NJOHJA E TRIMAVE

0
279
Ymer Elshani

Ymer Elshani Tregime nga Ymer ELSHANI*

Isa Boletini po qëndronte mbi kalë si copë shkëmbi. Përanash e shoqëronin ca trima të zgjedhur. Ishte mesi i pranverës dhe po bënte kohë e bukur. Bjeshkët përreth kishin veshur rroba të reja, të blerta.
Shikimi i Isait herë endej mbi kurorat e maleve që si ca kalorës gjigantë e mbanin përdore njëri – tjetrin, herë lëshohej nëpër fytyrat e luftëtarëve që rendnin në radhë të shoqëruar nga trokëllima e patkonjve. Ato trokëllima sikur përziheshin me mendimet e tyre dhe i bënin ato më të thella.
Vështronte Isai vargun e gjatë të trimave që ishin nisur për t’ua vënë gjoksin lukunive të të huajve dhe thellë në zemër ndjente një krenari të pafshehur. Ajri i pastër që dilte nga gjethet e mijëra drunjve, nga fijet e panumërta të barit e nga përrojet përreth po ia mbushte kraharorin e gjerë me një freski dhe sikur po ia shtonte fuqinë.
“Kjo tokë, ky qiell dhe njeriu ynë në të sikur janë të pandashëm e të lidhur fort ndërmjet veti…”, mendoi ai.
Një varg i ri i luftëtarëve që iu bashkangjit kolonës së gjatë sikur e shkëputi nga mendimet. Kush janë ata? – pyeti përcjellësit e tij.
Nga Galica. Sapo dolën nga shpatet e Moknës, – tha përcjellësi i parë, që ishte nga kjo anë. – Janë trimat e Ahmet Delisë. Janë vonuar pak, por megjithatë arritën me kohë…
Isa Boletini ngrehu frerin një çikëz. Kjo ishte shenjë për Gjokun që të nisej andej, në të majtë. U afrua atje bashkë me përcjellësit, i vështroi me radhë nga një largësi jo aq e madhe. Një luftëtar i ri, me ca mustaqe të zeza e vështrim të mprehtë i la përshtypje menjëherë. Në vështrimin e tij krenar kishte diçka të veçantë.
E njeh atë trim? – e pyeti përcjellësin e parë, duke bërë me dorë nga ai.
Po, Komandanti ynë! Ai është djali i Bejtë Galicës. Azem e quajnë.
Isa Boletinit iu çel fytyra përnjëherë nga një ngazëllim i brendshëm. Iu kujtua Bejta, fytyra e tij burrërore, luftërat e shumta që kishte bërë, burgosja e tij nga Turqit, pastaj lirimi, sërish luftërat dhe rënia e tij heroike në fushëbetejë… “Ah, sa shumë trima ranë për këtë tokë dhe lukunitë e të huajve assesi të na lënë të qetë…” – psherëtiu ai. Shkundi kokën që të kthjellohej nga këto mendime dhe iu afrua grupit të luftëtarëve të sapoardhur.
I Bejtës je ti? – e pyeti djaloshin me një shikim atëror, duke ia vënë dorën mbi supe.
Po, – ia ktheu ai me një zë të qetë, duke frenuar kalin që ishte ca i djersitur nga vrapi dhe nuk deshi të ndalej menjëherë. Lëkura i ndriste. Ta dish, kjo është një ditë e gëzueshme për mua, – foli Isa Boletini.– Bejtën e kam njohur mirë… – u ngrys ca. – I di luftërat dhe vuajtjet e tij. Rënien si burrë në fushëbetejë… por ai nuk paska vdekur, jo, si nuk bën të vdesë trimëria dhe dashuria e arbërit për këtë tokë. Vendin e tij e paske zënë ti, o Trim! Këtë po ma thotë shikimi yt, trokëllima e zemrës, që po më bëhet se po e dëgjoj në
kraharorin tënd si rrah me afsh për këtë dhe.
E kam të qartë se e di edhe ti: kjo është rrugë e vështirë, por e lavdishme. Të huajt duan të na shkulin rrënjët nga dheu ynë…
Këtë nuk do ta arrijnë kurrë!… – foli Azemi me një zë burrëror. – Jetën ia kemi borxh kësaj Toke dhe Arbëria ka për t’u bërë se s’bën…
Këtë e prita të ma thoshe, o Trim! – u gjegj Isa Boletini. – Jam i kënaqur që të njoha…
Unë të njihja edhe pa të parë. – foli Azemi, pa e fshehur admirimin.
Dy trimat po rendnin mbi kuaj pranë e pranë. Në fytyrat e tyre kishte diçka të kreshnikëve të vjetër të Klladushës, Mujës dhe Halilit, të trimave të mbretit të Epirit, Pirros, e të luftëtarëve të kohës së Skënderbeut. Malet përreth sikur ndjeheshin më krenare për këtë takim, e tufat e rrezeve ua praronin fytyrat e hareshme.

FILIPI DHE DALLËNDYSHET

Ishte dita e tretë që Kaçureli, një djalosh i zeshkët, po shihte të njëjtën pamje: në bregun e detit, i kthyer nga veriu një plak nuk e ndante vështrimin nga vargu i dallëndysheve, që në tufa të mëdha, po shtegtonin andej prej nga kishin ardhur në vjeshtë. I vërente Plaku ato gjatë, duke e luhatur dorën në shenjë përshëndetjeje e duke folur diçka.
Kaçureli u bë kureshtar. Vallë, kush ishte ai njeri i moshuar që nuk përtonte të vinte çdo ditë në breg të detit të vështronte aq gjatë
dallëndyshet? Ç’e shtynte t’i përshëndeste me aq dashuri e mall ato shpesë shtegtare?
Pasi i ndihmoi babait t’i vinte rrjetat në barkë, iu afrua. E përshëndeti dhe i tha:
Xhaxha! Ka ca ditë që del këtu. Vështron detin dhe tufat e dallëndysheve që ikin drejt veriut. Mos, ndoshta, ndjen dhembje për to?
Eh! – foli Plaku i ngrysur. – Më dhembsen, si jo! Ato e gjallëruan jetën këtu, ia shtuan bukurinë tokës e qiellit, por edhe jam i gëzuar që shkojnë andej… Fytyra e tij u kthjellua ca, por në sytë e ndritshëm i vërehej edhe më tutje malli për diçka të largët e të shtrenjtë.
Edhe të dhembsen edhe të gëzojnë që ikin… disi nuk po kuptoj! – foli Kaçureli.
Po, çun, – vazhdoi Plaku. – Më dhembsen se këtu e gjallëruan jetën, na falen çaste të hareshme, por më gëzojnë se shkojnë në viset ku ende rron një pjesë e zemrës sime. Kur të arrijnë atje do të gjallërojnë vendin ku bëra hapat e parë dhe u rrita…
Ti nuk je prej këtu? – u habit Kaçureli. Ia pa ballin e mejtueshëm, plot rrudha, mustaqet dhe mjekrën e thinjur.
Jo, çun… Unë jam i mërguar. Ka kohë që jetoj këtu. Atdheu im është larg. Duhet të kalohen tre dete deri tek ai.
Do të kthehesh atje? – u interesua Kaçureli.
Eh!… – psherëtiu Plaku. – Do të kthehesha me dëshirë, por atdheu im ende është i robëruar. Nga këtu mund t’i ndihmoj më shumë. Ç’është e drejta, kam një mall të madh, të pashuar – për të më është zhuritur zemra, por duhet të pres ende…
Kaçureli tash e kuptoi përse Plaku rrinte në breg të detit e vështronte dallëndyshet.
Përmes tyre ai i dërgonte të fala Atdheut të tij, përshëndeste të afërmit, vendin ku kishte lindur e ishte rritur. Duke ndenjur e biseduar me të e kuptoi se ai qe poeti Filip Shiroka. Thurte vargje për Shqipërinë, atdheun e tij, larg të cilit jetonte.

Marrë nga Nacional

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.