A ishte vetëm hija e Sylës, që u kthye në Turjakë?

0
236
Stacioni hekurudhor, Pejë

Stacioni hekurudhor në Pejë

Mall e trishtim

( Tregim )

Syla kishte zbritur nga treni në Mrasur, stacionin e trenit, afër Llapqevës afër Ularicës (Ujvareve të Mirushës).
Mrasuri është një katund mu në breg të Drinit të Bardhë dhe rrjedhës së lumit Mirushë.

Është stacioni i parë në udhën e hekurt (hekurudhën) Klinë- Prizren. Udha e trejit vazhdon përkrah Drinit deri në Xërrxë. Aty Drini e ndan rrugën nga hekurudha dhe e vazhdon i vetëm për në Shqipëri, nëpër Rovovë të Hasit e rruga e treni, vazhdon për në Lanavica (Landovicë). Kjo rrugë ishte paraparë që të vazhdoj, bashkë me ujin e ujin e pastër të Drinit të Bardhë për në Kukës e Tiranë por pasi u prishën Tito e Enveri, stacioni i fundit i trenit, mbeti Prizreni.

Mrasuri, kishte pasur fatin që ta ketë një stacion ku katundarët e atyre anëve, të shkojnë për pazar në Prizren, Pejë e Prishtinë sepse mundësi tjera pos me kuaj disa orë udhë, nuk kishin të udhtoin ndryshe. Mëngjeseve të hershme të ditëve të pazarit, të shtuneve me koshat plot rrush e qeberret me djath e tlyn hypnin në tren. Me parat e bylmetit e pasulit, drithërave pulave, blenin basëm, bez e pej e pulla për teshat e vjetëruara e të shqyera.

Mrasuri e Llapqeva kishin propozua që stacioni i vogël hekurudhor i tyre të quhej ”Mirushë” sepse e kishin afër lumin dhe bukuritë që kishte Mirusha. Treni nepër Mrasur vinte tri herë brenda ditës e njëherë natën, treni që nisej nga Prizreni për Beograd. Në Klinë bashkohej me trenin që vinte nga Peja dhe bashkë niseshin për në Fushë Kosovës.

Stacioni hekurudhor në Drenas (Drenicë)

Stacioni i trenit si në shumicën e stacioneve tjera, në Klinë quhej ”Metohija” e ai i Gllogofcit (Drenas), ”Drenicë”.

Në Mrasur, ndryshe nga stacionet tjera, ishte një shtëpi e vogël me tulla. Të tjerat stacione, ishin të ndërtuara me gurë të gdhendur e me disa dhoma dhe ate të pritjës. Në njërën nga dhomat më të mira rrinte shefi me një kapele që i shkruante ”JŽ”,(Jugoslavenske Željeznice) që sapo i kishih largua kapuçat me shenjën ”ŽS”  (Željeznice Srbije).

Në kuferin e madh me tesha, Syla kishte disa bakshishe për nënen, babaën e axhën plak, pak fotografi, disa libra e adresa. Në Mrasur, askush nuk i foli kur zbriti nga treni e as Syla nuk e njohi asnjë njeri.  Ai ishte i veshur me tesha allafânga por njerëzit nuk e kishin hallet e teshave por, ata kishin hallet e veta për mbijetesë. Punonin sa për bukën e gojës e prodhimet e veta i shisnin për me e pagua parezin (tatimin).

Rruga, nga stacioni i trenit për në Llapqevë e Panorc ishte një përpjetëze, udhë dhie që ti qitke nirstë e dekës. Mali nuk ishte i shpeshtë e drunjët nuk ishin rritur. Katundarët e prenin malin dhe drutë për dimerë dhe për qereqhane. Në të djathtë të Mrasurit ishte katundi i vogël me pakë shtepi, tri katër familje, me të njëjtin emër, Mrasur.

Para se të hyjë në Llapqevë, Syla u ulë e pushoi pakë. Shikoi lumin e Drinit të Bardhë dhe arat me kallamoq andej Drinit. Nuk ishte larg Sferrka e Gashit e Valljaku, i ndante vetëm lumi Mirusha por ato nuk shiheshin. Tymi i oxhaqeve të kullave të Llapqevës e Mrasurit, të Haxhi Sakolit, Cenë Amrushit e Musë Halilit villnin tym si treni e tymi shkonte përpjetë e pastaj, sikur lodhej, e ndërronin drejtimin, ecte më ngadalë, horizontalishte e puthej me Majen e Kaznikit e malet e Zatriqit.

Stacioni hekurudhor në Klinë

Mali sa kishte fillua me mugullue e bari aty ku kishte më shumë dritë, kishte dalur bashkë me lule borën.
Zilja e kumonave të ogiçëve e kënga e çobanëve që i kishin lëshua gjâen (bagëtinë), Sylës ia kujtuan kohën kur edhe ai ishte çoban.

Syla u que me pritesë. Ai ecte por mendja i fluturonte në vitet e pas çlirimit. Kuferin e qiti në krah dhe u nis. Udhës së rrehun nuk shkoi por hyri një udhe të dhive që të mos takohej me katunarët e Llapqevës.

Malit që më shumë ishte i çveshun mbërrini deri në Grap t`Panorcit. Nga Grapi, në lindje shihej Rudi, Panorci, një pjesë e Garaqevës, Gradina e Madhe e Turjakës, Fusha e Kuvalëve e malet e Bublit.

Syla ishte në hamendje, kah të ia mbaj që të mos hyje nëpër katundin Rud e Panorc Në Rud e Panorc, gjyshi i Sylës kishte pasur disa miq, burra të fortë të kohës së tij, Veli Bajramin e Hajrullah Rexhepin, Murat Musën, Hisen Derguti e Latif Reshitin. Nga frika se do ti takoj ata e kur ata ti luten, si jabanxhi që ishte do ti luten që të hyjë e të pushoj pakë, të haje buke e kur ta vesin, prej kah pa vjen more djalë i ri, nuk dinte se a t`ju tregoj të vërteten se kush ishte dhe prej nga vinte?

Trenat në vitet 1970-ta në Prizren

  • T’ju thonte se vinte prej jesirit?

Dhe vazhdoj udhën për në Turjakë, i lodhur nga kuferi me tesha e i krrusur motet e mërzia. Në fund të Grapit, aty ku ndahet Rudi nga Panorci, mi te prroi me ujë, Syla, hyri varreve e arave të Panorcit e dual afër Kerrshit të Sylymanit, në malet e Turjakës.

Te Lugi i Kerrshit të Sylymanit, u ulë në një guri të madh që ishte i mbuluar me thupra thana e lejthia. Mori një fletë të thanës si dikur kur piqeshin thanat.

Sa herë Syla kishte pushua në këta gurë- kersha e ishte ulur në barin në mes të drunjëve me hije të dendur që as qiellin nuk e shihte ndërsa buallicat, lopët e delet kullosnin. Ato e zgjasnin kryet dhe i këputnin gjethet e drunjëve aq sa mundnin ti mbërrinin. E zgjidhnin dushkun dhe barin në mes të gurëve. Ndërsa delet hynin në mes të gurëve ku kishte barë më shumë. Ndodhte që ndonjë kingjit i metej këmba në mes të shkëmbinjëve të thepisur e Syla ia nxirrte me kujdes me mjeshtri. Mandej, Syla e shikonte diellin kur afrohej te Ballit të Kershit, iu ndërprente kullosën gjâve. I këthente e nisej me to për minges.

Verës, nga dita e Shën Gjergjit, kur bagëtinë i qonte me pi ujë te Gjiri i Ballicave e deri në fund të gushtit kur kositeshin për herë të dytë livadhet, Syla nisej udhës së Rabaxhive, zbriste kah Ulica e Breshancit e dilte te Vai i Stanës.

Tren mallrash në Prizren, dikur

Te Vai, Syla i shtinte me pi ujë, deshtën apo s`deshën dhe pastaj, dilnin e kullosnin nëpër livadhe e çoabani shkonte në hijën e kregsit të pagarushëv e hante bukë.

Syla tashmë kishte mbërri në krye të dushkajave dhe Turjaka shihej si në pëllëmbë të dorës. Kishte frikë mos po e shohin çobanët e Turjakës, Bajram Ramadani, Islam Mliqi, Shaban Seferi e Sadri Shaqa, që qoheshin herët e i ktheheshin vonë me lopët e delet e tyre nga mali.

Syla mendoj të rrije edhe pakë te Llakma e Gradinës, në dushkaja. U mshef (fsheh) që edhe qentë, zagartë e langojtë nuk do të mund ta gjenin, Nga lodhja e nga ngrohtësia e rrezeve të diellit pranveror të Turjakës, Sylën e zuri gjumi. Kishte fjetur si nujë.

Dielli i kishte kapërcye fushat e Garaqevës, Grapine Panorcin e ishte gati ta kapërcej edhe Majën e Kaznikut.
Syla mendoj se është koha të nisej sepse nuk shihte asnjë njeri në udhë, ara e fusha.
Hyni fshehurazi në katund por fati që shtëpia e Sylës, ishte e dyta, pas asaj të Shaqë Tushës.

A thua a do ta gjente babën në odën e burrave e nënen te dyert e aborrit tuj e prit Sylën?
Po qeni, a do ta njeh Sylën apo e ka harrua të zotin që më shumë kishin kalua me te se me prindërit, babën e nënen.
Syla e shtyu derën e kapegjikit dhe hyri brenda në oborr.
U gëzua që nuk e pau askush dhe u nis drejt e në shtëpi ku gatuante bukë e thallonte pite, aty ku rrinte nëna.

Malli që të kthehej Syla me tren në atdhe, në Prizren, kryeqytetin shqiptar e të vazhdonte udhëtimin me tren për në Tiranë, qytetin tjetër ishte më afër para 70 vjetëve se sa sot. Binarët e rrugës kanë mbetur si skelete të dinosaurëve aty-këtu e sirena e trenit nuk dëgjohet më. Ajo udhë kujtohet vetëm te pleqtë si një ëndërr e Drini plak e ka humbur rrugën.

Vërtetë a erdhi Syla në Turjakë apo ishte hija, në syret të Sylës?
Edhe shtëpia e stacionit në Mrasori (”Mirushës”) është rrfashua për tokë.
Çdo gjurmë nga e kaluara po humbet.
Bashkë me njerëzit pleq, që po vdesin, ngadalë po vdesin, pa u hetua edhe të mirat shpirtërore e materiale.

Sinan Kastrati, Suedi
Malmö, 5 janar 2024
sinankastrati09@hotmail.com

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.