LEGJENDA E SHQIPONJËS

0
1107
Nexhat Halimi

Nexhat Halimi

– Ngjet brenda meje furtunë, bijë e dashur Dea, sa herë të vërsulet shqiponja në fluturim të ashpër qiellit të kaltëruar dhe pjesërisht të ndezur…

– Pse ngjet një gjë e tillë?

– Ndodhi gjithherë diçka e ngjashme në zemrën shqiptare. Na sulmoi ky armik apo tjetri dhe duhej mbrojtur gratë e fëmijët… Nuk i kursenin as të moshuarat, as fëmijët, as shtatzënat… Gjithnjë kishin qëllim ta zhdukin këtë popull nga faqja e dheut, e vetëm e vetëm pse është nga më të vjetrit në planet.

Deas i mori fytyra një ngjyrë të tokës së ashpër.
Nuk foli më vetëm nuri i ndriste në ndezje, në flakë dhe unë u pendova pse e ngarkova me gjëra kaq të dhembshme, ndërsa kishim dal të ecnim, të shëtisnim nëpër mal…

Mora të mendohesha me çfarë do ta qetësoja pak tashmë pas gjithë lumit të derdhur të gjakut, pas vite e vite përpjekje për ta fituar lirinë dhe vendosa t’i flisja për shqiponjën.

– Më dëgjo me vëmendje, Dea, – nisa të flisja ngadalë, – asgjë nuk ka lindur pa gjak, pa përpjekje dhe pa sakrifica të mëdha.

“Një ditë një i ri ishte duke gjuajtur nëpër male, ku një shqiponjë fluturoi mbi të duke rrahur fort krahët dhe ndaloi në një copë shkëmbi. Shqiponja ishte shumë e madhe dhe mbante një gjarpër në sqepin e saj. Pas pak, shqiponja fluturoi mbi shkëmb dhe ndaloi aty ku kishte folenë e saj.

Djaloshi i ri kërceu mbi shkëmb dhe vuri re se në fole ishte një shqiponjëz e vogël që po luante me gjarprin e ngordhur, por gjarpri nuk ishte fare i ngordhur. Në atë çast gjarpri ngre kokën dhe u pozicionua për të pickuar shqiponjëzën e vogël me dhëmbët e tij helmues. Djaloshi nxori në çast harkun dhe shigjetën dhe qëllon mbi gjarprin për vdekje. Më pas e mori shqiponjëzën dhe mori rrugën e kthimit. Nuk kishte bëre veçse ca hapa, ndërsa dëgjon mbi kokën e tij një zhurmë të fortë, një përplasje krahësh…

Ajo qe shqiponja mëmë.

“Përse po më rrëmben foshnjën time”, – i tha shqiponja
“Shqiponjëza tani është imja, pasi unë i shpëtova jetën duke vrarë gjarprin që donte ta pickonte, gjarprin që ti nuk e vrave dot vetë.” iu përgjigj djaloshi.

“Më kthe zogthin tim dhe unë do të të jap si këmbim mprehtësinë e syve të mi dhe forcën e krahëve të mi. Do të bëhesh i fortë dhe i pathyeshëm dhe do të njihesh me emrin tim.
-Do të më thërrasin shqiptar, – u bind djaloshi dhe ia ktheu zogthin mëmës së vet.
Shqoponjëza u rrit dhe nisi të fluturonte.

Shihej gjithnjë të fluturonte në qiell diku mbi kokën e djaloshit, ngado që ai shkonte, i cili dhe vetë ishte bërë burrë, ishte rritur në një gjuetar dhe luftëtarë të madh. Ku kalonte afër ndonjë vendi të banuar me njerëz dridhej toka nga frika e njerëzve kundrejt njeriut me shqiponjë. U bë një prijës i mençur dhe i urte, çdo vend kërkonte urtësinë e tij. Me harkun dhe shigjetat e tij ai vrau shume grabitqarë nëpër pyje dhe me shpatën e tij u preu kokat shume kundërshtarëve dashakeqës.

Të mrekulluar nga bëmat e djaloshit gjuetar e luftëtarë, banorët e atyre anëve e zgjodhën atë prijësin e tyre dhe e quajtën Shqiptar ose bir i shqipes, dhe trojet ku banonin i quajtën Shqipëri ose Vendi i Shqiponjave.

Përgjatë tërë këtyre viteve, shqiponja e shoqëroi djaloshin dhe e udhëhoqi pa iu ndarë as edhe për një çast. Ata ishin të pandashëm, një trup me dy koka!”

– Lexoje me vëmendje këtë rrëfim, – i fola Deas, ndërsa vërejta te ajo një flatër të dritës nga i shpërndahej nëpër fytyrë. E shikoi lartë qiellin dhe e kënaqur me rrëfimin buzëqeshi.
– Ky rrëfim i mrekullueshëm, – tha dhe qeshi prapë.
– Që ta kuptosh mesazhin e fshehtë që e ka në secilën fjalë kjo legjendë, patjetër duhet ta rilexosh.

– E kuptoj këtë rrëfim siç e ke kuptuar ti, – më shikoi ajo me dashuri.
Unë e zgjata dorën dhe ia përkëdhela flokët, ndërsa ajo ende buzëqeshte.
– Pa përpjekje e sakrificë, nuk arrihet asgjë, – ia bëra.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.