Nga : Isak Ahmeti
I. Në vend të hyrjes
Rakela Zoga poete. Poete e mirëfilltë. Unike. Poete që të fascinon me poezinë e saj të përkryer,me një gamë të gjerë idesh dhe temash nga më të ndryshmet. Është poete shqiptare bashkëkohore, e njohur për stilin e saj të ndjeshëm dhe reflektiv.
Kontakti im i parë me atë si poete ka qenë libri :
Mjellmë në mjegull (2017), që m’është dhuruar, jo rastësisht, me një dedikim të veçantë nga vetë autorja, për të cilën kam një vlerësim dhe konsideratë të veçantë.
Që në hyrje të këtij shkrimi për Rakelën si poete që të fascinon me poezinë e saj, le të përkujtojmë këtu një shkrim timin me titull :
Për Ty poete, Rakela Zoga, fillimisht botuar te Fjala e Lirë, me 17 shkurt 2023 dhe më pas ky shkrim është përfshirë te libri im:
Autorë dhe vepra, vëllimi I, SHB LENAGRAPHIC, Prishtinë, 2025, fq.48-50.
II. Pak biografi për poeten
Rakela Zoga lindur më 5 Nëntor 1964 në qytetin e Korçës. Ka mbaruar studimet për Gjuhë e Letërsi. Për disa vite ka punuar në arsim dhe më pas do marrë rrugët e migracionit në Greqi.
Qysh e re është marrë me shkrime të cilat i ka botuar tek revista “Nëntori”, “Gazeta Zëri i Rinisë”, “Vullnetari”, “Shqiptarja e Re”, etj.
Një kontribut të veçantë ajo e ka dhënë në qytetin e lindje tek gazeta e asaj kohe.Ka botuar disa libra midis tyre edhe “Mjellmë në mjegull” (2017).
Pjesëmarrje dhe fituese në aktivitetet poetike të netëve të poezisë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni etj.
III. Poezia dhe karakteristikat
Duke e lexuar librin e saj me poezi:Mjellmë në mjegull, si dhe poezinë tjetër të saj që është botuar dhe vazhdon të botohet në portale, fitojmë përshtypjen se atë e përshkon një ndjenjë e thelllë emocionale.
P.sh.tek libri :Mjellmë në mjegull, frymon shpirti dhe zemra e poetes. Ajo ta kënaq zemrën dhe shpirtin duke përçuar ide universale. Për më tepër ajo është poete brilante e zemrës dhe shpirtit, e dashurisë, e dhembjes, e vetmisë – si virtyt por edhe e ëndrrave.
Është me shumë rëndësi të theksohet se temat kryesore në poezinë e poetës Rakela Zoga janë:
-Dashuria e dhembja,
-Vetmia dhe kërkimi i vetes,
-Kujtimet dhe koha,
-Shpresa dhe dhimbja.
Vargjet e saj janë të mbushura me plot ndjenja intime dhe personale, shpesh dhe të pasura me reflektime filozifike, me figura të pasura – metafora e simbolika që japin kuptime të shumëfishta dhe si të tilla e shtyjnë lexuesin të mendojë thellë për jetën dhe marrëdhëniet…
Poezitë e saj janë zakonisht të shkurta dhe lexohen me një frymë,janë vargje të lira dhe kanë një ritëm natyral, ku çdo fjalë ka peshë emocionale. Shembull tipik poezia: Në ditë të ftohta,të cilën po e djellim këtu për të shijuar bukurinë e saj.
Për të shijuar bukurinë dhe filozifinë poetike të poetes në fjalë, këtu po sjellim në vijim ehe disa nga poezitë e saj!
Ka kohë
Shumë kohë pa u parë me ty
S’e kam njohur veten.
I afërt në përfytyrim,
I largët në prekje.
Kam kohë pa marrë frymë
Në ditët ecje
E vonuar
Vonesat janë puthje pa zë
kur lëkunden buzët,
të lodhura, prej guximit të tepruar.
Marrin frymën e pritjes
E në çdo kohë lëngojnë
Në gri përsëri e diela
Kur më fliste ajo,
Mësova ç’do të thotë të duash,
Të ndjesh,të jetosh.
E bëra pjesë të vetes,
të vërtetën,
dashurinë…
Gjuha e thjeshtë, pa fjalë të ndërlikuara, shumë emocionale, por e përmbajtur.
Poezia e saj është plot figuracione:
Nata-simbol i vetmisë,
Era-Kujtimet që kthehen pa paralajmërim,
Heshtja – dhembje që nuk shprehet.
Mesazhi: edhe kur dashuria mbaron, ndjenjat nuk zhduken plotësisht-ato mbesin si jehonë brenda njeriut, në rastin konkret brenda zemrës dhe shpirtit të poetes Rakela!. Për më tepër, poezia e saj lidhet shumë me përjetimet e saj dhe kjo e bën më tërheqëse lexuesin dhe krijon kënaqësi estetike tek ai.
IV. Poezia e përshpirtshme
Një kapitull i veçantë dhe me peshë që është përfshirë edhe te Antologjia e poezisë së përshpirtshme 1555-2019 të autorit Anton N. Berisha, botuar nga SHB “Faik Konica, Prishtinë, 2020”, fq. 423-424).
Vlen të theksohet se poezia e përshpirtshme e poetes në fjalë, sipas vlerësimit kompetent të shkrimtarit dhe studiuesif Anton N. Berisha, ka vlera antologjike. Prandaj autori i Antologjisë në fjalë, jo rastësisht, për shkak të vlerave universale, ka përfshirë katër poezi të poetes Rakela Zoga, dy prej të cilave po i japim këtu në vijim për të shijuar bukurinë:
NË PËRFYTYRIM
Të përfytyroj
në vajtje ardhjet e muzgjeve
Kur perëndimet prekin
mantelin e ëndrrave.
Dhe nata fle e gjunjëzuar
me lutjet
Atëherë ti vjen
me përfytyrimim tim.
Në çastin e pritjes,
si të jesh Imzot.
PËRGJËRIM
Nëse ikën do të pres në dritën e hënës.
Me ngjyrë argjendi trupin do ta vesh.
Do bëhem mike, me qiellin e ndrojtur.
Në pika shiu do të buzëqesh.
E kam një fole në shpirt që lutet
Të sjell mallin, të derdhë përqafim.
Në u dashtë të më presësh mes reve.
Takoje hënën në përqafim.
IV. Vetmia si tematikë e veçantë
Duke u marrë me analizën dhe vlerësimin e poezisë të poetes Rakela Zoga, më pëlqen të theksoj në mënyrë të veçantë se Vetmia është temë e preferuar e poetes.
Si poete e mirëfilltë, Rakel Zoga, në poezinë e saj ka shtjelluar me shumë mjeshtri edhe temën e vetmisë, ku ajo ka derdhur gjithë aftësinë e saj krijuese poetike-filozofike por edhe ecjen dhe pasionin për vetminë, që nuk është vetëm vuajtje, por edhe virtyt i njeriut dhe botës njerëzore. Kemi në poezinë e poetes në fjalë me tematikën e vetmisë magjinë e fjalës që është e veshur me art.
Shpesh poezia me tematikën e vetmisë e poetes në fjalë dhuron ekstazën e imazheve sublime në drejtimin vertikal ku levizja kozmike projekton ndjenjën më të lartë të lumturisë në brendësinë dhe shpirtin e poetes.
V. Tematika aktuale
Vlen të theksohet së përveç asaj që thamë më lart për tematikat në fjalë, Rakela Zoga, kohë më parë ka shkruar edhe një poezi me titull:
BOTA E VRARË, ku në mënyrë poetike, brilante, ka trajtuar edhe temën aktuale. Në këtë kontekst po sjellim këtu në vijim poezinë në fjalë për të parë dhe shijuar dhimbjen por edhe forcën poetike të saj:
BOTA E VRARË
U vra dhe kjo ditë.
Aty me bomba, këtu me frikë.
U qull prej lotëve atje.
Nënat me krye përdhe
Këtu lypin duarzgjatur,
Më jep diçka, kam uri.
Thua koha e Migjenit trokiti.
Të zhveshur, vitrinat i shohin në sy
U vra dhe kjo ditë.
Me brenga mbetur në shpirt.
Plagosur e gjitha qan,
Atje loti duket, këtu është tharë…
Vl. Në përmbyllje
Krejt në fund të këtij shkrimi le të ritheksojmë edhe njëherë se poetja Rakela Zoga ka shkruar dhe vazhdon të shkruajë poezinë e saj që është e përkryer dhe, me artin që ngërthen, të fascinon !











