PATRIOTI AZIS ÇAMI – ME GUXIM DENONCON POLITIKËN ANTIKOMBËTARE TË PUSHTUESVE ITALIANË DHE TË QEVERISË.

0
Azis Çami

Nga Enver MEMISHAJ

Azis Çami  iu  përgjegj  thirrjes  së  artdheut  në    kohë  shumë kritike  për  fatet  e  popullit  tone. Në ato kohëra ishte trimëri e madhe të ishe shqiptar, por ishte trimëri edhe më e madhe të ishe ushtar dhe major Azis Çami ishte dhe mbeti deri në frymën e fundit ushtar besnik dhe i pathyeshëm i atdheut.

Azis Çami komandant i artilerisë në Luftën e Vlorës, më 1920. Azis Çami (1893-1943) Vjenë 1931.

Azis Çami 81893 1943) i shkruan kryeministrit Mustafa Kruja:

Tani populli është i preokupuar vetëm me mejtimin se ku shkon Atdheu dhe cila është e ardhmja e tij.

“REZERVAT PERSONAL”

Zoti Kryeministër!

Erdha në Korçë dhe pa vonesë u drejtuash në Zyrën e Kuesturës, ku mora në dorëzim detyrën.

Në këtë kohë vija me një mejtim, se do të gjeja diçka delikate në këtë zyrë, diçka sekrete, ose si të them më mirë vija me një mejtim se do gjeja të paktën një zyrë që t’i ngjiste një institucioni shtetëror, me një farë soj dinjiteti e prestigji.

Por fatëkeqësisht gjeta një godinë të thatë, pa kurrëfarë gjallërie dhe në një çrregullim të përsosur.
Nuk m’u desht shumë kohë që të konstatoj se personeli që përbën këtë institucion nuk vlen asgjë.

Agjentët shqiptarë të pazotë, por italianët shumë më të kqinj. Në kohën e kaluar kur ma donte detyra që të inspektoja ose rastësisht të vizitoja nonjë postkomandë të humbur më ndonjë kënd të Shqipërisë ju siguroj se edhe atje kam gjetur një rregull shumë më të mirë e më dinjitoz, rregull që është i domozdoshëm për zyrat e sigurimit publik.

Nga një rregull i tillë edhe unë si shef i atyre postkomandave edhe populli vetë ishin të kënaqur nga veprimi. Sidomos populli, e kishte  mëndjen të mbledhur dhe shpirtin e qetë, sepse jeta, pasuria dhe nderi tij ishte ndër duart e njerëzve të zot, e të ndërgjegjshëm.

Sot populli nuk i ka këto, në të kundërtën është i pasigurtë dhe i çqetësuar.

Qyteti i Korçës, sikur të kishte fatin, që në vend të kësaj të ashtuquajture polici, të kishte një kapter shqiptar me njëzet gjindarm të tillë, nuk do të kishte pse të rronte me një shpirt kaq të trembur dhe me një panik në zemër.Ay do të qe i sigurtë se kapteri shqiptar me zotësin e tij të provuar e të zakonëshme do ja mbronte domozdo jetën, nderin e pasurinë.

Personeli i përbërë prej njëzet e disa vetave të tërë të pavlefshëm, është okupuar gjithnjë me punëra të brendshme të zyrës dhe vetëm tre ose katër agjenta mund të disponohen për sigurimin e patrullave të qytetit.

Tipike është kjo: Marshalli i policisë mban gjithëmonë në shtëpi një agjent që e ruan dhe këtë e mban pranë vetes ditën e natën. Sa për organizatorin është njeri i mirë i sjellshëm por jo për funksionar në polici.

Prandaj duke qëndruar punërat kështu nuk e ka jetën të sigurtë as Prefekti, as Kuestori, as Gjyqtari dhe as populli përgjithësisht.

Në këto kondita në mos më keq është edhe arma e karabinerisë. Katundi të digjet dhe pushka të vlojë në të katër anët, njerzia të vriten, karabinierët e postës nuk dalin jashtë. Dalin vetëm në mëngjes kur del dielli. Karabinierët shqipëtarë janë bërë indiferent sepse shokët e tyre italianë i përbuzin dhe i keqpërdorin.

Mbasi dhamë shpegime të shkurtëra dhe ndofta të pamjaftueshme më sipër, për sa i përket sigurimit publik, le të vijmë tani edhe në ngjarjen e hidhur e të urrejtur të vrasjes së të ndyerit Skënder Çami.

Vrasja e Skënderit ka bërë përshtypje të hidhur e të poshtër në tërë popullin. Provë për këtë ka qenë marrja pjesë në varrimin e tij e tërë popullit pa ndryshim klase e feje.

Për zbulimin e guximtarëve si dhe për hetimet mbi këtë çështje, policia e këtushme nuk ka njerëz që të mund të ngarkohen me një detyrë të tillë. Hetimet i ka filluar karabineria. Unë bëja ç’është e mundur me mënyrat e mia private për ta kjartësuar çështjen. Gjer tani kam ardhur te këto konstatime: vrasjen e ka bërë ndonjë kriminel I  stërvitur ndër krime, me gjak të ftohtë dhe shumë i zoti në përdorimin e armëve.

Vrasja është përgatitur mundësisht prej ndonjë organizate të jashtëme e infiltruar brenda në tokën tonë, duke ardhur në kontakt me elementë turbullonjës. Elementë trubullonjës kanë gjithnjë mundësinë të futen në tokën shqiptare, sepse njerëzit që e ruajnë kufinë janë bërë shok me kondrabandistët shqiptarë e grekë. Nuk i preokupon këta njerës detyra e ruajtjes së tyre por i preokupon vetëm hajdutllëku i pa ngopur.

Një gjë duhet marrë para sysh, vrasja është përgatitur me një rreth tepër të ngushtë. Për ta qitur në shesh kompllotin e organizuar qoftë jashtë, qoftë brenda në tokën tonë, duhen njerës me zotësi policore të jashtëzakonëshme. Këtë zbulim, të zorshëm e bën fakti që populli është krejt indiferent dhe i zëmruar nga Qeveria e tij.

Në qoftë se dikush di gjikafsh këtë nuk e kallzon, sepse nëpunësit e administratës nuk i tregojnë atij asnjëherë politikën e Qeverisë. Përkundrazi disa prej këtyre në kohën e kaluar mundoheshin që Qeverinë ta kompromentonin me veprat e sjelljet e tyre. Këta popullin e keqpërdornin dhe e vidhnin. Tani populli është i preokupuar vetëm me mejtimin se ku shkon Atdheu dhe cila është e ardhmja e tij.

Indiferencën e sidomos zëmërimin e popullit e ka shkakëtuar me teper Zef Kadareja kur qe regjent i Komisariatit të Jashtzakonëshëm. Veprimet e tij kanë  qenë, skandaloze, aq imorale dhe aq në kundërshtim me interest kombëtare sa që duhet të kalojnë shumë kohë që të harrohen. Ky kishte marrëveshje vetëm me njerëz të poshtër anti patriotë dhe hajdutë që vithnin sheshit e spekullonin bashkë me Kadarenë. Patriotët jo vetëm i kishte lënë pas dore por edhe i ndiqte me anën e afijeve dhe me anën e miqve të tij anti kombtarë.

Mbasandej indiferenca është shtuar dhe po shtohet dita ditës nga kjo: Disa kohë më parë pa ardhur në krye të Qeverisë zotria juaj keni mbajtur një fjalim të transmetuar me anë të radjos. Ky fjalim qe dëgjur prej tërë popullit. Thatë atëherë se Shqipëria ishte shtet indipendent dhe me statut që e cakton shprehimisht indipedencën dhe individualitetin e tij. Do të kishte Gjindërmari, Polici e Administratë krejt shqipëtare.

Priti që të shihte këto por nuk i pa. Kur arthtë Zotria Juaj në krye të Qeverisë populli besojë dhe u bind se këto do ti fitonte, por duke mos i parë akoma është gjë e zorshme që të besojë dhe të bindet për to, deri sa të mos shohë fakte dhe vepra. Një herë që këto t’i jepen ka për të parë kushdo se sa bashkëpunëtor i mirë dhe i sinqertë i Qeverisë do të bëhet populli shqipëtar.

Kam pasur bashkëf jalime me persona të njohur dhe në kohërat e kaluara persona prej qytetit të Korçës dhe prej katundeve. Që të tërë më kanë shfaqur një mosbesim sepse presin vepra që të garantojnë indipedencën dhe ekzistencën e Shqipërisë.

Tani Zoti Kryeministër e shoh të arsyeshme që t’ju them se qëndrimi jem – këtu në Kuesturë me të tillë elementa dhe të tillë kondita është i kotë. Në qoftë se Zotria Juaj do të mundeni që të më vini në dispozicion, personel shqipëtar e thjesht shqipëtar atëhere marr përsipër riorganizimin e një policie thjesht shqipëtare, duke marrë përsipër tërë përgjegjësitë ndaj Qeverisë dhe Popullit.

Përndryshe ju lutem të më shkarkoni nga detyra sepse jam i bindur që Qeverisë së Zotrisë tuaj do ti shërbej më mirë si privat se sa si i tillë.

Më shumë do më dëgjohet fjala atëhere se sa tani. Para se të mbaroj vlen t’ju shënoj se në mënyrën e administrimit është bërë një anarshi e plotë. Nuk dihet se kush është superiori

dhe kush është inferiori, kush është përgjegjës dhe kush nuk është përgjegjes. Tërë zyrat përzihen në veprime me njëri tjetërin. Për një veprim përzihet: Fashio, Milicia fashiste, Milicia e Rrugës dhe e Pyjeve, Karabineria, Rojet e Financës, S.I.M. etj. etj. dhe bile edhe njerëz që nuk kanë asnjë cilësi zyrtare intrigojnë brenda veprimeve të këtyre organeve dhe kështu në tërë anët e Shqipërisë jam i sigurtë se në këto mënyra veprohet.

Në lidhje me vrasjen e Skënderit karabineria propozon rreshtimin në masë të njerëzve të pafajshëm dhe që kanë shprehur hidhërimin e tyre për këtë ngjarje.Jemi të mejtimit që të mos rreshtohet askush, por përkundrazi edhe disa që janë marrë nën vrejtje të lirohen. Çështja do

të zbulohet më mirë në heshtje e ngadalësi se sa duke e alarmuar. Kjo do të provokonte jo vetëm hidhërim por do të kishte edhe rezultate të papëlqyera.

Jam i mejtimit që hetimet për vrasjen e Skënderit ti ngarkohen Gjykatës Hetuese të këtushme e cila disponon një zotësi psikologjike dhe ajo do të mundi të zbulojë shumë hollësira, ose të paktën zbulimin do e bëjë shumë më lehtë, duke i vënë në dispozicion një officer gjindërmarije shqipëtar dhe organet e duhura.

Musa Kranjën, neto komunistin, siç e kanë cilësuar disa, e lirova nga burgu, mbasi u sigurova që i përmënduri nuk ka asnjë lidhje me ideollogjinë komuniste dhe për këtë jam garant vetë.

Pranoni ju lutem Zoti Kryeministër nderimet e mia të sinqerta.

Korçë, më 15 mars 1942 – XX –

Aziz Çami

AQSH, F. 149-I, D. 281, f. 1 – 5.

Dokumenti është i daktilografuar në 5 faqe dhe ka këtë shënim: “Marrë nga Kartoteka e Degës së Historisë Ushtarake nr. dokumenti 530”

K O M E N T

Shqetësimi atdhetar i Azis Çamit për fatin e popullit të tij dhe denoncimi i politikës së pushtuesit dhe qeverisë del fare qartë në këtë leter private që ai i bën kryeministrit Mustafa Kruja, por unë dua të theksoj dhe nënvizoj sa më poshtë:

Azis Çami në këtë letër që i dërgon shokut tij të vuajtjeve të mërgimit 15 vjeçar, kryeministrit Kruja, me guxim denoncon politikën antikombëtare të pushtuesve italianë dhe të qeverisë.

Kështu Azis Çami na ka lënë pas një dokument shumë të rëndësishëm jo vetëm për të njohur personalitetin e tij, për të gjykuar mbi personalitetin dhe shërbimet që ai i ka sjellë vendit të tij, por kryesisht ai me kompetencë profesionale analizon plagët e vendit nën pushtimin italian: pa aftësinë e autoriteteve të sigurimit publik për të mbrojtur jetën, pasurinë dhe nderin e shtetasve dhe korrupsionin. Nëpunësit “Nuk i preokupon detyra, por i preokupon vetëm hajdutllëku i pa ngopur”, “Karabinierët shqiptarë janë bërë indifferent sepse shokët e tyre italianë i përbuzin dhe i keqpërdorin”, shkruan Azizi.

Dhe jo vetëm analizon plagët por jep edhe orientime se si mund të dilet nga ky kaos dhe amulli.

Azis Çami flet qartë dhe shprehet kundër politikës antikombëtare të pushtuesve italianë, por edhe të qeverisë së kohës: “populli është krejt indiferent dhe i zëmruar nga Qeveria e tij”.

Si sillen nëpunësit e shtetit dhe autoritetet e sigurimit publik, sipas Azizit?

“Këta popullin e keqpërdornin dhe e vidhnin… Tani populli është i preokupuar vetëm me mejtimin se ku shkon Atdheu dhe cila është e ardhmja e tij…”

Ndërsa përkrahen të korruptuarit “Patriotët jo vetëm i kishte lënë pas dore por edhe i ndiqte me anën e afijeve dhe me anën e miqve të tij antikombtarë”.

Burimi i gjithë të këqijave është politika antikombëtare, prandaj ai denoncon hapur politikën e pushtuesit dhe qeverisë kur thotë:

“Thatë atëherë se Shqipëria ishte shtet indipendent dhe me statut që e cakton shprehimisht indipedencën dhe individualitetin e tij. Do të kishte Gjindërmari, Polici e Administratë krejt shqipëtare. Priti që të shihte këto por nuk i pa…

Kam pasur bashkëkfjalime me persona të njohur dhe në kohërat e kaluara, persona prej qytetit të Korçës dhe prej katundeve. Që të tërë më kanë shfaqur një mosbesim sepse presin vepra që të garantojnë indipedencën dhe ekzistencën e Shqipërisë”.

Në radhë të parë e mbi të gjitha ne kuptojmë shpirtin atdhetar dhe preokupacionin e tij për t’i shërbyer vendit të tij. Ai i shkruan Kryeministrit Mustafa Kruja jo me cilësinë e ofiqeve që mban si kuestor dhe me gradën major, por me cilësinë e një atdhetari me emrin Azis Çami.

Aftësia e lartë e arsyetimit të Azis Çamit dhe vlera e konkluzioneve të tij qëndron në faktin se ai arrin në përfundimin se ai nuk flet e ngre shqetësime për Korçën por “kështu është në tërë anët e Shqipërisë, jam i sigurtë se në këto mënyra veprohet”.

Për Zef Kadarenë Azis Çami shkruan: “Indiferencën e sidomos zëmërimin e popullit e ka shkakëtuar me teper Zef Kadareja kur qe regjent i Komisariatit të Jashtzakonëshëm. Veprimet e tij kanë qenë, skandaloze, aq imorale dhe aq në kundërshtim me interesat kombëtare sa që duhet të kalojnë shumë kohë që të harrohen”.

Dhe si reagoi qeveria për këtë denoncim skandalos?

Më 22 mars 1942, e ngriti në përgjegjësi: “Z. Zef Kadarja emnohet Inspektor i Përgjithshëm pranë Kryesis së Këshillit të Ministrave. Francesco Jacomonf d. v.”

“Fletorja Zyrtare”, Tiranë, nr. 38, dt. 7.4.1942, f. 4

Karakteri dhe ndershmëria e Azis Çamit, nuk mund të pajtohej e nuk mund të pranonte detyrën e kuestorit, në këtë administratë të pa moralëshme, prandaj ai jep dorëheqjen.

Fjala e fundit e Azis Çmit:

“Tani Zoti Kryeministër e shoh të arsyeshme që t’ju them se qëndrimi jem – këtu në Kuesturë me të tillë elementa dhe të tillë kondita është i kotë. Në qoftë se Zotria Juaj do të mundeni që të më vini në dispozicion, personel shqipëtar e thjesht shqipëtar atëhere marr përsipër

riorganizimin e një policie thjesht shqipëtare, duke marrë përsipër tërë përgjegjësitë ndaj Qeverisë dhe Popullit.

Përndryshe ju lutem të më shkarkoni nga detyra sepse jam i bindur që Qeverisë së Zotrisë tuaj do ti shërbej më mirë si privat se sa si i tillë.

Më shumë do më dëgjohet fjala atëhere se sa tani”.

*

Zef Kadarja (Shkodër, 7 janar 1892 – Tiranë, 13 prill 1945) ka qenë nëpunës karriere, anëtar i Komitetit Administrativ të Përkohshëm pas pushtimit italian. Drejtor i Policisë së Sigurimit Botnor (1940-1942). U dënua me pushkatim nga Gjyqi Special i Tiranës dhe u pushkatua në vitin 1945.

Musa Kranja ose Kranji (1905-1951) Ish-oficer i xhandarmërisë, kryesues i revoltës së Fierit, 1935, toger në ushtrisë shqiptare, atdhetar dhe i mirënjohur si aktivist të Balli Kombëtarit në Prespë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.