32.3 C
Tirana
E premte, 26 Qershor 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj 250-VJETORI I PAVARËSISË SË SHBA-VE NË PULLËN E RE POSTARE TË KOSOVËS

250-VJETORI I PAVARËSISË SË SHBA-VE NË PULLËN E RE POSTARE TË KOSOVËS

0
250 vjetori i shtetit amerikan

Hysen S. Dizdari

Posta e Kosovës ka emetuar një emision të veçantë me pulla postare kushtuar 250-vjetorit të Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (1776–2026). Më 4 korrik 1776, Kongresi Kontinental miratoi Deklaratën e Pavarësisë, me të cilën trembëdhjetë kolonitë amerikane shpallën shkëputjen nga Britania e Madhe dhe krijimin e një shteti të lirë e të pavarur. Kjo datë shënon lindjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe festohet çdo vit si festa kombëtare e vendit. Deklarata e Pavarësisë, e hartuar kryesisht nga Thomas Jefferson, konsiderohet një nga dokumentet më të rëndësishme politike në historinë moderne. Parimet e saj mbi lirinë, barazinë dhe të drejtën e popujve për vetëvendosje ushtruan ndikim të madh në zhvillimet demokratike në mbarë botën dhe mbeten aktuale edhe sot.

Dita e Pavarësisë së SHBA-ve kujtohet me nderim dhe respekt të veçantë edhe nga shqiptarët në Shqipëri dhe Kosovë. Kjo lidhet me rolin historik që Shtetet e Bashkuara kanë luajtur në mbrojtjen e interesave kombëtare shqiptare në periudha vendimtare të historisë sonë. Gjatë më shumë se një shekulli, marrëdhëniet shqiptaro-amerikane janë karakterizuar nga miqësia, mbështetja politike dhe bashkëpunimi në momente të rëndësishme për kombin shqiptar. Për këtë arsye, SHBA-ja gëzon një respekt të veçantë në opinionin publik shqiptar.

Një vend të veçantë në kujtesën historike shqiptare zë Presidenti i 28-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Thomas Woodrow Wilson. Në Konferencën e Paqes në Paris, në vitin 1919, ai kundërshtoi planet për copëtimin e Shqipërisë ndërmjet shteteve fqinje, duke mbrojtur të drejtën e popullit shqiptar për të pasur shtetin e vet. Qëndrimi i Presidentit Wilson u mbështet në parimin e vetëvendosjes së kombeve, një nga shtyllat kryesore të vizionit të tij për rendin ndërkombëtar pas Luftës së Parë Botërore. Për shqiptarët, ai mbetet një nga personalitetet më të respektuara të historisë amerikane. Pikërisht për këtë arsye, Faik Konica është shprehur: “Gjithë shqiptarët duhet t’i ngrenë Wilsonit një monument madhështor në zemrat e tyre.”

Mirënjohje të veçantë gëzon edhe Presidenti i 42-të i SHBA-ve, Bill Clinton. Nën udhëheqjen e tij, Shtetet e Bashkuara mbështetën ndërhyrjen e NATO-s kundër regjimit serb në vitin 1999, duke ndihmuar në çlirimin e Kosovës dhe duke i dhënë fund dhunës dhe spastrimit etnik ndaj popullsisë shqiptare. Ndërhyrja e NATO-s, e udhëhequr politikisht nga SHBA-ja, shënoi një kthesë historike për Kosovën dhe krijoi kushtet për lirinë e saj, proces që më pas do të kulmonte me shpalljen e pavarësisë së Republikës së Kosovës më 17 shkurt 2008.

Duke shpjeguar para popullit amerikan ndërhyrjen e forcave të NATO-s në Kosovë më 24 mars 1999, Presidenti Bill Clinton theksoi: “Amerika ka një përgjegjësi të qëndrojë me aleatët tanë kur ata përpiqen të shpëtojnë jetën e pafajshme dhe të ruajnë paqen, lirinë dhe stabilitetin në Evropë. Kjo është ajo që po bëjmë në Kosovë. Nëse ne kemi mësuar ndonjë gjë nga shekulli që po përfundon, është se nëse Amerika do të jetë e begatë dhe e sigurt, ne kemi nevojë për një Evropë që është e begatë, e sigurt, e pandarë dhe e lirë. Ne kemi nevojë për një Evropë që po bashkohet, jo që po ndahet. Një Evropë që ndan vlerat tona dhe ndan barrën e udhëheqjes. Ky është themeli mbi të cilin varet siguria e fëmijëve tanë.”

Pulla e emisionit Vula speciale e zarfit te dites pare (FDC)

Për të përkujtuar këtë jubile të rëndësishëm, Posta e Kosovës ka emetuar një pullë postare dhe Zarfin e Ditës së Parë (FDC). Pulla postare ka vlerën nominale 2,10 euro. Në sfond paraqitet Deklarata e Pavarësisë së SHBA-ve dhe flamuri amerikan, të vendosur mbi numrin simbolik 250, i cili përfaqëson vitet e pavarësisë së shtetit amerikan. Në pjesën e sipërme majtas ndodhet flamuri i Republikës së Kosovës, ndërsa në pjesën e poshtme është vendosur mbishkrimi: “250-vjetori i SHBA-ve”.

Simbolet e përdorura në këtë emision filatelik janë zgjedhur për të paraqitur jo vetëm rëndësinë historike të 4 Korrikut për popullin amerikan, por edhe lidhjet e forta të miqësisë ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Nëpërmjet këtij emisioni filatelik, Posta e Kosovës i bashkohet kremtimeve ndërkombëtare të 250-vjetorit të pavarësisë amerikane dhe njëkohësisht përcjell një mesazh të qartë respekti, miqësie dhe mirënjohjeje ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe popullit të saj. Ky emision me pulla postare dëshmon se populli shqiptar në Kosovë dhe Shqipëri nuk harron mbështetjen e vazhdueshme që SHBA-ja i ka dhënë kombit shqiptar në mbrojtje të lirisë, të drejtave kombëtare dhe pavarësisë.

MIRËNJOHJE PRESIDENTIT TË 28-TË TË SHBA-VE, WOODROW WILSON!
MIRËNJOHJE PRESIDENTIT TË 42-TË TË SHBA-VE, BILL CLINTON!
MIRËNJOHJE POPULLIT AMERIKAN!
GËZUAR 4 KORRIKUN, DITËN E PAVARËSISË SË SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS!

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.