RUDI BERISHA, “DHIMBJA E RRUGËS”

0
220
Rudi Berisha - Dhimbja e rrugës

Zymer Mehani

Poeti Rudi Berisha këtyre ditëve, lexuesve të tij të shumtë ua dhuroi edhe një përmbledhje të bukur poetike, “DHIMBJA E RRUGËS”.

Autori këtë përmbledhje e ka strukturuar duke e ndarë në katër cikle, të cilat kanë një lidhshmëri shumë të natyrshme midis tyre. Ai e hap këtë vëllim me prozën poetike “Pse kjo heshtje?!!!”, me një vetërrëfim artistik që shpreh ngjyrat dhe të fshehtat e fatit të njeriut;  pastaj shfaqet simboli i dheut me madhështinë, peshën, rëndësinë dhe të kaluarën historike përplot luftëra çlirimtare kundër sundimtarëve të huaj. Ky është trualli shqiptar, toka, dheu dhe atdheu ynë, në të cilin dhe për të cilin duhet edhe të vdesë çdo shqiptar i vërtetë.

Më tutje, autori, Rudi Berisha, në prozën “Atdheu shkruan në letër të zbritur nga qielli, me shkronja të arit, me ngjyrën e gjakut të dëshmorit. Ju lutem mos shkoni, mos braktisni Folenë e Shqiponjës!” u drejtohet të gjithë bashkëkombësve me një lutje të vetme, që të mos e braktisin vendlindjen, në të cilën u lindën dhe u rritën, ku u gëzuan dhe u dëshpëruan, ku u ngritën dhe ranë heronjtë dhe dëshmorët për këtë Fole të Shqipeve, siç e quan atdheun vetë poeti. Autori i lutë dhe njëkohësisht i këshillon bashkëkombësit e tij që të mos ikin nga trualli i tyre  amtar.

– Mos ikni! Mos shkoni!-, Janë kërkesat e autorit për bashkëqytetarët e tij.
Ata poeti do t’i pyesë:
– Ku po shkoni?! Por pa pritur përgjigje, sepse ajo dihet mirëfilli.

Cikli i parë i këtij vëllimi  është i ndërtuar në një dimension të gjerë, ku poeti përshkruan një ikje të qytetarit shqiptar nga dheu i vet, që kapërcen kufijtë e truallit shqiptar duke u vendosur në mjedise të huaja të Evropës plot shpresa përrallore, por  edhe duke përjetuar mashtrime dhe zhgënjime të njëpasnjëshme. Në këtë rrjedhë, me kalim të kohës mposhtet iluzioni fatal i qytetarit hallemadh me dhembje e vuajtje duke e shikuar një realitet të hidhur dhe një tundim paradoksal, që përjetohet prej burrash e grash shqiptare, prej familjesh të shumta, që morën udhët e paadresë, duke kërkuar një jetë më të mirë, për të cilën iu folën sekserët, matrapazët, por edhe aty-këtu ndonjë pushtetar i pandërgjegjshëm.

Poeti u premton bashkëkombësve të tij se “Shqipërinë do ta bëjmë vërtet Një Shqipëri!” Prandaj, ai tërheq vërejtjen se nuk duhet vajtur rrugëve të ikjes “që nuk të falin dritë!”. Kudo në këto poezi kemi motivin e atdhedashurisë dhe atë të kurbetit (të ikjes, largimit,).

Tejet të bukura në këtë cikël janë edhe poezitë “Është një e vërtetë që duhet besuar”, “Në dritën e atdheut duhet kërkuar”,”Mos gjykoni nga karriget mbretërore” etj.

Edhe te cikli i dytë i kësaj përmbledhjeje, Rudi Berisha porosit “Trupin tim në arkivol ma sillni në Shqipëri. Në këtë dhe dua të më pushojë trupi pas vdekjes!” D.m.th., edhe në poezitë e këtij cikli porosia është e qartë se “Në shtratin e huaj nuk dua kurrë të vdes|Dua ta kem varrin atje në tokën e Ilirisë!”

Të thurura mjaft bukur janë edhe poezitë e tjera të këtij cikli “Larg mëmëdheut tim-Shqipërisë”, “Këtu nuk dua të më varrosni”, “Trupin tim dua ta kem në atdhe”, Atje larg kam kasollen e vjetër” dhe shumë të tjera, secila më e bukur se tjetra.

Ciklin e tretë autori e fillon me moton e tij “Dashurinë ma prangosnin armiqtë nëpër histori| Dituria më këput prangat e armikut për Shqipëri”. Në poezitë e këtij  cikli poeti i porosit bashkëkombësit e tij se “iku koha e lotit për popullin shqiptar”dhe se tani kanë ardhë kohë të tjera dhe se historia po i shkruan dhimbjet tona. Prandaj edhe këtu porosia del e qartë që të mos rendim nëpër “kohë të vrara, por të themi fjalë lavdie për këtë truall të luftëtarëve të lirisë”.

Poezitë e tjera të këtij cikli janë edhe “Një puthje dua për Shqipëri”,”Në llambën me vajguri ndriçoj vargjet për ty”, “Shqipëri, je dritë e syrit për mua” dhe shumë të tjera, në të cilat mbizotëron motivi i atdhedashurisë.

Cikli i katërt dhe i fundit i kësaj përmbledhjeje poetike të Rudi Berishës nis me moton “Dhimbjet e së kaluarës kurrë mos i harroni! |Por të kaluarën vendoseni para së ardhmes!” Është ky një mesazh mjaft i qëlluar i poetit Berisha, sepse historia na mëson që saherë e kemi harruar të kaluarën, ajo pamëshirshëm na është përsëritur.

Ndër poezitë e këtij cikli po përmendim edhe “I mbyllur në portën e harresës”, “Niset hija në mes të vdekjes”, “Lulëzon lulja në kohë pranvere”, ”Rrugë, mos më gjyko nesër që ika përmes teje” e poezi të tjera.

Poezi të tilla, si “Jam njeri pa adresë, këtu në mërgim”, ”Si t’ia kthej shpinën nënës dhe të ik”, ”Në udhët që nuk të shpien askund” etj, janë sukses i madh, jo vetëm për poetin Rudi Berisha, por edhe për gjithë poezinë tonë të sotme shqipe.

Autori Rudi Berisha, në vëllimin poetik “DHIMBJA E RRUGËS”, siç u pa, përmes vargjeve të tij ka rrahur një temë mjaft origjinale, siç është ikja masovike e bashkëkombësve tanë nëpër vende të ndryshme të Evropës dhe më larg. Poeti me sy kritikë e ka parë këtë problem thellësisht me dyshimin se edhe matrapazë e pushtetarë tanë të pandërgjegjshëm i kontribuuan kësaj ikjeje të dhimbshme.

Rudi Berisha, duke përmendur edhe shumë vlera të shqiptarit, siç janë besa, mikpritja, trimëria, lidhja për truallin amtar etj, dëshiron t’i nxisë bashkëkombësit e vet që ta shtojnë edhe më shumë atdhedashurinë. Ai, në poezitë e tij shpreh idenë se dheu (Atdheu) duhet, vetëm duke qëndruar dhe punuar në të dhe për të, e kurrësesi duke ia kthyer shpinën dhe duke e braktisur. Pra, poeti porosit se këtu në këtë dhe, duke bërë një jetë të thjeshtë, por të ndershme, të gjithë ne duhet të jetojmë dhe veprojmë, sepse ky është trualli ynë dhe se askund nuk mund ta gjejmë ngrohtësinë sikur në Atdheun Shqiptar.

Me popullin tonë, me dheun shqiptar ne na lidh historia jonë, ashtu siç na lidhi lufta e gjatë shumëshekullore për liri kundër armiqve të njëpasnjëshëm; na lidh gjaku i dredhur i dëshmorëve dhe i martirëve të kësaj toke të bekuar, që pranverat e jetës i falën për të, për ëndrrën shekullore të popullit tonë-lirinë.

Ikja e qytetarit shqiptar nga dheu i tij, poetit ia ngushton frymëmarrjen dhe e bën që ta ndjejë edhe më shumë dëshpërimin për fatin e bashkëkombësve të tij, që braktisën vatrat e tyre, të cilët bredhin edhe sot pa cak nëpër rrugët e Evropës për të kërkuar një jetë më të mirë.

– Po ku mund të gjesh jetë më të mirë se në atdhe?!

Prandaj, ajo që e frymëzoi poetin Rudi Berisha për t’i thurur poezitë e këtij vëllimi   është vetë shpirti i trazuar i qytetarit shqiptar, burim, ku poeti zbulon edhe mashtrimin që këtyre bashkëkombësve iu është bërë, prandaj edhe e ndien veten sa s’ka më të dëshpëruar për një padrejtësi kësofare.

Ky vëllim është ndërtuar si një bisedë e shkurtër, e ngrohtë dhe e sinqert e njerëzore mes poetit, dheut (Atdheut) dhe bashkëkombësve të tij.

Kjo përmbledhje tingëllon vetëm shqip, sepse në vargjet e saj janë mishëruar nga poeti tiparet më të larta të popullit tonë, bashkë me dashurinë për truallin amtar, me një dëshirë të vetme, që më në fund, njëherë e përgjithmonë shqiptarët ta bëjnë edhe Ribashkimin e Shqipërisë.

Përmbledhjes ia shtojnë vlerën gjuha e pastër shqipe, metrat e ndryshëm të vargut dhe figurat e ndryshme letrare, që poeti i ka përdorur me shumë sukses. Gjuha këtu është e kuptueshme dhe komunikuese, që përmbledhjes i jep freski dhe gjallëri.

Poezia e Rudi Berishës është e thjeshtë, plot lirizëm dhe ngrohtësi, por nganjëherë edhe rebele, si pasojë e frymëzimit prej veprash dhe vesesh të liga, sidomos të disa prej pushtetarëve tanë të pandërgjegjshëm.

Dhe krejt në fund, poetit Rudi Berisha i urojmë edhe krijime të tjera, kaq të bukura, në të cilat vërehet pjekuria ideo-artistike, duke fituar vargu i tij forcë dhe thellësi më të madhe, e pasuruar me laryshi motivesh.

E ty, i nderuar lexues, të uroj lexim të këndshëm!

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.