BREDHJE NË KUJTIMET E UDHËTIMEVE: KU, KUR, KAH…
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha & Prof. Dr. Tefik Basha
Pjesa e dytë
Pas vitit 1999, si pas një uragani të qetësuar, horizonti ynë dukej më i kthjellët. Pas vizitës sonë të fundit në Stamboll (1978), në jetën tonë shumëçka kishte ndryshuar. Ekonomia, që dikur mezi qëndronte mbi themele të brishta, tani kishte marrë një hov të ri. Jeta na buzëqeshte, sikur rrotat e saj më në fund të kishin gjetur binarët e duhur. Çdo hap që ndërmerrnim, çdo plan që thurnim, dukej se ecte në harmoni me vizionin tonë.
Në vitet që pas martesës sonë, familja jonë u begatua me gëzime të pashoqe. Në këtë botë erdhën dy drita, dy frymëzime që i dhanë kuptim çdo mëngjesi: Arta dhe Agoni. Ndërtuam një shtëpi që do të bëhej strehë për ëndrrat dhe shpresat tona. Në fushën e shkencës, hapat tanë u bënë më të sigurt. Arritëm grada që njëherë na dukeshin largësi të pakapshme, dhe punonim me një zell që buronte nga ambicia dhe përkushtimi ynë.
Por, ah, gjithmonë ekziston një “por” që thyen harmoninë e çdo historie të bukur. Në të gjitha këto përparime personale, një hije e rëndë filloi të mbështillej mbi tokën tonë. Çdo ditë që vinte në Kosovë, dukej sikur një lak shtrëngohej më fort rreth fytit të saj. Vitet e kaluara nën Jugosllavi e Serbi kishin qenë të errëta, si një dimër i pafund. Por viti 1981 e tutje ishte një makth i papërballueshëm. Robëria u bë një realitet i përditshëm, terrori u shndërrua në përvojë të përhershme, dhe dhuna preku çdo skaj të jetës sonë.
Kjo ishte një kohë kur ëndrrat për liri u përplasën me muret e represionit, kur çdo shpresë dukej sikur fikej në dritën e errët të natës. Por, brenda asaj errësire, ne ruanim zjarrin e brendshëm, zjarrin që as robëria nuk mund ta shuante, zjarrin e dashurisë për lirinë dhe të ardhmen që duhej të vinte, një ditë.
Viti 1981, si një re e zezë që mbuloi qiellin e shpresave, do të mbahet në kujtesën e popullit shqiptar si viti i dhimbjes dhe dhunës më të ashpër. Ishte një kohë kur toka dridhej nga hapat e studentëve, kur sheshet mbusheshin me jehonën e zemërimit dhe britmat e lirisë së shkelur. Demonstratat studentore, ato fjalë të ndaluara që shpërthyen si breshëri pas një dimri të gjatë heshtjeje, u bënë zëri i një populli të lodhur nga mjerimi dhe shtypja.
Ishte një kohë kur mjaftonte një shkëndijë e vogël për të ndezur zjarrin e revoltës, për të çliruar barutin që ishte mbledhur në thellësitë e historisë, në zemrat e një populli që për shekuj kishte bartur peshën e robërisë. Në ato vite të zymta, shqiptari nuk mendonte më për veten, për jetën e tij të përditshme. Aspiratat personale u shkrinë në një vizion më të madh, në një kauzë të përbashkët që mbështillej me dhimbje, por ndizej nga shpresa.
Në vend të ëndrrave për shtëpi, pasuri, apo rehatinë e një dite të qetë, mendimet tona u kthyen kah liria e mohuar. Secili shihte fytyrën e vet në sytë e bashkëkombësit, dhe secili ndjente peshën e përbashkët të një padrejtësie që nuk mund të durohej më gjatë. Jetët individuale u tretën si një pikë uji në lumin e madh të sakrificës, ndërsa toka jonë, e shkelur dhe e nëpërkëmbur, kërkonte të fliste përmes dhimbjes së popullit të saj.
Dhe ashtu, në këtë vit të zi, ku terri dukej i pakalueshëm, lindi një vetëdije e re, një flakë që do të digjej për dekada, duke mbajtur gjallë ëndrrën për të dalë nga errësira dhe për të rilindur nën dritën e lirisë.
Kur mora penën për të shkruar për udhëtimet tona, për ato horizonte që na thërrisnin me premtimin e lirisë dhe bukurisë, i premtova vetes se nuk do të lëvizja hijen e mendjes drejt okupimit e robërisë. I thashë vetes se këto rreshta do të ishin për gëzimet, për shpresat, për vendet që na dhuruan frymëzim dhe momente të paharrueshme. Doja që fjala ime të mos prekej nga dhembjet e të shkuarës, që ato plagë të mbeteshin përtej faqeve të këtyre kujtimeve.
Por, si mund të fshihet një re që ka mbuluar qiellin për kaq gjatë? Si mund të ndalem së kujtuari atë peshë që kemi bartur, atë hije të zymtë që ka ndjekur çdo hap të jetës sonë? Është si të përpiqem të flas për një lule duke injoruar erën e hidhur që fryn rreth saj. Dhembja jonë më e madhe, ajo vuajtje e gjatë e periudhës nën okupim, është si një plagë e hapur që nuk mund të fshihet, edhe nëse përpiqem ta mbuloj me kujtime të bukura.
Kështu, ndërsa shkruaj për peizazhe të largëta dhe udhëtime të guximshme, dhembja shpesh gjendet si një fije e padukshme, që kalon mes fjalëve të mia. Ajo nuk më lejon ta harroj atë që kemi kaluar, atë që na ka bërë të tillë siç jemi. Dhe ndoshta është pikërisht kjo dhembje që u jep udhëtimeve tona një kuptim më të thellë, një arsye për të vazhduar përpara, duke mbartur me vete historinë e një populli që nuk dorëzohet kurrë.
Vitet kalonin, njëra pas tjetrës, si gurë të rrokullisur që binin mbi supet e Kosovës dhe shqiptarëve të saj. Çdo vit dukej më i errët se ai që e kishte paraprirë, sikur nata e pafund e Shën Bartolomeut të kishte zgjatur mbi këtë tokë me shekuj. Qielli i Kosovës ishte i rënduar nga vuajtjet, dhe toka thithte lotët e një populli që mbijetonte mes errësirës dhe padrejtësisë.
Në këtë natë të gjatë të historisë, numrat flasin me një zë që nuk mund të heshtet. Nga hulumtimet e mia, dëshmia më e rëndë vjen në formën e një shifre që rri pezull si një mallkim: 667 shekuj, 72 vjet e 7 muaj burg për shqiptarët. Jo vetëm burg, por një dënim për vetë ekzistencën, për ëndrrat, për guximin e tyre për të qenë të lirë.
Këto vite nuk janë thjesht kohë e kaluar prapa hekurave; ato janë vitet e shpirtit të burgosur, të lirisë së ndaluar, të jetëve të prera në mes. Ato janë dëshmi e forcës dhe qëndresës së një populli që, edhe nën zgjedhën më të rëndë, nuk e humbi kurrë shpresën për një të nesërme më të bardhë. Dhe kështu, ndërsa vitet e robërisë mbushnin kalendarin e padrejtësisë, zjarri i lirisë mbeti i ndezur në zemrat shqiptare, duke pritur agimin që do të thyente këtë natë të përjetshme.
Dhe jetë e quajtën, ndonëse e tillë mezi dukej. Në ato vite të zymta, askujt nuk i shkonte në mendje për kënaqësitë e vogla që bota normale ofronte pa mëdyshje. Gjithçka ishte heshtur, përveç zërit të zemrave që rrihnin për liri. Demonstratat shpërthenin si rrufe në qiellin e trazuar, dhe asnjë fuqi okupatori nuk mund të ndalte valën e tyre të pandalshme. Ishte si një lumë që fryhej nga stuhia shekullore e padrejtësive, duke çarë çdo pengesë që i dilte përpara.
E pastaj ndodhi lufta. Një kapitull tragjik që mbarti me vete dhembje të paimagjinueshme, mori jetë të pafajshme dhe shkatërroi tokën e shenjtë të Kosovës. Çdo cep u mbush me lot dhe gjak, dhe nata e luftës dukej e pafund. Por ky popull, qëndrestar si shkëmbi dhe i pathyeshëm si shpirti i feniksit, nuk u dorëzua. Nga hiri i shkatërrimit, ata u ringjallën, të mbështjellë nga flakët e shpresës.
Ata ndërtuan jo vetëm jetën e tyre, por edhe vetë Kosovën, gur mbi gur, ëndërr mbi ëndërr. Në mes të dhembjes, gjetën forcën për të krijuar një të ardhme, për të shkruar një kapitull të ri të historisë, një histori të triumfit mbi të keqen. Dhe kështu, si feniksi që ngrihet nga hiri i vet, Kosova u bë një dëshmi e fuqisë së një populli që kurrë nuk e braktis dritën, sado i gjatë të jetë terri.
Një pamje në Bursën e bukur, me studentët nga Gjilani, 2011
Pas luftës, mbi tokën tonë zbardhi një agim i ri, si një frymëmarrje e parë pas një nate të gjatë dhe të rëndë. Ishte një agim që nuk solli vetëm dritë për sytë tanë, por edhe lirinë për shpirtin tonë, një jetë të re që na priste përtej hirit të së kaluarës. Ajo jetë ishte e fituar me sakrifica, një dhuratë që buronte nga dhembjet e pashtershme dhe nga ëndrrat që kishin mbetur të heshtura për kaq shumë kohë.
Në zemrën e kësaj epoke të re, ne ngritëm shtetin tonë, me një emër që për ne përfaqësonte më shumë se një komb: Republika e Kosovës. Një tokë që dikur lotonte nga vuajtjet dhe robëria, tani ngrihej krenare, duke përqafuar qiellin me flamurin e saj, të ngjyer me ngjyrat e shpresës dhe guximit.
Ky agim nuk ishte vetëm një fillim i ri, por një premtim që toka jonë e shenjtë, e mbështjellë nga kujtimet dhe sakrificat e atyre që dhanë gjithçka për të, do të jetonte në liri. E mbushur me krenari dhe besim, Kosova jonë u bë simbol i qëndresës dhe forcës, një testament i gjallë i asaj se dhembja mund të kthehet në triumf, dhe errësira në dritë të përjetshme.
Tani jetojmë të lirë, me dashurinë më të pastër dhe më të pakushtë për vendin tonë. Çdo ditë ndërtojmë me kujdes, sikur të skalitim një mozaik që ruan kujtimet e të kaluarës dhe premtimet e së ardhmes. Si toka-mëmë që mbledh fëmijët e saj në gjirin e saj të ngrohtë, ashtu edhe ne ruajmë çdo pëllëmbë të kësaj toke të shenjtë, duke kujtuar se liria është një thesar që duhet ushqyer me përkushtim dhe punë.
Pas lufte, jeta filloi aty ku e kishim lënë, me zemrat plot dëshirë për të ndërtuar atë që na ishte marrë. Dyert e mbyllura të institucioneve për një dekadë u hapën një nga një, dhe mes tyre ishte Instituti i Historisë, Universiteti, Spitalet, Qerthet e fëmijëve, dhe të gjitha të tjerat, që ishin si një simbol i fuqishëm i rikthimit të dritës së dijes dhe i shtetësisë. Ishte një rilindje që përfshiu çdo institucion të Kosovës, një frymë e re që fali jetë dhe shpresë.
Dhe kështu, ne, bijtë e Kosovës, filluam një epokë të re, të ndërtuar mbi themelet e lirisë dhe të sakrificave, duke e kthyer këtë tokë në një shtëpi të ndritur, ku ëndrrat nuk kanë kufij.
Ishte viti i tretë pas lufte, një kohë kur plagët ende ndiheshin nën lëkurë, por shpirti kishte filluar të kërkonte pak pushim, pak prehje nga zhurma e dhimbjes. Mendimi për të udhëtuar diku, për t’u larguar nga hijet e së kaluarës, na ngrohu zemrat. Vendimi u mor shpejt, me një gëzim të heshtur që thërriste nga brenda: Turqia do të ishte destinacioni ynë, një vend që, në reklamat e ditës, shfaqej si një portë drejt mrekullisë.
E ashtu ishte. Çdo hap i rrugëtimit tonë ishte një poezi në vete. Rrugët, si fije të arta që na çonin drejt brigjeve të pafundme, deti që shtrihej para nesh si një qilim i kaltër që puthte horizontin, dhe hotelet që na pritnin me krahë të hapur – gjithçka ishte e përsosur, si një ëndërr që më në fund bëhej realitet.
Bregdeti turk, me bukurinë e tij që të lë pa frymë, na mirëpriti si një mik i vjetër. Çdo valë që përplasej në breg dukej sikur fliste me ne, duke na rrëfyer historitë e saj të lashta. Mikpritja turke, e ngrohtë dhe e sinqertë, ishte një përqafim që të ngushëllonte, ndërsa kuzhina e tyre – ah, një festë për shqisat! Aromat dhe shijet, të mbushura me traditë dhe dashuri, na lanë të mahnitur dhe plot kënaqësi.
Aty, mes dritës së diellit dhe detit të pafund, gjetëm çaste të qeta, çaste ku mund të harronim, qoftë edhe për pak, barrën e të kaluarës. Ishte një udhëtim që nuk ishte vetëm një pushim, por një rikthim i vetvetes, një moment kur kuptuam se jeta, me gjithë plagët e saj, mund të ofrojë ende bukuri dhe shpresë.
Pas atij pushimi të paharruar në Turqi, këmba jonë sërish preku brigjet e saj të mrekullueshme, si një udhëtar që nuk ngopet kurrë me bukuritë e një toke të dashur. Vitet kaluan, dhe ne pothuajse përshkuam të gjithë rivierën turke. Nga Bodrumi, ku deti puth qiellin në një harmoni të përjetshme, te Kemeri, ku malet i qëndrojnë pranë brigjeve si rojtarë besnikë. Antalia dhe Alanya, me peizazhet e tyre të magjishme, na ftuan të zhytemi në ujërat e kristalta dhe në ngrohtësinë e mikpritjes së tyre.
Por Turqia nuk ishte vetëm bregdet. Një ditë, rrugët tona na çuan në pjesën kontinentale, te Bursa, qyteti ku ajri është i mbushur me histori dhe zemrat me dashuri. Mikpritja shqiptare që gjetëm atje na përqafoi kudo, si një fllad i njohur që të mbush me ndjesi ngrohtësie dhe përkatësie.
E pastaj, ishte Stambolli – qyteti që na bëri për vete me magjinë e tij të papërshkrueshme. Ai na u bë zakon, një strehë ku kthehemi çdo pranverë, të tretur në rrugët që lidhin dy kontinente. Nën kupolën e artë të Stambollit, Evropa dhe Azia flasin gjuhën e përbashkët të historisë dhe kulturës. Është një vend ku çdo rrugë ka një histori, çdo qoshe një sekret, dhe çdo perëndim dielli një poezi të vetën.
Sabile Keçmezi-Basha & Tefik Basha, Pamukale, 2012
E si të mos përmend atë kafe magjike që e rrufit në Stamboll? Në çdo cep të botës kafeja ka shijen e vet, por këtu – në zemrën e këtij qyteti të mrekullueshëm – ajo merr një lezet tjetër. Çdo gllënjkë duket sikur mbart një copëz të shpirtit të Stambollit, duke të bërë të dashurohesh me të edhe më shumë. Dhe kështu, herë pas here, ne kthehemi në Turqi, si një zog që gjen strehën e vet të përhershme nën qiellin e saj mikpritës.
Por nuk mbaron këtu. Rrugët tona na çuan drejt Pamukales, një mrekulli e natyrës që dukej sikur ishte pikturuar nga dora e vetë Zotit. Aty, ku tarracat e bardha rrjedhin si rrathë të kristaltë, ne mbetëm pa fjalë. U magjepsëm nga bukuria e atij vendi, nga ato ujëvara të ngrira në kohë, që i japin jetë një peizazhi që s’ka të dytë.
Pamukale ishte më shumë se një atraksion turistik – ishte një thirrje për të ndaluar dhe për të reflektuar mbi madhështinë që shfaqet kur toka dhe uji bashkohen në harmoni. Dhe në çdo vend që vizituam, nga rrugicat e Kapali Çarshisë te shkëlqimi natyror i Pamukales, Turqia na ftoi të zbulojmë më shumë, duke na ofruar histori dhe bukuri që s’mund të harrohen kurrë
Ishte viti 2011, një kohë kur zemrat e reja dhe plot energji të studentëve të Fakultetit të Edukimit nga Gjilani kishin endur një ëndërr të bukur: një ekskursion në tokat e pasura me histori të Turqisë. Në këtë udhëtim të menduar me entuziazëm, mua dhe Tefikun na kishin përzgjedhur si udhërrëfyes, ndoshta si shoqërues të kësaj aventure që premtonte kujtime të paharrueshme.
Megjithëse jeta ime asokohe ishte një rrjedhë e pandalshme detyrimesh dhe angazhimesh, studentët u bënë mur i pathyeshëm për çdo përpjekje timen për të refuzuar. Me buzëqeshje dhe vendosmëri, më prenë çdo shteg “sabotimi” dhe më vendosën para një zgjedhjeje të thjeshtë por të parefuzueshme: profesoreshë, më thanë, ju keni vetëm dy mundësi përgjigjeje: te thoni “po ose ani” dhe qeshen.
Ishte e pamundur të mos dorëzohesha para entuziazmit të tyre. Të shohësh shkëlqimin në sytë e një brezi që ëndërron të preki histori dhe kulturë, ishte më shumë se një ftesë – ishte një thirrje për të ndarë me ta një udhëtim që premtonte jo vetëm kilometra të përshkuara, por edhe zemra që do të hapeshin ndaj botës. Kështu, me një frymë që ndiente lodhjen, por një zemër të mbushur me pritje, vendosa të nisem dhe të bëhem pjesë e kësaj aventure rinore që premtonte kujtime të paharrueshme nën diellin e Turqisë.
Pikëtakimi para aeroportit “Adem Jashari”, për tu nisur në Stamboll, 2011
Dhe nuk gabuam. Ai udhëtim mbetet një margaritar në kurorën e kujtimeve të mia, një kapitull i mbushur me gëzim, harmoni dhe një energji rinore që frymëzonte. Stambolli dhe Bursa, me hijeshinë e tyre të përjetshme, u bënë skena ku ne dhe studentët e Gjilanit jetuam ditë që nuk do të harrohen kurrë.
Studentët ishin shembulli më i bukur i një rinie të ndritur: të edukuar, të sjellshëm dhe të mbushur me një energji pozitive që i bënte shoqërues të mrekullueshëm. Për dhjetë ditë, koha dukej sikur fluturonte, ditët rridhnin si ujëvarë, duke na ofruar momente të mbushura me biseda të këndshme, miqësi të reja dhe qeshje të sinqerta. Secili prej tyre sillte dritën e vet, dhe si një mozaik, të gjithë bashkë krijonin një atmosferë ku harmonia ishte mbretëresha e çdo çasti.
Nuk pati asnjë ftohje, asnjë mosmarrëveshje, asnjë notë disonante në këtë simfoni udhëtimi. Entuziazmi ynë për çdo vend që vizitonim ishte i pandalshëm, si një fëmijë që zbulon një botë të re plot me ngjyra. Çdo gjurmë historie, çdo rrugë dhe monument që mbante mbi vete hijen e kohërave të lashta, na tërhiqte si një magnet, duke na mësuar dhe frymëzuar në çdo hap.
Nuk lamë vend pa vizituar, as edhe një që mbante qoftë dhe hijen më të vogël të rëndësisë historike. Dhe aty, mes këtyre vendeve që flisnin për të kaluarën, krijuam kujtime që do të qëndrojnë të gjalla përjetësisht, një dëshmi e bukurisë së udhëtimit, jo vetëm për atë që sheh, por për ata me të cilët e ndan.
Rrapi qindra vjeçar që mahniti studentet
Vizita në Bursë ishte një ëndërr që u bë realitet, një përzierje magjike mes planit të përgatitur dhe surprizave të papritura. Guida jonë na shoqëronte me përkushtim, duke
Rrapi qindravjeçar, mali Uludag, 2011
shpjeguar çdo detaj, por rrugës, jeta na dhuronte pamje dhe përvoja që s’ishin shkruar në program. Një ndër to ishte rrapi shumë shekullor, fshehur mes maleve të Bursës, një destinacion që nuk e kishim menduar.
Në fillim, ideja nuk i entuziazmoi studentët, veçanërisht kur mësuam se do të duhej të ngjiteshim përpjetë në këmbë. Por pas përfundimit të takimeve zyrtare, morëm rrugën e përthyer, me kthesa të pafund, drejt këtij thesari natyror. Mali Uludag na priti me madhështinë e tij, i ngjashëm me Brezovicën tonë, por me një ngjitje më të vështirë dhe më të lartë nga sa prisnim.
Ngjitja ishte sfidë – rrugë të thepisura dhe një ecje që kërkonte durim – por çdo hap i ndërmarrë na shpinte më pranë këtij monumenti natyror. Kur më në fund arritëm te rrapi, gjithë lodhja u tret në hijen e tij të lashtë. Ishte si të preknim historinë me duart tona, një kujtim që do të mbetet përjetë në zemrat tona.
Fillimisht, era e ëmbël dhe e parezistueshme e qebapëve turq na ftoi të ndalojmë, ndërsa gjelbërimi i pafund dhe natyra e mrekullueshme na mbërthyen në magjinë e tyre. Nën hijen e një rrapi të lashtë, restorante të shumta prisnin turistët, dhe kodra gumëzhinte nga zërat e gëzueshëm të vizitorëve. Me vete mendova: “Në rregull, po ku është ky rrap i famshëm?”
Si për përgjigje, një zë i befasuar shpërtheu përpara meje: “Oh, shikoni çfarë mrekullie!” Dhe ja, para syve tanë u shfaq ai – një rrap madhështor, një monument natyror që as në ëndrrat tona s’e kishim parë. Të gjithë u afruam, të mahnitur. Dikush fotografonte, dikush lexonte të dhënat në tabelë, ndërsa të tjerë soditnin peizazhin që shtrihej përreth.
Sipas tabelës, rrapi ishte një gjigant 600-vjeçar, me një lartësi prej 92 metrash, gjerësi 35 metra dhe trung me një diametër prej 3 metrash. Ishte një dëshmi e lashtësisë dhe madhështisë që natyra krijon me durim.
Koha dukej se fluturonte. Disa shijonin qofte, të tjerë lamaxhunat e famshëm turk, ndërsa ne, të humbur në magjinë e momentit, mezi e ndjemë ikjen e saj. Ajo ditë nën hijen e rrapit mbeti si një poezi e gdhendur në kujtesë.
Kafeneja “Kule Kafe”
Pas vizitës tek rrapi madhështor, një pushim i merituar na priste në restorantin ku drekonim dhe darkonim gjatë qëndrimit tonë në Bursë. Në një nga ato ditë, teksa po shijonim drekën, sytë më zunë një mbishkrim të madh në anën tjetër të rrugës që shkruante: “Laqiq grup.” E lexova disa herë, por nuk mund ta deshifroja çfarë fshihej pas këtij emri.
Mendja më shkoi tek një fshat në Kamenicë, i quajtur Laçiq, dhe befas u pyeta: “Si është e mundur ky emër të jetë këtu, në zemër të Bursës?” Ndërsa meditoja, më kujtohet që një nga studentët tanë, Selimi (Daku), vinte pikërisht nga ky fshat. E gëzuar që mund të ndaja mendimin tim me dikë që ndoshta do të emocionohej, e thirra dhe i tregova për mbishkrimin.
Selimi, me një buzëqeshje të lehtë dhe duke menduar se unë dija më shumë, tha: “E shihni, profesoreshë, ata janë nga fshati im.” Fjalët e tij më lanë të shtangur. E luta që të zbërthente këtë mister, e etur të mësoja më shumë për këtë lidhje të papritur midis një emri nga Kamenica dhe një qyteti kaq larg, si Bursa.
Selimi nisi tregimin e tij, një histori që nisi rastësisht një vit më parë, kur ishte ndalur në këtë kafene me një shok për të pirë kafe. Mes një bisede në gjuhën shqipe, duke menduar se askush nuk i kuptonte, një djalë i ri, kamerieri, iu afrua dhe me një buzëqeshje të ngrohtë i pyeti: “Ju shqiptarë jeni?” Biseda nisi dhe, me fjalë pas fjale, u zbulua një lidhje që tronditi Selimin – “Në fund doli se ne ishim kushërinj,” tha ai.
Ky rrëfim na habiti dhe na emocionoi thellësisht. Pasdite, u mblodhëm të gjithë te kafeneja “Kule Kafe.” Pronari dhe djali i tij, nga fshati Laçiq, na mirëpritën me pije të freskëta. Na treguan se babai i tyre, për të mos harruar prejardhjen, kishte quajtur gjithë ndërmarrjen e tij “Laçiq grup.” Kafeneja, më shumë se një vend takimi, ishte një strehë e kujtimeve, ku shqiptarët që jetonin në Bursa apo vizitorët nga larg gjenin një copë atdhe.
Djali i pronarit na tregoi se shpesh ishin dëshmitarë të takimeve prekëse: vëllezër që pas dekadash ribashkoheshin, lot gëzimi që rridhnin, dhe ata, të pranishmit e heshtur, qanin bashkë me ta. “Kush thotë se shqiptarët nuk i ngjajnë shqiponjave?” shtoi ai. “Sado larg të fluturojnë, foletë i bëjnë në tokën e tyre.” Dhe megjithëse larg nga Laçiqi, emri i tij qëndronte si një totem krenarie në këtë qytet të largët.
Shqiptarët në Bursa
Shpesh, unë dhe Tefiku, bisedonim në Bursa, por edhe më parë, për një pyetje që gjithnjë mbetej pezull: Sa shqiptarë jetojnë në këtë qytet? Sa në Turqi? Supozimet ndryshojnë, por një numër i saktë kurrë nuk është shënuar në histori. Megjithatë, Turqia duket se mban numrin më të madh të shqiptarëve që kanë lënë trojet e tyre etnike.
Historianët dhe studiuesit flasin për 5-7 milionë shqiptarë që mund të jetojnë atje – një numër që përfshin jo vetëm ata që ikën nga trojet e tyre, por edhe ata që u shkrinë në popullsinë vendase. Ky emigracion nis që nga fundi i pushtimit osman, kur shumë familje gjetën strehë në Turqi. Më pas, gjatë viteve 1876-78, dëbimet masive nga serbët shtuan radhët e shqiptarëve që u drejtuan nga Kosova dhe trojet shqiptare drejt brigjeve të Anadollit.
Vetëm në Bursa dhe rrethinat e saj, sipas bisedave që zhvilluam, numri i shqiptarëve arrin mes 300,000 dhe 500,000. Në këtë qytet, si kudo në Turqi, ndjejmë gjurmët e një kombi që, edhe larg tokës amë, mban gjallë frymën e tij, të shkrirë, por kurrë të zhdukur, si një flakë që ndriçon përtej brigjeve të historisë.
Me Bacë Hakiun (duke i dhënë Flamurin e Kosovës), Bursa, 2010
Shpërnguljet e shqiptarëve drejt Turqisë datojnë që nga vitet 1500, kur valët e migrimeve filluan të përshkojnë historinë tonë. Historikisht, Stambolli, Izmiri, Bursa, Sakarija, Ankara dhe Samsuni u bënë strehë për shumë prej tyre. Por si valët që përplasen në brigje të ndryshme, shqiptarët u përhapën në tërë Turqinë, duke gjetur vendbanime edhe në qytetet si Adana, Amasja, Ajdëna, Kajseri, Kërklareli dhe Manisa, deri në skajet më të largëta të Anadollit.
Në emisionin “Me shqiptarët e Turqisë” të gazetarit Bahtir Cakolli, zbulojmë se ka fshatra të tëra të banuara vetëm nga shqiptarë, ku gjuha shqipe dhe traditat e të parëve ende ruajnë frymën e tyre të gjallë. Por, fatkeqësisht, regjistrimi i popullsisë në Turqi nuk është bërë kurrë mbi bazën e racës apo etnisë, duke lënë një boshllëk në të dhënat statistikore për numrin e saktë të shqiptarëve.
Megjithatë, këto komunitete mbeten si një testament i gjallë i shpirtit shqiptar, që, edhe larg trojeve të veta, mban gjallë identitetin dhe historinë, duke lidhur të shkuarën me të tashmen, si një këngë që nuk shuhet kurrë.
Në bisedat tona me studentët shqiptarë në Bursa, ata ndanë krenarinë e tyre duke thënë: “Këtu jemi të respektuar, na çmojnë për besën, fjalën dhe trimërinë.” Ata treguan se në akademitë ushtarake, studentët shqiptarë pranohen pa provime, një shenjë vlerësimi për trashëgiminë tonë të ndershmërisë dhe guximit. S’është rastësi që shumë shqiptarë në Turqi drejtojnë me sukses komuna, fabrika, shkolla dhe biznese, duke lënë gjurmë në çdo fushë të jetës.
Gjatë qëndrimit tonë, patëm kënaqësinë të takojmë valltarin e famshëm shqiptar nga fshati Berivojcë i Kamenicës, një emër i njohur në artet turke. Po ashtu, në shumë komuna pamë shqiptarë në pozita kyçe: kryetari i rinisë në Bursa nga Doberqani i Gjilanit, kryetari i komunës së Bursës nga Berivojca – figura që mishërojnë lidhjen mes origjinës dhe suksesit në mërgim.
Çdo shqiptar me të cilin bisedonim, flisnin shqip me gabime të vogla, një gjuhë që i përballoi viteve dhe largësisë. Një grua me origjinë shqiptare tregoi krenare për bijën e saj: “Ajo e flet shqipen si ju,”. Në ato momente, ndjeva se, edhe larg atdheut, fryma shqiptare mbetej e fortë, e gjallë, dhe plot krenari.
Takimi me valltarin e njohur bacë Hakiun
Do të mbetet gjatë në kujtesën time fytyra e dhembshme dhe e përlotur e bacë Hakiut, një shqiptari me zemër të madhe, që vinte nga fshati Berivojcë i Dardanës-Kamenicës. Të parët e tij ishin shpërngulur nga presioni i pamëshirshëm serb, por bacë Hakiu e kishte ruajtur shqipen e pastër, të bukur, sikur të ishte thesari më i çmuar. Me krenari tregonte se edhe në shtëpi flitej vetëm gjuha e nënës, një gjuhë që mblidhte rreth vetes kujtimet e atdheut të largët.
Takimi me Bace Hakiun ne kafiterin Kule Kafe, duke hedhur valle, Bursa, 2011
Ishte një takim i rastësishëm, ndërsa kërkonim disa të afërm tanët, kur rrugët na çuan te bacë Hakiu. Nuk gjej ende fjalë për të përshkruar gëzimin e tij të papërmbajtur kur mësoi se vinim nga Dardana-Kamenica. Lotët rridhnin pa ndalur nëpër faqet e tij, ndërsa, mes këtyre çasteve emocionale, ai nisi të improvizonte vallen e Shotës, duke kërcyer e qeshur me të madhe. Aty, gëzimi i tij u bë edhe i yni.
Nga ajo ditë, bacë Hakiu nuk u nda më prej nesh. Ishte pranë nesh në çdo takim, ndejë e udhëtim. Ndërsa rrëfente për jetën e tij, na tregoi se dajat i kishte në fshatin Karaqevë të Kamenicës. Fati deshi që në mesin tonë të ndodhej një student pikërisht nga ajo familje. Kur e kuptoi, bacë Hakiu qau si fëmijë, dhe me një ngazëllim të pastër, thirri: “Dajë… o dajë… ku je?” Asnjëherë në jetën time nuk kisha dëgjuar që fjala dajo të shqiptohej më ëmbël e më ngrohtë se sa atëherë, nga ai që po ndante lot gëzimi me ne.
Ky moment ishte më shumë se një takim – ishte një rikthim në rrënjë, një përqafim mes kujtimesh dhe zemrash të ndara nga koha e largësia. Bacë Hakiu na kujtoi se, sado larg të jemi, lidhjet tona shpirtërore janë të pathyeshme.
Në ditën e fundit, kur duhej të ndaheshim nga Bursa, bacë Haki kishte veshur kostumet më të bukura, ndoshta ato i kishte blerë po atë ditë – e pranoi vetë, me buzëqeshje. Donte që ta mbanim në mend për elegancën dhe humorin e tij. Por edhe ai e dinte: ndarja po vinte dhe asgjë nuk mund ta fshihte dhembjen që i vizatohej në fytyrë si një hije. Një buzëqeshje e dhembshme rrinte pezull mbi të, ndërsa herë pas here thërriste Gëzimin: “Dajë… o dajë…”
Humori i zakonshëm i bacës ishte tretur. Ne të gjithë ndjemë një peshë të rëndë në zemër, një dhembje që nuk mund të mbulohej me fjalë. Nuk di nëse arriti të përshëndetej me të gjithë; lotët ia kishin mbytur zërin. Kur zbriti nga autobusi, hapat e tij ishin të rënduar, si të mbante mbi vete barrën e viteve që befas iu shtuan. Trupi i tij i drejtë u kërrus nga trishtimi, dhe një ofkëllim dhembjeje iu shkëput nga shpirti.
Nga dritarja e autobusit, e përcollëm gjatë. Bacë Hakiu, njeriu-shkëmb, qëndroi i pa lëvizur në trotuar. Dora e tij mbeti pezull në ajër, duke na përshëndetur, ndërsa shikimi i tij ndiqte autobusin që largohej mes turmës së veturave. Nuk lëvizte, vetëm shihte, dhe ne e ndjenim se në atë çast, një copë zemre mbeti pas me të.
Me vete mendova: O Zot, pse ne shqiptarët jemi të shpërndarë në katër anët e botës, me këtë histori të dhembshme ndarjesh? Dhe ndërsa lotët e bacë Hakiut shkëlqenin nën diellin e Bursës, ai mbeti aty – një figurë e palëkundur e dashurisë dhe dhembjes, që do të na shoqërojë gjithmonë.
Falë bacë Hakiut, në Bursa u organizua një program i veçantë nga shoqata shqiptare. Për ne u përgatit një mbrëmje e mbushur me muzikë dhe emocione, ku merrnin pjesë jo vetëm njerëz të komunitetit, por edhe figura të pushtetit lokal, përfshirë nënkryetarin e prefekturës. Sallën e mbushën gra, fëmijë, pleq – të gjithë të bashkuar nga një dashuri e thellë për rrënjët dhe historinë e tyre.
Takimi me gratë shqiptare, që jetojnë në Bursa
Ishte prekës takimi me motrat tona shqiptare. Njëra të shtrëngonte dorën, tjetra të përqafonte, një tjetër të puthte në faqe, dhe të tjera të pyesnin me mall për “Memleqetin” Kosovën e tyre të dashur. Ishte një shpërthim emocionesh që të linte pa fjalë, një ndjesi që nuk mund ta shmangie, edhe sikur të doje.
Programi i valleve enkas për ne, Anëtare te shoqatës shqiptare ne Bursa, 2011
Në atë rrjedhë emocionesh, një grua më tërhoqi vëmendjen. E bukur, me një qëndrim krenar dhe një shami ngjyrë vjollce – ngjyrë që gjithmonë më ka pëlqyer. Ajo më përqafoi me një ngrohtësi të tillë, sikur të njiheshim prej kohësh. Më buzëqeshi ëmbël dhe, me shqipen e saj të përpjekur, më pyeti prej nga vija. Kur i tregova, më tha: “Të parët e mi janë nga Llapi.” Një ndjesi e thellë më pushtoi; në një tokë të largët si Turqia, ajo mbante të gjallë kujtimin e prejardhjes së saj.
Kur e pyeta për emrin, më tha: “Lindita.” U nemita për një çast. “Nga ku ky emër?” – pyeta, pa menduar për takt. Ajo qeshi dhe tha: “Halla ime ma ka shkruar në letër, dhe babai ma ka lënë.” Në ato pak fjalë, kuptova gjithçka: edhe pas dekadash e shekujsh larg, lidhjet familjare nuk ishin këputur. Letrat, kujtimet dhe emrat mbartnin me vete rrënjët, si një fije shprese që bashkonte të kaluarën me të tashmen.
Ky moment, si shumë të tjerë atë natë, ishte një kujtesë se, pavarësisht largësisë dhe viteve, shqiptarët mbeten të lidhur me një fill të pathyeshëm shpirtëror që kalon përtej kufijve dhe kohës.
Në orën një të natës, këndohej “Oj Kosovë oj nëna ime…”
Ishte nata e 12 korrikut 2011, dhe rrugët e Bursës na thërrisnin nën një qiell të freskët veror. Ktheheshim vonë nga një darkë e ngrohtë, organizuar nga kryetari i komunës. Këtë herë, vendosëm të ecim, duke shijuar qytetin përtej asaj që nxehtësia e ditës na kishte kufizuar. Nata bursiane frymonte freski dhe qetësi.
Ecnim mes rrugicave, duke rikujtuar me kënaqësi pritjet e ngrohta dhe bujarinë që hasnim kudo. Çdo student kishte marrë dhurata të veçanta – shamia të mrekullueshme mëndafshi për vajzat dhe kravata elegante për djemtë. Por unë, në veçanti, u gëzova kur hapa një libër që fliste për qytetin e Bursës, një dhuratë që ruante brenda vetes historinë dhe shpirtin e këtij qyteti.
Rrugicat ishin të gjalla, plot dyqane e kafene. Në njërën, konfeksione të fundit; në tjetrën, aparate dhe teknologji moderne; ndërsa disa rrugë të tjera pulsonin nga aroma e ushqimit dhe tingujt e këngëve turke. Në çdo hap, buzëqeshjet e njerëzve na përshëndesnin, dhe bisedat e tyre, të gjalla dhe të zhurmshme, krijonin një melodi karakteristike të qytetit.
Një takim me kryetarin e rinisë të AK-partisë, 2011
Kur na njihnin si vizitorë nga Kosova, shpirti i tyre shpërthente në thirrje plot gëzim: “Kosova Devlet! Kosova Devlet!” Ajo natë ishte më shumë se një shëtitje; ishte një përqafim i historisë, i traditës dhe i mikpritjes së sinqertë që Bursës ia jepte drita e saj e veçantë, një ndjenjë që do të mbetej e ngulitur në zemrat tona përgjithmonë.
Ishte natë e vonë dhe hapat tanë drejt hotelit po afronin fundin, kur përkthyesi i palodhshëm na dha një lajm të papritur: kryetari i rinisë së partisë më të madhe në Bursa dëshironte me ngulm të na takonte. Ora kishte kaluar mesnatën, dhe lodhja e ditës ndihej rëndë mbi ne. “Pse tani?” – thashë me një ngurrim, por Tefiku më tha me qetësi: “Më mirë të takohemi tani; nesër ndoshta është i zënë.”
Aty pranë, për fatin tonë, një restorant ende mbante dyert hapur. Vendosëm të presim aty, mes një atmosfere të qetë që ngjante si një strehë në fund të një dite të gjatë. Pas pak minutash, djaloshi nga Bursa arriti, i shoqëruar vetëm nga një tjetër. Përshëndeti të gjithë me ngrohtësi dhe u ulëm së bashku. Karriget ishin të pakta, disa nga studentët u ulën në tokë, por gjithçka dukej si një moment i veçantë, i paplanifikuar, për t’u çlodhur dhe bashkëbiseduar.
Ai na tregoi me krenari se ishte me origjinë shqiptare, nga Doberqani i Gjilanit, por fatkeqësisht nuk fliste gjuhën shqipe. Biseda mori jetë; ai pyeste për Kosovën, për zhvillimet politike dhe për jetën e atjeshme. Ne, nga ana tjetër, dëgjonim për shqiptarët në Turqi, për përpjekjet e tyre, për ndihmën që kishin dhënë për Kosovën dhe për sfidat e të rinjve.
Gjatë natës, biseda u kthye te organizimi i UÇK-së, te përpjekjet e shqiptarëve në Bursa, dhe deri te historitë e familjes së tij. Orët rridhnin si ujë, dhe kur agimi nisi të afronte, ndiheshim sikur kishim kaluar një natë jo thjesht duke biseduar, por duke ndarë kujtime dhe histori që lidhnin dy botë – Kosovën dhe Turqinë, të bashkuara nga një fill i padukshëm i përkatësisë.
Ishte ora tre apo katër e mëngjesit, kur heshtja e qytetit të Bursës kishte mbuluar gjithçka. Në atë qetësi të thellë, befas, kryetari i ri i rinisë, me një zë që theu natën, nisi të këndonte: “Oj Kosovë, oj nëna ime…” Tingujt e parë u ngritën në ajër, si një flakë që ndizet nga zemra.
Studentët, njëri pas tjetrit, iu bashkuan, duke kënduar me shpirt, ndërsa lotët rridhnin si një përzierje malli dhe gëzimi. Kënga përshkoi rrugët e zbrazëta, si një kujtesë për atdheun, si një lidhje që s’mund të këputet kurrë. Në atë çast, nën dritën e zbehtë të natës, kënga u bë një urë mes zemrave, duke bashkuar Kosovën dhe Bursën në një melodi të pavdekshme.
Fshati Xhumallek Kësi
Të nesërmen, edhe pse të lodhur, u nisëm drejt një thesarit të lashtë – fshatit Xhumallek Kësi, që, si një pasqyrë, na kujtonte Beratin. Në çdo hap ndjenim hijeshinë e shekujve, një fshat që mbante mbi vete peshën e kohës, por qëndronte krenar, i ruajtur dhe i konservuar për mrekulli. Guida jonë na tha me krenari: “Ky fshat është nën mbrojtjen e UNESKOS.”
Një rrugice e fshatit Xhumallek Kesi, 2011
Me një histori mbi 400-vjeçare, Xhumallek Kësi ishte si një margaritar i mbështjellë me arkitekturën e gurit dhe hijeshinë e ballkoneve të punuara me kujdes. Rrugicat e tij të ngushta, të shtruara me kalldrëm, të çonin drejt një kohe tjetër. Çdo hap jehonte historinë e qindra vitesh, një shteg që të ndjente afrinë me Beratin e Sarandën, duke na ftuar të humbshim në këtë labirint të së kaluarës.
Ky fshat ishte më shumë se një vendbanim – ishte një rrëfim i gjallë i asaj që koha dhe kujdesi mund të ruajnë, një destinacion që të magjepste në çdo sezon, duke të ftuar të prekësh bukurinë e përjetshme të historisë.
Aeroporti “Sabiha Gogçen”
Çdo ditë, ndërsa përshkonim nga Azia në Evropë dhe anasjelltas, rruga jonë kalonte mbi urën e Bosforit, një mrekulli e Stambollit që lidhte dy kontinente me një hark të vetëm. Në dalje të urës, një billboard gjigant me emrin Sabiha Gökçen të shkruar me shkronja të mëdha më tërhiqte vëmendjen. Mendova disa herë të pyesja për të, por udhëtimi i shpejtë s’më linte kohë ta deshifroja misterin.
Fati më buzëqeshi një ditë, kur trafiku i ngarkuar më dha mundësinë të kuptoja: Sabiha Gökçen ishte emri i aeroportit të dytë të Stambollit, një nder për piloten e parë turke dhe një nga ikonat e aviacionit botëror. Lajmi për jetën e saj ma hapi zemrën për një histori frymëzuese.
E lindur më 22 mars 1913 në Bursa, Sabiha, si një fëmijë 12-vjeçar, kërkoi të fliste me Ataturkun gjatë një vizite në qytet. Pas dëgjimit të historisë së saj të vështirë, Ataturku vendosi ta birësojë, duke e bërë një nga tetë fëmijët e tij të adoptuar. Në selinë presidenciale të Ankarasë, Sabiha mori edukimin më të mirë, duke ndjekur pasionin e saj për fluturimin.
Në moshën 23-vjeçare, ajo përfundoi Akademinë e Forcave Ajrore, duke u bërë pilotja e parë femër në botë. Për 28 vite, ajo fluturoi mbi botë, duke përdorur 22 lloje avionësh dhe duke sfiduar kufijtë e kohës. Në vitin 1981, në nder të 100-vjetorit të Ataturkut, ajo botoi librin “Një jetë përgjatë rrugës së Ataturkut”, duke rrëfyer udhëtimin e saj të jashtëzakonshëm.
Sabiha Gökçen, një legjendë që ngriti Turqinë lart në qiell, mbylli sytë më 22 mars 2001 në Ankara, por emri i saj do të fluturojë gjithmonë, si një simbol i guximit dhe shpresës.
Vizita në çarshinë “Bedesten” apo Han Koz
Dita e fundit, e caktuar për shoping, na ftoi të gjenim kujtime për të dashurit dhe për veten, diçka që do të mbante Sabiha Gokçen gjallë gëzimin e ditëve tona në këtë qytet të paharrueshëm. Në Bursa, gjithçka dukej më e lehtë; çarshia e mbuluar “Bedesten” dhe Han Koza ofronin gjithçka, nga gjërat më të thjeshta deri te fustani i bardhë i nusërisë. Por kujdes, pa një udhërrëfyes mund të përfundosh duke u sill rreth së njëjtës mëhallë të pafundme të pazarit.
Çmimet aty janë një ftesë për të bërë pazare; shpesh, një artikull mund ta marrësh për gjysmën e çmimit fillestar. Shitësit janë mikpritës, duke të qerasur me një çaj, kafe apo një gotë bozë, dhe gjithmonë me një buzëqeshje të qetë që të fton të eksplorosh më tej. Në çarshi gjeje gjithashtu restorante e kafiteri ku pushimi bëhej i këndshëm.
Në çarshinë “Bedesten” apo Han Koz, Bursa, 2011
Dyqanet e suvenirëve shkëlqenin nga shumëllojshmëria – nga gotat prej dheu deri te pjatat me mbishkrime “Bursa’dan selamlar”. Syri i kaltër, simboli i mbrojtjes nga syri i lig, ishte kudo. Ky gur legjendar, që besohej se largonte të këqijat, e gjeje në çdo formë: byzylykë, varëse, kopsa, dhe deri te stolitë për fëmijët. Ishte një simbol i pranishëm në çdo hap të jetës turke.
Kështu, Bursa na dhuroi kujtime të pasura dhe ngjyra të kulturës që do të mbeteshin përherë në zemrat tona, një udhëtim që nuk ishte thjesht blerje, por një përvojë e gjallë e historisë dhe traditës.
Takimi me kryetarin e Odës Ekonomike të Turqisë
Pas pesë ditësh në Bursa, Stambolli, si një mikpritës i lashtë, na hapi krahët me bujari. Posa shkelëm në truallin e tij magjik, ndjemë ritmin e gjallë të qytetit që kurrë nuk fle. Takimet na prisnin me gjallëri, dhe ne, të ngazëllyer, u zhytëm në atmosferën unike që vetëm Stambolli di të dhurojë.
Ishte mesditë, kur grupi ynë i studentëve me gëzim iu drejtua restorantit “Xhemile Sulltan Kurusun,” për një takim të veçantë me kryetarin e OET, Prof. Dr Rifat Hisarcıklıoğlu Deri atëherë, kishim zhvilluar shumë takime me personalitete të larta, por ky moment mbeti në zemrat tona si një nga më të paharruarit.
Kryetari, i cili erdhi në kohën e duhur, na përshëndeti ngrohtësisht dhe, me një buzëqeshje, kërkoi falje për një vonesë të mundshme. “Sapo dola nga një takim me zonjën e madhe, sekretaren e shtetit, Hilari Klintonin,” tha ai, “por kur dëgjova se ju jeni profesorë dhe studentë nga Kosova, mezi prisja të isha me ju.”
Në takim me kryetarin e Odes Ekonomike të Turqisë, Stamboll, 2011
Takimi u mbush me fjalë mirënjohjeje dhe përshëndetje nga të dyja palët. Prof. Dr. Tefik Basha theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes dy vendeve, duke vënë në pah lidhjen e fortë studentore dhe ndëruniversitare midis Kosovës dhe Turqisë. Kryetari premtoi mbështetje të pakushtëzuar – qoftë materiale, qoftë ndihmë për studentët shqiptarë që aspironin të regjistroheshin në universitetet turke. “Ju jeni gjithmonë të mirëseardhur këtu,” tha ai, “dhe bashkëkombësit tuaj janë të gatshëm të ndihmojnë në çdo moment për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për Kosovën, shtet të pavarur.”
Takimi përfundoi me fotografi dhe buzëqeshje, teksa shijonim kafenë në Azi, me Evropën përballë syve tanë. Ishte një pamje magjepsëse, një moment që mbeti si një kujtim i vyer në udhëtimin tonë, duke simbolizuar bashkëpunimin, miqësinë dhe shpresën për ditë më të mira.
Shëtitja me anije në Grykën e Bosforit
Një shëtitje në Detin Marmara mbetet një kujtim i paharruar. Puhiza e lehtë ledhatonte fytyrat, ndërsa dielli përvëlonte jashtë hijes së anijes. Studentët, me sytë e mbushur kureshti, përpiqeshin të ndalnin kohën, duke regjistruar çdo pamje me kamera dhe aparate. Kalimi nën urat madhështore si Ura e Gallatës dhe ajo e Bosforit krijonte një ndjesi magjike – ura që lidhin kontinente dhe kultura, bashkë me legjendat e tyre.
Brigjet nga deti dukeshin si një pikturë e gjallë, dhe kujtimet nga romani i Orhan Pamukut, “Stambolli – Kujtime dhe Qyteti,” u shfaqën si reale para syve të mi. Pamjet e sarajeve historike të Kemal Ataturkut dhe anijet përreth na çuan në një tjetër botë. Megjithëse nuk vizituam Ishullin e Vajzës dhe legjendën e saj të dashurisë, çdo çast i këtij udhëtimi mbeti i ngulitur thellë në zemrat tona, si një poezi e përjetshme e Stambollit.
Në Turqi, shqiptarët kishin udhëhequr edhe shtetin
Historia dëshmon se shqiptarët kanë luajtur një rol të rëndësishëm në Perandorinë Osmane, duke u ngritur në pozita të larta si sadrazemë (kryeministra) dhe ministra. Për 100 vjet, Perandoria u qeveris nga shqiptarë, “të pabindurit” e padishahut që njëkohësisht ishin njerëzit më besnikë. Emra si Koxha Sinan Pasha, Qyprylytë nga Berati dhe shumë të tjerë shkëlqyen në qeverisje, duke mbajtur gjallë funksionimin e shtetit osman.
Prof. Dr. Abdul Kadir Ozcan përmend 34 sadrazemë shqiptarë që udhëhoqën me guxim e zgjuarsi, duke lënë gjurmë në historinë osmane. Luftëtarë të palodhur, ata sakrifikuan luksin e sarajeve për t’u përballur me armiqtë e perandorisë. Edhe sot, shqiptarët në Turqi shkëlqejnë në qeverisje, biznes, kulturë dhe shumë fusha të tjera, duke ruajtur frymën e punës së palodhur dhe suksesit.
Të vizitosh Stambollin pa ndalur te Aja Sofia është si të harrosh zemrën e historisë së tij. E ndërtuar më 537, kjo bazilikë madhështore u shndërrua në xhami pas vitit 1453 dhe në muze në 1934. Me kupolën e saj madhështore dhe katër minaret, dy prej të cilave nga Mimar Sinani, Aja Sofia mbetet simbol i urtësisë hyjnore dhe një ndër më të mëdhatë e botës.
Aja Sofia
Po ashtu, Sternën e Jerebatanit nuk mund ta anashkalosh. Me 336 kolona dhe një atmosferë mistike, kjo cisternë (sternë) ishte e ndërtuar për të pajisur me ujë Stambollin, e vitit 532 impresionon çdo vizitor, veçanërisht me kokat magjepsëse të Meduzës. Të dyja janë dëshmi të epokave që formuan shpirtin unik të Stambollit.
Xhamin e kaltër
Nuk mund të largohesh nga Stambolli pa vizituar Xhaminë e Kaltër, këtë kryevepër të ndërtuar nga Sulltan Ahmeti I në vitin 1609, dhe përfunduar nga Mimar Sinani. Me 6 minaret e saj unike, xhamia mbetet simbol i qytetit dhe një thesar i arkitekturës osmane.
Kompleksi madhështor përfshin medresenë, një mensë, bujtinë, treg dhe një shatërvan heksagonal që mahnit me bukurinë e tij. Kupola e saj, 23.5 metra në diametër dhe 43 metra e lartë, mbështetet në shtylla të fuqishme,
Xhamin e kaltër të quajtura “Këmbët e elefantit.”
Me 21,043 pllaka argjili dhe 260 dritare, Xhamia e Kaltër është një mrekulli artistike dhe fetare. Në skajin verilindor gjendet Tyrbja e Sulltan Ahmetit I, një vend që dikur ishte pika e nisjes për karvanët e haxhinjve drejt Mekës, duke ruajtur kështu madhështinë e saj historike.
Obelisku i Teodosit- Në Stamboll, ku historia dhe madhështia gërshetohen, vizitat janë si udhëtime në kohë. Obelisku i Teodosit, monumenti më i vjetër, qëndron si dëshmi e shekujve me një histori që nis 3500 vite më parë. Krah tij, Fontana Gjermane, Muzeu i Arteve Turke dhe Islamike, xhamitë madhështore si ajo e Sulejmanijes dhe Sokollu Mehmet Pasha, e Pallati i famshëm i Topkapisë tërheqin vizitorët me historinë dhe madhështinë e tyre.
Shëtitjet në Kapali Çarshi, Ura e Gallatës dhe Kumkapinë plot shije peshku krijojnë momente unike, ndërsa udhëtimi përgjatë Bosforit zbulon bukurinë e dy kontinenteve. Dolmabahçe, Fortesa e Rumelit dhe Ura e Boazexhit janë monumente që frymojnë lavdi. Nga kulla legjendare e Vajzës te ishujt e Princit, çdo vend rrëfen një histori të pashoqe.
Stambolli, një qytet që lidh Lindjen me Perëndimin, ofron një thesar të pashtershëm vendesh për të zbuluar – një përvojë që lë gjurmë në çdo zemër.
Lagjia Taksim
Taksimi, zemra e Stambollit, është një botë më vete, ku çdo hap ndjen pulsin e një qyteti që kurrë nuk fle. Krahasimi me La Ramblën e Barcelonës apo Shanz Elizen e Parisit ishte i kotë – Taksimi është unik, një mozaik ku gërshetohen dy kultura, e Lindjes dhe e Perëndimit, në harmoni të përsosur.
Rrugët e gjera, plot me njerëz të racave e kulturave të ndryshme, krijojnë një miniaturë të botës. Dyqanet luksoze, çmimet e fiksuara dhe zbritjet marramendëse ofrojnë një kontrast që mahnit vizitorët. Hotelet madhështore, veturat luksoze dhe zhurma e tramvajeve që thyejnë rrugët me melankoli shtojnë një tjetër shtresë të hijeshisë së kësaj lagjeje.
Në Taksim, 2011
Monumenti i Ataturkut ngrihet madhërishëm në shesh, si një kujtesë e krenarisë kombëtare. Kjo lagje evropiane, e mbushur me drita dhe shkëlqim, është një ftesë për të përjetuar ritmin dhe shpirtin e Stambollit. Për ata që duan ta shijojnë plotësisht, fundi i pranverës apo fillimi i vjeshtës janë kohët më të bukura për ta vizituar – kur çdo kënd i qytetit frymon freski dhe bukuri.
Vizitë në Kapali Çarshi
“O sa mirë që jam shqiptar o hej…”
Pas vizitave zyrtare, guida na ftoi të eksploronim Kapali Çarshinë, zemrën e tregtisë së Stambollit. Mes 4000 dyqaneve që ndanin rrugë e mëhalla, gjetëm një botë të gjallë plot histori, ku mallrat shpërndaheshin drejt kontinenteve të largëta. Megjithatë, nxehtësia e papërballueshme e bëri qëndrimin sfidues, dhe mes turmave, studentët qëndronin grumbull për të mos humbur.
Në Kapali Çarshi, 2011
Stambolli, me ritmin e tij të pashuar, kishte ndryshuar shumë që nga vizita jonë e parë në 1978. Qyteti ishte rritur, pasuruar, dhe kthyer në një metropol të zhurmshëm, një pikë takimi kulturash dhe turizmi. Nga shkëlqimi verbues i dyqaneve të arit në Kapali Çarshi te ushqimi i freskët në restorantet përreth, çdo moment ishte një përvojë e paharrueshme.
Ky ishte Stambolli i sulltanëve dhe i Orhan Pamukut, por edhe një qytet që ruante gjurmët e shqiptarëve dhe mikpritjen e tyre. Mes zhurmës së qytetit dhe nostalgjisë për të shkuarën, zemrat tona këndonin: “O sa mirë që jam shqiptar o hej…”. Në Bursën e gjelbër dhe Stambollin plot jetë, gjetëm jo vetëm histori, por edhe një copë Shqipëri në zemrën e Turqisë
Nata e fundit
Studentët kishin folur gjatë se si do e organizonin natën e fundit lamtumirës në Stamboll. Në natën e fundit pas darkës solemne që e patëm në restorantin buzë deti, të gjithë studentët ishin disi të shqetësuar dhe në lëvizje. Bënin gati rrobat më të bukura që kishin për ti veshur, e studentet, pjesa më e madhe e tyre bënin frizura e makijazhin më të mirë të mundshëm. Ndërsa Diana (studentja) kishte duart plotë punë, gati e tërë grupit na bëri gërshetat më të bukura që ekzistonin. Bile edhe mu më beri një gërshet, nder më të rrallat. Vendi ishte caktuar ku do përgatitej mbrëmja. Ishin sigurua zërimi i duhur, ushqimet e lëngjet e preferuara të tyre.
Me kohë kishte fillua muzika dhe tavolinat ishin shtruar. Nikoqiri erdhi por pa kryetarin e komunës, që ishte një bashkëvendës i yni, nga Hodonoci i Kamenicës. Na kërkuan falje në emër të tij ngase ishte diku në një udhëtim zyrtar. Në vallëzimet e shumta u kyçen edhe nikoqiret dhe shumë të rinj që kishin ardhur enkas nga Bursa për të na përcjellë. Në qendër të Stambollit vallëzohej “Shota” thuajse ishe në Prishtinë, Tiranë apo gjetkë në qytetet shqiptare. Vallëzuam edhe unë e Tefiku për shtatë palë qejfe.
Drejtori i qendrës së Kulturës në Pendik kishte ngelur i habitur. Epo tha, unë kam menduar se vetëm çoçeku turk të ngazëllen, por këso vallëzimesh ritmike e të bukura kurrë nuk më ka rastis të shoh gjerë më tani. Ndërsa, njëri nga nikoqiret me një kamerë vazhdimisht incizonte duke i bërë të paharruara këto momente të këndshme, që ishte një respekt, kur në ndarje na fali komplet të gjitha incizimet.
Kur muzika e bëri pauzën e parë, nikoqiri e shfrytëzoi rastin për një fjalë falënderimi. Isha shumë i lumtur, që këto pak ditë i kalova me ju dhe, thënë më ndryshe këto ditë ishin ditët më të lumtura të jetës sime. Ndjehem krenar që isha nikoqiri i juaj dhe ndjehem i privilegjuar që u shoqërova me ju. Ne jemi këtu e miqësia e jonë edhe në të ardhmen do të vazhdoi. Planifikojmë që së shpejti edhe një grup të rinjsh tanë të bëjnë një vizitë pune tek ju.
U pafshim në Kosovën shtetin më të ri, tha turku dhe ngriti dollinë. Studenti Selim Daku, kishte përgatitur mirënjohjet për komunën e Pendikut, dhe e mori fjalën.
E falënderoi përzemërsisht për mikpritjen dhe për të gjitha që po bënë Turqia në këto momente për Kosovën. Në mikrofon u dëgjuan përsëri fjalët e nikoqirit duke thënë se edhe ne në këtë rast kemi përgatitur disa dhurata e mirënjohje për ju. Prof. Dr. Tefik Bashës dhe prof.dr. Sabile Keçmezi- Bashës, na u nda statuja e komunës së Pendikut dhe po ashtu edhe studentëve që kishin organizua udhëtimin studimor.
Në emër të të gjithëve u falënderua “Profa”, siç i thoshin studentët Tefikut: Ne, u jemi tepër mirënjohës për mikpritjen dhe nikoqirllëkun e përzemërt që na keni ofrua. Ju falënderojmë nga zemra për të gjitha vizitat që i bëmë nëpër pjesët e njohura dhe më të bukura turistike të Stambollit.
Ju falënderojmë në emër të studentëve për të gjitha njohurit që na ofruar për Turqinë në përgjithësi e, për Stambollin e Bursën në veçanti. Se mirë thonë më mirë një vizitë konkrete se sa njëmijë libra të lexuara. Atëherë mirupafshim në Prishtinën e bukur në kryeqytetin e Kosovës. Përzemërsisht përshëndeten dhe u përqafuan të gjithë me radhë. Duartrokitjet në çdo cep të sallës jehuan, e muzika vazhdoi me tingujt e saj të dhembshëm deri në orët e mëngjesit.