Një rrëfim përtej politikës i deputetit Xhemal Qefalia…

0
1161

Ibrahim Kabili Një shkrim domethënës dhe tepër realist. Jam munduar të shkëputem nga politika dhe të them diçka për njeriun me zemër të madhe Xhemal Qefalia. Themi realist, pasi politika e këtyre 30 viteve i ngjan një telenovele. Në të mund të futesh kur i ke flokët e zeza, zbardhesh duke besuar tek ajo, dhe vdes duke shpresuar…

Shkrimi për Qefalinë është një obligim njerëzor dhe tepër mirënjohës nga ana ime. Xhemali është munduar ti ndihmoj dhe vlerësoj banorët e zonës dhe të ndikoj në zgjidhjen e halleve e problemeve të tyre. Mua më ka ofruar disa herë bashkëpunim dhe përgjegjësi në shërbim të komunitetit të zonës. Mospërgjigja apo refuzimi im, nuk është çështje e tij…

Këto qenë disa motive që më shtynë të bëj këtë shkrim modest, për njeriun e mirë, ushtarkun model, intelektualin, dhe pinjollin e denjë të fisit Qefalia, Xhemalin. Biseda u bë në një nga ambientet e jashtme të shtëpisë së tij më datën 29.06.2022. Mëngjesi qe i freskët në verantën e shtëpisë në këtë vapë përvëluese të këtij fund qershori. Për rrjedhojë dhe mendimet e tij qenë mjaft të qarta në saktësinë e tyre. Pasi u kryen “adetet” e mëngjesit nga e zonja e nderuar e shtëpisë, biseduam lirshëm dhe fiksuam diçka nga jeta dhe veprimtaria e Xhemalit…

Xhemal Qefalia, i lindur në Tiranë më 27 shkurt 1963, u zgjodh deputet për Qarkun e Tiranës në zgjedhjet e përgjithëshme të vitit 2009. Xhemal Qefalia ka kryer studimet e larta në tre fakultete; Akademinë Ushtarake; Akademinë e Policisë; dhe Fakultetin e Drejtësisë, Dega Juridik. Eshtë i liçensuar si avokat. Ai ka mbajtur poste të ndryshme në Ministrinë e Mbrojtjes, Ministrinë e Drejtësisë, si dhe në Prokurinë e Përgjithshme. Eshtë zevendës kryetar kryetar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare në Kuvendin e Shqipërisë.

Ai lindi në një familje shumë të njohur, autoktone Tiranase dhe me tradita të spikatura atdhetare. Familja e Lym Qefalisë qe mjaft e njohur në Tufinë, Tiranë dhe më gjerë. Lymi vazhdonte të ruante dhe ta forconte traditën e trashëguar nga babai i tij, Xhemali. Lymi eci në rrugën e babait të tij dhe shquhej për mikpritje, bujari, forcë besimi, besë, humanizëm dhe bamirësi…

Për të mbajtur të gjallë kujtimin dhe virtutet e Xhemal Qefalisë së vjetër, Lymi dhe bashkëshortja e tij Sherifja i venë emrin Xhemal, fëmijës së tyre të katërt. Nga emri i gjyshit Xhemali pati edhe privilegje në familje, por iu desh të kishte edhe shumë përgjegjësi për të çuar mëtej arritjet e familjes Qefalia… Që fëmijë Xhemali qe djalë i shkathët dhe pati interes për shkollë. Babai i tij Lymi u kujdes për arsimimin e fëmijëve dhe veçanërisht edhe të Xhemalit. Shkollën fillore dhe 8-vjeçare e fillon në Shtish-Tufinë, në shkollës “Dëshmorët e Tujanit”.

E mbaron atë me rezultate shumë të mira dhe fletë nderi në vitin shkollor 1977-1978. Për vitet e shkollës ai, shton: “E kujtoj me shumë nostalgji këtë shkollë dhe kolektivin pedagogjik të saj. Unë dola me nota shumë të mira falë edhe punës plot pasion e përkushtim të këtyre mësuesve. Kujtoj me shumë respekt mësuesit e mi në shkollën e Tufinës; Vivjana Qeranxhi mësuese e klasës së parë, Masar Baçi, Sotiraq Gjeka, Masar Mane, etj”. Falë rezultateve shumë të mira që arriti në këtë shkollë i del e drejta e studimit me bursë shteti, në Shkollën e Mesme Ushtarake “Skënderbej”.

E fillon atë në vitin 1978 dhe e përfundon me rezultate shumë të mira në vitin 1982. Për këtë shkollë me famë për kohën, Xhemali kujton: “Shkolla e mesme e begsave qe një shkollë e konsoliduar për kohën. Duhej durim, këmbëngulje dhe përkushtim ta përballoje me sukses atë. Unë dhe shumë shokë të mi, në fillim e patëm shumë të vështirë të përshtateshim me rregullin dhe disiplinën e lartë të kësaj shkolle. Atje na veshën me uniformën ushtarake të kadetave dhe kërkonin rregull dhe disiplinë shumë të lartë. Nga vështirësitë që hasëm duke kaluar nga jeta civile në atë ekstreme ushtarake, unë desh e braktisa këtë shkollë. Eshtë merita e babait tim Lymit, që unë nuk u largova nga kjo shkollë. Më pas u ambientova shumë mirë, e mora veten dhe fillova të mësoja dhe të stërvitesha rregullisht.

Kjo shkollë qe baza e arsimimit dhe e karierës time në ushtri. Kujtoj gjithë nostalgji komandantin e shkollës Mikail Vaso, si ushtarak kariere, mjaft i përgatitur, serioz dhe mjaft human. Gjithashtu kujtoj me respekt komandantin Pajtim Çelo. Ai qe një specialist shumë i përgatitur dhe tregonte kujdes të madh për ne. Veçoj mësuesen time kujdestare shumë të mirë Myzejen Bejtja. Ajo na jepte edhe lëndën e matematikës, ishte një mësuese e shkëlqyer e kësaj lëndë dhe qe një prind i dytë për ne. Unë ruaj kontakte të vazhdueshme edhe tani me Të. Në këtë periudhë të shkollë unë kam marrë pjesë në të gjitha paradat ushtarake të organizuara në vitet 1979-1983″.

Në vitet 1982-1985 vazhdon dhe mbaron dhe mbaron me rezultate shumë të mira Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve, në Tiranë, Fakulteti i Këmbësorisë Gjitharmësh. Duke kujtuar vitet në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve, Xhemali vijon: “Këto vite qenë vitet më të bukura në arsimimin tim të mëtejshën në fushën ushtarake. Meqenëse kisha si bazë shkollën e mesme ushtarake e pata më të lehtë përvetësimin e shkencave dhe doktrinave ushtarake dhe dola edhe këtu me rezultate shumë të mira. Shkolla qe mjaft e organizuar dhe gjithçka që bënim qe mbi baza shkencore. Komandant i shkollës qe Rustem Peçi ndërsa komisar Novruz Cako.

Në shkollë bënim në mënyrë të zgjeruar dhe gati shteruese, lëndët kimi, këmbësori, ndërlidhje, artileri, xhenjo dhe lëndë të formimit të përgjithshëm ku merrnim një formim të gjithanshëm. Krahas mësimeve që merrnim në auditore, një rëndësi shkolla u jepte edhe stërvitjeve ushtarake në terren. Në dimër bënim marshime dhe stërvitje në Feken, Malin me Gropa dhe Bicë, ndërsa në verë në disa reparte ushtarake në bregdet. Kujtoj me shumë admirim pedagogët, Vizdan Cemaj, Luan Liçaj, Kristaq Xharo, Riza Sheqeruka, etj. Këto qenë shumë të përgatitur, mjaft korrekt, tepër serioz me ne studentët dhe mbi të gjitha shumë njerëzor. Mbarimi i kësaj shkolle ndikoj në ecurinë e mëtejshme të jetës time “.

Falë rezultateve të mira dhe shumë të mira të arritura në shkollë Xhemali u mbajt oficer në Tiranë. Ai u emërua në një nga repartet më speciale, në atë kohë me Nr.6803, në Batalionin e Sigurimit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Për këtë Xhemali pohon: “Reparti i “Diko Zeqos” qe reparti ushtarak më elitar në Shqipëri. Në të zgjidheshin kuadrot më të besuar dhe ushtarakët më të mirë. Unë pata fatin e madh të emërohesha në këtë repart special të ushtrisë së asaj kohe.

Detyrën si oficer e fillova në vitin 1986, fillimisht si Komandant Toge për katër vjet, pastaj tre vjet me detyrën e Shefit të Stërvitjes të Batalionit, dhe katër vite të tjera në pozicionin e Shefit të Shtabit të Batalionit. Në këtë repart falë punës me përkushtim e profesionalizëm unë arrita të marr gradën e majorit dhe të arrija funksionin më të lartë, pas atij të komandantit të batalionit. Komandant i këtij batalioni qe Naum Damo dhe komisar Bardhyl Gostnishti. Të dy kuadro të lartë ushtarak tepër të përgatitur dhe të devotshëm në kryerjen e detyrave.

Në këtë repart kryenim stërvitje korrekte me ushtarët dhe i përgatitnim profesionalsht për mbrojtjen e udhëheqjes së Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë dhe të Ministrisë së Mbrojtjes”. Për punë të mirë në këtë repart Xhemali është vlerësuar me “Çertifikatë mirënjohje”, nga ish Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ramiz Alia. Këtu përfundoi kariera e tij ushtarake pasi më pas ai u emërua në detyra të tjera. Në të gjitha detyrat që ai kreu në ushtri dhe digastere të tjera, ai u dallua për seriozitet në punë, për korrektësi në kryerjen e detyrave, për përgatitje të lartë profesionale dhe mbi të gjitha për një komunikim prefekt prej babaxhani me eprorët dhe vartësit e tij. Kjo është një vlerë që Xhemali e mbart në veten e tij!

Nga viti 1996 deri në vitin 2009, Xhemali shkëputet nga ushtria dhe emërohet në detyra të reja, kryesisht që vareshin nga Ministria e Drejtësisë dhe institucione të tjera. Për këtë, ai thotë: “Në vitin 1996 miku im, Kryetari i Bashkisë Tiranë, Albert Brojka më propozon të shkëputem nga ushtria dhe të shkoj drejtor i Burgut 325. E pranova propozimin dhe punova në këtë detyrë deri në vitin 1997.

Në në këtë vit u emërova Drejtor i Burgut në Burrel. Situata politike këtu qe shumë e vështirë pasi në muajin mars u hapën të gjitha burgjet. Kjo qe periudha më e vështirë e punës për mua. Ky qe burg i sigurisë së lartë dhe unë isha edhe larg shtëpisë”- përfundon Xhemali. Në nëntor të vitin 1998 emërohet drejtor i Burgut 313 ku punoi për nëntë vite në këtë detyrë. Për punën këtu, shton: “Si burg i sigurisë së lartë kishte rregull dhe disiplinë të lartë por edhe trajtim me dinjitet njerëzor i njerëzve që u ishte privuar liria. Këtu bënim edhe veprimtari kulturore dhe sportive”.

Në vitin 2007 emërohet Oficer i Policisë Gjygjësore, Sektori i Ekzekutimeve Penale, ku punoi në një zyrë, me ish Prokurorin e Përgjithshëm, Alush Dragoshi. Për të Xhemal Qefalia, bën këtë vlerësim: “Ai qe një profesionist i vërtetë, një njeri i shkëlqyer prej të cilit mësova shumë gjëra nga ana profesionale, pavarësisht kohës së shkurtër që punova me të, në këtë detyrë”. Njerëzit me vlera, mbesin të tillë, pavarësisht regresit apo progresit që kalon shoqëria…

Siç cekëm më lart Xhemali, në viti 2009 Xhemali zgjidhe deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Këtë detyrë ai e ushtron prej katër mandatesh pa ndërruar zonën e tij. Për këtë, ai shprehet: “Detyrën e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë e quaj një privilegj të madh, një vlerësim maksimal dhe mbi të gjitha një detyrim e përgjegjësi të lartë ndaj gjithë banorëve të “Kurorës së Tiranës”. Kjo përfshin zonat: Dajt, Zall-Bastar, Shëngjergj, Zall-Herr, Kërrabë, Bërzhitë, Petrel dhe Baldushk. Gjatë katër mandateve banorët më kanë mbështetur, besuar dhe votuar. Unë jam munduar të bëj gjithnjë më të mirën por përsëri e ndiej veten borxhli ndaj tyre.

Në shumë raste jam bërë pjesë e zgjidhjes së problemeve por sidoqoftë vetëm një pjesë e tyre ka gjetur zgjidhje”. Gjatë viteve si deputet Xhemali është i angazhuar në Komisionin e Sigurisë Kombëtare dhe është antar i Asamblesë Parlamentare të NATO-s. Për këtë, ai shton: “Eshtë kënaqësi e veçantë për mua kur shoh flamurin tonë kombëtar të valvitet së bashku me flamujt e tjerë të vendeve më të fuqishme të botës. Kam bërë vizita pune për shkëmbim përvoje në disa baza ushtarake ajrore të NATO-s në disa vende të Europës, SHBA-së, dhe Kinë. Kjo ma forcon shumë ndjenjën e atdhedashurisë dhe më bën të ndjehem mirë si shqiptar”.

Një vlerësim maksimal Xhemali ka për banorët e zonës së Zall-Bastarit. Ai ka një merak, dhe shton: “Njerëzit e zonës janë me shumë tradita, janë shumë bujar, arsimdashës, mikpritës, të thjeshtë, punëtor dhe të besës. Më parë zona ka qenë e braktisur. Zona e Zall-Bastarit ka intelektualë me emër, si; profesor Seit Mansakun, akademikun Beqir Meta, doktor Azem Nela, etj. që janë krenari për zonën, Tiranën dhe Shqipërinë. Ka shumë intelektualë e kuadro të lartë në sferën e arsimit, shëndetësisë, dhe në shumë sektor të tjerë të ekonomisë që kontribojnë në gjithë vendin dhe jashtë tij. Dua të veçoj dhe falenderoj mësuesit e mirënjohur nga zona për botimet e tyre për krahinën. Kjo është një arritje e madhe ku duhet ta mbështetim të gjithë”.

Siç është përmendur edhe në shkrime të tjera qendra e Zall-Bastarit ka pësuar transformimin më të madh të saj në vitet e fundit. Për këtë ka meritë, Kryetari i Bashkisë Tiranë Erjon Veliaj, deputeti i zonës Xhemal Qefalia dhe Administratori i Njësisë Zall-Bastar Genc Sita. Në bisedë e sipër ai shfaq edhe disa meraqe për punë të pakryera. E ka sfidë të tij ndërhyrjen te instancat përkatëse për rrugët që lidhin njësinë administrative me fshatrat e tjerë të zonës. Po kështu edhe ndërtimin e premtuar, të lapidarit të Brigadës XXIII Sulmuese në Qendër të Zall-Bastarit.

Në aspektin familiar ai është martuar me Anilën e cila vjen nga një familje e fisme. Ajo ka mbaruar arsimin e lartë në Fakultetin Juridik. Ata kanë krijuar një familje të mirë ku mbizotëron harmonia, mirkuptimi dhe respekti reciprok. Kjo është në traditën e familjes të zgjeruar të Lym Qefalisë, po kështu është e spikatur edhe tek familja e Xhemalit. Brezat zevendësojnë brezat, tradita ruhet dhe ecën përpara.

Çifti Qefalia ka lindur tre fëmijë; Klara, Learti dhe Klaos. Klara është në vitin e fundit të Universitetit, në degën Mjekësi e Përgjithëshme. Learti në vitin e tretë për AJTI, në Shkollën e Mesme Teknike “Hari Fulc” në Tiranë. Ai është nxënës ekselent dhe ka fituar disa çmime rebotike. Klaosi ka mbaruar klasën e tetë te kolegji turk dhe është apasionuar si portjer në futboll. Xhemali ka pasion futbollin dhe ka qenë aktiv në ushtrimin e tij. Për Xhemalin familja është gjithçka. Ajo është ardhmëria, shpresa dhe vijimësia…

Ibrahim Kabili
Tiranë më 05.07.2022

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.