Nga Haki Koltraka
Shoqëria është shqiptare, për vetë specifikat e këtij tranzicioni të vështirë, duket se është një shoqëri e dhunshme, që nis nga qelia embrionale bazë familja e vazhdon në të gjitha derivatet e saj. Agresiviteti i kësaj dhune ka prodhuar gjatë këtyre tre dekadave histori të trishta kriminale, deri tek vrasjet për motive dhe në rrethana nga më të ndryshmet.
Dhuna në familje është konsideruar si një plagë e vjetër e shoqërisë, shpesh herë ende e pambyllur, e cila i ka rezistuar zhvillimit që shoqëria ka bërë në mbarë botën, duke mos lënë pas dhe zhvillimin demokratik të shoqërisë shqiptare. Në realitetin e padëshiruar është e pashmangshme që çdo ditë të mos shënojë një tjetër viktimë, femër, nënë, bashkëshorte apo motër. Por ekziston dhe dhuna ndaj burrit, qoftë nga bashkëshortet e tyre, aq më shumë nga familjarët e bashkëshorteve.
Format e dhunës shfaqen herë të kamufluara e herë të hapura, të shfaqura në mënyra agresive dhe depresive, shpesh të mbështetura nga element kriminalë, që herë herë veprojnë në emër të “Kanunit” për qëllime abuzive dhe përfitimi material.
Historia e mëposhtme është një rast i tillë. Është një ndërthurje e të gjitha këtyre, në një mjedis tipik dhune, ku viktima si gjithmonë është më i dobëti. Rasti që po iu rrëfejmë është i mbushur me dhunë psikike e fizike, me përndjekje dhe hakmarrje. Është fjala për Enton Saraçin, 44 vjeç, me një histrori të trishtë, shoqëruar me një kalvar dhune, që ka vazhduar për një kohë të gjatë.
Është martuar dy herë dhe të dy herët i është nënshtruar një dhune sistematike nga familjarët e bashkëshorteve, të cilët e kanë ndjekur për ta vrarë.
Enton Saraçi nga Elbasani, i datë lindjes 19/10/1979, ka pësuar dy herë dramën e divorcit dhe një përndjekje e hakmarrje që vazhdon edhe pse tashmë është i divorcuar dhe pa familje.
Në fillim ishte i martuar me F. Sh, me një fëmijë, por vëllëzerit e gruas S. Sh, D.Sh e dhunuan, shantazhuan, e përndoqën edhe pas divorcit, duke shkuar deri në aktin e plagosjes. Këta persona, të përfshirë në veprimtari kriminale, ia bënë të pamundur jetën familjare dhe vazhdimin e martesës.
Në martesën e dytë me N. Hilën ndodhi më e keqja, ra nga shiu në breshër, siç thotë populli. Me këtë martesë ka dy fëmijë, por ajo rrodhi shumë më keq se martesa e parë. Familjarët e bashkëshortes, përveç dhunës, përdorën ndaj tij mashtrimin, ku me dokumenta false arritën t’i tjetërsonin biznesin e tij. K.H dhe E.H, vëllezërit e bashkëshortes së dytë, edhe me të cilën tashmë është i divorcuar, ishin autorët e këtij mashtrimi dhe personazhet e dhunës e shantazhit sitstematik ndaj Entonit. Duke qenë të lidhur me segmente të policisë lokale, pa frikën e ndëshkimit, ata e terririzuan burrin e motrës së tyre dhe i zhvatën gjithçka që kishte. Por sikur të mos mjaftonte kjo, ata vazhduan ndaj tij sistematikisht dhunën fizike e psikike dhe përndjekjen.
Një ditë, teksa po kthehej nga një dasëm ku ishte si fotograf dhe po hynte në një rrugicë periferike të rrethinave të Elbasanit, para këmbëve i ndalon një veturë e zezë, nga ku zbritën katër veta të maskuar, të cilët e rrahën në mënyrë barbare, duke përfunduar në spitalin e Traumës.
Policia erdhi në vendngjarje, por nuk zbardhi asgjë, pasi persona të tillë janë si hije që shfaqen e zhduken në drejtim të paditur, jo rrallë, siç po del në pah kohëve të fundit, edhe me mbështetje të elementëve të inkriminuar në radhët e policisë.
Dhuna në familje ka forma e trajta nga më të ndryshmet, por kur në këtë mes hyjnë në lojë elementë dhe kontigjentë të botës së krimit, si në rastin e Entonit, ajo bëhet e rrezikshme dhe me pasoja të rënda.
Dërgoi për publikim, Denis Hata, gazetar