Ani t`zezat qi i kam mrena se?

0
Sinan Kastrati - Biblioteka kombëtare

Dy anekdota nga thesari i Turjakës së Zatriqit, mbledhur si student më 1976

Vazhdon nga numri i kaluar me titull “Thuj ne ta knojnë edhe ni kângë!“, publikuar më 15 Mars 2024

Pjesa e katërt (4) e Ditarit tim

Net kanë qaja shpi qi pa shkoj unë nuse!

Në Turjakë, deri në fillim të viteve 1970-ta, kur qikat rriteshin e bëheshin për martesë me shkua nuse, me kerr të kuq te burri, 3 ditë para dasmës, të enjteve, familja e dhëndërrit i qonin teshat që ia kishin ble nuses të baba i dhëndërrit dhe bakshishat. Po atë ditë, qika mbyllej e nuk dilte më nga dhoma e saj me e pa askush, as nga familja, përveç qikave, kusherira, mbesa e teze që mblidheshin dhe rrinin me te, tri ditë e tri netë, deri sa ajo shkonte në shtëpinë e burrit.

Qika që bëhej nuse e shkonte te burri, ia lyenin (ngjyrosnin) flokët me kanë. Ia lyenin edhe duart deri në brryla, honjët e duarve e të këmbëve. Ia ngjitnin vathët në vesh, unazat e bylyzykët e arit në duar. Shumica i qonin nuses edhe lira e qystekë të arit. Ato, qikat kundërshtonin dhe kapeshin për dyrek të shtëpisë se gjoja nuk duan të bëhen nuse e ta lënë shtëpinë e babës. Ishte më tepër një formalitet, adet i trashëguar se sa dëshirë e tyre sepse të gjitha qikat dëshirojnë të bëhen nuse, të shkojnë të burri e të martohen. Prej momentiti që i ngjitej kana (boja, ngjyra), qika konsiderohej se ishte nuse, prandaj edhe kante me zë e kundërshtonte. Nëse ndonjë i afërm hynte në dhomën ku ajo ishte, tash nuse, ajo qohej e ia merrte dorën, e merrte në ngrykë dhe kante.

Një qikë, kur ia ngjesin kanën, ajo nuk kante. Shoqet, qikat që ishin mbledhur për te e rrinin gjithë ditën e natën, deri kur ajo shkonte te burri (zakonisht të dielave, ishte Kanagjeqi të shtëpia e qikës e Dita e Dasmës, te dhëndërri), i thonin e iu lutshin që ajo të kan (qaj):

– Kaj! Kaj se është marre mos me kajt. Mendojnë burrat se ti pa gzohesh që po shkon te burri e qikat nuk duhët gëzua që po shkojnë të burri.

E ajo iu thonte:
– Jo tyben se kum njet njet me kajt, net kanë ajo shpi ku unë pa shkoj.

Ani t`zezat qi i kam mrena se?

Kur vinte nusja, nga kerri e zbriste gjyshi, baba i dhëndërrit, axha, mixha, vëllai i madh, daja ose ndonjë plak tjetër, i afërm i dhëndërrit. Kur zbriste nusja nga kerri i nuses që ishte i mbuluar me qilima të kuq e qejz (pajë), nusës ia afronte një plakë një djalë të vogël të mbuluar me një thes, adet që nusja të lind djem.

Ndërsa qikat e gratë e mahallës e të katundit mblidheshin dhe pritnin ta shihnin nuses. Duvakun ia hiqte baba i dhëndërrit. Vajzat e këndonin nusen. Ia shanin nënen e babën por, edhe vëllezërit ia këndonin, sidomos vëllain e vogël që nusja, si qikë e kishte kqyrë e kujdes për te, ia kishte la teshat …kjo ishte e përmallshme për nusen.

Dikush nga gratë besnike ia runte kamt, mos me shkel dasmorët e një një tjetër grue, shumë e afërme dhe besnike shkonte e ruante ”WC-enë” që askush të mos shkoj, sidomos ndonjë grua që dyshohej se është e keqe, që bënë sehir, ngji që nusja të mos bëj fëmijë e të mos ketë jetë të gëzueshme me burrin, jetë të rehatshme.

Një nuses kur ia hoqën duvakin, ajo kishte qenë e zezë. Zakonisht në Turjakë, dëshironin që nuset të jenë të mëdha, të shëndetshme, të bardha, qafën ta kenë të gjatë, sytë e mëdhenj e hunen e drejtë.

Kur qikat e shohin nusën e zezë, me trup të vogë e zeshkane, disa qika që ishin afër asaj thonë me zë, që ta nin edhe nusja:
– Uh sa e zezë tek âsht nusja. Kur nusja i nin shka thanë qilat, flet edhe ajo, për çka nusja nuk duhej të fliste e as ti qilte sytë me pa:
– Ani t`zezat qi i kmm mrena se.

( Vazhdon )

Sinan Kastrati, Suedi
Malmö, 17 mars 2024

sinankastrati09@hotmail.com

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.