20.5 C
Tirana
E mërkurë, 28 Tetor 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj XHELADIN MJEKU ME TRILOGJI PËR FËMIJË

XHELADIN MJEKU ME TRILOGJI PËR FËMIJË

0
Xheladin Mjeku - libra

Izet ABDYLI

Kjo trilogji e librave për fëmijë botohet në shenjë të 65 vjetorit të lindjes së poetit. Janë mbi katër dekada që poeti Xheladin Mjeku është i pranishëm para lexuesve me krijimtarinë e tij për të rritur e për fëmijë, në prozë e poezi. Në këtë vit jubilar poeti ka zgjedhur që t’i qerasë fëmijët me tre libra poetik.

I.

GJASHTEDHJETË E PESË TINGËLLIMAT E NJË JUBILEU

Xheladin Mjeku: “Nën gjethe e kam shtëpinë” poezi për fëmijë
Botues Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës, 2026 Prishtinë.

1. Në librin e parë ,,Nën gjethe e kam shtëpinë” me poezi, poeti Xheladin Mjeku ka përzgjedhur në mënyrë simbolike 65 poezi që korrespondojnë me 65 vite të moshës së tij e që në hyrje të librit si një prelud ka përzgjedhur poezinë lajmëruese ,, Gjashtëdhjetë e pesë tingëllima”.

Gjashtëdhjetë e pesë tingëllima
Na dhurojnë shumë melodi
Së bashku do t’i këndojmë
Të gjitha një nga një

Struktura e librit është ndërtuar në shtatë cikle të cilat korrespondojnë me njëra-tjetrën dhe poezitë janë organizuar në katërvargëshe – katrenë. Ciklet e librit janë: ,,Nën gjethe e kam shtëpinë” ,,Nën jastëkun e ëndrrave” ,,Dielli i përqafon stinët” ,,Unë jam lule flutur” ,,Ma falë atë zemër” ,,Kush është më i shpejt” ,,Jetës ia falim një kapitull të ri”. Poezitë në katrenë dëshmojnë për përvojën e poetit dhe përkushtimin e tij që krahas ruajtjes së katërvargëshit, të ruaj edhe nivelin artistik të vargjeve. Mjafton të shijojmë metaforat e bukura si: Një rreze puthi diellin, Mbi jastëkun e ëndrrave, A ka gjumë qyteti, Pse hënës sonte i rrjedhin lotët, Në vesh dy qershi, Deti nuk është lodër etj. për të dëshmuar konstatimin e mësipërm. Motivet e poetit vijnë me një laryshi tematike.

Përmes këtyre vargjeve ndiejmë aromën e luleve, cicërimën e zogjve, blerimin e natyrës, peizazhet e bukura të natyrës, bredhje në ëndrrat nën jastëk, lojërat fëmijërore etj. Imagjinata e poetit shtegton në universin pafund duke eksploruar qiellin e kaltër, yjet, hënën e diellin. Përmes vargjeve poeti u jep përgjigje fëmijëve për shumë fenomene të natyrës edhe mbesës së tij të dashur Duresës. Në këtë libër lexuesit e vegjël kanë mundësinë të shijojnë bukurinë e katër stinëve që poeti me mjeshtri i ka skalitë në vargje duke na i dhënë si tablo të veçanta, akëcilën me bukurinë e saj.

Vlerën artistike të këtij libri ia shtojnë edhe ilustrimet e bukura që shoqërojnë secilën poezi të këtij libri dhe korrespondojnë me tematikën që shtjellojnë. Çdo varg, çdo fjalë është e latuar me kujdes duke ndjerë përgjegjësinë para lexuesve të vegjël që do të kenë rastin t’i shfletojnë, lexojnë e shijojnë vargjet e poetit.

II.

LIBËR ME VLERA TË LARTA IDEO-ARTISTIKE

Xheladin Mjeku “Lulet nuk kanë moshë” poezi për fëmijë
Botues Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës, 2026 Prishtinë.

Libri ,,Lulet nuk kanë moshë, që në hyrje ka përkushtimin ndaj: Dorelës, Jarës e Martinit, që siç shprehet autori ,,Jetën ma bëjnë pranverë” vjen si një kolorit i ngjyrave-lule. Vjershat e këtij vëllimi të strukturuara brenda tetë cikleve vijnë si një dëshmi e punës përkushtuese të autorit i cili është përkujdesur edhe për anën e dukjes artistike të librit duke e shoqëruar edhe me piktura që ndërlidhen bukur me mesazhet e vjershave. Përmes vjershës ,,Lulet nuk kanë moshë” që si një prelud u paraprinë cikleve në vijim poeti ka përdorur lulen si një metafore shpërfaqet në livadhe, në stinë, në moshë, në zemër, në shpirtin fisnik të fëmijëve, kudo në ambientin që na rrethon. Sa bukur përmbyllet strofa e fundit e kësaj vjershe:

Lulet nuk kanë moshë
Lashtësinë askush s’ ua di
Në lule gjasoj – Unë
Lule je dhe – Ti

(lulet nuk kamë moshë fq.8)

Në ciklin ,,Për një pëllumb krahëshkruar” , imagjinata e poetit sjell vargje të bukura për Pëllumbin, Librin, Mikun, Pikturën, Gurin dhe Çelësat magjik. Lojën e fëmijëve me gurë ai na sjell si një pikturë.

Unë një gur,
Ti një gur,
Gjatë gjithë lojës
Bëjmë pikturë!

(unë një gur, ti një gur fq.16)

Përmes ciklit ,,Kolovajza e yjeve” poeti mëton t’u jep përgjigje shumë pikëpyetjeve që parashtrojnë fëmijët, përmes vjershave: Kolovajza e yjeve, A ka krah Ylberi, Mbrëmë e pash hënën, A peshkohen yjet, Rrezja më uroi ditë të mbarë, Princeshë e vërtetë. Pra në kolovajzën e yjeve gjithçka sillet e rrezaton si një magji.

Jug, veri deri në gjithësi
Loja jonë sjell mrekulli,
I mbledh yjet një nga një
Dhe qëndis një fustan të ri.

(Kolovajza e yjeve fq.25)

Mrekullitë e që ndodhin në jetën e fëmijëve është e pamundur që të mos ngacmojnë muzën e poetit i cili me një pedanteri kujdeset ti sjell përmes vargjeve. Këto mrekulli ndodhin kudo. Qoftë në shtëpinë e fëmijëve, qoftë kur mbesa Dorela ka ditëlindjen. Madje mbesat e poetit cilësohen si dallëndyshe:

Këtu në mes nesh
Gjithmonë është pranverë
Rriten dy dallëndyshe
Të lumtura shend e verë

(Me dy dallëndyshe fq.41)

Vargjet e këtij cikli shfaqen edhe përmes bashkëbisedimit, ku dashuria për gjyshen, gjyshin, për mbesat, lojërat e ndryshme mbëltohen si “vreshta me rrush”.

Cikli ,,Ku flenë dallëndyshet” është përmbushur me përplot pyetje kureshtare të vocërrakëve si: A frikësohet nata, Në folenë e pëllumbave, Bilbili ka zgjedhur, Kush e shoqëron hënën, Të shtëpia e gjumit. Një gjetje e bukur artistike është edhe vjersha ,Pentagrami i notave” ku poeti shprehet:

Sa herë ndryshon moti,
Retë në qiell i trazon,
Në pentagram zgjohen notat
Melodi shiu këndojnë.

( Pentagrami erërave fq.62)

,,Ecë me moshën dorë për dore” është cikli ku dashuria nip-gjysh apo mbesë-gjysh shpërfaqet përmes dialogëve interesante qoftë në formë kujtimeve-rrëfimeve, por edhe lojës mes tyre, ku gjyshi ,,dy herë bëhet fëmijë”. Por është pikërisht loja me fëmijët që i jep kuptim edhe jetës.

Mosha ime
Dhe mosha jote
E bëjnë jetën
Kuptimplote.

(Ec me moshën dorë për dore fq. 73)

Magjia e pasqyrës reflektohet përmes ciklit ,,Në duel me pasqyrën” ku autori përveç që zbërthen magjinë e pasqyrës e cila gjendet kudo: tek syri i nënës, tek shoqet në shkollë, tek lundra në ujë, ku pasqyra nganjëherë sjell edhe ngatërrime që fëmijët e vegjël nuk kuptojnë magjinë e saj reflektuese. Kjo e befason edhe Matinin e vogël

Ndodhia me pasqyrën
Ishte mrekulli,
Pasqyra e Matini
Krijuan një histori.

(Në duel me pasqyrën fq.88)

Poeti Xheladin Mjeku, ka intuitën të eksploroj motive të ndryshme që shumica syresh lindin në formë të pyetjeve e më pastaj shtjellohen duke i veshur me velin artistik. I tillë është edhe cikli parafundit me titull ,,Kush e drejton lumin” . Me vargje të bukura ai na tregon për rrjedhën e lumit, rrugën e fluturave, gjethet ari të lisave, lulet e fshatit e deri te rubineta e shiut.

Ah sikur ta dija
Ku ndodhet kjo rubinetë,
Këto rrebeshe shiu
Do t’i ndaloja shpejt!

(Rubineta e shiut fq.110)

Si çdo shfaqje që ka prologun dhe e pilogun e saj edhe poeti-Mjeku është kujdesur që ,,teatrin poetik” të këtij vëllimi ta përmbyll suksesshëm me ciklin e fundit ,,Pranverës ia them një fjalë” ku në skenë del pranvera me blerimin dhe bukurin e saj, bjeshka me gjerdanin pikalosh, miqësia e fëmijës dhe zogut që ia thonë këngës në formë dialogu. Defilojnë në këtë skenë të bukur të natyrës edhe valët e detit, vallëzimi i gjinkallave, loja e delfinit me top, ketri, dreri etj.

Pranverës vendosa
T’ ia them një fjalë
T’ ia hap krahët blerimit
Gjithandej palë palë.

(Pranverës ia them një fjalë fq.113)

Si përfundim mund të konstatojmë se poeti Xheladin Mjeku me këtë libër e ka pasuruar letërsinë shqipe me një libër me vlera të larta ideo-estetike, duke gjurmuar në imagjinatën e fëmijëve e duke i dhënë lexuesit një nga librat më të mirë për fëmijë dhe si rekomandim për kompetentet e hartimit të teksteve shkollore që ky libër të futet në lektyrën shkollore duke marr parasysh laryshinë tematike që shtjellon, por edhe vlerat artistike që përfaqëson.

III.

MAGJIA E KOPSHTIT ZOOLOGJIK NË VARGJE

Xheladin Mjeku “Një piknik në kopshtin zoologjik” (Poemë për fëmijë)
Botues Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës, 2026 Prishtinë.

Libri i tretë që përmbyll trilogjinë e poetit në gjashtëdhjetepesë vjetorin e lindjes vjen në formë poeme. Jo rrallë ka ndodhur që kërshëria e fëmijë për të iu shpjegua fenomene e dukuri në natyrë të nxisë muzën e poetit për të krijuar një përmbledhje poetike. Kështu i ndodhi edhe poetit Mjeku, i cili nga një vizitë e zakonshme në natyrë dhe kopshtin zoologjik me nipin Matinin, nxit imagjinatën e tij për të na dhuruar një poemë-perlë për fëmijë.

Vendosem me Matinin
Të dalim në piknik
-Gjysh, pse nuk ndalojmë pak
Në kopshtin zoologjik

Pastaj i magjepsur nga natyra e bukur si një prelud të një skene në natyrë, poeti na përshkruan bukurinë e natyrës që i shijojnë së bashku me nipin, derisa të hyjnë në ,,arenën” e kopshtit zoologjik.

Brenda këtyre bjeshkëve
Rrethuar në çdo anë
Botanikë e mahnitshme
Që frymën ta ndalë.

Defilojnë në skenën e kopshtit zoologjik mbi tridhjetë kafshë e shpezë të buta e të egra, por që në vargjet e poetit ato jetojnë në harmoni. Kureshtjen e Matinit për të marr informacion për secilën kafshë a shpezë, gjyshi me kujdesin maksimal arrin t’i shpjegoj në detaje në akëcilën pyetje të tij, si: pse Leopardi ka topa plotë, për arinjtë me gëzof të bardhe, bashkëjetesën e xhirafës e elefantëve, ujku e dhia, për majmunin që merr dhurata nga vizitorët e i bënë të qeshin. Matini befasohet si jetojnë në një hapësirë në harmoni edhe kafshë e shpezë të armiqësuara si pulat dhe dhelpra, delet dhe ujku, por gjyshi i sqaron se këtu ka rregulla tjera që duhet respektuar. Por kureshtja nuk ndalet edhe për krokodilin i cili nuk gjendet tek ne si ka ardhur nga lumi Nil, por gjyshi edhe këtu ka përgjigje:

Ndoshta i ka humbur
Rruga në Afrikë?
Që këtu pastaj
Ka përfunduar një ditë

Në këtë botë magjike jetojnë shumica e kafshëve e shpezëve, qoftë në harmoni apo edhe të vetmuar. Matini i vogël aty do të mësojë edhe për lepurin, macen, iriqin, zogun, drerin, gomarin, kuajt, luanin, ketrin, bretkosën, gjarprin, qukapikun, lopët dhe përmbyllet me Shqiponjën e cila për dallim nga të tjerët jeton e lirë:
Këtu veç Shqiponja
Kafazin s’ e duron
E lirë mbi këto troje
Çdoherë fluturon

I mrekulluar nga kjo vizitë me tërë ato pamje magjike ku gërshetohen bukur natyra dhe banoret e kopshtit zoologjik, Matini i vogël i shfaq dëshirën gjyshit që një ditë tjetër ta vizitojë sërish kopshtin me shokët e shkollës. Me këtë libër poeti Xheladin Mjeku i ka dhuruar letërsisë shqipe një vepër të veçantë e cila përveç vlerave artistike të padiskutueshme ka një informacion të bollshëm për kafshët dhe shpezët dhe si i tillë do të duhej të zërë vend në lektyrën e shkollës.

Si përfundim me këtë trilogji të librave për fëmijë poeti Xheladin Mjeku tregon se nuk ëshrë i rastësishëm në botën e artit poetik, veqëse me përkushtimin e tij po dëshmon se hynë në radhën e poetëve më të mirë të letersisë shqipe për fëmijë në Kosovë.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.