30.2 C
Tirana
E premte, 10 Korrik 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj Një lexim niçean i protestave në Shqipëri

Një lexim niçean i protestave në Shqipëri

0
Protestat në Shqipëri - Photo of the Day - The Guardian

Autore:
Elife LUZHA

Zhvillimet e fundit në Shqipëri, veçanërisht protestat masive, si dhe debatet dhe analizat e shumta rreth tyre në mediat kombëtare e ndërkombëtare, më rikthyen në mendje Zarathustrën e Niçes, i cili u fliste njerëzve të mos mbeten të ngujuar në sistemet e vjetra të vlerave, por të hapeshin ndaj krijimit të horizonteve të reja.

Ashtu si Zarathustra i Niçes që i nxiste individët të çliroheshin nga idhujt e vjetër, edhe protestat masive qytetare në Shqipëri duket se shprehin një lodhje të thellë ndaj figurave dhe “idhujve” politikë që, për dekada me radhë kanë dominuar jetën publike. Thirrjet kundër korrupsionit, emigrimit, varfërisë dhe, mbi të gjitha, keqqeverisjes, nuk janë vetëm kërkesa politike, por dëshmi e një krizë më të thellë morale dhe shoqërore.

Me një fjalë, revolta e këtyre protestave nuk drejtohet vetëm kundër një qeverie apo një force të caktuar politike, por kundër mënyrës se si ushtrohet pushteti.

Sigurisht, protestat janë pjesë normale e jetës politike në demokraci dhe, në shumicën e rasteve, ato luajnë rol vendimtar në korrigjimin dhe përmirësimin e mënyrës se si përfaqësohen interesat e qytetarëve nga përfaqësuesit e tyre politik.

Megjithatë, protestat masive, si ato që po shohim në Shqipëri, zakonisht shfaqen vetëm atëherë kur qytetarët e humbin besimin te sistemi ekzistues, duke dhënë shenja të qarta se kontrata mes qytetarit dhe institucioneve është konsumuar.

Dhe pikërisht këtu lind pyetja: a janë këto protesta shprehje e një vetëdijeje politike qytetare dhe e një mendimi kritik të artikuluar politikisht, apo thjesht një zemërim kolektiv që rrezikon të shuhet pa prodhuar vlera të reja? A kemi të bëjmë me qytetarë që kërkojnë të rindërtojnë raportin e tyre me shtetin, apo me njerëz që synojnë vetëm të zëvendësojë një elitë me tjetrën?

Ndryshe nga filozofi Jean-Jacques Rousseau, i cili protestat do t’i interpretonte si shprehje të “vullnetit të përgjithshëm” të popullit, në optikën niçeane, vlera e një proteste nuk përcaktohet nga numri i pjesëmarrësve, por nga niveli i vetëdijes, qëllimit dhe autonomisë së mendimit të tyre. Për Niçen, çdo protestë duhet të gjykohet jo vetëm nga forca e kundërshtimit, por edhe nga aftësia për të artikuluar një vizion të ri politik dhe shoqëror. Këtu qëndron dallimi mes një proteste që e transformon shoqërinë dhe një proteste që thjesht riciklon pakënaqësinë.

Nëse protestat aktuale në Shqipëri mbeten në nivelin e një reagimi emocional, ato do shuhen si shumë tjera para tyre. Mirëpo, nëse ato arrijnë të rimendojnë vlerat mbi të cilat ndërtohet jeta publike, atëherë protestat nuk do të jenë thjesht kundërshtim i pushtetit, por fillim i një procesi krijues, i asaj që Niçe do ta quante tejkalim të së vjetrës përmes krijimit të së resë.

Me një fjalë, një mënyrë të re të menduarit dhe vepruarit politik.

Ashtu qoftë!

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.