Memorialistikë
Vitet 1998 dhe 1999 mbeten ndër periudhat më të rënda në historinë e popullit shqiptar të Kosovës. Ishin vite të mbushura me ankth, dhunë, vrasje, burgosje, dhunime, masakra, dëbime dhe shkatërrime.

Mijëra njerëz u vranë, u plagosën ose u detyruan të largoheshin nga shtëpitë dhe trojet e tyre. Toka u mbulua me gjak, ndërsa frika dhe dhimbja u bënë pjesë e jetës së përditshme.
Shkoi viti 1998 me mijëra e mijëra varre dhe plagë në trup. Toka u ul në gjak. Makineria e dhunës ishte tërbuar: vriste, gjymtonte, dhunonte, dëbonte dhe rrënonte gjithçka që gjente përpara.
Fshatra të tëra u dogjën, familje të tëra u shuan dhe mijëra njerëz mbetën pa strehë.
Në të njëjtën kohë, të verbrit dhe të shurdhrit e kancelarive evropiane vazhdonin me avazin e vjetër. Bënin sehir, sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Reagimet ishin të vonuara dhe të pamjaftueshme, ndërsa tragjedia e popullsisë shqiptare thellohej çdo ditë.

Edhe viti 1999 filloi me gjëmë e me lumenj gjaku. Numri i viktimave rritej vazhdimisht. Ishte e pamundur të numëroheshin të gjitha kufomat dhe, në shumë vende, mungonin edhe njerëzit që do t’ua hapnin varret. Tmerri dhe llahtaria vazhdonin.
Njerëzit vriteshin, dhunoheshin dhe masakroheshin, ndërsa autorët e krimeve përpiqeshin t’ua humbnin gjurmët viktimave, duke i hedhur trupat e tyre në humnera, liqene e përrenj ose duke i transportuar larg vendeve ku ishin kryer krimet.
Në anën tjetër vazhdonte eksodi biblik i popullsisë shqiptare. Kolona të pafundme njerëzish detyroheshin të braktisnin shtëpitë e tyre. Kudo kishte të pastrehë, të uritur, të plagosur dhe të rraskapitur nga dhuna dhe rrugëtimi i gjatë.
Familjet ndaheshin, fëmijët humbnin prindërit, ndërsa të moshuarit vdisnin përgjatë rrugëve të dëbimit.

Kur errësira dukej se kishte mbuluar gjithçka dhe makineria e spastrimit etnik vazhdonte rrugën e saj shkatërrimtare, përtej Atlantikut erdhi drita e lirisë.
Udhëheqja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e mbështetur nga aleatët e NATO-s, ndali dorën vrastare të regjimit të Sllobodan Millosheviçit, shpëtoi një popull nga shfarosja dhe i hapi Kosovës rrugën e lirisë.

Ky nuk ishte vetëm një intervenim ushtarak; ishte triumfi i ndërgjegjes njerëzore mbi krimin, i qytetërimit mbi barbarinë dhe i shpresës mbi dëshpërimin. Populli i Kosovës do ta ruajë përherë me mirënjohje kujtimin e këtij akti historik, që i dha fund një tragjedie dhe i mundësoi kthimin në vatrat e veta.
Krimet e kryera në Kosovë nuk ishin vetëm një tragjedi e një populli, por edhe një njollë e rëndë mbi ndërgjegjen e Evropës. Heshtja dhe reagimet e vonuara të bashkësisë ndërkombëtare nuk arritën ta ndalnin me kohë makinerinë e vrasjes, e cila për muaj të tërë mbolli terror, shkatërrim dhe vdekje.
Edhe sot, pas gjithë këtyre krimeve, në Beograd vazhdojnë të dëgjohen zëra që e arsyetojnë ose e relativizojnë politikën e spastrimit etnik të regjimit të atëhershëm.
Vetëm pak ditë më parë, ministrja serbe Snezhana Paunoviç deklaroi se, po të kishte qenë në vendin e Sllobodan Millosheviçit në vitin 1998, do ta kishte “pastruar etnikisht” Kosovën.
Kjo deklaratë nuk përbën vetëm një fyerje ndaj shqiptarëve të Kosovës, por edhe një arsyetim të hapur të dëbimit të dhunshëm, të përndjekjes dhe të krimeve kundër njerëzimit.
Në vend që një gjuhë e tillë të dënohej pa mëdyshje, Ivica Daçiq doli në mbrojtje të saj, duke i cilësuar kritikat ndaj ministres si të padrejta dhe hipokrite. Kjo dëshmon se retorika që frymëzoi krimet e viteve 1998–1999 nuk i përket vetëm së kaluarës.
Ajo vazhdon të shfaqet edhe sot në jetën politike serbe, e veshur me petkun e nacionalizmit dhe të mohimit të së vërtetës.
Prandaj, kujtesa historike nuk është hakmarrje, por detyrim moral. Viktimat duhet të kujtohen me dinjitet, krimet duhet të dokumentohen me përgjegjësi, ndërsa mohimi dhe relativizimi i tyre duhet të kundërshtohen me të vërtetën. Popujt ndërtojnë paqen vetëm kur kanë guximin të përballen me të kaluarën e tyre.
Historia ka dëshmuar se askush nuk mund t’i shpëtojë përgjithmonë përgjegjësisë për krimet e kryera. Drejtësia mund të vonojë, por ajo nuk shuhet. Dhe, siç e thotë një thënie popullore: “Mos i nxirrni punë hyjneshës në fron”, sepse ajo, herët a vonë, ua tregon vendin atyre që përpiqen të ndërtojnë pushtetin mbi gjakun, vuajtjen dhe fatkeqësinë e njerëzve të pafajshëm.
Ka borxhe që nuk shlyhen kurrë. Njëri prej tyre është borxhi ynë ndaj djemve dhe vajzave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ata pa e lëkundur qerpikun ia falën rininë, gjakun dhe jetën lirisë së atdheut. Emrat e tyre jetojnë në kujtesën e kombit dhe në historinë e Kosovës së lirë.
Arif Ejupi
Gjenevë, më 18 korrik 2026











