Rexhep Çullhaj
Tre muaj protestë. Tre muaj zë qytetar. Tre muaj që kanë nxjerrë në dritë atë që politika është përpjekur ta fshehë për 35 vite. Sot është më e qartë se kurrë: pozitë e opozitë, me radhë e me marrëveshje, kanë qenë pjesë e të njëjtit sistem që e ka rrjepur këtë vend sipas interesave të tyre. Korrupsioni është futur në çdo qelizë të shtetit dhe të shoqërisë. Institucionet janë kthyer në prona politike, ndërsa qytetari është trajtuar si spektator i një loje ku fituesit kanë qenë gjithmonë të njëjtët. Por diçka ndryshoi. U vra frika! Qytetarët nuk kanë më frikë të dalin në rrugë. Nuk kanë më frikë të flasin.
Nuk kanë më frikë të kërkojnë llogari. Dhe kjo është fitorja e parë e protestës. Protesta çmontoi edhe mitin e ndërtuar me propagandë për një kryeministër “vizionar”, “reformator” dhe “udhëheqës të madh ballkanik”. Kur bie propaganda, mbetet realiteti. Dhe realiteti është parë nga të gjithë. U zbulua kush është, çfarë përfaqëson dhe çfarë sistemi mbron. Tre muaj protestë kanë treguar se pushteti nuk është i pathyeshëm. Se propaganda nuk mund ta mbulojë përgjithmonë realitetin.
Dhe se qytetari, kur e humb frikën, bëhet shumë më i fortë se çdo pushtet. Kjo nuk është më thjesht një protestë kundër një qeverie. Është përballja e qytetarit me një sistem 35-vjeçar që ka ndërruar fytyra, flamuj e slogane, por ka ruajtur të njëjtën mënyrë grabitjeje të vendit. Tre muaj u bënë. Por kjo është vetëm fillimi. Frika ka vdekur. Zëri i qytetarit është zgjuar. Dhe protesta vazhdon!











