32.4 C
Tirana
E enjte, 9 Korrik 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj Pullat e taksës shqiptare dhe kontributi i Mirgen Shamllit në studimin e...

Pullat e taksës shqiptare dhe kontributi i Mirgen Shamllit në studimin e tyre

0
Mirgen Shamlli

Në foto koleksionisti i shquar korcar Mirgen Shamlli

Besnik Fishta Besnik Fishta

Në historinë e filatelisë shqiptare, vëmendja e studiuesve është përqendruar kryesisht te pullat postare, ndërsa një fushë po aq e rëndësishme, filatelia fiskale, ka mbetur për një kohë të gjatë jashtë vëmendjes së merituar. Megjithëse pullat e taksës janë pjesë e historisë së administratës, të financave publike dhe të shtetformimit shqiptar, ato janë studiuar shumë pak dhe kanë munguar botimet e plota që t’i trajtojnë në mënyrë sistematike. Ky boshllëk është plotësuar në mënyrë të ndjeshme nga koleksionisti dhe studiuesi korçar Mirgen Shamlli, i cili, pas një pune shumëvjeçare kërkimore, ka botuar dy vepra me rëndësi të veçantë: “Pullat e taksës në Shqipëri 1921–2021” dhe “Pullat e taksës në Korçë 1917–1921”.

Këto nuk janë thjesht katalogë filatelikë, por studime dokumentare që për herë të parë sistemojnë, klasifikojnë dhe interpretojnë një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë fiskale shqiptare, të mbështetur në dokumente arkivore, materiale origjinale dhe koleksione të specializuara. Veçantia e këtyre botimeve qëndron jo vetëm në pasurinë e informacionit që ofrojnë, por edhe në karakterin e tyre pionier. Ato krijojnë një bazë të re për studimin e filatelisë fiskale shqiptare dhe njëherazi ofrojnë një burim me interes për koleksionistët, historianët, arkivistët shqipetar dhe te huaj,dhe të gjithë ata që dëshirojnë të njohin më mirë historinë institucionale të shtetit shqiptar. Në faqet që vijojnë do të analizohen veçmas këto dy vepra, duke evidentuar metodologjinë e autorit, vlerat dokumentare dhe kontributin e tyre në pasurimin e literaturës filatelike dhe historiografisë shqiptare.


Libri “Pullat e taksës në Shqipëri 1921–2021” katalogu i parë i plotë i filatelisë fiskale shqiptare

Pullat e taksës kanë ecur gjithmonë paralelisht me pullat postare, duke përbërë një element të rëndësishëm të historisë administrative dhe fiskale të shtetit shqiptar. Nëse pulla postare garantonte kryerjen e shërbimit postar, pulla e taksës vërtetonte pagesën e detyrimeve ligjore dhe administrative. Për dekada me radhë ato u përdorën në dokumente të ndryshme zyrtare, si brenda ashtu edhe jashtë territorit shqiptar, duke u bërë pjesë e pandashme e jetës institucionale të vendit. Përtej funksionit të tyre praktik, pullat e taksës përfaqësojnë një dëshmi të rëndësishme të sovranitetit shtetëror. Nëpërmjet simboleve kombëtare, stemave, mbishkrimeve dhe elementeve grafike, ato shprehin identitetin e shtetit, autoritetin e ligjit dhe organizimin e administratës publike. Në këtë kuptim, ato nuk janë vetëm objekte filatelike, por edhe dokumente historike që pasqyrojnë zhvillimin institucional të Shqipërisë gjatë një shekulli.

Që në parathënien e librit, autori Mirgen Shamlli evidenton mungesën e literaturës së specializuar mbi këtë fushë, duke theksuar: “Mungesa e materialit më të plotë rreth këtyre pullave ka qenë gjithmonë një mangësi në këtë fushë koleksionimi ose klasë koleksionimi. Duke plotësuar dhe paraqitur me anë të këtij katalogu pothuajse të gjitha pullat e taksës që janë përdorur në Shqipëri gjatë periudhës 1921–2021, jam munduar të qartësoj e të jap sa më të plotë imazhin dhe historinë e pullës së taksës në Shqipëri.”

Ky pohim shpjegon qartë motivimin që ka udhëhequr autorin gjatë hartimit të veprës. Qëllimi nuk ka qenë vetëm katalogimi i materialit ekzistues, por krijimi i një reference të besueshme që të shërbejë si bazë për studiuesit, koleksionistët dhe të gjithë të interesuarit për filatelinë fiskale shqiptare. Njëkohësisht, Shamlli tregon një ndershmëri të admirueshme shkencore kur pranon se kërkimi mbetet një proces i hapur. Ai shkruan: “Sigurisht që ka edhe mungesa në emisione të caktuara, të cilat me kohë do ta plotësojnë këtë mozaik elegant e të natyrshëm.”

Ky qëndrim dëshmon se autori nuk pretendon ta konsiderojë punën e tij si përfundimtare, por si një bazë të fortë mbi të cilën mund të ndërtohen kërkime të mëtejshme. Pikërisht kjo qasje e bën katalogun jo vetëm një vepër referimi, por edhe një nxitje për zhvillimin e studimeve të ardhshme në këtë fushë.

Botimi “Pullat e taksës në Shqipëri 1921–2021” përfaqëson deri më sot studimin dhe katalogun më të plotë kushtuar pullave fiskale shqiptare. Ai mbulon një periudhë prej një shekulli, duke filluar me emetimin e parë të dhjetorit 1921, një emision me karakter tërësisht shqiptar në konceptimin grafik dhe simbolik, dhe duke vijuar deri te emetimet më të fundit të shekullit XXI. Gjatë kësaj periudhe pasqyrohet evolucioni i vazhdueshëm i pullave të taksës, të cilat ndryshojnë në dizajn, ngjyra, dhëmbëzim, përmasa dhe vlera nominale, duke reflektuar zhvillimet administrative, monetare dhe institucionale të shtetit shqiptar.

Edhe pse libri është konceptuar në formën e një katalogu shkencor, përmbajtja e tij tejkalon ndjeshëm kufijtë e një regjistri teknik. Për secilin emetim jepen me përpikëri karakteristikat filatelike, si përmasat, dhëmbëzimi, ngjyrat, vlera nominale dhe elemente të tjera identifikuese. Këto të dhëna krijojnë një bazë të qëndrueshme për klasifikimin, identifikimin dhe studimin e pullave, duke e bërë veprën një instrument pune të domosdoshëm për koleksionistët dhe studiuesit.

Një nga arritjet më të rëndësishme të autorit është sistemimi kronologjik i 155 emetimeve, të cilat përfshijnë 1032 pulla të ndryshme. Pas këtij rezultati qëndron një punë shumëvjeçare kërkimore, e mbështetur në analizën e koleksioneve, dokumenteve dhe burimeve të ndryshme, si dhe në krahasimin e varianteve të njohura të secilit emetim. Ky dokumentim përbën për herë të parë një inventar pothuajse të plotë të pullave të taksës shqiptare.

Vlera e veprës shtohet më tej nga përfshirja e qindra ilustrimeve me cilësi të lartë, të shoqëruara me dhjetëra dokumente origjinale ku këto pulla janë përdorur. Këto materiale nuk shërbejnë vetëm për identifikimin filatelik, por edhe si dëshmi autentike të funksionimit të administratës shqiptare në periudha të ndryshme historike. Përmes tyre lexuesi mund të ndjekë përdorimin real të pullave të taksës në jetën juridike, ekonomike dhe institucionale të vendit. Rëndësia e këtij botimi qëndron edhe në faktin se ai ndërthur filatelinë me historinë. Pullat e taksës nuk paraqiten si objekte të veçuara koleksionimi, por si pjesë e mekanizmit administrativ të shtetit shqiptar, duke pasqyruar evolucionin e institucioneve, të sistemit fiskal dhe të legjislacionit gjatë njëqind viteve.

Mund të thuhet me bindje se kjo është hera e parë në historiografinë filatelike shqiptare që pullat e taksës trajtohen në mënyrë kaq të plotë, sistematike dhe të dokumentuar. Për këtë arsye, vepra e Mirgen Shamllit përbën një pikë referimi të domosdoshme për çdo studiues të filatelisë fiskale shqiptare dhe një kontribut me vlerë të qëndrueshme për historinë e administratës dhe të financave publike në Shqipëri. Në themel të kësaj pune qëndron pasioni i autorit për pullën e taksës dhe për dokumentacionin historik që e shoqëron atë.

Duke konstatuar mungesën e studimeve dhe të referencave të plota në këtë fushë, Mirgen Shamlli ka ndërmarrë një punë kërkimore të gjatë dhe të përkushtuar, me synimin për të ndriçuar një segment të rëndësishëm, por të lënë në harresë, të trashëgimisë filatelike shqiptare. Pikërisht ky përkushtim e shndërron veprën e tij nga një katalog i thjeshtë në një kontribut të mirëfilltë shkencor, i cili do të mbetet një referencë e rëndësishme për studiuesit dhe koleksionistët edhe në të ardhmen.


Libri “Pullat e taksës në Korçë 1917–1921” – një kontribut themelor për historinë fiskale dhe filatelike shqiptare

Nëse botimi “Pullat e taksës në Shqipëri 1921–2021” ofron panoramën e plotë të zhvillimit njëqindvjeçar të pullave fiskale shqiptare, vepra e dytë e Mirgen Shamllit, “Pullat e taksës në Korçë 1917–1921”, përfaqëson një studim monografik të përqendruar mbi një nga periudhat më të rëndësishme dhe njëherazi më pak të trajtuara të historisë administrative shqiptare.

Krahina Autonome e Korçës, e krijuar në fund të vitit 1916, përbën një rast unik në historinë e shtetformimit shqiptar. Brenda një periudhe të shkurtër u ngrit një administratë funksionale, me institucione civile, financiare dhe juridike që vepronin mbi baza të mirëpërcaktuara ligjore. Në këtë kontekst, pullat e taksës nuk ishin thjesht mjete për mbledhjen e tarifave administrative, por pjesë përbërëse e organizimit institucional të krahinës dhe dëshmi konkrete e funksionimit të saj. Autori nuk kufizohet vetëm në paraqitjen kataloguese të pullave. Që në faqet hyrëse të librit ai e vendos lexuesin në kontekstin historik, duke trajtuar rrethanat politike dhe administrative që çuan në krijimin e sektorit të financave të Krahinës Autonome të Korçës. Një vend të veçantë zë figura e atdhetarit Nikollaq Zoi, i cili drejtoi Drejtorinë e Financave dhe kontribuoi në ngritjen e një administrate moderne fiskale.

Rëndësinë e këtij organizimi e dëshmon edhe gazetari francez Robert Vaucher, i cili në revistën L’Illustration, më 7 prill 1917, shkruante se: “Republika e Korçës është sot ndoshta i vetmi shtet në Evropë që e balancon buxhetin e tij dhe nuk ka deficit.” Ky vlerësim nuk ishte vetëm një koment mbi gjendjen ekonomike të krahinës, por një dëshmi e nivelit të organizimit administrativ të saj në një periudhë kur pjesa më e madhe e Evropës ishte përfshirë nga Lufta e Parë Botërore.

Nga këndvështrimi politik, vetëqeverisja e Korçës pati një rëndësi që tejkalonte kufijtë e krahinës. Ajo u shndërrua në një shembull konkret të aftësisë së shqiptarëve për të organizuar institucione funksionale dhe për të administruar financat publike, duke ushqyer shpresën për konsolidimin e shtetit shqiptar në tërësi. Libri paraqet me hollësi organizimin e Drejtorisë së Financave, institucion që kishte nën administrim doganat, pyjet, financat postare, hambarët shtetërorë dhe sektorë të tjerë me rëndësi ekonomike. Përshkrimi i organikës së këtij institucioni: drejtori, kryesekretari, arkëtari, shkronjësi, mbledhësit dhe kontrollorët, i jep lexuesit një pamje të qartë mbi shkallën e organizimit administrativ të kohës dhe dëshmon se administrata e Korçës funksiononte sipas një strukture të mirëpërcaktuar.

Mbi këtë bazë historike ndërtohet edhe pjesa filatelike e studimit. Me një metodologji të kujdesshme dhe me mbështetje të gjerë dokumentare, Mirgen Shamlli paraqet të gjitha pesë emetimet e pullave të taksës të Krahinës Autonome të Korçës: emetimin e parë të 20 janarit 1917, të dytin të 3 korrikut 1917, të tretin të 17 marsit 1918, të katërtin të 26 prillit 1920 dhe emetimin e pestë e të fundit të 30 gushtit 1920. Çdo emetim analizohet me saktësi, duke u shoqëruar me ilustrime cilësore dhe dokumente origjinale, çka i mundëson lexuesit të ndjekë jo vetëm evolucionin e pullave, por edhe zhvillimin e administratës që i prodhoi dhe i përdori ato.

Një nga kapitujt më tërheqës të veprës është ai kushtuar 68 dokumenteve dhe dëshmive origjinale, të cilat tregojnë përdorimin praktik të pullave të taksës në Korçë gjatë viteve 1917–1921. Pikërisht këtu libri kapërcen kufijtë e një katalogu tradicional dhe merr karakterin e një studimi të historisë dokumentare, ku pulla fiskale nuk paraqitet si një objekt i izoluar koleksionimi, por si pjesë e funksionimit të përditshëm të administratës. Interes të veçantë paraqet edhe kapitulli kushtuar gabimeve të shtypit, ku autori evidenton variante në dhëmbëzim, ngjyra, shtypje dhe elemente të tjera teknike. Për koleksionistët e specializuar këto variante përbëjnë një fushë me interes të madh, pasi ndihmojnë në identifikimin e ekzemplarëve të rrallë dhe pasurojnë studimin e filatelisë fiskale shqiptare.

Një tjetër meritë e veprës është përfshirja e akteve ligjore, rregulloreve dhe dispozitave administrative të Krahinës Autonome të Korçës. Këto dokumente nuk janë vendosur thjesht si shtojca, por përbëjnë bazën interpretative të të gjithë studimit. Ato i japin lexuesit mundësinë të kuptojë se emetimi dhe përdorimi i pullave të taksës ishte pjesë e një sistemi administrativ të ndërtuar mbi norma juridike të qarta dhe jo rezultat i zgjidhjeve të rastësishme. Në fund të librit, autori paraqet dhjetëra vula administrative të përdorura gjatë kësaj periudhe, duke plotësuar kështu panoramën dokumentare të institucioneve të Krahinës Autonome të Korçës. Këto vula përbëjnë një burim të rëndësishëm për studiuesit e historisë postare, të administratës dhe të filatelisë fiskale.

Botimi, i realizuar në dy gjuhë, shqip dhe anglisht, me cilësi të lartë tipografike dhe ilustrime të shumta, e zgjeron ndjeshëm rrethin e lexuesve. Ai nuk u drejtohet vetëm koleksionistëve shqiptarë, por edhe studiuesve të huaj të historisë postare, të filatelisë fiskale dhe të historisë së Ballkanit. Në këtë mënyrë, vepra e Mirgen Shamllit shndërrohet jo vetëm në një referencë për filatelinë shqiptare, por edhe në një kontribut të rëndësishëm për studimin e historisë institucionale të Shqipërisë në fillimshekullin XX.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.