11.5 C
Tirana
E shtunë, 14 Shkurt 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj Arroganca në politikën e pushteteve shqiptare!

Arroganca në politikën e pushteteve shqiptare!

0
Safet Sadiku

Ese: (4)

Nga Safet SADIKU

Megjithatë, edhe në këtë mjegull të dendur zhgënjimi, mbetet një dritë që nuk duhet të shuhet! Shpresa, gjithnjë është e pranishme. Jo vetëm ajo shpresë naive, që pret shpëtim nga lart, por edhe ajo që lind si akt moral, si vendim i vetëdijshëm për të mos u dorëzuar si shoqëri…

“Arroganca në politikën e pushteteve shqiptare”, është bërë një fenomen i përsëritur në jetën politike të hapësirës shqiptare, ku pushtetarët shfaqin qëndrime përbuzëse ndaj qytetarëve, institucioneve dhe kritikës publike, duke e përdorur pushtetin si mjet për interes personal, partiak apo klanor, në vend të shërbimit ndaj interesit kombëtar dhe demokratik.

Në sallë ra heshtje. Jashtë, era e lehtë e Washington-it përplaste flamujt e institucioneve ndërkombëtare që qëndronin përballë. Ishte si një kujtesë e heshtur se shtetet e vërteta nuk ndërtohen vetëm me politikë, por me karakter. Dhe ndoshta, në këtë heshtje, kuptimi më i thellë i bisedës u bë i dukshëm: se ardhmëria e kombit shqiptar nuk do të përcaktohet më nga kryeneqësia e elitave, por nga urtësia e brezit që po vjen… Një brez që nuk e njeh frikën e imponuar, as muret e së kaluarës, sepse ka lindur në hapësirën e dritës, dhe jo në hapsirë të hijeve.

4) Pas takimit në Këshillin e Evropës në Strasburg, ku retorika diplomatike tingëllonte më shumë si një ushtrim i kujdesshëm fjalësh sesa si një përballje reale me sfidat e brendshme, u bë edhe më e qartë ajo që prej kohësh është ndjerë në ajrin e zymtë të institucioneve tona… Humbja graduale, por e pandalshme, e besimit të qytetarëve në shtetin e tyre. Ky është, ndoshta, çmimi më i rëndë që një vend mund të paguajë në periudhat e krizës së tij politike dhe morale, kur fjalët e zyrtarëve fillojnë të tingëllojnë si një gjuhë e huaj, ndërsa premtimet shndërrohen në një zhurmë të vazhdueshme që askush më nuk e dëgjon me vëmendje.

Mungon Shpresa! Në vend të institucioneve, që frymëzojnë, kemi vetëm struktura që shpesh duken si stacione të përkohshme të interesit personal, në vend të përfaqësuesve të popullit, kemi oratorë që flasin për veten, ndërsa qytetari, i zhgënjyer dhe i heshtur, ndjek gjithçka si spektator i një loje që di tashmë si përfundon. Ky zhgënjim i thellë nuk është rastësi. Ai është fryt i një dështimi të gjatë moral dhe politik, që ka gërryer besimin midis qytetarit dhe atyre që duhej ta përfaqësonin. Sepse liderët politikë, të mbërthyer pas projekteve të tyre personale, e kanë zëvendësuar misionin e shërbimit publik me interesin e pasurisë private. Në vend që të përkushtohen për konstituimin e një qeverie funksionale dhe përfaqësimin dinjitoz të shtetit, ata bllokojnë sepse janë zhytur në pazare pushtetesh, në gara të fshehta për prona, kontrata e përfitime që shtrihen shumë më thellë se përgjegjësia për vendin.

Tani, në tryezat politike, më shumë se për ligje e reforma, flitet për aksione, për tenderë, për kompani e prona milionëshe që lidhen drejtpërdrejt me karriget e tyre. Pushteti është bërë qëllim në vetvete, jo mjet për zhvillim. E keqja është se kjo sjellje nuk është origjinale. Ajo nuk buron nga kultura shqiptare e besës, e dinjitetit dhe e përgjegjësisë, por është një kulturë e huazuar, e imponuar nga dekadat e gjata të okupimit serbo-sllav, ku korrupsioni, servilizmi dhe mashtrimi ishin mënyra të mbijetesës politike dhe jo përjashtime morale. Kjo kulturë e trashëguar si helmi i heshtur në damarët e administratës, vazhdon të ndikojë edhe sot, duke na mbajtur peng në mes një të shkuare, që ende nuk e kemi tejkaluar, dhe një të ardhmeje që ende s’e kemi guximin ta ndërtojmë ndryshe.

… Në Bruksel, në një sallë të qetë të Institutit Evropian për Studime Politike, atmosfera ishte e mbushur me një lloj heshtjeje të përmbajtur dhe ajo lloj qetësie, ishte që t’i paraprinë mendimit të thellë. Ishin mbledhur diplomatë, studiues dhe përfaqësues të rinj të shoqërisë civile nga Shqipëria, nga Kosova, nga Ilirida, nga Kosova Lindore dhe Sanxhaku, nga Malësia e Plavë e Gucisë dhe nga çamëria, kuptohet që të gjithë këta të ftuar ishin aty për të diskutuar mbi perspektivën evropiane të vendbanimeve të tyre, por edhe për të gjitha vlerat kombëtare, si dhe për integrimin e tyre në vlerat evropiane. Pas konsultave të para, biseda kaloi shumë shpejt nga temat teknike në ato morale. Disa nga diskutimet po shpërndaheshin në mes grupeve të komisioneve punuese të BE-së, e disa të tjera ishin dërguar si zakonisht me postë elektronike.

Me këtë rast, zërat e studentëve tanë ishin nga më të veçuarit. U tha se, arroganca në politikën e pushteteve shqiptare lind nga mungesa e një vetëdijeje morale që e lidh pushtetin me shpresën dhe përgjegjësinë qytetare, e cila shpesh po na mungon, sepse atje ku shpresa shihet si ndjenjë kalimtare e jo si projekt i përbashkët për ndërtimin e shtetit, politika humb misionin e saj etik dhe shndërrohet në instrument vetëpërjetësimi të individëve në pushtet. Kjo ka ndodhur gjatë gjithë tranzicionit të gjatë dhe ende po ndodh, pasi qeverisja nuk buron më nga ndjenja e përgjegjësisë ndaj qytetarit, por nga logjika e dominimit mbi të.

Po ndodh atëherë kur dinjiteti kolektiv zëvendësohet me arrogancën institucionale që e sheh shtetin si pronë private të elitave politike. Në këtë kuptim, të bëhesh “evropian” nuk do të thotë të nënshkruash dokumente apo marrëveshje ndërkombëtare, por të ndërtosh një kulturë politike ku morali, përgjegjësia dhe dinjiteti janë themeli mbi të cilin ndërtohet çdo vendim publik. Vetëm aty ku politika kuptohet si projekt moral, shpresa bëhet forcë vepruese dhe jo iluzion, sepse edhe qytetari ndjehet bashkëpronar i shtetit të vet, jo spektator i abuzimeve të tij.

Nëse morali është themeli i politikës, atëherë ligji është kufiri i saj i domosdoshëm. Çdo pushtet që nuk ka frikë nga ligji, shndërrohet në arbitraritet, dhe çdo shtet ku ligji nuk zbatohet mbi ata që e bëjnë, humb kuptimin e vet si rend juridik. Prandaj, në vendbanimet shqiptare, ku shpesh ligji shndërrohet në një dokument formal e jo në një realitet veprues, duhet të vendoset një parim themelor i drejtësisë funksionale: që askush, sado i lartë në detyrë, të mos jetë mbi ligjin, dhe që çdo abuzim me pushtetin të ketë pasojë të menjëhershme ligjore. Vetëm kur politikani ndjen frikë nga ligji, jo vetëm si ndëshkim arbitrar, por si kufi moral dhe juridik i detyrës së tij, mund të lindë  respekti për shtetin.

Kjo është arsyeja pse demokracia nuk matet me numrin e zgjedhjeve, por me forcën e ligjit përballë pushtetit. Në këtë kuptim, drejtësia nuk është luks institucional, por themeli mbi të cilin ngrihet dinjiteti i qytetarit dhe besueshmëria e republikës. Këto parime nuk janë vetëm kërkesa morale të shoqërisë, por edhe standarde themelore evropiane, të cilat janë bërë të ditura vazhdimisht nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës, përfshirë institucionet e tyre në Bruksel dhe Strasburg. Në të gjitha raportet, rezolutat dhe deklaratat e përbashkëta, këto organizata kanë theksuar, se asnjë proces integrues nuk mund të ketë kuptim pa një sundim të plotë të ligjit, pa pavarësi të drejtësisë, dhe pa përgjegjësi të zyrtarëve publikë ndaj qytetarëve të tyre. Në këtë kuptim, kërkesa që politikanët të kenë frikë nga ligji nuk është thjesht dëshirë popullore, por kusht themelor për evropianizimin e shoqërive shqiptare në Gadishullin Ilirik.

Brukseli dhe Strasburgu kanë theksuar se,Evropa nuk ndërtohet me deklarata politike, por me institucione të forta dhe me njerëz që i respektojnë ligjet e veta”. Pikërisht këtu qëndron ndarja mes një shteti që pretendon të jetë demokratik dhe një pushteti që sillet me shtetin sikur ta ketë pronë personale të tij. Pra, njëri ligji është si mburojë e qytetarit, dhe tjetri është vegël e pushtetarëve. Prandaj, për të gjitha republikat shqiptare në Gadishullin tonë, rruga drejt Evropës nuk është vetëm gjeografike, as vetëm historike, por është edhe morale, etike dhe juridike. Mbi të gjitha është një proces vetëpërmirësimi institucional që fillon me ndërtimin e një frike të shëndetshme nga ligji, si shenjë respekti ndaj drejtësisë dhe qytetarit.

Prandaj, në këtë kohë të turbullt, më shumë se kurrë, bëhet e domosdoshme një vetëdijësim i thellë qytetar, një ringjallje morale që të thyejë këtë rreth vicioz të trashëgimisë politike të keqpërdorimit dhe të heshtjes, e cila kudo si administratë shtetërore ka pajtuar me të keqen… Qytetari duhet ta kuptojë se demokracia nuk mbrohet nga fjalimet e politikanëve, por nga zgjimi i ndërgjegjes së përbashkët, se shteti nuk është prona e atyre që e qeverisin përkohësisht, por e të gjithë atyre që besojnë në të përherë. Ky është paradoksi më i hidhur i demokracisë sonë të brishtë! Ndërsa përpiqemi të dëgjohemi në Strasburg, humbim zërin në Prishtinë, në anën tjetër përgatitim fjalime për Evropën, por njëkohësisht harrojmë të dëgjojmë zërin e njerëzve tanë.

E kështu, çdo deklaratë ndërkombëtare për “progres” tingëllon e zbrazët përballë realitetit të një populli që nuk beson më as në fjalë, as në institucione, as në premtime që përsëriten me të njëjtën gjuhë prej vitesh. Në këtë pikë, humbja e besimit nuk është më statistikë. Kjo është pasqyrë morale. Një dëshmi e hidhur, se dështimi i shtetit nuk ndodh vetëm kur bien institucionet, por kur rrënohet lidhja më e shenjtë që mban gjallë një komb: „ajo ndërmjet qytetarit dhe besimit të tij te drejtësia, ndershmëria dhe përgjegjësia publike“. Megjithatë, edhe në këtë mjegull të dendur zhgënjimi, mbetet një dritë jeshile që s’duhet të shuhet! Ajo pikërisht nga qytetarët nuk po lejohet të shuhet! Shpresa, gjithnjë është e pranishme. Jo vetëm ajo shpresë naive, që pret shpëtim nga lart, por edhe ajo që lind si akt moral, si vendim i vetëdijshëm për të mos u dorëzuar si shoqëri…

Sepse shpresa, në thelb, është forma më e lartë e përgjegjësisë politike, sepse ajo nuk është ndjenjë, është zgjidhje, përmes rrugës që zgjedhim. Është mënyra më e pastër për t’i thënë vetes dhe botës, se ende beson, se ndryshimi është i mundur, edhe kur provat thonë të kundërtën. Në një vend ku mosbesimi është bërë gjuhë e përditshme, shpresa nuk është luks, është detyrë. Ajo kërkon guximin për ta parë realitetin në sy, pa iluzione, por edhe pa dorëzuar moralin. Të shpresosh sot, në Kosovë, do të thotë të rezistosh kundër apatisë që na është bërë zakon, të luftosh kulturën e dorëheqjes, të mos pranohet më që politika të jetë një arenë për pasuri personale, por të rikthehet në mision për shërbim publik.

Vetëdijësimi qytetar që përmendëm më herët nuk është vetëm një proces teorik, por është gjithashtu edhe një formë e re e shpresës që kthehet në veprim, në kërkesë, në kujdes të përbashkët për shtetin. Është një thirrje që fillon me një pyetje të thjeshtë: çfarë mund të bëjmë secili prej nesh për ta merituar vendin ku jetojmë? Sepse vetëm atëherë, kur shpresa bëhet përpjekje e përbashkët, ajo nuk është më ëndërr, por plan. Nuk është më fjalë, por fillim. Dhe ndoshta aty fillon rilindja jonë e vërtetë, në momentin kur kuptojmë se ndryshimi nuk do të vijë nga premtimet e atyre që nuk besojnë në asgjë, por nga njerëzit e zakonshëm që guxojnë të besojnë ende në gjithçka. Në drejtësi, në ndershmëri, në shtet dhe në vetvete. Sepse shpresa, në fund të fundit, nuk është një dritë që ndriçon nga qielli. Ajo ndizet në zemër, dhe kur ndizet aty, pastaj as politika, as propaganda, as frika nuk mund ta shuajnë më.

…Por në anën tjetër të medaljes, përtej fjalëve dhe premtimeve që zbehen në çdo fushatë, qëndron e vërteta e hidhur: mungesa e komunikimit të vërtetë midis vetë liderëve. Kjo si paaftësi njerëzore dhe politike për të dëgjuar tjetrin, për të ndërtuar ura, për të kuptuar se shteti nuk është pronë, por përgjegjësi e përbashkët. Pikërisht këtu fillon rrënimi i institucioneve, dhe jo në ligje, jo në kushtetutë, por në mungesën e dialogut. Sepse aty ku pushteti bëhet garë për numra dhe jo mision për shërbim, shteti shndërrohet në një skenë ku secili flet për veten, dhe askush për qytetarin. Shumë kryetarë komunash, ministra, deputetë e funksionarë të tjerë publikë janë bërë pjesë e një spiraleje që rrotullohet rreth interesave të tyre, e jo rreth nevojave të vendit. Në vend që të ndërtojnë ura bashkëpunimi, ata ndërtojnë mure heshtjeje, në vend që të dialogojnë për zgjidhje, ata matin pushtetin me arrogancë, në vend që të udhëheqin me maturi, ata sundojnë me mosbesim. Kështu, institucionet humbasin frymën e tyre, sepse nuk ekzistojnë më si mekanizma të shërbimit publik, por si stacione të përkohshme të ambicieve personale.

Në një vend ku bashkëpunimi është zëvendësuar nga përçarja, ku komunikimi është zëvendësuar nga fjalimet, dhe ku përgjegjësia është zëvendësuar nga justifikimet, çdo përpjekje për ndërtim institucional bëhet si një urë pa themele. Kjo është arsyeja pse, megjithëse Kosova ka pasur djem dhe vajza të ndershme që kanë derdhur gjakun për liri, sot ajo përballet me një krizë të brendshme që nuk matet me territor, por me mungesë karakteri në lidershipin e saj. Kjo paaftësi për të komunikuar nuk është thjesht problem politik, por ajo është shenjë e një kulture të deformuar që e sheh kundërshtarin si armik, e jo si bashkëpunëtor. Kjo është ajo trashëgimi e zymtë që ende mbartet nga epokat e imponimit, nga modelet e vjetra të sundimit që shkatërruan besimin ndërnjerëzor dhe e zëvendësuan me frikë, servilizëm dhe urrejtje të heshtur. Sot ajo frymë ende endet në korridoret e pushtetit, si një hije që pengon çdo përpjekje për unifikim.

Dhe pikërisht këtu, në këtë zbrazëti të krijuar nga mungesa e komunikimit, duhet të rilindë ndjenja e re e përgjegjësisë. Sepse nuk mund të ketë institucione të qëndrueshme pa moral politik, as reforma pa vullnet për bashkëpunim. Vetëm kur liderët do të mësojnë të flasin me njëri-tjetrin, jo për të fituar, por për të kuptuar rolin e shtetit, jo për të sunduar, por për të ndërtuar, vetëm atëherë shteti do të marrë frymë si një organizëm i gjallë dhe jo si një trup që mbahet në këmbë nga inercia e aparatit burokratik. Dhe ndoshta atëherë, shpresa që sot duket e brishtë, do të kthehet në një vetëdije të fortë kombëtare, në një kulturë të re politike ku pushteti nuk shihet si privilegj, por si sakrificë, ku fjala e dhënë ka peshë, dhe ku qytetari nuk është më spektator, por bashkëkrijues por edhe bashkëqeverisës i shtetit të vet. Sepse aty ku ka komunikim të sinqertë, lind edhe e vërteta. Dhe aty ku lind e vërteta, fillon ndërtimi i vërtetë i lirisë.

Një profesor belg, i njohur për analizat e tij mbi proceset e integrimit, tha me një ton të matur: “Problemi i Kosovës nuk është mungesa e dokumenteve, e reformave apo e planeve strategjike. Është mungesa e një fryme që ti japë atyre jetë. Sepse asnjë reformë nuk mbijeton, nëse ajo nuk ushqehet nga ndershmëria e njerëzve që e zbatojnë.” Në krahun tjetër të sallës, një studente e re nga Ferizaj, pjesë e një programi shkëmbimi me Universitetin e Leuvenit, u ngrit dhe tha me zë të qetë por të prerë: “Ne nuk duam që Evropa të na pranojë nga mëshira. Ne duam të jemi pjesë e saj me dinjitet. Por për këtë, duhet ta pranojmë se kemi një problem me vetveten, me mënyrën se si i trajtojmë njëri-tjetrin, me mungesën e respektit në politikë, me paaftësinë për të punuar së bashku pa urrejtje. Nuk është Evropa ajo që duhet të na ndryshojë, ne duhet ta rifitojmë Europën brenda vetes.Fjalët e saj lanë një heshtje të gjatë në sallë. Diplomati gjerman që drejtonte panelin buzëqeshi lehtë dhe tha: “Kjo është arsyeja pse shpresa nuk është vetëm ndjenjë. Është projekt. Dhe çdo projekt i madh politik fillon me një vetëdije morale. Asnjë vend nuk bëhet evropian me dokumente, por me dinjitet, me ndjenjën e përgjegjësisë që secili qytetar ndjen ndaj shtetit të vet.”

Në atë moment, Brukseli nuk dukej më si një kryeqytet i largët i burokracisë, por si një arenë ku Kosova po përpiqej të gjejë zërin e vet, një zë që shpesh është mbytur nga zhurma e politikës së brendshme, nga përplasjet e kota që kanë zëvendësuar dialogun, nga paaftësia e liderëve për të ndërtuar institucione që i mbijetojnë individëve. Sepse ky është dështimi më i madh i politikës sonë: jo që s’kemi ndërtuar mjaftueshëm institucione, por që i kemi ndërtuar mbi themele të paqëndrueshme, mbi marrëdhënie të thyer e mbi mosbesim. Një shtet nuk mund të ecë përpara kur komunikimi midis prijësve të tij është si një mur i heshtur, i ftohtë, i gjatë, dhe pa dritare. Ata flasin, por nuk dëgjojnë. Ata takohen, por nuk bashkëpunojnë. Dhe kështu, Kosova shpesh del në arenën ndërkombëtare si një zë i përçarë, si një instrument që kërkon të luajë simfoninë e vet, por me tela të prishur.

Megjithatë, në mesin e këtij dështimi politik, po rritet një brez i ri që nuk njeh barrën e urrejtjeve të vjetra. Ata nuk presin miratim nga askush, por krijojnë hapësira të tyre, në teknologji, në ide, në inovacion. Ata janë fëmijët e një kohe pa frikë, që e përdorin kodin kompjuterik si gjuhë të re të lirisë. Dhe ndonëse shteti shpesh i harron, ata po e ndërtojnë Kosovën e së ardhmes në mënyrë më të heshtur, por më të qëndrueshme: me dijen, me krijimtarinë, me lidhje që kalojnë kufijtë. Kjo është shpresa e vërtetë që Brukseli ndjeu atë ditë, jo ajo që vjen nga fjalimet e ministrave, por ajo që lind në sytë e studentëve që besojnë se demokracia mund të rindërtohet nga poshtë, nga qytetari që punon, krijon dhe nuk pranon të heshtë më. Sepse në fund, çdo proces integrimi fillon nga integrimi i vetes: nga aftësia për të bashkëjetuar, për të respektuar, për të ndarë të njëjtin ëndërr pa frikë e pa armiqësi. Dhe ndoshta, pikërisht aty, në zemrën e Brukselit, ku dikur përcaktoheshin kufijtë, sot fillon të riformohet ajo që mungoi për kaq gjatë, vetëdija për unitet, për bashkëbisedim, për dinjitet. Sepse Kosova nuk ka nevojë vetëm të pranohet në Evropë. Ajo ka nevojë të rikthejë Evropën në shpirtin e vet.

…“Kryeneçësia” është një sjellje e fuqishme që po kalon në fenomen, sepse është bërë shumë e pranishme në skenën tonë politike, pasi ata të politikës po e përdorin me shumë kujdes. Fenomeni i tillë i sjelljeve të papjekurisë politike po përfaqëson saktësisht dualitet që karakterizon politikën shqiptare në hapësirën ilirike: krenarinë e shndërruar në pengesë, dinjitetin që shpesh tejkalon urtësinë. Në Bruksel, në një sallë të qetë të Institutit Evropian për Studime Politike, dritat e bardha ndriçonin fytyrat e diplomatëve e studiuesve që kishin ardhur për të folur jo vetëm mbi Kosovën por, në të vërtetë, mbi fatin e gjithë politikës shqiptare në Gadishullin Ilirik. Ajo sallë, që zakonisht mbushej me debate për traktate e statistika, atë mbrëmje u bë një hapësirë rrëfimi. Një vend ku fjalët nuk kërkonin më të bindnin, por të shëronin. Një profesor belg, me zë të matur, tha: “Problemi i vendeve tuaja nuk është mungesa e ideve, por mungesa e besimit në to. Keni gjithçka që edhe ju duhet për të qenë pjesë e familjes evropiane, përveç durimit për ta ndërtuar atë me njëri-tjetrin.”

Në atë çast, një studente shqiptare nga Ulqini ngriti kokën dhe tha me një ton të ngrohtë: “Profesori ka të drejtë. Ne e duam bashkëpunimin, por në politikë na ndjek një hije e vjetër, ajo e kryeneqësisë, e inateve në mes veti. Një ndjenjë që dikur ishte virtyt, sepse na ndihmoi të mbijetonim, por që sot është bërë pengesë. Krenaria që dikur na mbronte nga pushtuesi, sot na ndan nga njëri-tjetri.” Diplomati gjerman që ndodhej në panel e dëgjoi me vëmendje dhe shtoi: “E quani ‘kryeneqësi’? Ne në Gjermani e kemi quajtur dikur „arrogancë morale“. Është ajo gjendje kur njeriu nuk pranon më të dëgjojë, sepse mendon se e di të vërtetën e vet. Dhe kjo, në politikë, është forma më e rrezikshme e izolimit.” Në sallë ra heshtje. Në të vërtetë, ajo që po përshkruhej, nuk ishte vetëm një karakteristikë individuale, por një gjendje e tërë politike. Në hapësirën shqiptare, kjo “kryeneqësi” është bërë si një pasqyrë që refuzon të pasqyrojë, gjë që secili shikon veten, por askush tjetrin.

Ajo është një krenari që nuk shëron, por plagos. Një forcë që nuk ngrit, por ndan. Kështu, edhe pas dekadash të lirisë, shumë liderë tanë flasin për bashkim, por sillen si ishuj që frikësohen nga ura. Në vend të komunikimit, mbretëron heshtja e përçmuar; në vend të kompromisit, lind kokëfortësia e kotë që e quan veten “parim”. Profesori belg buzëqeshi me dhimbje dhe tha: “Kryeneqësia është si një pasqyrë që thyhet në mes. Secili mban një copë, dhe secili beson se ajo është e tëra. Por një komb nuk mund të ndërtojë shtet nga copa pasqyrash.” Në atë moment, Brukseli nuk dukej më si një qytet i ftohtë burokratik, por si një vend ku shpirti i Kosovës po përpiqej të dëgjonte veten, përmes zërave të rinisë, që e dinë se shpresa nuk është luks, por detyrë.

Sepse shpresa e vërtetë nuk vjen nga zyrat, por nga vetëdija që lind në zemër, kur njeriu kupton se bashkëpunimi nuk është dobësi, por forcë. Dhe se një komb që mbetet i robëruar nga kryeneqësia e vet, kurrë nuk do të çlirohet plotësisht, as në liri. Kështu, ndërsa në sallë dëgjoheshin përmendje të raporteve diplomatike, grafiqeve e statistikave të integrimit, diku në heshtje lindi një ide më e thellë: që rruga e Kosovës drejt Evropës nuk kalon vetëm përmes Brukselit, por edhe përmes vetes. Dhe se ndoshta, ditën kur klasa politike shqiptare të kuptojë se bashkëpunimi nuk është humbje, por rilindje, atë ditë, drita e vërtetë e Evropës nuk do të vijë nga jashtë, por do të ndriçojë nga brenda.

… Në Washington, në një sallë të qetë të Qendrës për Studime Strategjike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare, aroma e kafesë amerikane përzihej me zërat e përmbajtur të analistëve që kishin ardhur për të diskutuar mbi Ballkanin. Në mesin e tyre, një këshilltar amerikan që kishte shërbyer në disa misione diplomatike në rajon, i cili foli me një ton të qetë, por të prerë: “Kam parë shumë vende që kanë dalë nga lufta. Disa kanë ndërtuar shtet, disa kanë mbetur peng të vetvetes. Shqipëria, Kosova, dhe viset shqiptare në rajon, të gjitha ato kanë potencial të jashtëzakonshëm njerëzor, por mbeten të lodhura nga e njëjta plagë që s’e shëruan dot, as nga lufta, as nga paqja: ajo quhet, mungesa e bashkëpunimit. Kjo nuk është vetëm një çështje politike.

Është kulturë e bartur, dhe një refleks i imponuar nga dekada të sundimit sllav, ku dyshimi ishte mënyrë mbijetese, dhe ndarja qënron si instrument kontrolli.” Ai ndaloi për një çast, si për të kërkuar fjalën e duhur, pastaj shtoi: “E njëjta frymë, është ajo e kryeneqësisë që dëgjuam në Bruksel. Pra, është si një trashëgimi e hidhur, që udhëton nga një brez në tjetrin. Në vend që të bëhet forcë për dinjitet, ajo shndërrohet në mur të paaftësisë për bashkëpunim. Në thelb, kjo është drama politike shqiptare: një popull me shpirt të lartë, por me udhëheqës që s’e kanë mësuar artin e përulësisë.” Në ndërkohë studenti shiqipar nga Ulqini e nxorri në diaprojektor edhe këtë tekst: „Arroganca në politikën e pushteteve shqiptare nënkupton qëndrimin autoritar, vetëkënaqës dhe shpërfillës kur janë në rolin e përfaqësuesve të institucioneve shtetërore ndaj qytetarëve, ndaj ligjit dhe kritikës publike. Sjelljet e tilla shfaqen përmes abuzimit me pushtetin dhe mungesës së llogaridhënies, manipulimit të opinionit publik dhe vendimmarrjes së mbyllur që favorizon interesa personale apo partiake, duke dobësuar kështu besimin e qytetarëve në demokraci dhe pengojnë sundimin e ligjit“.

Më pas një profesoreshë amerikane nga Universiteti Georgetown u përkul lehtë përpara dhe tha: “Ka një paradoks që e shohim gjithmonë te shqiptarët, sidomos në nivel njerëzor, sepse ata janë ndër popujt më bashkëpunues, më solidarë, më mikpritës. Por në politikë, sikur i ndan një perde e padukshme. Shtetet sllave, me dekada, kanë kultivuar frikën si kundërvënie ndaj unitetit dhe harmonizimit shqiptar. Kanë shpikur mite për ta ndarë, për ta penguar vetëbesimin e tij. Dhe, fatkeqësisht, një pjesë e elitave tuaja i kanë trashëguar këto modele si mënyrë pushteti. Nuk flasin për liri, por për kontroll. Nuk udhëheqin, por sundojnë.” Në atë çast, një student shqiptar nga Korça, që po kryente studimet master në Harvard foli me zë të ulët, por me ndjeshmëri: “E megjithatë, diçka ka ndryshuar.

Në Kosovë dhe në mërgatë, brezi im nuk është më pjesë e atij zinxhiri të frikës, të zinxhirit të varësisë që po rrjedh ende nga ish okupatori… Ne jemi rritur me teknologjinë, me dijen, me idenë e barazisë. Ne duam institucione që funksionojnë, jo emra që trashëgohen. Dhe kjo është një shenjë që kombi po zgjohet.” Këshilltari buzëqeshi me miratim dhe tha: “Po, kjo është pika ku ndarja përfundon. Kur dija bëhet më e fortë se frika. Kur bashkëpunimi nuk shihet më si nënshtrim, por si zgjuarsi. Sepse demokracia e vërtetë nuk është garë për të folur, por aftësi për të dëgjuar. Dhe unë besoj se shqiptarët, me gjithë plagët e tyre, janë gati për këtë fazë.”

Në fund të çdo reflektimi mbi pushtetin, mbetet një pyetje thelbësore: a do të mundet shoqëria shqiptare të ngrihet mbi arrogancën e së shkuarës dhe të ndërtojë institucione që i shërbejnë njeriut, jo individit në pushtet? Arroganca politike ka zbehur ndjenjën e përbashkësisë dhe ka ndarë shqiptarët në territore, në ideologji, në flamuj e parti, por ajo nuk mund të shuajë frymën e përgjegjësisë që po rilind në brezat e rinj. Bashkimi Evropian dhe institucionet e drejtësisë ndërkombëtare kanë kujtuar vazhdimisht se shtetet nuk maten me fjalime, por me ligje që vlejnë për të gjithë, dhe kjo është prova që e pret çdo republikë shqiptare në Gadishullin Ilirik. Porosia e të gjishëve ishte, se asnjë popull nuk mund të ecë drejt dinjitetit pa moral në politikë dhe pa frikë nga ligji.

Shpresa nuk është vetëm ndjenjë, por edhe projekt i përbashkët i qytetarëve që besojnë se shteti është pasuri e tyre jo vetëm morale, por ekzistenciale. Prandaj, detyra e brezit të ri, kudo si brenda trojeve shqiptare, ashtu edhe në mërgatë, është të mos lejojë më që politika të jetë strehë e arrogancës, por të jetë hapësirë e përgjegjësisë. Në heshtjen ku era e Washington-it po lëviz flamujt e kombeve, një kujtesë qëndron pezull për ne të gjithë: se shtetet e vërteta nuk ndërtohen me fjalë, por me karakter. Dhe ardhmëria shqiptare, kudo që jeton, nuk do të përcaktohet më nga kryeneqësia e elitave, por nga urtësia, guximi dhe ndershmëria e atyre që po e nisin udhën e re drejt dritës së vërtetë.

Sqarim: Georgetown University Washington, D.C., Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Georgetown University është një universitet prestigjioz amerikan, themeluar në vitin 1789, dhe ndodhet në Washington, D.C. Është një nga institucionet më të njohura të arsimit të lartë në SHBA, veçanërisht në fusha si marrëdhëniet ndërkombëtare, diplomacia, politika publike, ekonomia dhe drejtësia. Shpesh, kur thuhet “nga Georgetown”, nënkuptohet një qendër kërkimore ose akademike që është pjesë e këtij universiteti, si për shembull: Georgetown Center for Security Studies Georgetown Institute for Women, Peace and Security, Georgetown Center for Democracy and Civil Society, etj.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.