“PASQYRA DHE HIJA“ E KËSAJ POEZIE, MODEL I MIRË KRAHASIMI…

0
468
Mario Bellizzi - Pasqyra dhe hija

Mario Bellizzi, “PASQYRA DHE HIJA”, poezi, botoi Shtëpia Botuese “LITTERA”, Prishtinë 2022, faqe 230. ISBN 978-9951-9053-2-9

I.
Vëllimi me poezi, i arbëreshit Mario Bellizzi, PASQYRA DHE HIJA, është ribotuar në Prishtinë, gjatë vitit 2022. Ky vëllim me poezi shënon kthesë kah botimi i vlerave të larta kulmore e kulturore, sepse PASQYRA DHE HIJA, është libri më i bukur i poezisë së sotme shqipe. Për më tepër është mirë të merrej shembull se si shkruhet artistikisht poezia e vlerës, e mendimit dhe meditimit, jo vetëm në arbërishten e Mario Belicit, por si shije estetike, vlenë për të gjithë poetët të cilët shkruajnë në dialektët e tyre.

Poezitë e Mario Belicit, janë përplot shpirt dhe ndjenjë, janë përjetimi më i mirë i vlerës artistike. Poezitë, tashmë të ribotuara në librin PASQYRA DHE HIJA, dëshmojnë për njohje të gjerë të gjuhësisë e historisë, të etnografisë e të etimiologjisë së fjalës së shkruar, filozofisë e mitologjisë, liturgjisë, prandaj secili varg i kësaj poezie, si shprehje magjike japin mundësi për interpretime të pafundme.

Pa dyshim, vëllimi me poezi, PASQYRA DHE HIJA, është i rrallë dhe i vetmi, jo vetëm për nivelin artistik, por për tërësinë dhe komplkesitetin e vlerave gjuhësore dhe etimologjike, i domosdoshëm për specialistët e fushave përkatëse, prandaj është në të mirën e gjuhësisë dhe të poezisë për tu lexuar e për tu studiuar, pasi kjo poezi posedon në vete shprehje dhe sinonime të shumta gjuhësore, me interpretime të shumanshme, ku nuk i gjen në asnjë libër tjetër të poezisë së sotme shqipe. Pa ekuivokë, “Pasqyra dhe hija” i Mario Belicit (Bellizzi), ka prurje në shumë sfera të studimeve letrare, historike, mitologjike e etimologjike etj.

Në anën tjetër, ky vëllim poetik, është dokumenti më origjinal për të mësuar me sa përkushtim, me sa dije e njohje studimore shkruhet poezia e mirë, tejet e veçantë, e cila si e tillë në brendësi të saj ka artin magjik, metafora të figurshme dhe shprehje të shumta letrare e stilistike!

PASQYRA DHE HIJA nuk lexohet kollaj, madje as shpejt e shpejt, aq më pak do si do. Kjo “Pasqyrë poetike“ kërkon qasje serioze dhe trajtim adekuat, prandaj gjuhëtarët le të merren me aspektet gjuhësore dhe me etimologjinë e fjalës së shkruar, kurse poetët që shkruajnë në dialketet e tyre le ta kenë “Pasqyrën dhe hijen e saj”, model për ndërtimin e poezisë estetike, për vlerat e larta artistike si dhe për kulturën e shkrimit poetik, pastaj le të shihet si shëmbëllen njohja kaq e thellë e të folmes dhe shkrimit në dielekt. Pra, njohja e gjithanshme është domosdoshmëri, është vlerë pa të cilën nuk shkruhet poezia e mirë dhe ajo artistike!

II.
Në letërsinë shqipe dhe te botuesit kosovar, ribotimi i një libri me ndryshime të dukshme, dhe me përseritje të poezive nga libri në libër, nuk është ndonjë risi, sepse autorët i korrigjojnë poezitë e veta, gati në çdo ribotim, madje edhe i kanë plotësuar dhe i kanë kompletuar ribotimet sipas shijes dhe kërkesave edhe të botuesit.

Shembull më tipik për poezinë shqipe, (veçmas të asaj që botohet në Kosovë), është poeti Ali Podrimja, i cili librin LUM LUMI, e ka ribotuar të paktën katër herë dhe gati në secilin ribotim e ka ndryshuar dhe përpunuar poezinë. Shih për këtë, studuesi dhe profesori universitar dr. Bujar Tafa, në vitin 2010, (vetëm dy vjet para se të vdiste poeti ynë i madh), ka realizuar studimin BIOGRAFEMAT DHE IDEOGRAFEMAT, në botimet dhe ribotimet e vëllimit me poezi LUM LUMI, të Ali Podrimjes, studim i cili karakterizohet për vrojtimet e gjithanshme dhe të shumanshme në ndryshimet që ka pësuar poezia e Ali Podrimjes, nëpër katër ribotimet sa janë evidentuar në këtë studim të prof. dr. Bujar Tafës.

Prandaj edhe ky studim imi ka për qëllim jo vetëm evidentimin e disa ndryshimeve që ka pësuar ribotimi i librit me poezi PASQYRA DHE HIJA, nga botimi i parë në vitin 2018, por edhe për të dëshmuar se si poeti i ka ribotuar disa nga poezitë e këtij libri edhe në librat paraprak. Ribotimi i vëllimit me poezi PASQYRA DHE HIJA, i Mario Belicit, më jep shkas për të bërë një krahasim në mes librit “LAST EXIT TO – BUKURA MOREA”, 2003; ”PASIQYRI DHE HJEA“, 2018, dhe ”PASQYRA DHE HIJA“, 2022.

1. “LAST EXIT TO – BUKURA MOREA”, (Ultima uscita per La Bella Morea, / Gjeo-poezi arbëreshe e migrimeve të shumëfishta. Nga historia në heterotopi), botoi Edicioni “IL COSCILE” Castrovillari – Itali 2003, faqe 160. ISBN 88-87482-47-0
2. ”PASIQYRI DHE HJEA“, poezi, botoi Edizioni Prometeo, Castovillari 2018, (Italia), Faqe 154. ISBN 978-88-95109-21-3.
3. ”PASQYRA DHE HIJA“, poezi, botoi ”LITTERA”, Prishtinë 2022, faqe 230. ISBN 978-9951-9053-2-9.

1 – Libri: LAST EXIT TO – BUKURA MOREA, 2003.

Disa nga poezitë e botuara në librin ”PASQYRA DHE HIJA“, i botuar në Prishtinë të Kosovës në vitin 2022, jan poezi të botuara edhe në librin “BUKURA MOREA”, 2003. Për të qenë sa më konkret krahasimin po e bëjë me ribotimin e librit ”PASQYRA DHE HIJA“, në Prishtinë gjatë vitit të kaluar.

– Poezia: Ide vetmie e markadesha, faqe 18. (Në librin e fundit është e botuar me titullin “XIXËLLONJA E VETMIA”, faqe 183. Kjo poezi, është mjaftë e përpunar sa botimi i fundit, i ka ruajtur vetëm emërtimet për Xixëllonjen, prandaj poezia lexohet si krejtsisht e re.)
– Poezia: Lutje me porosi, faqe 24. (E shkruar në Horë, në 4 janar 1991. Nuk ka ndryshime, gjendet te ribotimi, faqe 52.)
– Poezia: Një letër për Çim Arifin, shqiptar i mërguar, faqe 28. (Në botimin e fundit, ka titullin
“NJË LETËR PËR NJË SHQIPTAR TË MËRGUAR”, faqe 54. Kësaj poezie i heqet vetëm emri për dedikuesin, Çim/Shkëlqim Arifi.)
– Poezia: Të kuqtë e Onufrit, faqe 30. (Ribotimi është pa ndryshime, faqe 56.)
– Poezia: Red shift, faqe 34. (Në ribotim, pëson vetëm thyerjen teknike të vargut, faqe 58.)
– Poezia: Rapsodia n° 28, ushtrim stili: mësues J. De Rada, viti 2001, faqe 36. (Në ribotim, faqe 59. Ka ndryshime vetëm te thyerja e vargut.)
– Poezia: Nëse dallëndyshet vijojnë ta ndërtojnë folenë në Kosovë atëherë barbari Arkan s’ka fituar, faqe 78. (Në ribotim ka pësuar vetëm titulli “NËSE DALLËNDYSHET VIJOJNË TA NDËRTOJNË FOLENË”, faqe 62.)
– Poezia: Me fytyrë kthyer kah Meka, faqe 86. (Në ribotimi, faqe 67, ka ndonjë freskim ose edhe thyerje të vargut.)
– Poezia: Dita e Ballkanit, Mikut poet Ali Podrimja, faqe 90. (Në ribotim, Një kujtim kushtuar poetit Ali Podrimja, faqe 70. Përveç në thyerje të vargut nuk ka ndonjë ndryshim.)
– Poezia: Shadërvan, S’ka përkushtim, faqe 94. (Në ribotim është përkushtimi: Mikut Rozafat Berki, faqe 82, po ashtu ka edhe thyerje teknike të vargut.)
– Poezia: Paqë në Ballkan, faqe 96. (Ribotimi është pa ndryshime, faqe 77.)
– Poezia: Gjakova, faqe 96. (Ribotimi është pa ndryshime, faqe 81.)
– Poezia: Trance, Mikut poet Osman Gashi, faqe 98. (Ribotimi është pa ndryshime, faqe 76.)
– Poezia: Fëmijët e Pejës, faqe 98. (Në ribotim ka pësuar thyerja teknike e vargut, faqe 80.)
– Poezia: Fushë Kosovë, faqe 100. (Në ribotim ka pësuar thyerja teknike e vargut, faqe 78.)
– Poezia: Fyelli dhe dasma, Mikut Robert Elsie, faqe 100. (Në ribotim, Tue kujtuar mikun Robert Elsie, faqe 79.
– Poezia: E Bukura More ose Lëvdatë i pavendimit, faqe 132. (Ribotimi është pa ndryshime faqe 167.)
– Shënime, faqe 104. (Në ribotim te “DISA SHËNIME”, Reportazh poetik nga Kosova, faqe 210-211, me ndonjë rifreskim formal).

Të gjitha këto poezi janë të botuara edhe në librin ”PASQYRA DHE HIJA“, të cilin e ka botuar ”LITTERA”, Prishtinë 2022.

2 – Libri: PASIQYRI DHE HJEA, 2018.

Botimi i I-rë, i librit PASIQYRI DHE HJEA, poezi, është botouar nga Edizioni Prometeo, Castovillari 2018, dhe është 154 faqe. Disa nga poezitë e shkurtëra të këtij libri, (dy deri në tri sish), janë botuar brenda të të njëjtës faqe, kurse libri ndahet në dy pjesë, përkatësisht në dy cikle: Cikli 1. LAST EXIT TO BUKURA, dhe cikli 2. PASQYRA DHE HYJA.

*Sqarim: Të gjitha krahasimet bëhen me ribotimin e këtij libri në Prishtinë, 2022.

Nga botimi i parë në Itali, është hequr shënimi i Ahmet Selmanit MBIJETESA E QENIES, faqe 18-21. Po ashtu edhe shënimi i Mario Belicit, ka pësuar retushim freskues, si duket njashtu ka ngjarë edhe me studimin e akademik Rexhep Ismajlit. Retushimet janë bërë, më shumë për t’iu përshtatur konceptit të ribotimit.
Nga botimi i parë nuk janë marrë këto poezi:

Nga cikli: LAST EXIT TO BUKURA, poezitë:

– PIKËPYETJE-PIKËÇUDITËSE, faqe 32.
– BETIM NË GUR, faqe 41
– BABILONIA, PROVINCË E PRISHTINËS, Mikut Rexhep Ismajli, faqe 51.

Nga cikli: PASQYRA DHE HYJA, poezitë:

– DIMRI I MËRGIMIT, faqe 56.
– KËMBË E DUAR, faqe 58.
– 9 TABLEAUX, faqe 59.
– KONCERT PËR PËRRALLË DHE OBOE, faqe 63.
– TURE MENDUAR MUZIKËN, faqe 66.
– JUG, faqe 67.
– BIE SHI, faqe 67.
– VJESHTA, faqe 68.
– NJË KATUND TË VDEKURISH, faqe 68.
– FLLAD-VORE, faqe 69.
– FILAQIA E ZOGJVET, faqe 70.
– KATUNDI PËR GJUNJA, faqe 72.
– VJERSHË PËR FJALË TË VDEKURA, faqe 76.
– UJKU E SHTJERRA, faqe 79.
– BUHUA ZËRI, faqe 83.
– QAN DHIA, faqe 86.
– TEKST PËR DYPLOFONI, faqe 98.
– PËRPAJNA, faqe 98.
– ELEGJI PËR GJERGJ SKIROIN, faqe 101.
– PJETRIT, faqe 101.
– FJALËT, faqe 102.
– NË THURII, faqe 103.
– HIRI, HIJA E HESHTJA, faqe 110.
– MANEKIN ARBȄRESH, faqe 120.
– NGA DRITARET E HIDHURA TË HISTORISË, versioni në anglisht, “FROM THE RICKETY WINDOWS OF HISTORY”, faqe 131-133, (përkthyer nga Gino Bellizzi), si dhe versioni në arabisht i kësaj poezie, “من نوافذ التاريخ الكريهة”, faqe 136-138, (përkthyer nga Ilmi Rexhepi.)

* * *

Në sqarimet me titull: “DISA SHËNIME”, sigurisht për shkak të poezive që nuk janë marrë në ribotim, janë hequr edhe këtë shpjegime:

– Hyjnitë e mbuluara, faqe 141.
– Muaji i Majit dhe Pjetrit, faqe 142.
– Pluhur zëri (Buhua zëri), faqe 143.
– Dionizi dhe Thirrja e dhisë (Qan dhia), faqe 143.
– 9 Tableaux, faqe 144.
– Zëri në gjuhën italiane (Zëri në gjuhën shqipe), faqe 145.
– Elegji për Gjergj Skiroin, faqe 145.
– Në Thurii, faqe 145.

3 – Libri: PASQYRA DHE HIJA, 2022.

Ribotimi i librit në Prishtinë, është mjaft i plotësuar, dhe dukshëm i kompletuar me këto poezi, të cilat nuk gjenden te botimi i parë, por shtatë poezi nga ky libër janë të botuara edhe në librin “LAST EXIT TO – BUKURA MOREA”, në vitin 2003.

– LUTJE ME POROSI, faqe 52.
– NJË LETËR PËR NJË SHQIPTAR TË MËRGUAR, faqe 54.
– FËMIJËT E PEJËS, faqe 80.
– GJAKOVA, faqe 81.
– SHADËRVAN, Mikut Rozafat Berki, faqe 82.
– BALLKAN I ËMBËL DHE I ZEMËRUAR, faqe 103.
– E BUKURA MORE OSE LËVDATË I PAVENDIMIT, faqe 167.

Poezitë e më poshtme janë risi, pasi nuk janë të botuara në asnjërin nga dy librat që i kam në shqyrtim:

– SHTIGJE KOMETASH, faqe 47.
– LUTJE ME POROSI, faqe 52.
– NJË LETËR PËR NJË SHQIPTAR TË MËRGUAR, faqe 54.
– MOLAT NË QIELL, faqe 73.
– FËMIJËT E PEJËS, faqe 80.
– GJAKOVA, faqe 81.
– SHADËRVAN, Mikut Rozafat Berki, faqe 82.
– LIRIA NUK BLIHET NË TREG, faqe 98.
– THIRRJE I HEROIT KOMBËTAR SKËNDERBEG (DHE KALIT TË TIJ), faqe 101.
– BALLKAN I ËMBËL DHE I ZEMËRUAR, faqe 103.
– E BUKURA MORE OSE LËVDATË I PAVENDIMIT, faqe 167.
– ËNDRRA E NJË GJËJE, faqe 194.
– NEMA STO NEMA – S’KA GJË QË S’KA, (DIÇKA TY MENDON TË KESH, NË PAZAR DO T’E GJËSH), faqe 197.
– GRATË E PAZARIT TË SHKUPIT, faqe 200.
– VËSHTRIME MIGRANTE, faqe 203.
– GJEOGRAFIA E SHPIRTIT, faqe 204.
– RRUZULIMI NË FILAQÌ, faqe 205.
– LAYLĀ, ZHULJETA DHE EURIDIKA, faqe 206.

* * *

Edhe tek sqarimi: “DISA SHËNIME”, ribotimi në Prishtinë, me ndonjë retushim formal, në fund te librit janë shtuar edhe këto shpjegime:

– Reportazh poetik nga Kosova, faqe 210.
– Nga dritaret e hidhura të historisë, faqe 220.
– Nema sto nema – S’ka gjë që s’ka, faqe 223.

Karakteristikë dalluese e botimeve të Mario Belicit, janë sqarimet dhe kthjellimet e shumta të vendosura si fusnotë në fund të secilës poezi. Pastaj si risi për një libër me poezi është literatura orientuese, shpjegimet e shumta, të cilat bëhen për ta lehtësuar lexuesin dhe studuesin e saj, gjë që për mendimin tim është mirë, dhe do të duhej këtë praktikë ta zbatojnë të gjithë poetët dhe autorët e librave që fusin terminologji të re në shkrimet e tyre ose të gjithë ata/ato që shkruajnë në dialekt. Mënyra se si ka vepruar Mario Belici, është për admirim!…

Ja disa sqarime, të cilat janë me mjaftë interes për lexuesin, të cilat i ka bërë vet poeti në librin PASQYRA DHE HIJA:

[Nëse doni të këshilloheni me Burimet Arkivore të Arkitekturës]
Këtu, në Shkup, shtrënguan duart nën mbikëqyrjen e OKB-së u betuan të bënin thelbin e “Qytetit të Hapur të Shkupit” për një shoqëri në zhvillim. Arkitektit japonez Kenzo Tange fitoi konkursin për master plan-in. Elementi kryesor shtrohej në një zonë e veçantë përgjatë brigjeve të Lumit Vardar këtej dhe andej Urës Guri duhej të kishte një hapësirë të gjelbër në zonën ngjitur me Pazarin e pasuruar me funksione të shumta publike. (https://milanmijalkovic.com/Crv-Pazar-Skopje)

[Këshilloheni me Burimet i Përfytyrimës ballkanike]
Milan Mijalkovic tregon me kureshti se zona e Planit kishte rrotull edhe:
a) një zonë ushtrimesh për autoshkolla;
b) ambasadën gjigande e SHBA-së;
c) një varrezë ushtarake franceze;
ç) një deponi e mbeturinave joformale;
d) një klubë striptizi, ku ish një pishinë publike;
dh) Muzeunin e Artit Bashkëkohor;
e) skeletin të një ndërtese pa leje;
ë) administratën doganore;
f) muret të fortifikuara të kështjellës;
g) ndërtesën të qeverisë përball tregut;
gj) stadiumin e rinovuar rishtas;
h) një kantier tjetër pa leje të braktisur;
i) një luna park / një argëtim të shkatërruar.
Për Kshetëz, Zana, Kreshnikë, Viganë, Kuçedra, Thopërçi, Lugati, shiko: Bonnefoy, I., Dizionario delle mitologie e delle Religioni, BUR Rizzoli, 1989.

[Nëse doni të këshilloheni me Burimet e filozofisë]
M. Foucault, Folie et déraison. Histoire de la folie à l’âge classique, Paris 1961; Lukreci, De rerum natura; J. Derrida, Margini della filosofia, Einaudi, 1997.

DISA NDRYSHIME:

Te BOTIMI I PARË, titulli i librit arbërisht është: PASIQYRI DHE HJEA, kurse në faqën 1. të atij botimi, është shënuar edhe varianti PASQYRA DHE HIJA, të cilin e ka shfrytëzuar botuesi në Prishtinë. Por brenda librit, (te botimi i parë), te cikli i dytë e hasim edhe këtë variant: PASQYRA DHE HYJA, d.m.th. qysh në botimin e parë i kemi këto tre variante: “Hjea, Hyja dhe Hija”. Kurse disa nga ndryshimet tjera të cilat i kam arritur me i evidentuar janë si më poshtë:

– Poezia “LIRIJA”, faqe 35, te ri botimi, mbanë titullin “GURI E LËVIZJA”, faqe 48.
– Poezia “VALLJA NË FJAVAR”, faqe 75, botimi në Prishtinë, “VALLJA NË SHKURT”, faqe 114.
– Poezia “FYELLI E DASMA”, Mikut Robert Elsie, faqe 53, botimi në Prishtinë “FYELLI DHE DASMA”, Tue kujtuar mikun Robert Elsie, (lidhëza, nga “E” në “DHE”), faqe 79.
– Poezia “ÇAMBË ËNGJËJSH”, faqe 58, në ribotim e gjejm, “ÇAMBA ËNGJËJVE”, faqe 89.
– Poezisë “NËSE DALLËNDYSHET VIJOJNË TA NDËRTOJNË FOLENË”, faqe 62, te ribotimi në Prishtinë i mungon pjesa e dytë e titullit: “NË KOSOVË, ATËHERË BARBARI ARKAN S’KA FITUAR”, (që e kemi te botimi i parë, faqe 42.)
– “SI RRINË SHPITË E GJITONISË?”, faqe 104, në ribotim është: “SI RRINË SHPITË E GJITONIVET?”, faqe 156.

Po ashtu i kam vërjetur edhe disa citime te studimi i Rexhep Ismajlit, që nuk përputhen me botimin e fundit. Prandaj ky studim kritik për ndryshimet dhe bartjen e poezive nga një libër në tjetrin të Mario Belicit, i justifikojnë pasaktësit e citimeve në studimin e dr. Rexhep Ismajlit, pasi disa nga citimet gjenden në njërin nga variantet e botimeve që i kam theksuar më lartë.

Është:
Ndoshta
vetëm një trandje e përkohshme
që çel hapa në të tanishmen
e asgjëtjetër.

Faqe 22.

Duhet:
Ndoshta
vetëm një kundërmim i përkohshëm
që zbyll në të tanishmen hapa
e asgjë tjetër.

Faqe 168, (ribotimi në Prishtinë.)

* * *
Nga parathira ruaj i çmendur
këtë ëndërr pa krye me diellin ndër sy

Faqe 26.

(Këtë citim nuk e kemi në poezinë e të dy varianteve.)

* * *
Është:
I sillemi tri herë
tri herë kufirit të dheut-varr
Kosova ime e stërvuajtur
në supet e mia të lodhura prej poeti
një gur dhe një plis.

Faqe 32.

(Ky citim është marrë nga poezia, BETIM NË GUR, faqe 41, poezi kjo e papërfshirë në ribotimin e Prishtinës.)

* * *
Eshtë:
Kimne besë kështu zë fill Liria!

Faqe 33.

Duhet:
Kimni besë kështu zë fill Liria!

Poezia LIRIJA, faqe 35, ose te ribotimi
poezia GURI E LËVIZJA, faqe 48.

Shënim i duhur:
Nuk kam arritur të bëjë krahasimin e mjaftueshëm për ndryshimt e mundshme të vargjeve dhe tekstit të poezive për t’i dalluar BIOGRAFEMAT DHE IDEOGRAFEMAT, edhe në poezinë e Mario Belicit. Sidoqoftë libri është perlë poetike dhe prurje e kënaqëshme artistike. Poezitë e Mario Belicit janë një provokim pozitiv për lexuesin dhe studuesin e saj, dhe padyshim janë vlerë mirë e realizuar, kurse si libër poetik, jo vetëm se shëmbëllen por edhe i domosdoshëm për tu studuar!…

III.
Poezia e Mario Belicit të rrëmben, posaçërisht me të folmën e arbërishtes së rrjedhshme e cila për kthjelltësinë e saj këtë poezi e bënë të dallueshme si strukturë tematike dhe për shprehjen gjuhësore mjaftë tërheqëse. E folmja arbërisht është futur në funksion poetik, dhe pasi poeti ka përdorur dendur fjalë të rralla, libri posedon edhe shpjegime dhe sqarime të shumta gjuhësore. Pastaj kjo lirikë është e pasur me epiken historike, me filozofi dhe aspekte të liturgjisë etj. Andaj shpjegimet që i përkasin fushës së gjuhësisë shqipe e asaj arbëreshe, janë fjalë me rrënjë të latinishtes, kurse shprehjet tjera dëshmojnë për njohuritë e thelluara që ka poeti. Për të qenë më pragmatik në këtë mendim, po i citoj disa shembuj, ku është bërë zbërthimi i kuptimit për fjalë e shprehje të latinishtes ose janë sqarime të ndryshme nga fusha historike dhe nga mitologjia, psh.:

– Animum quoque – koha merr gjithçka, madje edhe kujtesën
– Diodoros-it Sikeliotes – Diodoros Sikeliotes, historian të I shek. p. K.;
– Djemnuem – në gjuhën lat. Damnatio memoriae;
– Fjet me Krishtin mbi ata rehje – shprehje popullore, mjegullë shumë e trashë;
– Fshehëtësive – një letër e Aristotelit për Lekën;
– Hjibave – W. Shakespeare, “Hamlet”, i, v, 188: “The time is out of joint”, kokëposhtë. Për J. Derrida (në Spectres de Marx, 1993), time është në të njëjtën kohë, përkohshmëria e kohës, ajo që mundëson përkohshmëria (koha si historia, kohërat që kalojnë, koha që jetojmë, dita e sotme, koha), sa, si pasojë, bota si shkon, bota jonë sot, e sotmja jonë, të njëjtin aktualitet […];
– Kungullin – shprehje popullore: dikur, në katundet tanë, gjatë natës një grup njerëzish të armatosur, me fytyrë të maskuar, rreth lagjes, denoncoi fakte dhe njerëz, duke përdorur një lloj kunguj të zgjatur, i zbrazur, si megafon;
– Lisipit – Lysippus ishte një nga skulptorët më të mëdhenj grekë të shekullit të iv p. K., i preferuari i aleksandrit të madh. Nga 1500 statuja që lisipi do të kishte bërë, asnjë origjinale nuk ka mbijetuar. Sipas Plinit, Lisipi gjithmonë thoshte se ai i përfaqësonte njerëzit jo ashtu siç janë, por ashtu siç duken, me probleme, shpresa, gëzime dhe hidhërime, duke hequr dorë nga përpjekja për të përfaqësuar absoluten dhe idealen.
– Lisipit – Lysippus jetoi midis 390/385 p. k. dhe vdiq pas vitit 306, një nga mjeshtrat e mëdhenj të skulpturës klasike greke, punoi shpesh herë për Lekën;
– Politikon-i – një përkufizim i Aristotelit;
– Pronës private – në gr. Oikonomia e chrematistiké dmth e para: administrimi i shtëpisë dhe i pronave, jetra arti i grumbullimit të pasurisë; ato nuk janë identike, në fakt i takon i pari të blejë mallin, tjetrit ta përdorë.
– Qyteti e bashkësia – në gr. Polis e koinonia;
– Rizomë – koncepti i rizomës (Gilles Deleuze dhe Félix Guattari) përcakton një strukturë në evolucion të vazhdueshëm, në të gjitha drejtimet horizontale dhe pa nivele. Kjo strukturë është kundër hierarkisë piramidale.
– Thërrimeve – mendimi i plotë i J. Derrida in prière d’insérer ka pyetje edhe për psikoanalizë, semiotikë, seksualitet; / Nëna Tereza, lindi në Skup, nëna e saj, Dranafile ish nga Gjakova dhe i ati, Nikolla nga Prizreni.
– Vërtetë – K. Marx, nga Një letër për Ruge, 1843.

Jo vetëm për shkakun e shembujve që cituam, por duket se “heterotopia” e poetit, ka të bëjë me përzierje gjuhe e sintakse, prandaj ai i ka kushtuar vëmendje të shtuar aspekteve gjuhësore për të cilat karakterizohet libri PASQYRA DHE HIJA. Duke pasur parasysh këtë mendim, në fund të këtij studimi letrar, do e paraqes një “Fjalorth” të shkurtër me fjalë e shprehje të rralla, me shpjegime përkatëse, që janë bërë nga vet poeti. Për tipologjinë e fjalëve dhe sinonimet e shprehjeve poetike, me një ndërtim karakteristik, në të cilin vihet më në pah kjo shumëkuptimësi e fjalëve dhe shprehjeve të përafërta, me pamje të një fjalori me sinonime, edhe për fjalën “Zëri” në gjuhën shqipe, e shohë të arsyeshme ta risjell të plotë poezinë “Zëri në gjuhën shqipe”.

ZËRI NË GJUHËN SHQIPE

Zë i lart, i ulët, i dobët, i qartë, i hollë, i trashë,
burrëror, femëror, i ngjirur, i ëmbël, i dashur,
përkëdhelës, lutës, i ashpër, urdhërues,
me zë të shuar, të mbytur, të dredhur,
të shtruar, të butë, të ftohtë,
të ngrohtë, të këputur, të mekur, i mirë, i pjekur,
zë kumbues, zëri i parë, i dytë,
zë gryke, koke, me një fill zëri,
përgjigjet me zë, qan me (pa) zë,
humbi zërin, e ka zërin bilbil,
zëri i erës, zëri i pushkëve (i topave),
zëri i ziles, zëri i këmborës, zëri i bririt,
përhapja e zërit, jehona e zërit,
zëri i radios, zë i brendshëm,
zëri i Atdheut, zëri i detyrës,
zëri i ndërgjegjes, zëri i zemrës, zëri i gjakut,
zëri i kushtrimit, zëri i protestës,
zëri i popullit, zë nga burime të sigurta,
me një zë, njeri në zë, është në zë,
ka zë, bëj zë, fliste nën zë, është pa zë,
i mban zërin, zë në shkretëtirë,
ngre zërin në qiell, zë i bardhë,…

Preji sīt e vèsht fanīt
po e ndînt shkònjn te zëa
pâ ngār ato, më se ndjē dier te faneme.
(Jeronim De Rada)

Faqe 139-140.

Sëkëndejmi edhe në poezinë SHKRONJA H, kemi strukturë të ngjashme me një semantikë të përafërt që i përketë fushës së semiologjisë. Ja shpjegimet përkatëse: “Te Dheu im H-ja është shumë e rendë…/ ja dica fjalë: HYJ, HI, HYRÌ, HIÇ, HALL,/ HARÈ, HELM, HARRES, HON, HIJE…/ Të gjitha janë puhjìza/ sqythra të izotopive semantike/ gati të lirohen nga praku i gjuhës/ deri të derdhen në grykajën e heshtjes”, (faqe 177). Edhe te poezia A E SHEH SI PUNON GJITHËSIA, (faqe 41-42), kemi një tufë fjalëformimesh karakteristike: “njëri mih, jatëri lëron, njëri mbjell, jatëri prashit,/ kush tharr, kush kor, kush mbledh duaj, kush shin/ kush sharton, kush krasit, një bën pluar’ e sëpatën”, (poezia e cituar, faqe 42).

Në përgjithësi, poezia e M. Belicit, është vlerë dhe pasuri gjuhësore e mbushur me argumente, qoftë si qasje tematike ose me fakte që ndërthurin dy etapa: Të hershmën mjaftë arkaike dhe të tashmën me primesa moderne dhe me elemente të mjaftueshme për tu kategorizuar si poezi e postmodernizmit.

Si varg i ndjeshëm poetik, duket se M. Belici e shkruan poezinë me pasion, dhe si bleta që shkon lule më lule për të thithur nektarin, edhe Mario Belici, ka shkuar kudo për të mbledhur fjalë e shprehje të rralla, të hershme e madje disa të harruara, dhe si qëndismë e mirë, gërshetojnë tërësinë e motiveve dhe të metaforave lirike, të cilat shpalosen si dokumentar emblematik i ekzistencës arbërore dhe të gjallërimit arbëresh në Jugun emblematik. Ndonëse poeti ka brengën për emigrimet dhe ikjet e shumta, edhe nga fshatrat arbëreshe, prandaj ai shkruan: “Katundi im/ i rrethuar nga qetësimi/ të lut pëshpërit fjalët e moçme/ të shkurtura si jeta e të thella si errësira”, (poezia ME KURTH E PA GRURË, faqe 138). Në poezinë KUSHDÒ MUAR GJË NGA KATUNDI, shprehet një realitet përjetues, “(…)

Kushdò mori gjë ka katundi/ e katundi i rrëmbej të gjitha/ dhe i pështolli në heshtjen e lashtë/ të atij çë di dhe kurrën e kurrës mund të flas”, (faqe 179), prandaj këta arbëresh shkojnë drejt modernizimit i cili si dinosaur po gëlltitë e po asmilon kultura e vlera të pakicave kudo nëpër botë, së këndejmi edhe kulturën arbëreshe dhe atë të shqiptarëve të mërguar tej Arbërisë së shenjtë.

DIMRI I MËRGIMIT

Poeti vë çofa(1) të kuqe te dera e natës
mbushin me puzëm(2) fjalësh
vargjet e tij
sa të rrinë shtuara në kohë.
Po largësia është largësi
një thikë e ehjur(3) çë shpon
zëmrën e ëndërrave
e e bën cikërrima(4)
Dimri i mërgimit
bënë të thahet dega e trëndafilit
dhe s’gjënden lule të tjera
ndër trevat e trëmbësisë.
Në lëmë kreshta pa grurë
Zogjtë s’kanë çë të bëjnë
Fjuturojnë të reksur(5) mbi retë.

Faqe 75.

(1 çufla; 2 niseshte; 3 mprehur; 4 copëza, grima; 5 trembur)

Mario Belici, në të gjitha angazhimet letrare e poetike është shquar me pikëpamje moderne, por vazhdimisht ka sjell fjalë e fjalëformime të hershme nga e kaluara, prandaj publikimet e tij në thelb kanë etnogjenezën dhe etnokulturën arbëreshe e cila si vlerë gjuhësore dhe krijuese është një minierë e arit ku mund të vjelën edhe sot e kësaj dite vlera foljore e zakonore, të cilat janë pjesë përbërëse e gjuhës dhe traditave, ndërsa Mario Belici shquhet si zëri më origjinal i kulturës dhe i të folmes arbëreshe:

[Thonjëzat janë dredhi të mbizotërimit të shkrimit/ i cili, pas Trubeckojt, kërkon lidhje gjuhësh/ dhe poezinë e gramatikës/ një përzierje fjalësh dhe gjuhësh/ të brezit të aftësive, thotë Jakobson], (poezia THONJËZAT, faqe 172), ndërsa në faqen vijuese gjejm shpjegimin: (me pak fjalë “nëse”,/ “ku”, dhe “kur” të marrim fjalën për:/ 1) të psherëtirë; 2) të qarë;/ 3) të uluritur; 4) të lutur ose të nëmur;/ 5) të kujtuar; 6) të soditur;…/ të hapur ose të mbyllur thonjëza të tjera…), (po aty, poezia e cituar, faqe 173.)

Shembujt të shumtë të kësaj lirike tregojnë se në poezinë e Mario Belicit, është ndërthurur një mozaik motivosh të ndryshme të cilat burimin e frymëzimit e gjejnë kudo nëpër fshatrat kalabreze, madje shpeshherë rrëfejzat e shumta i gjejmë të strukturuara në poezi të cilat: Parë nën fokusin e gjithëmbarshëm të globalizmit, ky thesar fjalësh e fjalëformimesh edhe mund të gëlltitet, dhe mund të zhduket, prandaj shqetësimi i Mario Belicit duket i sinqert dhe tejet i drejt.

Poezia e librit PASQYRA DHE HIJA, është burim i etnografisë së pasur, i mbushur me njohje historike e ka bërë këtë ligjërim të spikatur estetikisht, ku nëpërmejt poezisë poeti i shpalosë vlerat e vjelura ndërë hapësirën arbëreshe. Së kendejmi, Xixëllonja është simboli më karakteristik brenda këtij libri. Poeti ka arritur për të regjistruar aq emra për Xixëllonjën, ku në mënyrë të drejtpërdrejt e ngjason me vetminë e cila është bërë brenga më e madhe e këtij poeti, breng kjo që daton nga Moti i Madh. Por simboli “Xixëllonja”, në këtë poezi është tjet karakteristik për vet shumësinë e emrave me të cilët pagëzohet Xixëllonja, psh.: “panikuçe, bukurezë, bukadjathëz, çikëlore, cilivile, kakëdhonë, çikëverë, papadhine, karmaneshe, bubaleshë, shkëndijëz,bubareshe, bukure, mashkunxare, bukere, nusaz, bukureshë, buburiskë, çik, llambro, vezullonjë, xixëllimë, xixëllonjë, kakëdhozë, pirokë, gjelbaba, gacullinë, zjamez, gacullì, gacemgjigjë, markadeshë…!”, (poezia XIXËLLONJA E VETMIA, faqe 183.)

Nga kjo që tham, del se Xixëllonja është simbol tejet karakteristik në poezinë e M. Belicit. Ky simbol, kryesisht lidhet me semiotiken e emrit Xixëllonja, si simbol dhe si pjesë e rëndësishme e komunikimit poetik. Gjithësesi Mario Belici, ka dhënë shembullin praktik për pasurinë gjuhësore që ka e folmja e tij dhe bashkë me të edhe ajo arbëreshe, ndërsa poezia si e tillë përmbyllet me vargjet: “Por Hyjnia ngë të shet e të blen!/ Kanë hedhur gëlqere mbi emrat e xixavet./ Humbjes dhe Vetmisë/ nanì i thënë Zhvillim./ Aq e kaq“, (poezia e cituar, faqe 185.)

Kjo vlerë nuk do të arrihej po sikur poeti të shkëputej nga rrënjet arbërore, nga interesimet etnografike e historike, nga përpjekjet e vazhdueshme. Nga kjo që tham, shihet se Mario Belici, është edhe etnograf i zellshëm, një mbledhës fjalësh e fjalëformimesh të rralla, një vrojtues shembullor, i cili me fjalë të rralla e gati të harruara i ka futur në funksion të poezisë, ku me të kaluerën arkaike e modernizon poezinë e sotme duke krijuar tipin e poezisë postmoderne, dhe për të qenë i kapshim e i kuptueshëm, ai nuk ka harruar të bëjë sqarimin e fjalëve dhe të shpjegojë edhe kuptimin e tyre, të cilat i ka përdorur në poezinë e tij Mario Belici.

Pikërisht me fjalët dhe shprehjet e shumta, të cilat janë pjesë e poezisë në librin PASQYRA DHE HIJA, kam arritur të krijojë “fjalorthin”, e fjalëve dhe shprehjeve arbëreshe në poezinë e M. Belicit. Ky veprim ka të bëjë, më shumë për të vënë në pah vlerën etnolinguistike që ka libri, mbase edhe tërë krijmtaria lirike e eseistike, historiografike e hulumtuese e Mario Belicit. Veçmas me pjesën e fjalorit që e kam sistemuar në pjesën e pestë të këtij studimi: (Shih: Shtojcën: FJALORTHI), kam arritur të argumentoj se Mario Belici është edhe studiues mjaftë i spikatur. Ai, përveç letërsisë dhe gjuhësisë edhe nga fusha e antropologjisë dhe ajo e etnologjisë, gjithmonë është interesuar në fushën e linguistikës ku ka arritur Letërsisë Arbëreshe dhe Latërsisë së Sotme Shqipe, t’i sjell fjalë e shprehje të rralla dhe mbase edhe të harruara.

IV.
Vëllimi poetik i Mario Belicit, PASQYRA DHE HIJA, është konceptuar si metaforë tipike e topikës, “E Bukura More” dhe “Jugu”, motivi i Jugut është konceptuar më shumë si atdhe i poetit. Më saktë, me topikën JUGU, parë nën prizmin poetik, s’ka gjë nëse bëhet fjalë për Jugun në Itali apo atë në Peloponez, në Jug të Greqisë, e rëndësishme është ndërtimi i metaforës për “E Bukura More”, vend dhe fushë që përcakton topikë. Edhe shprehja “hetero” është përzierje ose shumësi, andaj edhe në qasjet e Mari Belicit, kjo metaforë e “Heterotopisë”, nuk e përcakton saktësisht cilin Jug, atë në Itali apo në Jugun tjetër, atje në Peloponez. Sado që kjo “heterotopi” poetike, lidhet me aspektet e sintaksës dhe të gjuhësisë, vëmendja e lexuesve, veçmas e studuesve, le të bartet sipas qasjes së tyre për topikë gjeografike, ose për elementet e përzierjeve gjuhësore, që janë “lutje shumëgjuhëshe, kode të reja poetike”, (faqe 50), dhe si e tillë karakterizohet edhe në metaforën e poezisë brenda vëllimit poetik PASQYRA DHE HIJA.

Ndonëse më e rëndësishme është të theksohet se poezia e Mario Belicit, tejkalon kufijtë poetik duke u shndërruar në dokument i vlefshëm, sidomos për aspektet gjuhësore, sepse sipa tij “Gjuhët bëjnë shaka si dhia/ prandaj delarë dhe Akademi me ata dalin trush/ djersitën t’i mbyllin brenda oborrit të Fjalorëve”, (faqe 90). Dhe ky shpjegim që dëshirojë ta them nuk mund të shkonë përtej asaj që e ka thënë vet poeti në poezinë GJUHA RIZOMË, (faqe 90-92), në të cilën përveç shpjegimeve dhe krahasimit poeti shpreh edhe shqetësim por paraqet edhe frigë, andaj kundërshton harresën, sidomos harresën kolektive. “Gjuhët ndër udhëkryqet e Historisë/ zëmërgjer ndërrojnë fjalë/ pa egërsi i ngallmojnë/ në gjeografinë e heshtjes së natës”, (po aty, faqe 90.) Duke pas parasysh rëndësinë dhe vlerën estetike të kësaj poezie, veçmas për motivin tematik, po sidomos për mesazhin që dëshiron poeti ta përqoj tek lexuesi, mendoj se poezia duhet të lexohet fjalë për fjalë, andaj po e risjellë të plotë, qoftë për ta çëmtuar e qoftë për ta zbërthyer ose kuptuar më mirë e më sakt, mesazhin e tërësishëm të saj.

GJUHA RIZOMË(1)

Gjuhët bëjnë shaka si dhia
prandaj delarë dhe Akademi me ata dalin trush
djersitën t’i mbyllin brenda oborrit të Fjalorëve
Ndërsa unë dashuroj fjalët të arratisura të dogançes
që kalojnë kufijtë si të fshehtat
“Camosu, o cimadh se ta thurën tortëzest!“(2)
Me ata unë ëndërroj simetri dhe va
hone dhe përqafime të fshehta midis popujve.
Gjuhët ndër udhëkryqet e Historisë
zëmërgjer ndërrojnë fjalë
pa egërsi i ngallmojnë
në gjeografinë e heshtjes së natës.
Ndonjëherë bëjnë atentate në një guerilje
që lëshon trupa e fjalë ndër lëmenjtë afër kufijve.
Mekaq
shfletojmë listën e kreditorëve të shqipes.
Egjiptianët i dhanë martrinë(3)
erdhën pas filozofët grekë me pirivolin e trondofilan
dafinën e vasilikoin
kallogjerin që i vuri kurorë(4) nusës e dhëndërit
si kanë zakonë bizantinët.
Litinjtë menduan për kohën
ashtu dhuruan ca emra muajve
me gështenjën dhe bukën.
Më tutje, Turqit më se lufta dhe ikje
me mirësi na zgjatën manushaqen
nuses i dhanë cohën e sënduqin, bilbilin e honin.
Arabët na dhanë kanakën, tafanarin e tavutin(5)
Spanjollët, të nëmurit, na ndëjtin një taçë(6) për këpucë të çara
Gjermanët fjalën takarjel(7.)
Sllavët dhuruan kyçin e prakun
kapicën e karkalecin edhe grushtin, kulaçin
me kravelen(8.)

Nga Azia e Vogël na lëshuan në dasmë
shegën, rrushin e verën
Francezët na kanë prurë nulë(9)
dhe një ëmbëlsirë: sanxhurrë(10) me arra, sheqer e stafidhe(11.)
Gjuha Shqipe me zëmërgjerësi
nga paja e saj më të mirat shpërndau
Grekëve i dhuroi një kaciq(12), një kopile
vëllazërinë, gjizën e lulen
Sllavëve i dha katundin e vatrën
Turqëve(t), po jo vetëm atyre,
Shqipja i zgjati besën e ujkun
Italianëve(t) një vegël bujqësore: shatin si brir cjapi
Por Shqipja hyri në borxh rëndësisht
me popullin Armen
që i ka dhënë hua abetaren e vet
dhe Shenjat e Rrethit të Kafshëve.
Te kjo vjeshtë, më përket mua, poet,
të heq nga trupi gjithë dherat
e t’i dhuroj një vegim i zëjes(13)
mbi të cilin Armenia të ecë si në një Tokë të Re
plot me çadra endacake
një mbretëri gurësh
çë thërrasin mbi malin Ararat, të kaltër
trëndafila të fryrë me gjak venoz.

Poezia, GJUHA RIZOMË, faqe 90-92.

(1 Koncepti i rizomës (Gilles Deleuze dhe Félix Guattari) përcakton një strukturë në evolucion të vazhdueshëm, në të gjitha drejtimet horizontale dhe pa nivele. Kjo strukturë është kundër hierarkisë piramidale. 2 Fshehu, çun se të kapin xhandarët! 3 Fjala dëshmor (dëshmitar) në arbërisht priret martri-u që rrjedh nga fjala greke martyr e kjo nga gjuha egjiptiane mtrw. 4 huazime greke: kopsht, trëndofila, dafinë, borzilok, murg, marton 5 gushoren; prapanicën, arkivolin; 6 dhuruan një gozhdë, pineskë. 7 dru; 8 çyrek; 9 likëngë e majme; 10 ëmbëlsire nga sangier (sang = gjak); 11 kokrra rrushi të thatë; 12 kec; 13 shembëlltyrë e shpirtit.)

Një element tjetër me të cilën karakterizohen motivet e poezisë dhe metafora e Mario Belicit ka të bëjë me mozaikun e gjeografisë arbërore, jo vetëm të atyre që jetojnë dhe gjallërijnë te Hora e Arbëreshëve dhe nëpër fshatrat tjera në krahinat e Kalabrisë dhe të Sicilisë, por harta poetike e Mario Belicit, përkatësisht metafora e saj nuk pikset vetëm te atdheu nostalgjik, atje në Peloponez, në Jugun e Greqisë. Ajo hartë, shtrihet kudo në Shqipëri e Kosovë dhe tek Shqiptarët në Maqedoni, duke mos e harruar as trojet tjera. Këtij mozaiku gjeografik i shtohen edhe shqetësimet poetike për fatin e emigracioneve të shumta, kryesisht këto të vonëshmet nëpër vendet e Evropës Perëndimore, në Amerikë e gjerë në Australi.

Brenda librit PASQYRA DHE HIJA, dallojnë dy cikle me poezi kushtuar Kosovës dhe një cikël tjetër me poezi që kanë të bëjnë me shqiptarët në Maqedoni. Në ciklin e poezive kushtuar Kosovës, poezitë shquhen për motivin patriotik, në të cilin epika për luftën shikohet nga një këndvështrim specifik. Në poemën, NËSE DALLËNDYSHET VIJOJNË TA NDËRTOJNË FOLENË, (faqe 62-66), d.m.th. riktheht jeta, dhe poezia ME FYTYRË KTHYER KAH MEKA, e shkruar në mars 1998, janë dy nga poezitë epike më të bukurat të Mario Belicit, kushtuar luftës dhe heoizmit të saj.

Brenda motiveve të saj shpaloset drama e përgjakur e popullit të saj të cilën poeti e din se “Pas shumë shekujsh/ dallëndyshet/ vijojnë t’i bëjnë foletë në Prishtinë/ domethënë se pranvera/ s’qe shuar,/ as mbytur/ dhe… poetët dinë/ më shumë se historianët”, (faqe 66.) Te poema që cituam më parë dhe nga e cila i cituam vargjet, lidhet me veprimet makabre të kriminelit serb Arkan kurse poezia tjetër ka për motiv epikën legjendare dhe sakrificën e Familjes Jashari në Prekaz të Drenicës.

Me këtë motiv kaq epik dhe po aq historik janë shkruar poezitë: HIEROGLIF PËR ANTROPOLOGË; dhe poezia LIRIA NUK BLIHET NË TREG, ku “Pastërtinë e popullit kosovar/ që merr frymë me dy mushkëri/ dhe ka dy zemra në gjoks/ asnjë bankë nuk ka kapital ta blejë”, (faqe 100), ndërsa në poezinë VALLJA E RRETHANAVE, poeti thotë: “Fëmijë që me lot ikonash/ thërrisnin (ulërinin) nga shpellat e Shpirtit të Kohës/ vallë të parakohës./ Kosova një fushë pa bar/ pa pema, botë e djegur këmbë që rrjedhin si milingona…”, (faqe 49), e në poezinë kushtuar poetit Ali Podrimja, ky motiv ndërtohet me epikë: “…Po më të bukurat, më të shkëlqyerat/ i vuri në gjoksin e Prekazit/ ku jetojnë njerëzit që s’i frikohen vdekjes/ mbi bjeshkët e larta ku shqiponjat rrinë”, (poezia DITA E BALLKANIT, faqe 70-72.)

Në ciklin e poezive me motiv nga Kosova, shfaqet shpirti brilant i poetit, dashuria për këtë topikë, e cili ka një qasje më të veçantë, sidomos është përjetuese, andaj lexohen me pasion. Për t’i dalluar janë poezitë: FUSHË KOSOVË; VALLJA E RRETHANAVE; TRANCE, kushtuar Osman Gashi; FYELLI DHE DASMA, kushtuar Robert Elsie; SHADËRVAN, kushtuar Rozafat Berki; PAQË NË BALLKAN; GJAKOVA, etj., kurse për motivin dhe strukturimin e saj po e sjell të plotë poezinë, “Fëmijet e Pejës”:

FËMIJËT E PEJËS
Fëmijët e Pejës
dalin nga të gjitha anët
nëpër rrugica me filigranë
këndeve të praruara
nëpër pazaret
prapa ëmbëlsirave
prapa specave të gjelbër dhe domateve
një shkrepëtimë ngjyrash!
Gjithçka
këtu është Ngjyrë!
Materia është Ngjyrë

Vërmicë, 20.8.2000.

Faqe 80.

Edhe poezitë që kanë për motiv topikën ku jetojnë shqiptarët në Maqedoni, dallohen për thellësinë e qasjes meditative, për dëpërtim në psikologjinë e individit, për kulturën arbërore e cila ku më shumë e ku më pak është shprehur nëpër poezitë: GRATË E PAZARIT TË SHKUPIT; BALLKAN I ËMBËL DHE I ZEMËRUAR; …S’KA GJË QË S’KA…; ËNDRRA E NJË GJËJE; dhe në poezinë, NGA DRITARET E HIDHURA TË HISTORISË, të cilat bashkë me ciklin e poezive kushtuar Kosovës, kompletojnë “Heterotopinë”, e gjeografisë së poetit.

HIJE

Në Nëntor Maqedonia
është e tërë një shkëlqim
por pa dritë dhe afsh.
Në Ballkan
jetohet në dyshimin më të tejmë
ndër thyezat.
Këtu asgjë është e tërë
siç thonte Pessoa rreth Portugalit të vet.
Njëherë të mëdhenj
Ilirët dhe Leka
në librat historie paraqiten
sot me madhëri të kotë.
Gjeografia
është ëndërr e një sendi të bjerr.

Faqe 40.

Shikuar nga ky këndvështrim, vlerë e madhe tek personaliteti i Mario Belicit, është ruajtja e kujtesës, dhe funksionalizimi i meomories për të Bukurën More, në Peloponez atje në Jugun e Greqisë, motiv i cili materializohet më së miri në poezinë: E BUKURA MORE OSE LËVDATË I PAVENDIMIT, (faqe 167-168), që mbyllet me një notë sa dëshpërimi po aq motivimi sepse “E Bukura More”: “Do të jetë Besa e shtrënguar me kohën/ malli endacak të bashkërenditjeve/ por e Bukura More ime/ është ndoshta vetëm një kundërmim i përkohshëm/ që zbyll në të tanishmen hapa/ e asgjë tjetër”, (faqe 168.)

Siç shihet, nga ajo shpërngulje, Arbëreshët gjatë shek. XV, janë ngulitur në Jugun e Italisë, dhe sado që janë “mishëruar me të tashmën gjeografike e antropologjike në Itali”, në meomorien e poetit është futur kujtesa dhe vetëdija për origjinën e cila shprehet qoftë si metaforë, dhe qoftë si kujtim për atë Tokë të Premtuar siç ëshë “E Bukura More”, e cila në fakt, është “vetëm një locus magnetik të shpirtit e jo më krahina pjellore, në jug-perëndim të Peloponezit, e braktisur nga të parët tanë në ikje gjatë viteve 1520-1530!”, ndonëse brenga dhe shqetësimi nëpër këto poezi është evidente: “Por ankthet/ janë duke humbur rrugët nga shtëpitë/ zanoret nga abetarja, verën nga rakia”, (poezia A E SHEH SI PUNON GJITHËSIA?, faqe 41.)

Tashmë Peloponezi është Tokë pa Arbëresh, kurse në vetëdijen e poetit ka mbetur “një qëndisje e bukur te truri i tij, një kujtim i pandërprerë, jo që e lidh me tokën e atjeshme, por me “atopinë”, ka theksuar poeti në parathënie te PASQYRA DHE HIJA, prandaj, s’ke se si të mos e admirosh vetëdijen dhe kujtesën arbëreshe. Kujtesë tepër e gjatë nëpër histori, fanatizëm në ruajtjen e dokeve dhe zakoneve, në kultivimin e gjuhës dhe traditave, ku bashkë me poezinë e këtij niveli, vijnë si perla sublime në Prishtinën e Kosovës, me kulturë dhe dashuri për letërsinë e mirë, kurse ribotimi i librit atje, është vlerë e kulturës kombëtare dhe ka ndodhur një ngjarje me rëndësi.

Ndërsa në poezinë, LUTJE ME POROSI, haset një metaforë tjetër e realizuar bukur dhe në mënyrë poetike. Brendësia e saj është lutje për të realizuar një dëshirë, por sikur dëshira dhe përpjekja e poetit, nga rrethi dhe shoqëria, injorohet për poetët, përkatësisht për ata zotërinjtë që flasin gjithnjë për të nesërmen: “I dashur Zot/ të shkruan një bir që frekuenton/ klasën e njëmijtë të fillores për të treguar/ gënjeshtrat dhe harresat e poetëve në librat/ e shkollës sime ëndërrore”, në anën tjetër poetika metaforike e M. Belicit brenda kësaj poezie shpreh edhe realitetin që përjeton poeti me shoqërinë, e cila i shpërfillë poetët më shumë se këdo tjetër, andaj në vazhdim të kësaj poezie poeti thotë se, “Në klasën time/ është një i shkretë që veç mallkon/ e pështyn mbi librat e tyre”, së këndejmi ndodhë, “Ai thotë që/ këta poetë kanë bërë mëkat dy herë/ sepse rrinë me duart poshtë, nga shumë vjet,/ përpara këmbësorëve e fëmijëve/ Ata flasin dhe shkruajnë me metaforë/ në fund të fundit, flasin për të Nesërmen”, kurse në vazhdimësinë e kësaj poezie zbulohet mesazhi i lutjes bashkë me lutjen e vazhdueshme që bënë poeti Mario Belici: “I dashur Zot/ bëj që të shikojmë në atlas/ të Bukurën More e kufijtë e Kanaan-it/ e që Deti Jon të shqyhet/ si u ka shqyer në filmin Deti i Kuq./ Të rrëfej që emigrantët shqipëtarë/ janë të pastër por jo të drejtë.” (Poezia LUTJE ME POROSI, faqe 52-53).

Motivi arbëresh dhe simbolet E BUKURA MORE, JUGU; MOTI I MADH, janë shtjelluar në forma të ndryshme edhe nëpër poezitë: RED SHIFT; RAPSODIA N° 28, USHTRIM STILI MËSUES J. DE RADA; TË MBULÙARAT; SIRISËNDI; URAT; MBIJDHU MË SHPI; SHPIA ËSHTË VATRA; MOTI QËNDIS; DHIMITRI RERËS DHE KALI; MALL; VOREJA; NDRI’, KU VAJTE?; SI RRINË SHPITË E GJITONIVET?; JUGU DHE FYTYRAT E NGJARJEVE; JUG-KALYPSIS; KËNGË ORFIKE PËR JUGUN; RRUZULIMI NË FILAQÌ; LAYLĀ, ZHULJETA DHE EURIDIKA, e ndnjë tjetër.

Poezi e M. Belicit, është e kompletuar si vlerë, asaj i duhet qasje reale, pasi disa motive ndërthuren e ndërlidhen me të kaluarën e hershmën dhe rrënjët gjenologjike, e për t’i sjellur pastaj si kurorë e luleve në të tashmën moderne. Elementet tjera lirike e etnografike kanë krijuar mozaikun shembullor i cili gërshetohet, (siç e kam theksuar edhe më parë), me fjalë e shprehje arbëreshe të cilat për gjuhën letrare kategorizohen si fjalë të rralla ose edhe krahinarizma, por të gjitha së bashku kompletojnë tërësinë foljore e linguistike, kurse tek libri janë shndërruar në përbërës të motiveve dhe të metaforave ku dëshmohet ekzistenca dhe rezistemca, pastaj edhe vazhdimësia dhe gjallëria të cilat si mozaik i përbashkët, arbëreshët kanë arritur që këto relikte, për t’i ruajtur nëpër shekuj të tërë.

ÇAMBA(1) ËNGJËJVE

Erdhi Djalli
shkarzyejti(2) ikonat
me kopre dhensh
kakërdhitë i shprishi
ndër katër jirat(3) e dheut.
Më truall, te buhoi(4),
shihen çamba diç ç’lanë ëngjëjt.
Do të presim verën
të dimë më shumë nga një plakë
ç’po ndërton kalive(5) afër dejtit.

Faqe 80.

(1 gjurma; 2 ndoti; 3 pikat, anët; 4 pluhur; 5 kasolle me kashtë)

Tashmë nuk mund të heshtet a të mbulohet e dhëna se kudo ku shkon poeti nëpër Arbër, vërehet vetmia, braktisja dhe mësyrja “për dikah në Veri?!” Andaj botëkuptimi i tij për migrimet nga trojet Arbërore e shqetëson vazhdimisht atë, i cili me një notë dëshpëruese shprehet se kudo kah shkon, “paska kaq shumë Jug”, dhe shqetësueshëm kudo paska kaq shumë migrime, kaq shumë ikje, që ndodhin vetëm nga Jugu i Italisë, Kalabria dhe Sicilia, nga Jugu i Greqisë, krahina e Peloponezit, po ngjashëm po ndodh edhe nga Jugu i Ballkanit, siç është Kosova, Kosova Lindore e Maqedonia, fat a fatkeqësi që do të përbirohen nëpër motivet e poezisë “Vështrime migrante”:

VËSHTRIME MIGRANTE

Kërkonj me sytë e mendimit
çë shpejt ecen shinat e kohës sime
shikimet e udhëtarëvet mbi trenat
çë u vendostin përgjatë shuratë e detit Jon
mbi ngjyrat çë panë ture shartuar
ture helmuar, ture shpresuar
me hundën e shtypur në qelqin e dritares.
U kërkoj ndër
lulet e verdha të spartavet, mbi agavet,…
sytë e atyre udhëtarëve migrantë
çë si buzët mund ken dhënë miliarda puthje
kur treni rrozëbisnaj bregdetin, shëllëza të ngrëhta,
ture u larguar drejt vetëm një veri
pas kaq shumë Jug.

Faqe 203.

Këto vlera universale e bëjnë Mario Belicin, poet i veçantë dhe më i dashur brenda etnisë shqiptare. Jo vetëm për përmbledhjen poetike PASQYRA DHE HIJA, por në saje të të gjitha angazhimet në fushën e shkrimeve dhe studimeve të cilat e kanë bërë atë, personalitet të kompletuar që meriton respektin e të gjithëve, lexuesve e të specialistëve në fushat përkatëse.

Poezitë e librit PASQYRA DHE HIJA, si të tilla mund të klasifikohen, poezi e modernitetit lirik, me një ligjërim të rrallë e të papërseritshëm, me shtjellimin eliptik të kohërave dhe ngjarjeve, me metaforën aq të përpunuar, që nga titulli i veprës e deri te motivi “Jugu” ose motivi metaforik “E Bukura More”, pse jo edhe motivi “Moti… e Moti i Madh”, në të cilat përshkrhuhet malli dhe nostalgjia e të gjithë migrantëve të cilët janë detyruar të shkulen si pemët nga vatrat e tyre.

Natyrisht, në këto motive dallon shqetësimi i poetit për emigrimet e shumta e të pakontrolluara të qenies shqiptare të cilët dita-ditës po dynden nëpër vendet e Evropës Perëndimore dhe në Amerikën e ëndrruar nga shumë kush. Kundrimi i kësaj problematike shihet nga prizmi arbëresh dhe si një përvojë e hidhur dhe e përjetuar, Mario Belici, ka ndjeshmëri në qasjen dhe trajtimin e dukurive, sidomos të rrezikut nga shpërbërja e emigracionit në emër të integrimeve, për tu gllabruar pastaj nga globalizmi tronditës, ai i shtjellon edhe argumentet, “kthyer ndaj të brendshmit shtet të huaj të njeriut, rreth të cilit flet Jung, për të hyrë në ëndrrat, por me sy të tjerë gati të dëshmojnë kundër krimeve që shtypin shenjtësinë e jetës”, (M. Belici, nga parathënia, faqe 11.)

Poeti Mario Belici, gjithnjë është shquar me pikëpamje ndryshe, andaj poezia e tij në thelb ruan etnogjenezën dhe etnokulturën arbëreshe, jo vetëm për vlerën e saj gjuhësore dhe etnografike, por si poet, ai është përfaqësuesi më tipik i shqetësimit arbëror, dhembje kjo që thërret dhe apelon për mbijetesë historike, njëkohësisht edhe për rezistencë nacionale e shprehur kudo si motiv lirik. Kjo kujtesë historike, nuk është vetëm malli i poetit për tokën arbërore në Jugun e kësaj pjese që e shijon ose të asaj që e ëndërron, por është shqetësim nacional për të gjitha emigrimet e shumta shqiptare. Andaj metafora e tillë poetike bëhet më e ndjeshme dhe pranohet më kollaj, sado që herë-herë është melankolike, e fajshme, po më shumë protestuese, sepse në thelb është e vrullshme dhe mjaftë emocionale. Janë këto disa arsye pse poezia e tij është edhe apel për të qëndruar, e për të rezistuar.

Poezia e librit, PASQYRA DHE HIJA, është vazhdimësia e këtij angazhimi dhe si e tillë është sfiduese, në anën tjetër kjo poezi shpalos qëndrimin dhe përcaktimin personal të poetit në shumë fusha studimore. Si tërësi, motivet përbëjnë mozaik më vete, ku tërësia e tyre përbëhet nga potenciali artistik dhe i realizuar me frymëzim të lartë krijues. Gjithsesi nëpërmejt lirikës poetike shpalosen vlerat sublime të poetit shëtitës nëpër hapësirën shqipfolëse. E gjitha, ka të bëjë me shqetësimin poetik rreth qenies arbërore dhe frikës nga shpërbërja e saj, pasi siç dihet ne jetojmë në kohën e globalizmit i cili ka përbirë e ka fundosur gjuhë dhe kultura të shumta, prandaj preokupimi i tij është ngritur në nivelin mobilizues dhe është shprehur nëpërmes poezisë artistike, kurse subjekti lirik është rezistent ndaj të gjitha dyndjeve të mundshme.

Në anën tjetër, poeti është pjesë e pandashme e dhembjes dhe etnisë në tërë gjeografinë arbërore, jo vetëm në aspektin lirik, por edhe në atë historik, pasi angazhimi i tij prek edhe fusha të etnologjisë, arkitekturës, liturgjisë, fotografisë, angazhime këto që personalitetin e tij intelektual e kompletojnë edhe më mirë si patriot i devotshëm, që me fanatizëm ka mbrojtur vlera gjuhësore të vjela kudo në mjedisin arbëresh, vend ky i pasur me trashëgimi të lashtë historike.

SHTIGJE KOMETASH

Lë hije prapa
në këtë gjeografi të mallkuar të shpirtit
shtigje kometash
që ari i ikonave kurrë
do të fshehë.
Në kodër
i ndëjtur ndaj atyre peizazheve
Koha dhe rrjedhat e kryengritjes
bërtasin trupin tim.

Faqe 47.

Ky riaktualizim kaq i theksuar i mallit për atdheun është përpjekje sublime për të mbajtur të ndezur në vetëdijen shoqërore kujtimin arbëresh për Kalabrinë dhe së këndejmi edhe për të Bukuren More dhe tërë Poleponezin, është thirrje e vazhdueshme për të ringjallur në shpirtin e secilit Kujtimin Arbëresh dhe padyshim edhe ndjenjën kombëtare: “Ne që jemi Historia/ ne që kemi luftuar kundër çdo pushtuesi/ kemi udhëhequr Arbëreshët në Itali/ sepse donim lirinë dhe bukurinë”, (poezia, THIRRJE I HEROIT KOMBËTAR SKËNDERBEG…, faqe 101.) Kjo formë hiperbolike e metaforës nuk është e njëtrajtshme, ajo ka shpjegimin konkret të saj: “Ne që kemi urryer muzgërimin Turk/ ne që kemi vdekur për asgjë/ ju kerkojmë juve që jeni kronika e zezë/ që prodhoni të papunë/ dhe i keni përzënë nga Shqipëria/ e i keni çuar në të gjithë botën”, (po aty, faqe 101.)

Tashmë motivi poetik kanalizohet tek fajtorët ndihmës, që janë shndërruar frymëzues të keq, akuza për devijime të shumta, e ka shtyrë poetin, në njëfarë mënyrë të protestojë dhe madje edhe të drejtojë gishtin kah shkaku: “Ju që keni pranuar përhapjen e xhamive/ dhe financimet e Turqisë së Erdoganit/ me fanatizmin e verbër të qeverisë Arabe./ Ju që keni lejuar zaptimin e territorit/ me tempuj lluksozë, të kotë me idhuj të rremë fetarë”, (po aty, faqe 101).

Kështu poeti ka arritur të identifikoj edhe shkaktarët rrethanor, ndihmës të kësaj tragjedie: “Ju njerëzit e kronikës televizive/ të talk-show dhe të terrorizmit mediatik/ që e keni droguar këtë popull të lashtë/ me mite të reja dhe tregime/ mbi modernizmin e koshereve të çimentos/ të shëmtuara dhe të ndërtuara me budallallëk/ që u keni dhënë çelsat e Tiranës/ kapitalizmit financiar dhe bankave/ që keni transformuar sallonin e sheshit e përreth/ në një Disneyland të pakuptimtë”, (po aty faqe 101-102.) Pra, për shkak të mënyrës së drejtpërdrejt të shprehjes poetike, Mario Belici, tashmë është poeti më i dashur dhe më i përkushtuar në ruajtjen e identitetit sepse siç shkruan ai: “Ne që jemi Historia ju THEMI/ që nuk kemi luftuar për të pasur këtë Shqipëri/ me piramida të reja…”, (po aty, faqe 102.)

Atdheu është në epiqendër të të gjitha angazhimeve poetike, kurse atdhedashuria e tij kultivohet me pasion dhe dashuri të pafundme, andaj ky përfytyrim patriotik është ndezje e kandilit me shpresë për kthjellje dhe vetëdijësim, në anën tjetër është frymim dhe qasje e bukur poetike. Prandaj, nëse kthehemi te Motivi Arbëresh, i cili është preokupim lirik, poezia e Mario Belicit, nuk mund të konsiderohet vetëm frymëzim dhe inspirim poetik, ky motiv është edhe përkushtim jetik dhe patriotik. Këso lidhjesh kaq të ngushta shpirtërore, rrallë i ndeshim në poezinë shqipe, prandaj çdo rikthim çdo risjellje e motiveve të tilla e sforcon mëtej metaforën poetike e cila brenda shqetësimit poetik ka angazhimin intelektual, prandaj zbraztësitë që krijohen nëpër shtëpitë nga ikjet dhe braktisjet e shumta, manifestohen edhe si dhembje e drejtpërdrejt dhe si shqetësim i përhershëm intelektual.

<strong>NATA E DIELLI

Nata rrozbisi(1) sisët e diellit
mbi ujin e dejtit
pëllumbat e bardha në fluturim
pa turpë vanë e u mbodhis(t)in(2)
brënda manushaqavet të dushqëvet
… kështu zuri Jeta.
Pastaj erdhi pranvera
e ndëndur me erën mishit të një(j) djali
djepin i ylëzvet
zërin dhe ngjyrat
qeramidhat(3) e gjitonisë, e më e më …
sa zëmra t’e ka ënda.

Faqe, 106.

(1 fërkon, fshien; 2 futen, fshehën; 3 tjegullat)

Poezia arbëreshe në vetvete ka lidhjen shpirtërore me vendlindjen, së këndejmi si e tillë paraqet edhe marrëdhënien e poetit me njerëzit dhe asaj që quhet mjedis kulturor, ku në brendësinë e saj ka art dhe vlerë poetike, me ngjyrime e metafora të mbushura me porosi filozofike e përbëjnë kompleksin psikologjik të saj, ndërsa si përjetim me ndjeshmëri me të përjetuar. E kjo nuk realizohet pa i rikthyer, të paktën motivet e poezisë tek rrënjët andaj, “Mund thomi se ndër katundet tanë shpia është vatra”, por tashmë dihet se një pjesë e tyre janë të zbrazura, kanë mbetur shtëpitë si rrënoja të zbrazëta dhe fshatra të tëra pa fëmijë e pa gjallëri, kurse “Pleqtë si Priftërinj, nga mbrëma djegin(jn) kucëra e degë lisi/ sparta, gubonja ulliri, shkoza, lëmishte, çdo dru të thatë i sjellin“, (faqe 115.)

Dhe mbase përshkrimi i tillë përshtatet për çdo cep të atdheut tonë, dhe kjo është e sigurt se vetëm një poezi e mirë i reziston kohës dhe hapësirës, së këndejmi kjo poezi manifestohet si ndjenjë e përjetimit të thellë biblik e artistik.

SHPIA ËSHTË VATRA

Mund thomi se ndër katundet tanë shpia është vatra.
Pleqtë si Priftërinj, nga mbrëma djegin(jn) kucëra e
degë lisi
sparta(1), gubonja(2) ulliri,
shkoza, lëmishte, çdo dru të thatë i sjellin.
Vatrës sikur të ishte një bijë i jepi(j)n të hajë
e mëko(j)n me bukë në grykë!
Pa thonë, kamnoi(3) e di si ia bënë muret e shtëpisë?
Si llinijel(4) dhe astërku(5) i ngjallaparet(6) me hi e kamne.
Po s’kan ku të venë të nëmurit pleq!
Mëmat e Vatrës
të gozhduara atje prej Moti
i thanë: “ Po mbani dhezur zjarrin për sa të rroni
e në kamastër varëni përrallëzat, yjet, rrethin e diellit.
Në qoftë se shuhet shuheni edhe ju!”
Pleqët flasi(j)n me zjarrin
një ditë mallkonin e do të vdesin(jn)
një tjetër vënë nëmë se s’kanë më fuqi.
Po kur kanë areks
bredhin me cimbthin e bënin shkëndija.
Toshku toshku(7)
thonë se kur është Nata e tyre ato shkëndija bëhen
dhen, grurë, miell, kaciqe, lopë, pula,…
thonë se shtëpia mbushet me ç’do të dëshirosh!
U’ s’e di kush i nxori këto parastoqe(8.)
Le të jetë si të duash!
Dica thonë vetëmia, dica Ato të Mirat,
ndonjë tjetër… fuqitë e Dushkut, mund jetë edhe Besa.
Thonie si ta doni po të mos ishin ata Pleq
në mjegullën e kamnoit ta mëkonin e ta nxitin zjarrin
shpia do të mbetej esëll e Qielli pa yje.

Faqe 115-116.

(1 gjineshtër; 2 gungaçe; 3 tymi; 4 ngjyrë e zezë e nxjerr nga bima; 5 dysheme; 6 ndyhet; 7 serioz, ndoshta toshku rrjedh nga karakteri i toskëve; 8 gënjeshtra, gjepura kalamajsh)

Ky përjetim kaq i thellë nuk arrihet nëse poeti do të kishte bërë shkëputje nga e kaluara e tij arbërore, pastaj sikur të mos kishte vizituar e shëtitur nëpër tërësinë gjeografike të arbërorëve nuk do t’i kishte poezia të gjitha këto motive, dhe po të mos interesohej për aspekte historike dhe traditën e pasur epike e etnografike, nuk do ta posedonte vulën e vërtetësisë dhe të argumentit. Prandaj dialogimi poetik me të gjallët nuk shuhet asnjëherë. Ndijimi i poetit shpreh tejdukshmërinë kristalore, qoftë si imazh po më shumë si mesazh i kjart, që vjen nga thellësitë historike në të tashmën moderne, duke sajuar lirikën e bukur arbëreshe e cila ka një leksik specifik, të veçantë dhe të papërseritshëm.

Poeti Mario Belici (Bellizzi), më shumë se çdo gjë, përfaqëson shqetësimin arbëresh, njëkohësisht edhe dhembjen dhe mbijetesën historike të arbëreshëve. Ka vite që ky poet, e mban të ndezur kandilin duke u shndërruar vet në pishtarë i idealizmit kombëtar.

V.
Shtojcë: FJALORTHI I MARIO BELLIZZI-t

Fjalorthi i Mari Belicit, është ndërtuar me fjalët e përdorura në librin PASQYRA DHE HIJA, botimi në Prishtinë. Edhe shpjegimet janë të poetit. Kjo përpjekje nuk është shterruese e fjalëve të rralla dhe shprehjeve arbëreshe, pasi edhe shumë fjalë të tjera janë pjesë e leksikut të kësaj poezie, që nuk kam arritur për t’i futur në këtë fjalorth.

Bëra këtë syth të leksikografisë për të parë bukurinë e fjalëve dhe shprehjeve që i ka përdorur poetit në poezinë e këtij libri. Disa fjalët që gjenden në Fjalorth, janë të njohura dhe janë pjesë e leksikut e të folmës kosovare, psh. Barut; Cikërrima; Krye; Llavinë; Meazallah; Nënkrija; Ngatërryer; Përrua; Pështjellë; Pështuan; Qeramidha; Rrëzbis; Shamaku; Thonë, etj., janë disa nga fjalët që përputhen ose janë të përafërta me kuptimin që jep autori në shpjegimet e tij.

Në vazhdim, po japim FJALORTHIN, me fjalë e shprehje të cilat janë përdorur në poezinë e Mario Belicit, në librin PASQYRA DHE HIJA, Prishtinë 2022, dhe po ashtu edhe shpjegimet e duhura nga vet poeti, të vëna në fund të poezisë përkatëse.

A.
Abonsina – pa të rreme;
Ahjimazë – nën; ana e poshtme e njëj fushe;
Ahjtën – frymën;
Amerikës së humbjesë – Amerika Jugore ashtu quajtur sepse ata që emigruan atje nuk u kthyen më në shtëpi;
Argali – avlëmend;
Argalia s’yen – tezgjahu s’end;
Astërku – dysheme;
Aus – humnerë po edhe fuqi magnetike e padukshme;

B.
Barut – lëndë plasëse, por këtu shirok;
Besë – u betuan;
Bështėrme – krijuese;
Brumin – maja;
Buhua-oi – pleh; pluhur; pluhur i holl;
Burìu – urithi;
Buthëton – tregon;
Buxin’jetin – kazanit;

C.
Cariha – sandale prej lëkurë; caruqe;
Cikërrima – copëza; grima;
Cinxulljas(in) – tërheqje;
Cungrana – liq; kallam; krehër i rezgjahut;

Ç.
Çamba – gjurma;
Çofa, çofez – çufla; shirita; fjongo;
Çuçulisijnë – bënë muhabet;

D.
Darakopsem – zbres;
Darrakopsura – të munduar; të pushtuar;
Dejmë – si të dehur;
Dihet – gdhihet;
Dushkut – ikën shpejt në pyll; pyllit;

Dh.
Dhilpet – klindet; niet te hora e arbëreshvet;
Dhromi – udhëtimi;

E.
Ehjur, ehjura – mprehur; mprehtë;

F.
Filaqive(t) – burgjet;
Fillandin’je – fanellë leshi dysh, e trash;
Firastë – humbja nga tharja; fira;
Fishkaruallin – fyellin;
Fjerrit – portreti, ngjashmëri (fjala s’është në fjalor, përdoret edhe në horë (Piana degli Albanesi);
Fjet fjet – plaka flet;
Frynei – frynte;
Fuckat – fërkon flluskat;

G.
Galtanin* – (Xhipunin e galtanin* në sënduk) – fjongo me vlerë që i vendoset nuseve në kezë e që zgjatet deri në thembër;
Garoçe – strung i kalbur;
Ghapëni – hapeni (ky tingull perdoret në Sh. Mitri; Sh. Sofi; Maq; etj.);
Ghingllisën – kali hingëllon;
Gorrica – dardhishkja;
Grapsova – gdhend; çaj;
Gubonja – gungaçe;
Guizma, guizmat, guizmatë – llokoçitje; thirrma; thirrmat; ulërima;

Gj.
Gjishtlash, gjishtle – dorëzonja; dorëzonje; llumere;
Gjitone – fqinjtë;
Gjitonisë – na erdhi nostalgjia; dëshira e gjitonisë;

H.
Helmëzen – lemzat;
Hëngëtin – hëngrën;
Hiu – prej hiri;
Hjerapan – leckë;
Hjirë – kënd;
Honi – humnerë;
Huazime greke: vë kurorë dmth martohet; kopsht; trëndofila; dafinë; borzilok; murg;

I.
I gjit – i ngjante;

J.
Jatronj – mjekët;
Jirat, jirë – ijët; këndet; pikat; anët; kënd;

K.
Kaciq, kaciqi – kec; keci;
Kalive(t) – kasolle me kashtë;
Kallamèn – kllamishtet;
Kallashinin – shulin;
Kalluan – vodhën;
Kaltër – fanellë; jelek me mëngë i rrimtë, femëror, prej mëndafsh dhe i artë;
Kamnenë – blozën;
Kamnoi – tymi;
Karkoreshe – lulëkuqesh;
Karramunxa – gajde;
Karrara – nëpër shtigje;
Katamiqoset – zë vend në fund, i fsheht;
Katoqe, katoqit – kat përdhes;
Këmbëzën – një hap i veçantë i vallëzimit për të cilin flitet në tragjedinë Bakantet, lëviz këmbën anash në mes të ajirit;
Këthistrën – rashinën; kasistrën;
Kocë-gajdhur – kokëgomar;
Kocëkatrumbulla – kollotumbë;
Kokanara – bistak rrush; kalavesh;
Konopica – landra;
Kopan – shkrifëse;
Korrabaça – fantazma; lugata; hijet
Korranxeza, korranxezi – mana të kuq; lëngu i manit të kuq;
Korrilat – lejlek;
Kravela, kraveleje – bukë shtëpie; aromë prej bukë furri; çyrek
Kristla, kristëlen – gramë; farë e keqe; krisje;
Krokë – e verdha e vezës;
Krye – në kokë;
Kryqevote, kryqevotë, kryqavotëvet – udhëkryqi; nyjat e udhëkryqeve;
Kuçuruba, kuçurubëlit – fëmijë; foshnjët;
Kufë – shportë e rrumbullakët kashte;
Kundrela – ballë;
Kurm, kurmet – trup; trupat;
Kushall – xhep;
Kuturunet – enë; enët;

L.
Lapirdhaqet – gjëra pa mend; budallallëk;
Lavoma – çarjet si stigmata;
Lesht – flokët;
Lipisi – mëshirë;
Livere – të veshura me cule;
Losi – (gjumi pjanepsor i losi*), i ka shkrir;

Ll.
Llaftaris(in) – dergjet;
Llakë – luginë;
Llambadhor – petk i indur me ar për cohat e gravet;
Llamë – zip; kovë; kazan me lëtyrë; çorbë;
Llavina – rrjedhë uji pas shiut; rrëshqasin; venë;
Llavura – si të çmendura;
Llijena – problema;
Llinijel – ngjyrë e zezë e nxjerr nga bima;
Llupjelin – kancer;

M.
Magj’jas – buzë magjes;
Mahjeren – cakorren; shpatën;
Malàtit – tredhak;
Manastrofë – shtrëngatë; stuhi;
Mar’tria – dëshmitar;
Markadesha – xixa; vezullim; përshkënditje edhe ‘viriviri’ i xixëllonjash;
Martri, martëri, martërìn – dëshmitarë; dëshmi;
Martrinë – fjala dëshmor (dëshmitar) në arbërisht priret martri-u që rrjedh nga fjala greke martyr e kjo nga gjuha egjiptiane mtrw;
Masariar(in) – vë në rrëmujë; masariar;
Matafrin – lëmshin;
Maxafjartur – në grimca;
Mbijdhu më shpi – mblidhu në shtëpi;
Mbjatu – gjithnjë; me lehtësì; menjëherë;
Mbjua – mbush;
Mbodhis(t)in – futen; fshehën;
Mbrënda – midhje brenda;
Meazallah – kurrë;
Mën’ja – shprehje: qyqe; oh zoti i madh;
Mënija – shprehje : djall të vejë;
Mëshirës – në lat. pietas, arbëreshët thuhet lipisì nga greqishtja;
Mindullat – bajame;
Modhull – grashinë;
Monostrofë – stuhi;
Murgazezë – e shkretë;
Murxharin – kalin;

N.
Nàni – herë; pak kohë përpara (nanì dmth tani);
Naze – në gjuhën gr. e vjetër proskýnesis;
Ndërzejnë – bashkim seksual midis kafshëve;
Ndri’ – ndrikull;
Nduki – thithi;
Nëmur – e mjerë; e parëndësishme;
Nënkrija – jastëk; nënkresë;
Ngagha vàt – nga kjo ai pohon se duhet të ikë;
Ngatërryer – e ndërlikuar;
Ngëmshtin – rri pas pas si hija;
Ngridhur – mbrujtur;
Ngusht, ngushte – bast; basti;
Ngjallaparet – ndyhet;
Nulë – likëngë e majme derri;
Nusëzat – kukullat;
Nxe – kur i dhekset; i ka ënda;
Nxihet – i vrenjtur;
Nxilikata, nxilikatë, nxilikatës, nxilikatin – kalldrëm; kalldrëm; kalldrëm; kalldrëmin;
Nxirrjartur – të tërbuar;
Nxivartur – derdhës;

P.
Palàcat – mbulesë;
Palë, palën – në pajë; pajën;
Panajìn – tharmin;
Parastoqe – gënjeshtra; gjepura kalamajsh;
Parkalesi – lut;
Pataksëmi – t’i kuptomi;
Pedonalija – kurs kryesor i dedikuar për shëtitjet në Prishtinë;
Perivole – kopshte;
Përrëz – përrëth;
Përrua – arbrisht: luginë;
Pështjellë – mështjellë;
Pështuan – shpëtuan;
Picihudhra – lëmoshë që i jepet të varfëve të Shtunën e të vdekurve për kujtimin i tyre; zakonisht misër i zier; bukëza në trajtë e zgjatur; në arbrisht “picatul” edhe grurë;
Pickandora – i ngritur për krahu e këmbë;
Piçkulaç – bashkë qendror; i përdredhur;
Picmbëkocë – së prapthi; kokëposht; kërkim i saktë sipër dhe poshtë
Pilikaç, pilikaçë, pilikaçra – i zhveshur; lakuriq; lakuriqe; të zveshura;
Pisa, pisë, pisës – ferri; ferr; skëterrës;
Pjuhur – gotë me verë të fortë;
Poka – prandaj;
Pokëdhin – pastaj; prandaj;
Policët – (Vatra shturi prushin në policët*), zgavra ku hidhet hiri i vatrës;
Potisur – ujis;
Psaj – pastaj;
Puka – byku;
Puzëm – niseshte;

Q.
Qelqet – gotat;
Qeramidha, qeramidhet – tjegullat; në çati; pllakat; me plasa e pa tjegulla;
Qiparisa – fantazma dhe selvi;

R.
Rahjit – rrëpirë;
Rehjat – kodrat;
Reksur – trembur;
Ruganjet – kanistra me thupra kallami ose ferra;

Rr.
Rrëfatë – fre; kërcell i rrushit;
Rrëfienë – ka për të rrëfyer;
Rrëfienjë – rrëfyej;
Rrëzbis, rrozbisi – fërkon; puth; nget; fshien;
Rripuçuam – mblodhëm këtu ktje, pak nga pak;
Rrogjè – qyp;
Rrudh – ngre; shkund;
Rrushi – bistak rrushi;
Rruvijat – gjurmët;

S.
Sa një vërë – një mendim i lekës;
Sallaçin, sallaxh, Sallaxhin – shul; e nxori shulin;
Sanxhurrë – ëmbëlsire me gjak derri, stafidha, kafe, etj; nga fr. sangier (sang = gjak);
Sëndiret – plaset; kriset; davaritet;
Sëndirtura, sëndirinj – të dëmtoi;
Sihjehet – neveritet; sikur të hidhem;
Sirisënd – ulli i vjetër prej fletave të ndritura;
Sirmë – i mëndafshtë;
Skallionte – hulumtonte;
Skamandilin – shami;
Skanxirre – me nerv;
Skazartën – shkulën;
Skotisa – therta;
Skultata – befas; papritur;
Sparta – gjineshtër;
Spikë – cep; kind;
Sqini – dushkull i rëndomtë; shqind; xinë;
Staçaz – astërk; dysheme;
Staçëza – rrasa;
Stafidhe – kokrra rrushi të thatë;
Stafidhjos(t)ën – u thajtën; veniten; fishken;
Startarostë – e dërrmuar;
Startaroste – vrit;
Sytë – u verbova;
Syve(t) – (Po kush m’u ul te praku e syve(t)*), luleja; pragu;

Sh.
Shamaku – qurraveci;
Shkarzyejti – ndoti;
Shtypur – mbytur;

T.
T’ehjura – të mprehur;
T’ìkėmjie – i dehur për ikje;
Taça, taçë – gozhda (për çizme a këpucë të trasha) të shkurta e me kokën të gjerë; pineskë;
Takarjel – dru;
Taraksin – dica fëmijë i trembin;
Taraturi – sirtar;
Tavutin – arkivolin;
Te Hora – fshati;
Tumtur-i – lecka të brejtur dhe rrjeta si çarçafë për të mbledhur ullinjtë në tokë;
Tiksur – të shtangëta;
Toprën – sëpatën;
Tortëzest – xhandarët; nga gjuha e fshehte dogançe;
Toshku – serioz; ndoshta toshku rrjedh nga karakteri i toskëve;
Trakulon – perëndon;
Trihëmiset – shkundet;
Trihimisu – shkundu; ndezu;
Tringëllisën – shpata tingëllon;
Trush – çmendem; humb arsyen;
Tumtura – pëlhura, pilkuraqe që shtrohen në tokë kur korren ullinjtë;

Th.
Thërrisnin – ulërinin;
Thonë – dëshmojnë;

U.
Urth – egjër;

V.
Vasilikon – enët me borzilok;
Vaulla shurale – rripa rëre;
Vërat – vrimat;
Vërejën – shikojnë;
Virgëndja – gruaja përgjegjësja e ushqimit të krimbave mëndafshi;
Virrënezin – rënkimet;
Visëndir – litani;
Vohë – grahmë;
Vrathaq dhé – një rrip tokë;
Vukulla guri – unazë guri;

X.
Xamaqet – zambakët;
Xarra – dal’e dalë;
Xigarelash – fjongo me ngjyra; kordele;

Xh.
Xhullandave(t) – brezareve; tarracave;
Xhumba – hematoma;

Z.
Zbringa – susta metalike e krevatit;
Zbrinjarte – ika shpejt dhe fshehur;
Zdirrnar(in) – shkallmon;
Zdramë – plagë;
Zdredh – borë me vorbulla;
Zëjes – shembëlltyrë e shpirtit;
Zeskut – zekthit;
Zganxirre – e paepur;
Zgardallist, zgardallisura, zgardhëlloftë – e hapur tërësisht; zgardhëlluar; hapëta; hap;
Zgurdulluara – nëmë; fjalë të pabesueshme;
Zgjidhëtin – zgjodhën;
Zigoin, ziguan – zgjedhë.

St. Gallen, 31 janar 2023.
Shefqet DIBRANI

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.