Poezia e vëlla Nikolin Sh. Lëmezhit

0
368
Nikolin Lëmezhi - Brikena Lazri

Një recension nga: Brikena Lazri 

Pata kënaqësinë të marr pjesë në promovimin e dy librave me poezi të vëlla Nikolin Sh. Lemezhi, “Si Pika Vese” dhe “Kur Heshtja flet”.  Jemi pothuajse në të njëjtën moshë dhe jemi rritur në Blinisht të Zadrimës, duke kaluar një fëmijëri të vështirë në vitet e diktaturës dhe, pas rënies së regjimit,  patëm fatin të edukohemi pranë kishës, me misionarë të jashtëzakonshëm, ku më së shumti spikat don Antonio Sciarra. Poezia e Nikolin Sh. Lëmezhit vjen e thjeshtë, e sinqertë dhe gati fëminore, por në të njëjtën kohë me thellësi mendimi dhe pasqyrim realiteti.

Botimi i parë, “Si pika Vese”, na shfaq që në kopertinë, një foto të fëmijërisë bashkë me nënën, me të cilën ka pasur një marrëdhënie të veçantë si njëri prej fëmijëve më të vegjël të familjes (në fakt ai është fëmija i parafundit). Ka disa poezi që ia kushton nënës, të cilat tregojnë një grua të thjeshtë, besimtare, që mes shumë vuatjeve që i sjell jeta, arrin të bëhet një mbështetje e fortë për familjen dhe sidomos për fëmijët e saj.

Edukimin fillestar fetar, e merr prej saj dhe që aty nis rrugëtimi i gjatë i studimeve teologjike në Shqipëri e Itali dhe përsiatjeve ku tashmë ka gjetur gëzimin e besimtarit dhe lirinë që ta jep besimi dhe për të cilën nuk ka dëshirë të bëjë asnjë kompromis. Poezia “Mbi shkopin tënd….” është mjaft e spikatur dhe shprehëse duke filluar me disa pasazhe të Biblës siç bën edhe në shumë poezi të tjera.

Mbi Shkopin tënd…

(Kushtuar nënës Luke)

Me gjithë shpirt duaje babën tënd
dhe mos i harro ofshamet e nënës sate!
Mos harro se s’do të kishe qenë pa ta,
e çka do t’u japësh siç të dhanë ata?”.

(Siracidi 7, 29-30)

Shkopi ku ti mbështeteshe,
tek e shoh plot mall.
Në zemrën time prej biri,
ç’ndjenja seç më ngjall!

Shkopi ku ti mbështeteshe,
i shkurtër si ti vet’.
I heshtur dhe i palëvizshëm,
O Nënë, sa shumë më flet!

Shkopi ku ti mbështeteshe,
është i shenjtë për mua shumë.
Se aty, tashmë, o Nënë,
vazhdimisht mbështetem unë.

(Shkodër, më 07. 03. 2020)

Tek ky libër, në fakt, gjejmë poezi të mbledhura ndër vite, që nga mosha e adoleshencës e deri në ditët e sotme, duke na sjellë një panoramë të jetës në faza të ndryshme të saj. Jemi brezi që kemi përjetuar ndryshime të mëdha edhe historike të Shqipërisë, duke u gjendur në situata ndryshimesh rrënjësore, tranzicioni të vështirë, braktisje të arsimit, luftë e pakuptimtë,  një komb i copëtuar në përpjekje për t’u bashkuar, një  politikë që nuk sjell progres, por bëhet pengesë, por  edhe një dëshirë dhe impenjim i madh popullor për të ecur përpara.

Poezia e Nikolin Sh. Lëmezhit, na shfaqet e përshpirtshme, ku pothuajse në asnjë varg nuk mungon referenca tek Krijuesi, por edhe tek Shkrimi i shenjtë. Në fakt, nuk jemi mësuar të shikojmë të botuara poezi me temë fetare, ndoshta sepse edhe sot pas shumë vitesh lirie besimi, akoma nuk jemi në gjendje të shpallim besimin tonë, lirinë që të jep besimi dhe frymëzimin për të shkruar për Krijuesin. Të qenit një shtet laik, nuk na pengon të jemi një popull besimtar. Po zgjedh poezinë “Sa mister i bukur” për ilustrim:

Sa mister i bukur!

“…të dobëtit në sy të botës i zgjodhi Hyji,
për t’i turpëruar të fortët”. (1 Kor. 1, 27)

Sa mister i bukur,
Ti, o Zot,
se ëmbëlsisht
në vogëlsira
e në hollësira
banon,
më shumë
se kudo,
dhe bota,
pikërisht këtë,
nuk kupton!

Libri i dytë “Kur Heshtja flet” vjen më i sigurt dhe më prodhimtar, ku shikohet që poezia është një oaz paqeje për autorin, kur arrin të shprehë lirshëm mendimin dhe gjykimin. Të bën përshtypje fakti se në këtë libër, fjalën Heshtje e ka shkruar gjithkund me të madhe, si për të thënë vlerën më të madhe dhe shenjtërinë e kësaj teme.

Mendimi filozofik shfaqet kryesisht në poezitë e shkurtra, të cilat me 3-4 vargje japin mesazhe shumë të thella siç është:

Kur Heshtja flet

Kur njerëzit heshtin
dhe heshtja flet,
aty ka Jetë…

(Shkodër, më 12. 07. 2022)

Në këtë botë të zhurmshme, ku të gjithë flasin, thërrasin, duan të dëgjohen, të evidentohen në çdo formë e çdo mënyrë, Nikolin Sh. Lëmezhi na fton të kërkojmë heshtjen për të gjetur fillin, arsyen, kuptimin….

Gjithashtu, poezia e Nikolin Sh. Lëmezhit është edhe shumë edukuese, e perceptueshme për të gjitha moshat dhe me mesazhe morali, shprese dhe dashurie;

Barinjtë dhe delet

Ka barinj,
që në vend që të pastrojnë rrugët
për delet e tyre,
u shtojnë pengesa,
dhe ka dele,
që pa provuar kurrë kujdesin baritor,
bëhen barinj,
të atyre që barinj
kurrë s’duhej të ishin,
madje ka prej atyre,
që të shtyrë nga Dashuria
japin jetën për barinjtë
e nuk humbin kurrë kohë
duke u shqetësuar
se kujt i takon më përpara të japë jetën:
Bariut apo deles.

(Shkodër, më 09. 11. 2021)

Këto poezi janë vetëm një shije apo degustim dhe libri do t’ju japë me siguri efektin dehës që ka poezia.

I uroj suksese Nikolin Sh. Lëmezhit në rrugën e tij të krijimtarisë dhe them me bindje se poezia e tij ia vlen të jetë në bibliotekat tona dhe të lexohet, se kujtdo do t’i shijojë mjaft ëmbëlsisht dhe, e bazuar në përvojën time, mendoj se për çdo lexues, do të ndikojë pozitivisht në rritjen e nivelit shpirtëror.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.