Sot, në një nga amfiteatrot e Fakultetit Juridik dhe Ekonomik të Universitetit të Gjenevës, u mbajt një ligjëratë me interes të veçantë mbi Kanunin e Lekë Dukagjinit dhe fillesat e tij historike.
Ligjërues i kësaj teme ishte MA. Leonard Ferati, ekspert i shkencave sociale dhe këshilltar në Grand Conseil të Republikës dhe Kantonit të Gjenevës. Ai paraqiti një analizë të thelluar mbi origjinën, strukturën dhe funksionimin e Kanunit si një sistem i hershëm i rregullimit shoqëror ndër shqiptarë.
Tema zgjoi interes të madh te studentët shqiptarë dhe të huaj, të cilët ndoqën me vëmendje shpjegimet mbi këtë trashëgimi juridike dhe kulturore, e cila për shekuj me radhë ka ndikuar në organizimin e jetës shoqërore në hapësirat shqiptare.
Gjatë ligjëratës u theksua se Kanuni duhet kuptuar në kontekstin historik të kohës kur ai ka vepruar, si një mekanizëm vetërregullues në mungesë të institucioneve shtetërore.
Megjithatë, u nënvizua gjithashtu se interpretimi dhe përdorimi i tij në kohët moderne mbetet një çështje e ndjeshme dhe shpesh problematike.
Në këtë kuadër të diskutimit u potencua se situata ndërlikohet dukshëm nga fakti se, në disa raste, Kanuni vazhdon të perceptohet dhe të përdoret paralelisht me sistemin e drejtësisë moderne.
Kjo bashkëjetesë e heshtur mes ligjit dhe zakonit, me të mirat dhe të metat e saj, krijon paqartësi dhe tension, sidomos kur normat tradicionale përdoren në mënyrë selektive — herë si vlerë kulturore, e herë si mjet për të anashkaluar institucionet ligjore.
Pas ligjëratës, zoti Ferati iu përgjigj me përkushtim pyetjeve të shumta të të pranishmëve, duke ofruar sqarime të mbështetura në burime të shkruara dhe në qasje bashkëkohore studimore.
Diskutimi u karakterizua nga një frymë akademike dhe reflektuese, duke dëshmuar interesin e vazhdueshëm për të kuptuar drejt raportin mes traditës dhe ligjit në shoqërinë moderne.
Në fund, u bë e ditur se këtë sesion debatues e organizoi Shoqata e Studentëve Shqiptarë në Gjenevë, e cila vazhdon të japë një kontribut të çmuar në promovimin e temave me rëndësi kombëtare dhe akademike në mesin e studentëve shqiptarë dhe ndërkombëtarë në Republikën dhe Kantonin e Gjenevës.
ARIF EJUPI
Gjenevë, 25 mars 2026












z. Ejupi!
Lexova me kujdes shkrimin e juaj dhe më bëri përshtypje.
Ju lumtë mendja dhe ju lumtë dora.
*
E kam lexuar Kanunin e Lekë Dukagjinit. Kam mësuar se kanë ezistuar dy kanune: Kanuni i Lekës dhe Kanuni i Kastriotit (Skënderbeut), por ka pasë kundërthënie midiss tyre. Me kohë kanë ardhë duke u harmonizuar në mes veti kët dy kanune, deri në një pikë – jo!?
Leka ka thanë: GJAKU PËR GJAK!
Gjergji nuk asht pajtue me Lekën në këtë pikë.
Mirëpo, Leka i mençur e ka bindë Gjergjin dhe Gjergji asht pajtue me Lekën dhe ka thanë:
KJOFT MBET’ QYSH KA THANË LEKA” dhe aty që të dyja Kanune janë pajtue në mes veti.
Kjo është HISTORI, por kështu shënon në KANUNIN E LEKË DUKAGJINIT.
Me ndërshmëri e respekt,
IMH
Zoti Hasani, u falenderoj për fjalët kaq të përzrmërta. Shihet që e keni lexuar dhe studiuar Kanunin e Lekë Dukagjinit . Kanuni nuk është shkruar nga Lekë Dukagjini vetë, por është trashëgimi gojore, e kodifikuar shumë më vonë. Kanuni u mblodh dhe u sistemua nga frati françeskan Shtjefën Gjeçovi dhe u botua për herë të parë në vitin 1933, pas vdekjes së tij.
Nga analizat dhe debatet kam vërejtur se jeni një profesionist i vërtetë i Drejtësisë.
Paçi shëndet e të mira ! Meritat për një komunikim të shëndoshë ndër shqiptarë i takojnë Zotit Arben Çokaj, i cili secilit i ka dhënë mundësinë të shpreh atë që e preokupon dhe e ndjen .