Opozitarë, mbështetni Kurtin në përballjen me Serbinë…

0
233
Albin Kurti - globsec

Ibrahim Kabili Si shkak për këtë shkrim dashamirës është mospjesmarrja e dy opozitarëve në takimin me presidenten e Kosovës zonjën Vjosa Osmani, të inciuar nga njeriu me përvojë, lideri i AAK-s Ramush Haradinaj.

Për luftën, për z.Haradinaj dhe komandantët e tjerë kam mendimet dhe vlerësimet më të mira. Për paqën, për ishkomandantët që erdhën në pushtet, kam vëretje të shumta dhe i kam shfaqur edhe më herët. Për secilin kam vënë në dukje kontributin në UÇK dhe luftën e tyre për çlirimin e Kosovës. Secili nga ata ka specifikat e tij me arritjet dhe dështimet e tyre. Emëruesi i përbashkët i tyre në liri është abuzimi me me shtetin për të mbajtur gjatë pushtetin.

Ata fëlliqësish dorëzuan Çakorin dhe Kullën Malit të Zi, i dhuruan toka Maqedonisë së Veriut, vunë pasuri përrallore për vete dhe familjet e tyre, vunë në tavolinë e bisedimeve me Serbinë ndryshimin e kufinjëve dhe shkëmbimin e territoreve, u treguan shumë të dobët dhe inferior në “bisedimet” me Serbinë, u shkëputën nga “vegjëlia” prej së cilës dolën. Komandantët në pushtet lanë në mëshirën e fatit një pjesë të madhe të luftëtarëve të lirisë dhe abuzuan shumë në kurriz të tyre. Kështu ata shkëputën nga masa dhe shkuan për dhjamë qeni… Këto, mendoj unë, qenë shkaqet e dështimit të tyre.

Kjo nuk mund të zbehë sadopak kontributin e tyre në luftë. Për “keqmenaxhimin” e pushtetit gjatë qeverisjes, i ndëshkoi populli me votë. I ndëshkoi rëndë dhe u dha një mësim e madh: – “Mos abuzoni me pushtetin se ju thyej qafën”. Kështu ndodhi, ata e thyen mirë qafën nga vota ndëshkuese popullore. Dhe mirë u bë pasi një pjesë e tyre u bënë ekstremisht të neveritshëm dhe të padurueshëm… Në skenë erdhi Kurti dhe qeveria e tij.

Ai ngjalli optimizëm dhe siguri tek shoqëria kosovare. Armiku i jashtëm Vuçiq, i “ndihmuar” edhe nga disa “çakej” të “sojit” tonë u hodhën në sulm për të realizuar planet e Serbisë për ndarjen e Kosovës. Kurti nuk u thye. Ai nuk mund të shantazhohej nga Serbia pasi nuk kishte, dhe nuk ka ende asnjë mëkat. Situata plasi atje ku “thembra” e Akilit për Serbinë u vu për herë të parë në kontroll nga qeveria Kurti. Rol të madh këtu, mendoj unë, ka luajtur për mirë politika e nëndheshme e perëndimit. Pas ndërhyrjes së qeverisë, situata në veri u bë më e rëndë dhe drejt shpërthimit. Si gjithnjë shkaktar për gjendjen e krijuar në veri, është Vuçiqi…

Në këto rrethana ideja e Haradinajt për një takim të spektrit politik për krizën që po kalon Kosova ishte shumë e mirë. Në kohë krizash takime të tilla janë të domosdoshme dhe me vlera për vendin. Janë me vlera kur aktorët politik janë seriozë dhe i dalin zot vendit. Pozita dhe opozita, të gjithë aktorët e politikës duhet të bashkohen për mbrojtjen e interesave madhore të Kosovës. Po çfar ndodhi? Asgjë e re! Abdixhiku i LDK-së dhe Krasniqi i PDK-së, refuzuan të marrin pjesë në takim me presidenten dhe bojkotuan takimin. Ato ecën në gjurmët e paraardhësve të tyre… Po si është e mundur të mbash qëndrime të tilla kur Serbia “është” te dera? Absolutisht mendoj se qëndrimi i tyre është ekstremisht i gabuar.

Përsëri këto “lider të ri”, ju kthyen avazit të vjetër, gjetën “armikun” e brendshën, Kurtin. Kjo është e pamoralshme. Kurti ka gabime të rënda deri në faje, por për rastin kriza ka një emër, Vuçiçin. Në këtë rast sjellja e Haradinajt më duket një qëndrim prej burrështetasi. Me dashamirësi i sugjeroj opozitës në Kosovë të lërë grindjet, mëritë dhe lakminë për pushtet dhe ti bashkohen Kurtit në luftën kundra Serbisë, në pozicionin e Kryeministrit të Kosovës.

Këtë thirrje do ta bëja për çdo kryeministër të Kosovës që do ishte në vend të Kurtit në rrethanat që ka vendi. Kanë ende kohë të unifikohen palët në Kosovë, në lidhje me bisedimet me Serbinë. Serbia mund të neutralizohet vetëm nga bashkimi i faktorit politik në Kosovë,në trojet e tjera shqiptare, dhe me mbështetjen e aleatëve. Bashkimi sjell fitoren ndërsa bojkoti dhe “cicmicet” për pushtet të këtyre “politikanëve të vegjël” të Kosovës në kohë krize të çojnë në humbje. Opozita nuk duhet të bëjë hakmarrje politike në këtë situatë ndaj qeverisë Kurti. Nuk është çështje pushteti situata në veri të Kosovës por është çështje e ekzistencës së shtetit…

Ibrahim Kabili
Tiranë, më 24.06.2023

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.