18.7 C
Tirana
E enjte, 29 Tetor 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj “LISTA E STUDENTËVE” DHE GJASAT E SERBISË PËR TA KALUAR RUBIKONIN

“LISTA E STUDENTËVE” DHE GJASAT E SERBISË PËR TA KALUAR RUBIKONIN

0
Aleksander Vuçiq - humb zgjedhjet

Foto: Aleksander Vuçiq – humb zgjedhjet

Xhelal Zejneli Xhelal Zejneli

Rënia e kryekriminelit serb Aleksandar Vuçiq është akt i rëndësishëm për fillimin e demokratizmit të Serbisë dhe për vendosjen e paqes dhe të qëndrueshmërisë në rajon. Pa Viçiqin – eksponent të ideologjisë serbomadhe – rajoni nuk mund të jetë më i keq, mund të jetë më i qetë dhe më i qëndrueshëm. Rënien e tij duhet mbështetur ma mëdyshje dhe pa ngurrim.                                       

*   *   *

Serbia duhet t’i japë fund të jetuarit me mite dhe legjenda. Nuk jetohet me mite në shekullin XXI, në kohën e teknologjisë digjitale, në kohën e inteligjencës artificiale. Akademikët e vjetruar serbë vazhdojnë të jetojnë në mite dhe legjenda, me mite dhe legjenda, por të rinjtë serbë duhet të çlirohen nga të qenët robër të rrëfimeve për xhindet që mbjellin frikë dhe kuçedrat me shtatë krerë. Edhe miti për Kosovën, për betejën e Kosovës, nuk u krijua në vitin 1389. Ai u trillua dhe u sajua kah fundi i shekullit XIX për ta justifikuar pushtimin serb të Dardanisë. Është koha që Serbia të demistifikohet, të çmitizohet, të pranojë realitetin. Serbët nuk janë popull hyjnor, nuk janë astral. Serbia është e vogël për të qenë e madhe. Nuk jetohet me histori të rrejshme. Koha moderne nuk njeh megalomani dhe mendjemadhësi. Le ta matë Serbia sa e ka borxhin e jashtëm. Në fund të gushtit të vitit në vazhdim, borxhi i jashtëm i Serbisë arrin 29.25 miliardë euro. Shumë kjo astronomike! Kjo është meritë e të mençurit Vuçiq!   

*   *   *

Serbia ka nevojë për ndryshime demokratike, jo për ndryshime kozmetike, sa për sy e faqe, por për ndryshime demokratike rrënjësore.

Serbia e udhëhequr nga qeveria e profesorëve të studentëve duhet ta kalojë Rubikonin, duhet të marrësh vendim të rëndësishëm dhe të pakthyeshëm, pas të cilit nuk ka më kthim prapa. Serbia ndodhet para një zgjedhjeje të madhe. I duhet të ndërmarrë një hap guximshëm që do të ndryshojë plotësisht rrjedhën e ngjarjeve.

Sot e tutje, Serbia nuk mund të rijë në dy karrige: edhe me Bashkimin Evropian edhe me Rusinë e Putinit. Serbia studentore duhet ta përkufizojë politikën e shtetit: Do t’i takojë zonës ruse të interesit apo asaj perëndimore. Do t’i përkasë sferës ruse të ndikimit apo asaj të BE-së?!

Vuçiqi thithte mjete financiare, ndihma dhe investime nga Bashkimi Evropian, ndërsa i qëndronte besnik Moskës dhe Putinit.

*   *   *

Qeveritarët e ri të Serbisë duhet t’i japin fund ideologjisë nacionaliste dhe ultranacionaliste serbomadhe, duhet t’i japin fund idesë së Serbisë së madhe, kësaj murtaje të zezë të Ballkanit. T’i japin fund ideologjisë serbomadhe anakronike dhe retrograde të llojit të shekullit XIX, fund “Naçertanies” (1844) së Ilija Garashaninit (1812-1874), fund albanofobisë së autorit të librit “Shqiptarët dhe Fuqitë e Mëdha” (Arnauti i Velike sile, Beograd, 1913) të Vladan Gjorgjeviqit (1844-1930), fund gjeografit Jovan Cvijiq (1865-1927), fund politikës së Nikola Pashiqit (1945-1926), fund ideologjisë së Vasa Çubriloviqit (1897-1990), fund politikës së Karagjorgjeviqëve, fund politikës së Aleksandar Rankoviqit (1909-1983), fund ideologjisë së babait të kombit serb Dobrica Qosiqit (1921-2014), fund akademikëve serbomëdhenj, autorë të “Memorandumit të ASShA” (Memorandum SANU, janar 1986) të quajtur nekrolog i Jugosllavisë së Titos, fund politikës së përgjakshme të piromanit dhe kasapit të Ballkanit Slobodan Milosheviqit (1941-2006), fund epigoneve të tij – Vojisllav Sheshelit (Sarajevë, 1954- ), Tomislav Nikoliqit (1952- ), Aleksandar Vuçiqit (1970- ).

            Serbia “e re” e studentëve është mirë ta rikujtojë edhe kryeministrin Zoran Gjingjiq (Shamac, Bosnjë dhe Hercegovinë, 1952 – Beograd, 2003), të vrarë në atentat nga nacionalistët serbomëdhenj. Ishte kryeministri i parë i Serbisë i zgjedhur në mënyrë demokratike. U vra në atentat me snajper më 12 mars 2003 përpara ndërtesës së Qeverisë në Beograd. Ishte figurë kyçe e ndryshimeve demokratike në Serbi. Në vitin 2000 udhëhoqi rrëzimin e regjimit të Slobodan Milosheviqit. Gjingjiqi ishte shkolluar në Gjermani në University of Konstanz  (1979).

*   *   *

Testi i demokracisë në Serbinë e qeverisur nga Lista e Studentëve matet me qëndrimin e saj ndaj Kosovës. A do ta njohë qeveria e re pavarësinë e Kosovës, integritetin territorial dhe sovranitetin e saj?

Fituesit e zgjedhjeve – studentët – thonë se lidhur me Kosovën do ta respektojnë Kushtetutën e Serbisë, sipas së cilës Kosova është pjesë e Serbisë.

Qeveria e re serbe:

– duhet të bashkëpunojë me institucionet përkatëse të Kosovës për gjetjen e të pagjeturve;

– duhet të mbajë përgjegjësi për sulmin terrorist në Banjskë. Sulmi i armatosur i terroristëve serbë ndaj Kosovës ndodhi në fshatin Banjskë në veri të Kosovës më 24 shtator 2023. Sipas institucioneve kosovare të sigurisë, plani fillestar i sulmit ishte aneksimi i Veriut. Në këtë sulm mbeti i vrarë rreshteri i policisë së Kosovës Afrim Bunjaku (1973-2023) dhe disa terroristë serbë. Këtij grupi terrorist i përkiste edhe nënkryetari i Listës Serbe dhe biznesmeni Milan Radojçiq.(!978- ). Ai e ka pranuar publikisht se vetë e ka organizuar dhe e ka udhëhequr grupin e armatosur që hyri në Banjskë. Më 24 shtator 2024, Presidentja Vjosa Osmani, Afrim Bunjakun e shpalli “Hero të Kosovës”.

– duhet të mbajë përgjegjësi për sulmin ndaj pjesëtarëve të KFOR-it – Sulmi i protestuesve serbë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it ndodhi më 29 maj 2023, në Zveçan, në veri të Kosovës, gjatë tensioneve lidhur me çështjen e kryetarëve të rinj të komunave veriore. Si pasojë e dhunës së përdorur nga turma, mbetën të plagosur 93 pjesëtarë të KFOR-it, disa prej tyre me lëndime të rënda;

– duhet t’u kërkojë falje shqiptarëve të Kosovës për gjenocidin e kryer ndaj tyre;

– duhet t’i paguajë Kosovës zhdëmtim për shfrytëzimin kolonialist, prej vitit 1912 deri në ditën e çlirimit të saj;

– duhet të mbajë përgjegjësi para shqiptarëve për dëbimin e tyre për në Turqi, sipas elaboratit të Vasa Çubriloviqit;

– duhet t’u kërkojë falje shqiptarëve për politikën represive, restriktive, diskriminuese, shfrytëzuese, për burgosjet, torturat ndaj të burgosurve, dënimet drakoniane;

– duhet të mbajë përgjegjësi për vrasjen në luftën e viteve 1998-1999 të 1,392 fëmijëve; prej tyre, rreth 296 ishin nën moshën 5 vjeç;

– duhet të mbajë përgjegjësi për dhunimin dhe përdhunimin në luftën e viteve 1998-1999 të rreth 20.000 femrave shqiptare;

– përgjegjësi për sulmin në Burgun e Dubravës; Masakra e Burgut të Dubravës u krye nga forcat serbe dhe jugosllave midis 19 dhe 24 majit 1999, gjatë periudhës së bombardimeve të NATO-s. Ky është një nga krimet më të rënda të shtetit serb kundër të burgosurve shqiptarë të Kosovës. Sipas të dhënave dhe dëshmive të ndryshme, u vranë rreth 95 deri në 117 të burgosur shqiptarë, ndërsa mbi 200 të tjerë mbetën të plagosur;

– të kërkojë falje për kamionin frigorifer të hedhur në lumin Danub, me kufomat e shqiptarëve të vrarë në Kosovë; ngjarja e tmerrshme e kamionit frigorifer të hedhur në Danub lidhet me një nga operacionet e fshehjes së krimeve të luftës, të kryera nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë; më 4 prill 1999, një peshkatar nga fshati Tekija në Serbi vuri re dhe hapi një kamion frigorifer që kishte ngecur ose ishte hedhur në Danub. Brenda kamionit u gjetën dhjetëra trupa të pajetë, rreth 86 trupa të civilëve shqiptarë, përfshirë gra dhe fëmijë të vrarë nga forcat serbe në Kosovë;

– Të sqarohet vrasja e veprimtarit, filozofit, profesorit dhe atdhetarit të shquar, Ukshin Hotit (Rahovec, 17 qershor 1943 – 19 maj 1999) të zhdukur dhe të vrarë në rrethana misterioze gjatë muajit maj të vitit 1999. Ishte arrestuar në vitin 1994 nga regjimi serb klerofashist serb. Për veprimtarinë politike dhe angazhimin për të drejtat e shqiptarëve, u dënua me 5 vjet burgim. Më 16 maj 1999, pasi e kishte kryer afatin e dënimit, u lirua nga Burgu i Dubravës. Pas kësaj, u rrëmbye dhe u zhduk me dhunë nga aparati shtetëror serb;

– Përgjegjësi për vrasjen e profesorit, poetit dhe veprimtarit Latif Berisha ( 18 qershor 1931 – 24 mars 1999) të vrarë më 24 mars 1999 (natën e parë të fillimit të bombardimeve të NATO-s) në pragun / në oborrin e shtëpisë së tij në lagjen “Kroi i Vitakut” në Mitrovicën e Veriut, nga forcat policore dhe ushtarake serbe;

– Përgjegjësi për vrasjen e akademikut, sociologut dhe politikanit Fehmi Agani (Gjakovë, 1932 – Lipjan, 6 maj 1999). U vra më 6 maj 1999 nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë. U nxor nga treni që udhëtonte drejt Maqedonisë (Shkupit). Trupi i tij u gjet më 7 maj 1999, afër Lipjanit;

 – Përgjegjësi për masakrën e Raçakut – ndodhi më 15 janar 1999 në fshatin Reçak të komunës së Shtimes në Kosovë. U vranë dhe u masakruan 45 civilë shqiptarë (fëmijë, gra, të moshuar dhe burra), të cilët u ekzekutuan nga forcat policore, ushtarake dhe paramilitare serbe;

– përgjegjësi për të gjithë shqiptarët e vrarë nga forcat kriminale serbofashiste;

– përzgjedhësi për vrasjen e avokatit Bajram Kelmendi me dy djemtë e tij – Vrasja e avokatit të njohur Bajram Kelmendi (1937-1999) dhe e dy djemve të tij, Kastriotit (1969 – 24 mars 1999) dhe Kushtrimit (1982/1983 – 1999) u krye natën e 24-25 marsit të vitit 1999 në Prishtinë, në natën e parë të fillimit të bombardimeve të NATO-s kundër forcave serbe. Avokati Ata u morën me forcë nga shtëpia e tyre në Prishtinë nga forcat ushtarake e policore serbe dhe u ekzekutuan brutalisht. Sipas autopsisë, Bajram Kelmendi u qëllua 32 herë, Kastrioti 15 herë, ndërsa Kushtrimi u qëllua 18 herë. Kushtrimi ishte jo më shumë se 16-vjeçar.

– të nxirren para drejtësisë vrasësit e vëllezërve Bytyçi, shtetas amerikanë, të vrarë nga forcat serbe; vrasja e vëllezërve Bytyçi është një nga krimet më të rënda shtetërore të ndodhura gjatë dhe pas luftës në Kosovë për të cilin ende nuk ka pasur drejtësi të plotë apo ndëshkim të urdhërdhënësve.  Agroni (23 vjeç), Mehmeti (21 vjeç) dhe Yll Bytyçi (25 vjeç) ishin shtetas amerikanë me prejardhje nga Kosova Ishin anëtarë të Brigadës Atlantike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Në korrik të vitit 1999, pasi kishte përfunduar lufta, tre vëllezërit u arrestuan nga autoritetet serbe për një kundërvajtje të lehtë në kufi (kalim të paligjshëm të kufirit). Dy ditë pas mbajtjes në paraburgim, ata u ekzekutuan me plumb në pjesën e prapme të kokës.   Trupat e tyre u gjetën në korrik të vitit 2001 në një varr masiv në Petrovo Selo të Serbisë, brenda një baze të Njësisë për Operacione Speciale (SAJ) të drejtuar nga policia serbe;

– duhet të mbajë përgjegjësi për vrasjen në luftën e viteve 1998-1999 të 13.500 shqiptarëve; forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe vranë 10,000 deri në 13,500 persona, pjesa dërrmuese e të cilëve ishin civilë shqiptarë (përfshirë gra, fëmijë dhe pleq);

– duhet të mbajë përgjegjësi për dëbimin nga Kosova, gjatë luftës së viteve 1998-1999, të rreth një milion shqiptarëve, duke shkaktuar një nga krizat humanitare më të mëdha në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

*   *   *

Qeveria e studentëve serbë dhe e profesorëve të tyre duhet t’i japë fund përzierjes së Beogradit në punët e brendshme të Malit të Zi.

Qeveria “demokratike” e re serbe duhet t’u japë fund aspiratave territoriale të Serbisë ndaj Kroacisë.

*   *   *

Ndaj Republikës Serbe të BH-së, Serbia e Vuçiqit kishte aspirata aneksioniste. Hynte aty si në shtëpinë e vet, pa respektuar kurrfarë ligji dhe protokolli të Republikës së Bosnjës dhe Hercegovinës.

Studentët qeveritarë të Serbisë duhet t’i japin fund destabilizimit të Bosnjës dhe Hercegovinës, nuk duhet ta mbështesin politikën secesioniste të kreut të Republikës Serbe (Republika Srpska) të BH-së, prorusit Milorad Dodik (Banja-Llukë, BeH, 1959- ).

Qeveria e re serbe duhet t’i pranojë aktgjykimet e Gjykatës Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë (ICTY) ku u dënuan udhëheqës politikë dhe ushtarakë serbë që mbanin përgjegjësi për krimet serbe të kryera në Bosnjë dhe Hercegovinë, në Kroaci dhe në Kosovë. Kriminelin e luftës, simbol i krimeve dhe i gjenocidit, gjeneralin Ratko Mladiq (1942/1943 – 2026), Vuçiqi e varrosi me ceremoni shtetërore.     

Pushtetarët e rinj serbë duhet ta njohin gjenocidin e Srebrenicës në BH të kryer nga serbët në vitin korrik të viti 1985. Numri zyrtar i viktimave të dokumentuara dhe të identifikuara nga institucionet ndërkombëtare dhe nga Qendra Përkujtimore e Srebrenicës është 8,372 burra dhe djem boshnjakë myslimanë.

Serbia e studentëve duhet të quhet “Serbi e re”. Kjo Serbi e re duhet ta respektojë Marrëveshjen e Dejtonit. Zyrtarisht: Marrëveshje kornizë e përgjithshme për paqen në Bosnjë dhe Hercegovinë. Kjo marrëveshje i dha fund Luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë. U arrit më 21 nëntor 1995 në bazën ushtarake Wright-Patterson në Dejton, Ohajo, SHBA. U nënshkrua zyrtarisht më 14 dhjetor 1995 në Paris. Pjesëmarrësit kryesorë ishin Slobodan Milosheviqi – për Serbinë / Jugosllavinë, Alija Izetbegoviqi – për Bosnjën dhe Hercegovinën dhe Franjo Tugjmani – për Kroacinë, nën ndërmjetësimin e diplomacisë amerikane.

*   *   *

Ç’qëndrim do të kenë pushtetarët e ri të Serbisë ndaj Rusisë? Do të jenë me BE-në dhe ShBA-në, duke qëndruar në distancë ndaj Rusisë dhe Kinës, apo do të ecin vijës së Vuçiqit i cili, si Titoja dikur, lidhej edhe me Lindjen, edhe me Perëndimin, duke mbetur  më afër Moskës.

Qeveria studentore, e profesorëve dhe e artistëve duhet t’i vënë sanksione Rusisë për invadimin e Ukrainës. Beogradi duhet të ndjekë politikë parimore dhe jo të rijë në dy a më tepër karrige.

A do t’i japë fund qeveria e studentëve dhe e profesorëve ideologjisë serbomadhe dhe politikës hegjemoniste dhe ekspansioniste të Slobodan Milosheviqit, apo do të vazhdojnë rrugën pushtuese të tij, siç veproi kryekrimineli Vuçiq me bashkëpunëtorët kriminelë të tij?!

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.