(kushtuar Arlinda Zekaj e vrarë nga kunati i saj)
Nëse do të hesht mbase është më mirë,
por kësaj radhe nuk hesht dot.
Se heshtja poetit nuk i shkon
– një ditë bota do të thot’.
E pra, kë të fajësoj për vrasjen tënde Arlinda?
Tek kush të kërkoj drejtësi?
Gjaku yt flet më shumë se asgjë tjetër,
gjaku yt është zëri që bën histori.
Ti nuk ke vdekur, o bijë e Kombit tonë,
ti gjithmonë do mbetesh e gjallë,
se gjithmonë prej teje do lindin jetë të reja
edhe tash që dheu ta flladit atë ballë.
Si mundet toka ty të të mbajë?
Kush për ty do të mbajë zi?
Gjaku yt i derdhur kaq mizorisht
le të jetë farë për një njerëzim të ri.
Se shqipari kurrë traditë nuk ka pasur,
Të vrasë gratë dhe njerëzit e shtëpisë.
Por vetëm armiqtë dhe tradhëtarët,
vetëm pushtuesin e Shqipërisë.
Ti nuk je një numër Arlinda,
ti nuk je thjesht një emër.
Do të jesh nëna, padrejtësisht e vrarë,
do të jesh gruaja që jeton në çdo zemër.
Nikolin Sh. Lëmezhi
Shkodër, më 28.10.2026


