Kujtim që flet – Një bijë, një libër, një jetë

0
Vlora Mehani-Hasimi - Bijë e tij

Zymer Mehani

Libri përkujtimor, me titullin “bijë e tij – grua e jetës”, është një testament i gjallë dhe i thellë i forcës, dhimbjes dhe dashurisë, shkruar me shpirt nga Vlora Mehanja-Hasimi, mbesa ime e dashur dhe autore e këtij rrëfimi prekës. Përmes fjalëve të saj, Vlora na fton të ndiejmë ngrohtësinë e kujtimeve të një vajze që u rrit dhe u formësua nën hijen e babait të saj të ndjerë, Sherif Mehanja, si dhe në përqafimin e familjes.

Për mua, si redaktor dhe pjesë e kësaj historie të familjes sonë, Vlora ka qenë gjithmonë më shumë se një mbesë. Ajo ishte fëmija i parë në familjen tonë, që unë pata fatin ta mbaja në krahë, ta kapja për duarsh në hapat e parë të fëmijërisë, kur vërtet përjetoja gëzim të jashtëzakonshëm, teksa e shikoja si ecte, si mësonte, si lulëzonte. Më vonë, pata edhe fatin ta kisha nxënëse në shkollën fillore dhe të mesme të ulët në fshatin Tërrnavë, ku ajo shkëlqeu si një ndër më të mirat, me punën dhe zemrën që i kushtoi çdo ditë mësimit dhe përkushtimit.

Vlora nuk është vetëm një autore, por një grua e formuar nga dhimbja, dashuria dhe kujtimet, një krijuese e një monumenti të gjallë për babanë e saj dhe vëllanë tonë të ndjerë, Sherif Mehanja. Ky libër është një homazh i thellë dhe i sinqertë ndaj atij burri, një rrëfim i dhimbjes që nuk e thyen autoren, por shndërrohet në forcë të pakrahasueshme.

Sherifi, vëllai që ndante me ne edhe frymën, la pas një trashëgimi shpirtërore të pashlyeshme. Në lidhjen tonë të veçantë me të, që ishte më shumë se një marrëdhënie vëllazërore, ruaj kujtimet e ditëve kur ai më mbështeste me fjalët dhe veprimet e tij, me heshtjen e ngrohtë që i jepte kuptim jetës dhe me atë buzëqeshje që ndriçonte edhe në momentet më të errëta.

Në ditët e tij të fundit, ndërsa kërkonte shërim në spital, unë shkrova një poezi që përmbledh atë lidhje të thellë dhe dhimbjen e heshtur që na bashkon edhe sot, kur ai nuk është më mes nesh: (U lind më 26 mars 1965 dhe ndërroi jetë më 28 maj 2019).

ME TIM VËLLA

(Reparti i KA, kati i tretë – Dhoma nr. 3)

Unë e Shqipdoni*
Rrimë krejt të qetë
Ky më thotë
— jam mirë
Unë i them
— jo, jo s’jam lodhur me ty
Edhe pse njëri-tjetrin
Nga pak po e gënjejmë
Jemi vëllezër
U rritëm e u burrëruam bashkë
Gjer tani mes nesh
s‘pat kurrë gënjeshtra
E tani që 15 ditë
Burrëri s’mund të mbaj
Përditë e çdo orë
Po e gënjej vëllanë…

* * *

Ky libër është më shumë se një rrëfim personal; është një ftesë dhe një frymëzim për të gjitha gratë që kanë njohur dhimbjen, por nuk janë ndalur, për të gjithë ne që nderojmë kujtimet dhe vlerat e familjes, por edhe për të kujtuar se dashuria dhe forca e gruas janë shtylla të pandashme të jetës.

Falenderimi dhe mirënjohja ime më e sinqertë shkon për Vlora Mehanja-Hasimin, që me pasion, guxim dhe ndjenjë të thellë, ka ngritur këtë monument për vëllanë tonë dhe babanë e saj, duke na dhënë një dritë të pazëvendësueshme për rrugëtimin e jetës.

Me mall dhe respekt,
Zymer Mehani
Redaktor, botues dhe familjar

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.