PSE është e MADHE FESTA e SHIPSHANIT

0
Kalaja e Shipshanikut, 1911

(“Ara e Osës”, 15 korrik 2023, ora 10.00)

Nga Ramiz LUSHAJ

“Festa e Shipshanit” mbiemrin “e Madhe” e mori qyshce në start, në herën e parë, në atë 8 gusht 2021 në Padesh, ku e thoshja asokohe, në një shkrim përkushtimor, se lindi e tillë, “e Madhe”, për “nga vet origjina, misioni, mënyra e veprimtarimi i saj”.

Ishte “e Madhe”, sepse madhështinë ia jepte vet mrekullia natyrore alpine e Padeshit e Ujezës me rrethina, një ndër qindrat treva ma të bukura të Shqipërisë, Ballkanit, Europës e Botës.

Ishte “e Madhe”, sepse madhështinë ia jepte vet historia e Padeshit me Koshare, vet Beteja shqiptare legjendare e Koshares, ma madhështore edhe se “Beteja e Termopileve” e 300 spartanëve të para erës sonë. Se Beteja monumentale e Koshares e theu kufinin Kosovë-Shqipëri në atë 9 prill 1990 të erës sonë. Se Beteja epokale e Koshares ka 114 “Heronj të Kombit” të shpallur me dekret presidencial të Kosovës, ka ma shumë heronj shqiptarë në një betejë që nga njeriu i Neandertalit deri tek “Koha e Rugovës”. Se pa Padesh nuk ka Koshare, se pa Koshare nuk ka Padesh, se pa Padesh e Koshare nuk do të kishte Luftë e Paqe, Liri e Pavarësi të Kosovës.

“Festa e Shipshanit” është “e Madhe”, edhe kur organizohet dy herët në Padesh (2021 e 2022) edhe sivjet tek “Ara e Osës” (15 korrik 2023), sepse madhështinë ia jep vet historia epokale e krahinës-fisit-bajrakut të Shipshanit. Sepse Shipshani (edhe me Berishën e atyhit), e shtrirë përgjatë kufinit etno-historik, politik e administrativ, se për në Malësi të Gjakovës, edhe për vet pozicionin gjeofizik, ishte e para si një forcë goditëse e si një qendër mbështetje në luftërat e mëdha, të shumta e të përhershme për Kosovën dardane, prej nga koha genetike e të parit të fisit tonë, të ardhur nga Kalaja historike e Shipshanikut (Tuz/Malësi), nga Kall Kamberi me tre të bijtë Gega, Buça e Papa, e, dekterit, tek Lufta e fundit e Kosovës, prej nga Padeshi deri në Kasaj (1999).

“Festa e Shipshanit”, sivjet, me 15 të korrikut 2023, do të organizohet tek “Ara e Osës”, rrugëngjitjes për në “Bjeshkët e Bekuara”, përskej lumit të Sylbicës, përndryshe, kur hyn në territorin shipshjan, ma saktësisht (duhet) cilësohet “Lumi i Shipshanit”, që historia e zhvillimit e formësimit të tij daton nja 300 milionë vite ma herët, para Evës e Adamit, para zjarrit e hirit, para mishit e bukës.

E kur luftëtarët shipshjanë, gashjanë, berishianë, bytyças, pas tubimit tek Kalaja e Komit e pushimit luftarak tek “Ara e Osës”, shkonin përgjatë e përpjetë “Lumit të Shipshanit” për të luftuar për Plavë e Guci, sikurse në Luftën ma të madhe në Historinë Kombëtare Shqiptare, në Luftën e Jashtëakonshme të Nokshiqit (1879-1880), kur Shqiptarët për herë të parë e të vetme u ngritën me fjalë e penë luftarake, me pushkë beteje tejet epokale kundër një Kongresi Botëror si Kongresi i Berlinit (1878), kundër 7 fuqive më të mëdha të botës e kohës së atëhershme, kundër dy krajlive të Ballkanit.

Në këtë luftë të papërseritshme e të paarritshme, në Luftën e Nokshiqit, malësorët alpinë të Shipshanit ishin në frontin ma të vështirë të betejës, bash tek Ura e Limit, ku siç e thotë kanga “po bajnë luftë sa tanë dunjaja” e siç e thotë Historia “ishin kontributorë përcaktues në fitoren e Luftës së Nokshiqit”.

“Festa e Shipshanit” është “e Madhe”, sepse e ban të tillë vet vendorganizimi i saj tek “Ara e Osës”, një nga vendet ma të bukura të Alpeve Shqiptare, përmes lartësive alpine, përskej lumit shipshjan, në mes gjelbrimit e lulimit gjithëfarësh, një nga vendet që e lidh Vrrinin me Bjeshkët, një nga vendpushimet ma të veçanta për luftëtarët në histori, për bjeshktarët ritual të bjeshknimit alpin, për turistët shqiptarë e të huaj.

Sivjet, edhe në “Festa e Madhe e Shipshanit” do të kemi ma shumë bjeshktarë se vijnë Lumës së Shipshanit prej gjithë atyne bjeshkëve, do të kemi ma shumë mërgimtarë që vijnë nga Amerika, Mbretëria e Bashkuar, Portugalia, Gjermania, Zvicra…nga shumë shtete të botës, do të vijnë edhe turistë shqiptarë e të huaj që e kanë planifikue në intinerarin e tyre të jenë atë ditë tek “Ara e Osës” dhe në Bjeshkët e Alpeve Shqiptare të Shqipërisë e Kosovës dhe në Malin e Zi. Se deri tek “Ara e Osës” i sjell rruga e makinës, e hapët edhe me u shndrrue dy makina gjithandej, e bukur në mrekullitë natyrore në ngjitje-zbritje.

Se tek “Ara e Osës” është një vendparkim i madh natyror për makinat e shumta me marka e targa nga ma të ndryshmet. Se rruga e makinës që të çon deritek “Ara e Osës” është pjesë urbane auto-rrugë e “Unazës së Alpeve”. Edhe këta bjeshktarë, mërgimtarë e turistë shqiptarë e të huaj, do të jenë pjesë e madhështisë së “Festës së Shipshanit”, e mbiemnit të saj “e Madhe”.

Edhe sivjet, edhe tek “Ara e Osës”, në këtë mrekulli natyrore alpine, me patjetër: “Festa e Madhe e Shipshanit”, do të ketë madhështinë e pranisë dhe atmosferës historike e aktuale të Betejës në Padesh-Koshare, sepse aty/këtu, do të vijnë, sikurse edhe vjet, me dhjetra ushtarakë me grada e plagë lufte, me histori lufte e paqeje.

Ata do të sjellin në “Festën e Madhe të Shipshanit” mirënjohje shpirtërore për Shipshanin për kontributet e saj legjendë e legjendare edhe në Luftën e fundit të Kosovës, do të sjellin mesazhet e tyre për mos me pasë “klone”-“piramida”-“dogana”… në mes shqiptarëve në të dy anët e Qafës së Morinës e Qafës së Prushit… se me thanë të vërtetën historike: Shkijet e Ballkanit dhe Ndërkombëtarët e Traktateve gjithnjë “na i kanë pré kufijtë në qafa malesh” dhe kjo thikë e tyne ende po na rrinë mbi krye e pas qafe edhe në Kosovë, edhe në Malësi të Gjakovës, nga Vuçiçët e “çiçët” e ish Jugosllavisë së Krajlive, Titos e Millosheviçit.

“Festa e Shipshanit” tek “Ara e Osës” është “e Madhe”, sepse është dhe “Festë e Bashkimit Kombëtar Shqiptar. Në lartësi alpine bjeshktare të Tropojës është një shkamb kufitar, ku vijë-ndahet kufini Shqipëri-Kosovë-Mali i Zi, (keq)ndahet në mes tre shteteve të sotme ballkanike. Madhështia e “Festës së Shipshanit” qëndron edhe tek fakti aktual trevjetor i kësaj Feste (2021-2022-2023) si “Festë e Bashkimit Kombëtar Shqiptar”, sepse, aty/këtu, do të vijnë me dhjetra e dhjetra malësorë alpinë e personalitete shtetërore, akademike, kulturore, ushtarake nga Rrafshi i Dukagjinit të Kosovës (nga Gjakova, Deçani, Juniku, Peja) dhe nga komunat e Plavës e Gucisë në Malin e Zi, si dhe nga komuna të tjera të Kosovës, si Prizreni, Istogu (Burimi), Klina, Prishtina, etj. dhe nga Rozhaja, Tuzi (Malësi) etj. në Malin e Zi. Do të vijnë malësorët bregdrinas nga Hasi e Kukësi, nga Fushë Arrëzi e Puka, nga Shkodra, Vau i Dejës, nga Shkodra e Lezha, ku do të kalojnë dhe Korridori Adriatik-Alpe (Rruga e Hekurudha Bregdrinase).

“Festa e Shipshanit” është “e Madhe”, sepse e organizon dashuria, krenarie e malli për vendlindjen e Shipshanit, se e organizon misioni historik e qytetar dhe shpirti bajemirë vullnetarë i djemëve e çikave, i burrave e grave të Shipshanit; sepse e organizon Shoqata e mirënjohur dyvjeçare “Shipshani i Malësisë së Gjakovës” e cila ka garancitë ndihmëtare të çmuar të Bashkisë së Tropojës dhe disa donacione në vijimësi e pritje nga shipshjanët në Shqipëri, Kosovë e Mërgata Shqiptare; sepse të gjithë pjesmarrësit, qindra pjesmarrësit, janë bashkëorganizatorë të kësaj Feste që ka hyrë e mbetet në gjerdanin e bukurive e madhështive të Festave tona Kombëtare Shqiptare.

Mirë se vini në Festën e Madhe të Shipshanit!
Mirë se të gjejmë Festa e Madhe e Shipshanit!

E enjte, 6 korrik 2023

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.