VLONJATË MBAJNË ZI PËR DËSHMORIN E SË DREJTËS GJENERAL ENRIKO TELININ

0
217
Vlonjatët protestojnë për vrasjen e Enrico Tellinit, 1923

Nga Enver MEMISHAJ

Enriko Telini
Enriko Telini

Në vitin 1923, për caktimin e kufijve të Shqipërisë, Fuqitë e Mëdha, kishin dërguar në vendin tonë komisione ndërkombëtare. Komisioni që do të caktonte kufirin me Greqinë kryesohej nga gjenerali italian Enriko Telini (1871 – 1923), i cili në kundërshtim me kërkesat, dredhitë dhe pabesitë greke, gjykonte të caktonte kufirin me drejtësi.

Për këtë arsye qeveria greke kreu një krim të neveritshëm, vrau në pritë gjeneralin dhe ekipin që e shoqëronte dhe u mundua që krimin t’ua ngarkonte shqiptarve.

Qarkkomandanti i Xhandarmërisë në Gjirokastër major Ahmet Lepenica dhe prefekti Kol Tromara vepruan energjikisht, me aftësi e kompetencë profesionale për denoncimin e krimit.

Benito Musolini i kërkoi dëmshpërblim qeverisë greke e cila refuzoi dhe ushtria italiane pushtoi Korfuzin, pas kësaj qeveia greke pranoi kushtet e vëna nga qeveria italiane.

Vrasja e pabesë e gjeneral Telinit u denoncua nga autoritetet shqiptare, Telini u cilësua si dëshmor i së drejtës dhe të vërtetës dhe u nderua në të gjitha qytetet shqiptare.

Bashkia e Vlorës në shenjë zie dhe nderimi për gjeneral Enriko Telinin më 2 shtator 1923, shpalli një program manifestimi që do të realizohej më 3 shtator. Më poshtë dokumentet e këtij manifestimi:


 “Shqiptarë!

Akti tragjik që u zhvillua nga dora asasine në tokën greke, shkakton një zi, në të cilën, pjesa më e madhe i takon kombit shqiptar për të drejtat e të cilit gjeneral Telini me shokët e vet  dhanë veten therorë.

Komisioni organizator i këtij manifstimi, duke interpretuar ndjenjat plot simpati të popullit vlonjat mbi ngjarjen tragjike, i drejtohet popullit fisnik  të marrë pjesë në manifestacionin në bazë të programit që pason:

PROGRAMI

I.Ora më 10 para dreke, ditën 3 shtator, do të mblidhet gjindja pranë bashkisë.

II.Ora më 10 e 30 që andej gjindja e shoqëruar nga komisioni organizator do të vejë pranë konsullatës italiane, ku do të mbahet një fjalë zie nga kryetari i bashkisë.

III.Ora 14 gjindja do të shkojë në kishën katolike ku do të mbahet një Te Deum  për shpirtërat e gjeneral Telinit dhe të shokëve të tia.

IV.Në shkuarjen e gjindjes flamurët e dyqaneve do të ngjiten në shenjë zie. Kjo do të vazhdojë gjersa të marrë fund manifestacioni .

V.Pasi të mbarojë Te Deum – i gjindja nuk do të përndahet por së bashku do të qëndroi përpara bashkisë, ku do të aprovojë telegramet për ngushëllim që do të hiqen fëmive së dëshmorëve dhe qeverisë italiane, me anë të qeverisë sonë.

VI.Pas kësaj gjindja do të përndahet dhe dyqanet do të heqën shenjat e zisë nga flamurët.

Vlorë, 2 shtator 1923                                        Komisioni Organizator”

 “Te Deum”, himn i krishterë, i shkruar në prozë, ndoshta nga Shën Niketa, ilir, është kënga e ditës së fundit të vitit. Në Kishën katolike ‘Te Deum’ lidhet me kremtimet e falënderimit. Sipas traditës, këndohet mbrëmjen e 31 dhjetorit, si falënderim kushtuar Zotit për vitin, që numëron orët e fundit. Këndohet edhe në Kapelën Sikstine, kur zgjidhet papa, në përfundim të ndonjë Koncili e në raste të tjera të kësaj natyre.


Fjala e kryetarit të bashkisë z. Qazim Kokoshi përpara konsullatës italiane.

Zoti Konsull!

Pjesëmarrës i një detyre të hidhur, por të shenjtë, vi përpara Zotris tuaj të trasmentoj ndjenjat e mallëngjyera plot simpati dhe hidhërim, që ndien populli shqiptar dhe veçanërisht populli vlonjat, mbi masakrën e tmerruar të bëra nga duar asasine mbi tokën greke kundra gjeneral Telinit dhe shokëve të tia.

Nuk është e para herë që populli dhe qeveria italiane të inspiruara nga principet e nalta të Mazinit përfaqësuan në atdheun tonë me sakrificë dorën mbrojtëse për të drejtat shqiptare.

Po ajo që do të mbetet e pa harruar, brez pas brezi, në zemrën e kombit shqiptar dhe do të jetë një monumet i pa vdekur në historinë e tij, është e gjeneral Telinit dhe shokët e tij.

Tip idealisti, i disiplinës ushtarake, mbrojtës fanatik i të drejtave njerëzore, i pa tundur në principet e nalta që e karakterizojnë ju përball, me dije të rrezikut që e qarkonte ra dëshmor atje si një Vip tej kufijve shqiptarë, duke fituar kurorën e pa vdekur të martirit, si të kombit që e lindi, po më tepër të kombit shqiptar, në gjirin dhe për të drejtat e të cilit martirizohej.

Trasmetoni z. Konsull mallëngjimin që qarkon zemrat e popullit vlonjat. Ju lutem i paraqitni popullit fisnik italian hidhërimin, admirimin dhe mirënjohjen tonë, në të cilat kufizohemi sot si të vegjël e të pa fuqishëm.

Asasine- fjalë siriane, vrasës për qëllime politike.

Mazini – Giuseppe Mazzini (1805 – 1872) gazetar dhe aktivist për bashkimin e Italisë dhe kryetar i lëvizjes revolucionare italiane. Përpjekjet e tij ndihmuan në krijimin e Italisë së pavarur dhe të bashkuar.


Vip – burrë

PROKLAMATË

Bashkëatdhetarë!

Sot është dita e festimit të kryevitit, në të cilin Vlorë, ka marrë lirimin e vet.

Kjo ditë fatbardhë që na kujton çfaqjen më të çkëlqyer të ndjenjave kombëtare, me të cilat Vlora lartësoi veten për jetë. Mjerisht këtë vit na u mbush me zinë e vrasjes së tmerrëshme që gjau.

Një dorë barbare e shtytur nga një shpirt pa ndërgjegjie njerëzore dhe pa kuptim drejtësie, vrau me një mënyrë të poshtër gjeneral Telinin me shokë, delegacioni italian pranë komisionit ndërkombëtar të caktimit të kufirit tonë.

Populli i Vlorës, duke u ndodhur në hidhërim të madh për këtë vrasje tragjike të delegacionit italian që ra theror për parimet e drejtësisë në shërbim të çështjes tonë, për shenjë zie, mirënjohje  e respekti për kujtim të këtyre dëshmorve festën e lirimit të Vlorës e kufizon vetëm me mbylljen e stolisjen e dyqaneve me flamurë.

Këshilli i bashkisë duke iu konfirmuar dëshirave të popullit të çfaqur në këto ditët e ngjarjes bën këtë proklamatë.

Vlorë, 3 shtator 1923                Kryetari i bashkisë Vlorë  Q. Kokoshi


Në përfundim të ceremonisë, më 3 shtator 1923, kryetari i bashkisë së Vlorës Qazim Kokoshi i bën këtë telegram Ministrisë së Punëve të Brendshme: “Popullii Vlorës i hidhëruar për vdekjen tragjike të gjeneral Telinit me shokë, sot i mbledhur në demonstratë protestimi kundër shtytasve dhe autorve të kësaj vrasje barbare, çfaqi hidhërimin e vetë pranë konsullatës italiane dhe u dërgoi fëmijve të martirëve një telegraf ngushëllimi.

Veçanërisht ngarkoi të nënshkruarin t’i lutet Shkëlqesisë Tuaj të kini mirësinë t’i trasmetoni qeverisë italiane ngushëllimet e popullit. Populli i i mbledhur për qëllimin e përmëndur shkoi në kishën katolike për një tedeum, ku muarën pjesë konsulli dhe nënshtetasit italianë. Populli i Vlorës duke u pikëlluar me të vërtetë për ngjarjen tragjike, vendosi kufizimin e festës, vetëm me ngritjen e flamurëve dhe provoi edhe një herë, që përpara interesave të nalta të Atdheut  i sakrifikon ndjenjat gazmore, të kryevitit të lirimit të tij, i cili i ka kostuar gjak të shenjtë. Kryetari i bashkisë Qazim Kokoshi”

Edhe në kishën katolike të Tiranës, në kishën ortodokse dhe në xhami u kryen gjithashtu shërbesa fetare për shpirtin e të ndjerëve të komisionit të caktimit të kufijve të vrarë nga grekët.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.