëse i vetëm dhe pa përvojë shtetërore me mjeshtri diplomatike arriti të bashkëpunojë me aleatët duke e bërë Arbërinë të pamposhtur për një çerek shekulli kundër Perandorisë Osmane.

Një përmasë e veçantë e diplomacisë së Skënderbeut është çështja e krushqisë me personalitete të njohura familjare, dukuri që ishte njohur jo vetëm në mesjetë. Një veprim i tillë nuk ka dilemë se e kishte të imponuar për të stabilizuar pushtetin dhe forcuar raportet me principatat e kohës. Iu mbetet studiuesve që këtë çështje ta trajtojnë me seriozitt sepse deri me tash vetëm sa janë cekur si raste e jo ndonjë hulumtim i veçantë sociologjik.

Ndërsa titulli “Kryqtari i fundit” nuk është i rastësishëm sepse Gjergj Kastrioti Skënderbeu luajti rol të rëndësishëm në luftën kundër osmanëve, duke e shndërruar atë në një simbol të rezistencës evropiane ndaj Perandorisë Osmane. Skënderbeu është parë shpesh si një kryqtar i fundit, duke qenë një nga të fundit prijës të krishterë që ndërmori luftëra të hapura kundër pushtimeve osmane në Ballkan. Kjo e ka ngritur atë në një figurë epike të historisë shqiptare dhe evropiane.

Përfundim

Dhe në fund cekim se libri nga gazetari, publicisti dhe studiuesi Virgjil Kule është si rezultat i një pune serioze disavjeçare plot pasion e profesionalizëm është i mirëseardhur për të gjithë lexuesit e pasionuar ndaj botimeve historike e në veçanti për personalitetin e Heroit Kombëtar, sepse plotëson njohurit në aspektin politik e diplomatik.

Nga të dhënat e ofruara në këtë studim del qartë se politika dhe diplomacia e Skënderbeut ka qenë dhunti e veçantë duke qenë model për kohën e më pas, por fatkeqësisht e panjohur sa duhet deri në ditët tona.

Ndërsa në sajë të çështjeve të trajtuara ky botim duhet të jetë i obligueshëm jo vetëm për studentët e historisë, e sidomos për ata që sociologjinë politike e kanë si përcaktim profesional, sepse kemi të bëjmë me studimin me te veçantë në botimet e deritashme albanologjike.

(Lexuar me rastin e përurimit të librit në Shkodër, me 13 qershor 2026)

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.