PËRDITËSIM I DASHURISË – poezi nga “Kanuni poetik” i riu
Në Kodër të Brijës në Roganë
një kaçubë më ka pas thënë
jam e vogël e kam pak shtat,
vesë prej barit pijë çdo natë!…
Ndodhem tek Shkëmbi i të Vjelave
aty ku perëndia shikon me emocione
këtë bukuri të bekuar të Dardanisë.
Hapat e erës nëpër gjethe të pemëve
e lajmërojnë një ditë vërtetë të bukur,
ditë, me tinguj dhe muzikë të gjelbër
ditë me kitare të zemrës e të shpirtit.
Fjalët e dashurisë janë ato të lashtat
të njëjta janë prekjet dhe përqafimet
drama dashurie ne kemi vazhdimisht
dashuritë bëhen si në kohët e antikës
gratë edhe sot zhvishen me ngadale
këmishë e Ilirianës shumë më pëlqen
me të zemra ma do që të përqafohem
Nuk i gjej mangësi rritës në Roganë
gjak dashurie më pikon në kraharor
një ushtimë gurësh ngrihet nga toka
nga një luftë e ashpër e gjithë qenies
Të jesh poet do të thotë të bësh art
dhe të kesh fuqinë të krijosh këngë
Takimet me dashuri janë të ëmbla,
janë përditësim dashurie për Atikën
Nga e çdoditshmja i mbushim kupat
që të mos biem në vetminë e pafund
puthjet e ditës së sotme mos i leni
për nesër, të dashurosh do të thotë të
lindësh, Rogana frymë e ka krijimin,
përpjekjen për të kaluar në vepra,
unë nuk di a keni kohë të dashuroni
Roganë do të thotë, të krijosh për të!…
Një përmendore e shquar është koha
fara e të vjelave të kallinjve t´gjelbër
kultura e të mbjellave për të korrat
udhëtimi nëpër një botë më tokësore…
Asgjë s´ka më të përjetshme se gruri
s´e fruti i mollës nëpër arat me plisa
Roganë, je pjesë e procesit arbëror
je bukë dhe mollë, lule dhe kumbull
je frymëzim për përditësim dashurie.
Atdhe Geci – Dortmund, 2021