Zymer Mehani
Në poezinë e Avni Çunakut, motivet atdhetare dhe sociale preken dhe përshkohen me një eksperiment poetik të pakufizuar nga hapësira dhe koha (p.sh. poezitë për Dardaninë, që s’janë të pakta). Si të tilla, ato janë struktura jo të rralla me përmbajtje filozofike, ndonjëherë me theks në mësimin e së kaluarës sonë gjatë historisë, që vërtet, mund t’i quajmë përsosje e vargut. Imazhet e tij nga trualli amtar rriten në situata të përgjithshme, por edhe të veçanta, ngase ai trajton kryesisht tematikë dhe motivikë atdhetare, kulturore dhe historike, përkatësisht – vendëse, kombëtare dhe qytetëruese të përgjithshme, universale, siç është tek e fundit edhe vetë dashuria. Atij i intereson veçanërisht fenomeni i kombëtarizmit dhe pohimi i amtares në korpusin e krijimtarisë së tij poetike.
S’do mend se poezitë e autorit Çunaku janë jashtëzakonisht interesante dhe me motive dhe tema të larmishme, që shquhen edhe me stilin unik. Poezia e tij na bën të bindemi për raportin dialektik që autori krijon mes traditës dhe modernitetit. Duke qenë i tillë, Avni Çunaku sigurisht se do të mbetet një poet i rrënjosur thellë për tokën ekzistenciale, shpirtërore dhe emocionale të Dardanisë (Kosovës), por duhet theksuar se ai është mbi të gjitha një autor, mendimi dhe horizontet poetike të të cilit shkojnë përtej ligjërimit të ngushtë vendas, ngase vargjet e poezive të tij, në mënyrën e tyre të veçantë përfshijnë edhe çështjet thelbësore ekzistenciale dhe filozofike të njeriut modern, kudo që ai jeton, në çdo cep të rruzullimit.
Prandaj, edhe te përmbledhja poetike “Ëndrra të trishta”, Çunakun e lexojmë jo vetëm si poet në një lloj binjaku me kombëtaren, por me të dyjat: edhe me kombëtaren, dhe me universalen. Tani e dëgjojmë atë si një poet të rafinuar, por pse jo edhe të një ndjenje të fortë humaniteti. Në të vërtetë, ai nuk i formësoi vargjet e tij vetëm në ndonjë lloj “motivi” të Dardanisë, apo në një entitet të vetëm poetik, por ato janë më gjithëpërfshirëse… dhe se ato karakterizohen si “balada të një mërgimtari”, disi plot mall për truallin amtar, të hidhura, të dhimbshme, por edhe ironike, të gëzuara, satirike, por gjithmonë thellësisht njerëzore dhe thellësisht të buta. Si të tilla, një pjesë e poezive të tij vërtet trajtojnë tematikë atdhetare, por disa të tjera shquhen me motivikë dhe tematikë kozmopolite, e si të tilla janë tejet mbresëlënëse, si afreska vuajtjesh dhe rebelimi.
Në fakt, Çunaku nuk ka vargëzuar kurrë vetëm për Dardaninë. Ishte vetëm “bërthama” e poezisë së tij Dardania, si “vendi i veprimit”, i skenës së madhe dhe të përjetshme të vargut të tij, një lloj “stacioni” i kohës, në të cilën Vuajtja, Dhimbja, ndoshta edhe Vdekja vërtiten të pandalshme, dhe, sigurisht, Shpresa – ajo fortesë metafizike dhe plotësisht e brishtë, por në të njëjtën kohë e vetmja e vërtetë dhe e arritshme për të gjithë. Pikërisht këto thellësi të hapësirës dhe kohës që Çunaku i preku në poezitë e tij, janë një gdhendje ashklash të historisë, nga e cila na vështron fytyra e urtë, por edhe tallëse e së shkuarës, e cila shtrihet në të djeshmen, në të sotmen, por do të vazhdojë edhe nesër. Dhe ajo që vërtet autori Avni Çunaku e ka theksuar më tepër, është “çarja globale e materies njerëzore, e moralit dhe e shpirtit”, që është temë e madhe ekzistencialiste dhe jashtëzakonisht interesante.
Është konstatim yni se gjithë jetën, duket se vetë Çunaku ishte në kërkim të një rruge për ta kapërcyer atë përçarje të bashkëkombësve të tij, qoftë edhe me çmimin e vuajtjes personale, por gjithmonë, me përjetime tronditëse, si në jetë ashtu edhe në poezi, ngase jeta i jep të njëjtën përgjigje të dhimbshme, që, për fat të keq, është: atdheu i tij i ndarë dhe bashkëkombësit e tij të përçarë. Prandaj poezitë-gdhendjet e Çunakut tingëllojnë kaq serioze edhe kur na bëjnë të buzëqeshim, sepse e qeshura e tij, në të vërtetë është një jehonë e zgjatur e asaj të qeshurës së hidhur të atij personit fatkeq (mërgimtar), të humbur në kohë dhe hapësirë, është një e qeshur e dhimbshme e sfidës dhe e vuajtjeve, ajo e qeshura që është një kërcitje e koordinuar guri dhe rënkim i tokës.
Zymer Mehani, më 25 maj 2023, Besianë