Përsiatje rreth vëllimit poetik «Sfidë nëpër dekada» të poetit Xhemkadri Kastrati

0
139
Xhemëkadri Kastrati - Sfidë nëpër dekada

Zymer Mehani

Xhemkadri Kastrati – ky poet perlash poetike

Përmbledhja poetike “SFIDË NËPËR DEKADA“ e autorit Xhemkadri Kastrati shquhet për laryshi motivesh e temash të trajtuara. Poashtu, ajo karakterizohet edhe me një stil krejt të veçantë.

S’do mend se ndjenja të fuqishme burojnë nga dashuria për atdheun (fatkeqësisht të ndarë në 5-6 pjesë), si te poezitë DUAJENI ATDHEUN, MJAFT ËSHTË MJAFT, URIME, KOSOVË etj., ku auori me mesazhin që jep është mëse i qartë, sepse saherë që të huajtë na ndanin, do të thotë se na copëtonin, por kur vetë ne shqiptarët ndahemi e përçahemi, gjë që s’na falet dot, kjo do të na çojë në vetëmohim të binomit ATDHE+KOMB, prandaj autori në vargjet në vijim fton për unitet:

Sot o kurrë t’jeni t’bashkuar
Nën një himn, nën një flamur
Erdhi dita për t’u treguar
Vendosni pushkët në mur!…
Shqiptarë, bashkohuni të gjithë
a bëjmë shtet Dardaninë antike
Përballë e kemi të njëjtën bishë
Ta ribëjmë Shqipëri Etnike!…

(Poezia MJAFT ËSHTË MAJFT)

Poezi tjera në përmbledhjen “Sfidë nëpër dekada” të poetit Xhemkadri Kastrati janë edhe poezitë përkushtuese, siç është edhe ajo dedikuar nipit e mbesës të tij, Likut e Ornelës (që gjenden në kurbet), të cilët poeti (gjyshi) i këshillon dhe i uron nga zemra, me rastin e fillimit të vitit shkollor:

(…)
– Bëhuni nxënësit më të mirë në shkollë
N’mësime dhe në sjellje të jeni të parë
Lik, ty të kam tarzan dhe ty, Nela mollë!

(Poezia LIKI DHE ORNELA)

Pastaj poezitë kushtuese do t’i vazhdojë edhe për motrën e tij, që autori do ta përkujtojë prore (poezia VAJI I VËLLAIT, e cila vërtet është një perlë elegjiake):

– Motra ime dashur, sa fort më djeg zemra
Kur të vi te shtëpia dhe ty aty s’t’gjej
Thërras, ku je, motër!
Dil e mos rri brenda
Më djeg shpirti shumë, mallin po e ndjej!…
Ta solla një shami, lotët për t’i fshirë
Porsa u bë dhëndër, të vdiq djali madh
Vëllanë dhjetëvjeçar e vranë ende fëmijë
Çohu, motërmira, t’i qash djalë dhe vëlla!
N’parajsë ike, motër n’kohën më të mirë
Të vdiqën djalë dhe vëlla, si me përballue
S’i tregove vëllait, çfarë t’ka mbetë dëshirë
Çohu dhe dëgjoje qyqen në rrem tuj këndue!

(Poezia VAJI I VËLLAIT)

Të bukura janë edhe poezitë: NË FËMIJËRINË TIME (Fshati Karaçevë e Epërme), BISEDË ME POETIN (Në 85-vjetorin vdekjes së Migjenit), MATURANT (dedikuar gjeneratës së tij), poezitë për bashkëshorten e tij e ndonjë tjetër.

Motivi i mërgimit zë një vend të gjerë në përmbledhjen e poetit Xhemkadri Kastrati. Të tilla janë poezitë MËRGIMTARI, ERË SHTËPIE, MË ERDHËN FËMIJËT, MËRGIMTARËT, TELEFONATË NGA MËRGIMI, I MËRGUARI, MËRGIMI, SONTE etj., në të cilat poeti shpreh mallin për njerëzit e afërm (sidomos për fëmijët e tij), që gjenden në mërgim.

Xhemkadri Kastrati ndërton vargje kryesisht të rimuara dhe në vargun e tij gjithçka rrjedh këndshëm, pa vështirësi, vetvetiu, dhe në fund poezia e tij ngjan krejt me një perlë poetike, çfarë në të vërtetë edhe është; si një tringëllimë e ëmbël, që kumbon në veshin e tonë, kur e dëgjojmë, ndërsa pasi ta lexojmë, na bën për vete, si një kujtim i diçkaje të bukur, të ngrohtë, ndoshta edhe mallëngjyese. Vargjet poetike të këtij poeti pëshpëritin qetësisht, misteriozisht dhe shushurisin si gjethet e marra nga era. Dhe çfarë do të thotë kjo? Ato vargje, sigurisht që nënkuptojnë diçka, ngase në to syri është vesë, zemra është e butë në rektimën e saj, plot dashuri e mall, por edhe e mbushur me hidhërim…

Në këto poezi do të gjejnë vend për t’u trajtuar edhe hidhërimi, mashtrimi, gënjeshtra, koprracia, karrierizmi etj., si dhe ca vese të tjera të shëmtuara, duke pasur kujdes në formë dhe përmbajtje. Syve të shqetësuar të tij s’u shpëton asgjë, kudo ku do të gjejë mosbesim e përbuzje, do t’i fshikullojë ato, ngase ato janë vese të rënda, mu si një barrë për udhëtarin, ose të paktën diçka të pështira për keqardhje.

Autori Xhemkadri Kastrati bën thirrje që njeriu të jetë i virtytshëm, sidomos ndaj kombit dhe atdheut.

Pjesa dërrmuese e poezive të vëllimit “Sfidë nëpër dekada” kanë strukturë strofike katërvargëshe (katrenë). Meqë poeti ndërton vargje me rima, vargu i tij është muzikal dhe ka një fuqi të brendshme që e dëgjojmë me ëndje.

Krijuesi i denjë shpesh duhet t’i kthehet së kaluarës. Një gjë të tillë e ka bërë edhe poeti Xhemkadri Kastrati, sidomos te poezitë VITET E MIA, NË MOSHË, SHPEJT KALON JETA, KRONOLOGJI JETE, NË FËMIJËRINË TIME, MATURANT etj. Ai do të na rikthejë edhe në kohën e fëmijërisë e të rinisë së tij, e cila nëpërmjet vagjeve na parakalon si një shirit filmi me imazhet dhe protagonistët e saj karakteristikë. Nga ky rikonstruktim i së kaluarës ç’mund të pritet prej poetit, veç mallëngjimit (nostalgjisë) dhe përmallimit për shtigjet e rinisë së tij, për shokët dhe shoqet e shkollës etj.

Janë të shumta, pa numër, gjithnjë e më të ëmbla e gjithnjë të bukura vargjet e poetit Xhemkadri Kastrati, ngase ato janë të ndërtuara nga fjalët melodioze… apo ndonjëherë janë çuditërisht të largëta, sikur diku pas malit dhe të duket që me zë të mbytur po i këndon dikush krejt ndryshe, një person i panjohur. Për ne, këto fjalë janë të gjalla me formë fizike dhe gjak të vluar. Ato mund të jenë ndoshta edhe një sekret pa zë, pa trajtë dhe për këtë dorë poeti që i shkruan duke u dridhur në letër të veshur me ar, ato sigurisht se janë si një mur i shkruar me rima, pas të cilit është jeta. Ato shëmbëllejnë në një vezullim si një dritë që vjen nga qielli, por ngadalë, hap pas hapi, nga nata në natë, rrjedhin si një parandjenjë e heshtur që zvarritet në mënyrë të pakuptimtë në shpirt dhe nuk është e qartë derisa të qëndrojë përballë dikujt.

Poeti, mu si një fëmijë që luan me guralecat shumëngjyrësh, merr fjalë nga gjuha jonë dhe përpiqet të ndërtojë një shtëpi të re ose ndoshta edhe një tempull. Pastaj, ai zakonisht shkruan më tej edhe më shumë dhe akoma më shpesh. Atij i duket se poezia është ndonjëherë vetëm dëshpërim, e ndonjëherë tjetër, një mosbesim i frikësuar nga vetja, që pas një kohe e merr një njeri në mënyrë të padukshme si të ftohtin dhe teshtitjen dhe po aq padukshëm zhduket. Ai duhet të jetë krenar për poezitë e tij, ashtu siç është i ndjeshëm ndaj ca temave që shtjellon.

Poeti Xhemkadri Kastrati poezinë e konsideron si diçka të butë dhe të bukur, ndonjëherë shumë prekëse.

Në këtë apo atë varg, në këtë apo atë poezi, Xhemkadri Kastrati do të shquhet gjithmonë për një masë respekti dhe lumturie të merituar me ndërgjegje. Poeti është ai që ndjen se si fjalët e shprehjet burojnë nga thellësia e zemrës, të bukura, të buta, plotësisht të reja dhe plotësisht të tijat. Ai di të këngëtojë butë, por edhe ashpër, ndonjëherë edhe me druajtje belbëzuese, prandaj vargjet e tij që të gjitha janë të qarta, të ndritura dhe të forta, derisa në tingullin dhe shkëlqimin e tyre të gjitha shkëlqimet dhe të gjithë zërat e tjerë mbyten përgjithmonë.

Dhe ja mrekullia e së padukshmes: ato fjalë të buta, të bukura, të kuptueshme për gjithëkë vetvetiu ulen në letrën e bardhë, njëra e rreshtuar në mënyrë harmonike me tjetrën dhe, befas kumbojnë si një këngë në veshët tanë për një kohë të gjatë. Por fjala dhe shprehja e re, që shkruhet në letër, nuk është vetëm në gjuhë, por ajo është në zemrën e poetit, prore e qartë, e pjekur, duke na këshilluar për të parë shkëlqimin e dritës, e cila nxirret me forcë nga zemra e tij.

Përmes vargjeve të poetit, jeta dhe dashuria janë të bukura dhe të pakrahasueshme, të barabarta vetëm me kënaqësinë që na dhurojnë.

Që në fillim të vargjeve, fjalët e poetit Xhemkadri Kastrati janë si lule të reja, që rritin damarët e tyre të hollë e të butë, duke kujtuar ende vesën dhe diellin. Ato tashmë depërtojnë thellë e më thellë në zemrat e lexuesve, mu si rrënja e lules, që tashmë ka çarë tokën, ka çarë muret e forta, është harlisur drejt diellit me një rrjetë të gjerë, me kokë deri në qiell. Vërtet zemra dridhet e shtrëngohet nga dhembja, por edhe nga malli për njerëzit, qofshin ata të rritur (djemtë, vajzat), apo të vegjël (nipat e mbesat) që gjenden në mërgim. Më mirë do të ishte të heshtte, por vuajtjet duhet të përballohen, e ato s’përballohen dot, sepse i tillë është mallëngjimi i poetit për njerëzit e zemrës.

Çdo poezi e poetit Xhemkadri Kastrati shëmbëllen në një dhomë në banesën e madhe të zemrës njerëzore, që ka një derë të fshehur në një dhomë tjetër… Por në të vërtetë, nga sekreti në sekret, aty ka ujëra të rrëmbyeshëm e bregore të thepisura, nga thellësia në thellësi, nga errësira në errësirë. E tani poetit i ka ardhur koha që tashmë të hap derën në dhomën e fundit, ku do të qëndrojë në majë të shkallëve të fundit dhe të shikojë fare fundin që nuk i është zbuluar ende askujt!… Ky mendim është shumë i guximshëm dhe dëshpërues në të njëjtën kohë, ngase përfundimin tonë pothuajse të gjithë e dimë, që do të na vijë me lodhje, duke na “përkëdhelur” mëshirshëm hija e asaj dore të ftohtë, që s’do të na shpëtojë. Këto janë momentet, ndoshta mezi të vetëdijshme, kur i dëshpëruari merr këtë lloj përkëdheljeje” nga ajo dorë e mistershme (poezia MOS MË KËRKONI).

Askush nuk ka dëgjuar apo thënë akoma të gjithat, ngase gjithçka është thjesht bredhje dhe lundrim i pafund nëpër katakombet e heshtura të zemrës. Vetëm ai që është i patrembur, i etur për të vërtetën përfundimtare, arrin në thellësitë e së vërtetës, ngase vetëm atij do t’i zbulohen të gjitha dyshimet dhe katakombet në zemrën e tij, pikërisht nga e vërteta.

Ne si lexues, në poezitë e poetit Xhemkadri Kastrati do të bredhim pa pushim, mu si udhëtari që endet nëpër ca dhoma misterioze; nën ato shkallë të errëta që zhyten në humnerë, ku do të shohë thesare të grumbulluara, që nuk i kishte imagjinuar më parë. Ne, pastaj, sikur udhëtari kur kthehet nga një udhëtim i gjatë, plot dituri, do të ecim mes njerëzve për të treguar gjithçka që kemi parë, por gjuha nuk do t’na lëviz, as goja nuk do t’na flasë. Dhe ajo që më në fund do të nxjerrim nga fyti, duke belbëzuar e pëshpëritur me forcë, sepse nuk mund të heshtim, do të jetë një shenjë dhe një kujtim i asaj që kemi përjetuar.

Poeti Xhemkadri Kastrati nuk ka frikë, mu si një udhëtar shtegtimesh të gjata. Ai në zemrën e tij prore e mban të ndezur një fanar ndriçues dhe e di fare mirë se në këtë jetë të gjithë njerëzit duhet të jenë vëllezër. Ai, poshtu e di se në këtë kohë të pakohë mes njerëzish ka mure të ndërtuara me hi, që duhet rrënuar.

Jeta jonë shëmbëllen në një panair, ku ka tregtarë, agjentë, ciganë, hajdutë; e ku koprracia e keqpërdorimi buron nga të gjitha anët dhe në të gjitha drejtimet. Zilia derdhet, urrejtja pështyn; por kur panairi braktiset, tregtarët, agjentët, ciganët dhe hajdutët mbyllen secili në kasollen e tyre, kur tek atëherë ata nuk janë më të atillë, por janë vetëm njerëz; dhe ai njeri, për të cilin këngëton poeti Xhemkadri Kastrati duhet të jetë i lartë në mendimet e tij, fisnik, pa ligësi e hipokrizi në ndjenjat e tij; i pastër, altruist, i përkushtuar pa kufi në dashurinë e tij kozmike, e cila përqafon fort çdo krijesë të Zotit për veten e tij. Poeti i di të gjitha këto, ndaj nuk ka frikë të bëjë një rrëfim publik në emër të tij dhe të njerëzve me të cilët jeton e vepron.

Poeti Xhemkadri Kastrati e përdor me mjaft siguri dhe kujdes vargun, duke e shtjelluar me saktësi, pa e penguar spontanitetin e tij. Aty gjen figura të mjaftueshme, vërtet origjinale, të natyrshme, të sakta e të qarta, të kapshme, të kuptueshme nga të gjithë. Këto figura flasin për dëshirën pozitive të këtij autori për të qenë origjinal, por flasin edhe për kuptimin e drejtë që ai ka për figuracionin poetik.

Ky poet i talentuar, në punën e tij krijuese shquhet edhe për kujdesin ndaj gjuhës. Pra, edhe për punë të fjalorit ky autor ka treguar një kujdes të veçantë. Fjalori i përdorur është mjaft i pasur, e mbi të gjitha, shprehës, i qartë dhe i saktë.

Me pak përjashtime poezitë e Xhemkadri Kastratit shquhen me proliksitetin, ngase nuk i kalojnë 5-6 strofat, e që ky sens mase, kjo fuqi sintetike, është nga veçoritë dhe meritat e rëndësishme artistike të poetit, pa rënë në përsëritje idesh dhe në stërzgjatje të kota, sepse kjo flet jo vetëm për talent, por edhe për punë e ndërgjegje artistike të poetit Xhemkadri Kastrati.

Zymer Mehani, më 10 nëntor 2023, në Besianë

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.