LËVIZJA (LINDJE E PËRGJAKUR) – Bashkëbisedim me Ibrahim Kelmendin

0
569
Lëvizja - bashkebisedim me Ibrahim Kelmendin - Bedri Islami

[ Shkarko librin e plotë në PDF, me 496 faqe ]

Bedri Islami

LËVIZJA
(LINDJE E PËRGJAKUR)

– Bashkëbisedim me Ibrahim Kelmendin –

Në vend të hyrjes

Në janarin e vitit 1994 më ndodhi një ngjarje e rëndësishme, e cila, tashmë duhet thënë, ndryshoi thuajse krejt pjesën e mbetur të jetës sime. Një telefonatë e ardhur nga larg, në një orë të vonë dimri, të cilën as e kisha menduar, do të ishte edhe zanafilla e kësaj bisede, por edhe e shumë ngjarjeve të tjera të jetës sime. Ibrahim Kelmendi, të cilin deri asaj kohe e njihja më shumë si një ndër njerëzit e lëvizjes klandestine sesa si dhëndër në një fis ku ishte nuse prej dekadash tezja ime, tepër shkurt, siç është në stilin e tij të të folurit, më tha se ishin nisur drejt meje tre shokë të tij, të cilët donin të bisedonin me mua. Siç e thashë, ishte një orë e vonë dimri. Bora kishte mbuluar rrafshinat në të gjitha anët dhe nëpër strehët e shtëpive vareshin heje të gjata akulli. Emrat e tre njerëzve që ai më tha se po udhëtonin drejt meje, ishin të njohur për mua, por vetëm njërin prej tyre e kisha takuar më parë. Quhej Emrush Xhemajli. Ajo që më kishte bërë përshtypje fillimisht, në momentin e parë kur kisha biseduar me të, një mbrëmje vonë, në një rrethinë të Shtutgartit, ishte çanta e tij që e mbante në krah si komisarët e kohës së luftës në Shqipëri, e më pas të folurit e ngadalshëm dhe ajo mirësi e pazakontë që shpërndante rreth vetes. Dy të tjerët do të ishin Fazli Veliu (më pas do të mësoja se ai kishte edhe një emër tjetër, Daja i madh) dhe Ali Ahmeti, që për shumë kohë do e njihja si Abaz Gjuka, dhe kështu më pëlqen ta quaj edhe tani.

Ata erdhën kur tashmë kishte rënë nata. Çuditërisht ishte një natë e bardhë, e pazakontë për atë stinë të vitit. Edhe unë duhej të isha i njohur për ta, të paktën emri im duhej t’u thoshte diçka, për vetë faktin se kisha disa muaj që shkruaja rregullisht në „Zërin e Kosovës“. Në mos qofsha i gabuar, së bashku me ta ishte edhe Shukri Buja, i cili në atë kohë njihej edhe me emrin e dytë, „Gazetari“. Kërkuan ndjesë për ardhjen në atë orë të vonë. Nuk e dija tamam shkakun e ardhjes së tyre. Fillimisht mendova se kishte qenë një ndalesë e zakonshme, ndoshta për të bërë një pushim të shkurtër nga një rrugëtim i gjatë. Nuk i pyeta se nga vinin e ku do të shkonin. E dija se të gjithë banonin në Zvicër. Banesa ime ishte diku një orë e gjysmë larg nga kufiri dhe nuk ishte mirë të udhëtonin nëpër një natë mes janari.

Ata kishin ardhur me mendimin të më ftonin të bëhesha pjesë aktive e organizatës Lëvizja Popullore e Kosovës dhe njëkohësisht edhe një ndër hallkat e strukturave drejtuese. Tashmë e dija programin e organizatës së tyre, dija shumë më tepër se një vit më parë, kur gjithçka që kishte të bënte me Kosovën, nuk kishte qenë kurrë e plotë. Në rrethin tim miqësor ishin disa nga emrat e njohur të Lëvizjes, si Hasan Ukhaxhaj, Ibrahim Kelmendi, Fehmi Lladrovci, Begzat Gashi, Sabri Kiçmari, Ramiz Lladrovci, Selim Krasniqi, Xhemail Fetahu. Më pas do të njihja të tjerë, mes të cilëve nuk do të mund të harroj kurrë Iliaz Kodrën. Ishte një plejadë e shkëlqyer dhe ftesën e tyre për të punuar së bashku, doemos që do ta mbështetja.

Kështu filloi rrugëtimi im drejt Lëvizjes që, siç e thashë, ndryshoi krejt pjesën e mëtejshme të jetës sime, por edhe që u bë një ndër shkaqet e këtij libri, i cili, më shumë se gjithçka tjetër, është vazhdim i asaj që është thënë në vite. Kosova më kishte tërhequr prej kohësh. Ishte një nga ëndrrat e mia. Ajo qëndronte përherë e rrethuar nga bardhësia dhe kishte një brerore të jashtëzakonshme, të cilën nuk mund të bëja gjë tjetër, veçse ta adhuroja. Siç ndodh zakonisht, atë nisa ta kuptoj fillimisht përmes njerëzve të fisit të nënës sime, të njohur me një emër famëmadh, Gjylbegaj. Në shtëpinë e madhe të Gjylbegajve, ku jetonim prej vitesh, Kosova kishte gjithmonë hisen e saj. Aty ende jetonte një ndër miqtë e njohur të Isë Boletinit, i cili, për një rastësi të padëshiruar nga dhembja, kishte qenë në varrimin e tij, ku edhe kishte folur. Aty ende mund të gjeje objekte që kishin lidhje me ardhjen e Bajram Currit apo të muhaxhirëve, ashtu si mund të gjeje edhe pjesë nga shumë gjëra të tjera, kjo ndoshta për shkak se ai që e ngriti këtë shtëpi, Muharrem beg Gjylbegu, kishte qenë për shumë vite kryetar i bashkisë së Shkodrës në vitet e njohura si Rrethimi i Shkodrës nga serbomalazezët. Po të shtosh këtu edhe faktin që do e mësoja më vonë nga një mik tjetër i familjes sonë, por kësaj radhe mik i tim ati, patrioti i njohur Qamil Çela, që emri im kishte qenë dhuratë nga Bedri Pejani, gjithçka e bënte më të lehtë për mua të kisha një ëndërr për Kosovën.

Zgjedhja ime, disa vite më pas, si kryetar i Lëvizjes Popullore të Kosovës, ndoshta ishte një rastësi, por ajo që më lidhte me të, nuk do të ishte kurrë rastësi. Në një rrugë ose në një tjetër, unë do të mbërrija aty. Ngjarja e mesit të janarit 1994 e bëri më të lehtë këtë rrugëtim, por edhe një ndër shkaqet e ndërtimit të këtij rrëfimi, i cili është në fakt një dialog në dy zëra, njëri nga të cilët është i Kelmendit dhe, në një mënyrë ose në një tjetër, ata që dëshmohen, janë edhe pjesë të jetës së tij, ashtu si janë edhe fragmente të jetës sime, por që medoemos kanë lidhje me Lëvizjen Popullore të Kosovës.

Cila ishte zanafilla e gjithë kësaj, pasi një ngjarje nuk do të ishte e mjaftueshme, kur, për më tepër, shumë gjëra i kam thënë në librat e tjerë, botuar më parë, në vite të ndryshme të pas luftës në Kosovë. Duhej edhe një tjetër. Dhe kjo, së cilës mund t’i them një ngjarje e dytë, ishte më themelore. Pak javë më parë, siç është në natyrën e tij, Ibrahim Kelmendi më dërgoi një e-mail, ku më propozonte të bënim një bisedë së bashku, përmes së cilës të risillnim në kujtesën e njerëzve rrugën që kishte bërë Lëvizja Popullore e Kosovës në tridhjetë vitet e saj.

Bedri Islami - Lëvizja - Ibrahim Kelmendi

Për mua ajo ka pasur kurdoherë një zanafillë, një ditë ngritjeje ose, më saktë, një datë themelimi. Kishte qenë gjithnjë 17 Janari i vitit 1982 dita e provës së madhe dhe, njëkohësisht, dita e fillesës së madhe që, si në baladat e lashta, përpara se të ngrihej, donte pjesën e saj të flijimit.

I kam pasur gjithnjë në sy ata tre djem, njëri më i ri se tjetri, me të përbashkëtat dhe të veçantat e tyre, të cilët, pasi bënë bashkimin e parë të madh, në një moment çlodhjeje u kujtuan se duhet të bënin diçka edhe për njerëzit e tyre të afërt, një telefonatë, e cila nuk do të mund të ishte kurrsesi vetëm e tillë. Duke shkuar drejt njerëzores, pra në atë çastin e papërsëritshëm kur legjenda ngjizet, por edhe kthehet në jetësore, ata i vranë.

Jam i bindur se, edhe nëse nuk do t’i vritnin asaj nate, kjo do të ndodhte një natë tjetër. Për shërbimin e fshehtë jugosllav, sa më herët të ndodhte vrasja e tyre, aq më e frytshme do të ishte për ta. Në të vërtetë ajo i vonoi paksa ngjarjet, por pastaj i rriti me një hov të jashtëzakonshëm. Emrat e tre djemve tani janë ndër më të merituarit në altarin e historisë së kombit.

Jusuf Gërvalla. Kadri Zeka. Bardhosh Gërvalla.

Do të jenë në një ditë bashkimi, ngritja, themelimi, vrasja dhe kushtrimi. Nuk mund të ëndërronin asaj kohe të bartnin më tepër. Më pas, si ndodh zakonisht me përmasat epike, atyre do t’u shtohej edhe përjetësia.

Pra, kur mora e-mail-in e Ibrahim Kelmendit dhe mendimin e tij për të bërë një bisedë për ngjarjet, mendova se është ndoshta koha për të bërë diçka më shumë se një bisedë të zakonshme. Ndoshta ishte koha për të “shtrydhur” kujtesën e një njeriu, i cili kishte qenë pjesë e 17 Janarit, ishte ndarë nga Kadriu, Jusufi dhe Bardhi vetëm disa orë para ngjarjes dhe ishte ende pjesë e një historie. Ndoshta më i hershmi i saj, por ndoshta edhe më i besuari. Nëse do të doja të shkoja në zanafillën e Lëvizjes, më duhej patjetër të shkoja përmes këtij njeriu.

Dhe kështu u bënë bashkë dy ngjarje, njëra që zë fill në mesin e janarit 1994 dhe tjetra, si për rastësi, në mesin e tetorit 2011, për ta bërë këtë bisedë me Ibrahim Kelmendin. Besoj se do të jetë e frytshme.

[ Shkarko librin e plotë në PDF, me 496 faqe ]

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.