27.7 C
Tirana
E premte, 7 Gusht 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj INSTITUTI STUDIMOR “PLATFORMA PËR REFERENDUM KOMBËTAR” – TIRANË

INSTITUTI STUDIMOR “PLATFORMA PËR REFERENDUM KOMBËTAR” – TIRANË

0
Safet Sadiku

Nga Bordi Drejtues

  1. Kurti përballë dy krizave: vështirësitë e qeverisjes dhe marrëdhëniet me partnerët strategjikë.

    Çështjet me interes madhor kombëtar dhe institucional duhet t’u nënshtrohen më shumë vendimmarrjes së drejtpërdrejtë qytetare përmes referendumit dhe mekanizmave të tjerë të pjesëmarrjes demokratike.

    Zhvillimet e fundit politike në Republikën e Kosovës dëshmojnë se vendi po përballet njëkohësisht me dy kriza të rëndësishme: (mos)funksionalitetin e institucioneve kushtetuese dhe „përpjekja“ për ruajtjen e një raporti të qëndrueshëm me partnerët strategjikë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këto dy dimensione janë të ndërlidhura, por nuk duhet të trajtohen si një dhe e njëjta çështje.

    1)
    Kriza institucionale: Shtyrja e seancës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe vazhdimi i negociatave ndërmjet forcave politike dëshmojnë se sistemi institucional vazhdon të përballet me vështirësi në sigurimin e stabilitetit politik. Kjo situatë merr një rëndësi të veçantë duke pasur parasysh se vetëm pak muaj më parë ishte krijuar bindja se, pas formimit të qeverisë së re, periudha e zgjatur e bllokimit institucional kishte marrë fund. Rikthimi i tensioneve politike në një interval kaq të shkurtër kohor ngre shqetësime serioze për funksionimin normal të institucioneve kushtetuese dhe për aftësinë e sistemit politik për të prodhuar stabilitet afatgjatë.

    2) P
    ërgjegjësia politike: Nga këndvështrimi institucional, përgjegjësia nuk mund t’i atribuohet vetëm një aktori politik. Sistemi parlamentar kërkon kulturë kompromisi, dialog dhe bashkëpunim ndërmjet shumicës dhe opozitës. Megjithatë, si drejtues i forcës më të madhe politike dhe Kryeministër i vendit, Albin Kurti mban një përgjegjësi të veçantë politike për krijimin e kushteve që institucionet të funksionojnë normalisht. Pamundësia për të ndërtuar konsensusin minimal të nevojshëm për funksionimin e Kuvendit dhe të institucioneve përbën një barrë politike që bie në radhë të parë mbi shumicën qeverisëse. Në të njëjtën kohë, edhe opozita parlamentare ka përgjegjësinë e saj për të kontribuar në funksionimin e rendit kushtetues. Kalkulimet politike lidhur me balancat e pushtetit apo me zhvillimet e ardhshme institucionale nuk mund të lejojmë edhe mëtej që të cenojnë interesin shtetëror dhe funksionimin normal të Republikës së Kosovës. Prandaj, reduktimi i krizës vetëm në çështjen e aftësisë ose paaftësisë së një lideri nuk pasqyron kompleksitetin real të situatës politike. Kriza është rezultat i ndërveprimit të shumë faktorëve politikë dhe institucionalë.

    3)
    Marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës: Dimensioni i dytë lidhet me raportet ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe partnerit të saj strategjik më të rëndësishëm – Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Është e dokumentuar se gjatë viteve të fundit kanë ekzistuar mospërputhje dhe tensione në disa çështje të politikës së jashtme dhe të sigurisë. Pezullimi i dialogut strategjik në një periudhë të caktuar dhe kritikat e shprehura nga disa qarqe politike e akademike amerikane dëshmojnë se niveli i besimit politik ka pësuar luhatje. Megjithatë, po aq e rëndësishme është të theksohet se marrëdhëniet institucionale ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së nuk janë ndërprerë. Kontaktet zyrtare, urimet pas formimit të qeverisë së re, takimet me diplomatë amerikanë dhe me anëtarë të Kongresit, si edhe diskutimet mbi sigurinë rajonale, anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe vazhdimin e pranisë amerikane në KFOR, tregojnë se partneriteti strategjik mbetet aktiv. Për këtë arsye, nuk do të ishte e saktë të konkludohej se Washingtoni e ka refuzuar përfundimisht Kryeministrin Kurti. Ne mendojmë se bëhet fjalë për një vlerësim më të balancuar, bazuar në argumetet që janë publikë, se është besimi politik ai që ka kaluar një periudhë vështirësish, ndërsa dialogu institucional vazhdon të mbetet i hapur.

    A)
    Vlerësimi i Bordit Drejtues: Bordi Drejtues i Institutit Studimor “Platforma për Referendum Kombëtar” vlerëson se stabiliteti institucional i Republikës së Kosovës është interes kombëtar shqiptar dhe njëkohësisht element i rëndësishëm i sigurisë dhe i pozicionit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës. Institucionet e Kosovës duhet të funksionojnë mbi bazën e Kushtetutës, dialogut politik dhe përgjegjësisë institucionale, duke shmangur polarizimin e tepërt dhe bllokimet e zgjatura. Po ashtu, partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me aleatët euroatlantikë mbetet një nga shtyllat themelore të sigurisë, zhvillimit dhe subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës. Çdo mospajtim politik duhet të menaxhohet përmes dialogut dhe koordinimit institucional, pa cenuar orientimin strategjik euroatlantik të shtetit. Në vlerësimin tonë, zgjidhja e krizës aktuale kërkon njëkohësisht përgjegjësi politike nga shumica dhe opozita, respekt të plotë të rendit kushtetues dhe rikthim të besimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe partnerëve të saj strategjikë. Vetëm në këtë mënyrë, nga kënvështrimi jonë, mund të konsolidohen stabiliteti demokratik dhe pozita ndërkombëtare e Republikës së Kosovës do të përparonte në vazhdimësi…

    4) Dy qasje politike n
    ë raport me partneritetin strategjik: Nga këndvështrimi i leximit të argumentreve, zhvillimet aktuale nuk duhet të interpretohen si një përballje personale ndërmjet Kryeministrit Albin Kurti dhe administratës amerikane. Na takon ta themi se bëhet fajlë për një porces specifik dhe me këtë rast, një interpretim më i balancuar është se, kemi të bëjmë me dy qasje të ndryshme mbi ushtrimin e sovranitetit dhe mënyrën e koordinimit me aleatët strategjikë. Nga njëra anë, qeveria e Kosovës (ende në detyrë) ka theksuar vazhdimisht parimin se një shtet sovran duhet të marrë vendimet e tij në mënyrë të pavarur, në përputhje me Kushtetutën dhe interesin kombëtar. Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara dhe partnerët euroatlantikë kanë vënë theksin mbi rëndësinë e koordinimit strategjik ndërmjet aleatëve, veçanërisht në çështjet që lidhen me sigurinë rajonale, dialogun me Serbinë dhe stabilitetin në Gadishullin Ilirik (ose ish – Ballkanin Perëndimor). Kur këto dy qasje nuk arrijnë të harmonizohen, krijohen perceptime të ndryshme. Në Prishtinë, disa vendime mund të interpretohen si mbrojtje e sovranitetit shtetëror, ndërsa në Washington ato mund të perceptohen si mungesë koordinimi politik me aleatin kryesor. Pikërisht në këtë kontekst, në eksperrtiza të ndryshme ndërkombëtare janë përdorur vlerësime që e përshkruajnë qasjen e Kryeministrit Kurti si tepër të ngurtë ose shumë pak fleksibile në raport me partnerët strategjikë. Këto mbeten vetëm interpretime analitike, por jo edhe cilësime zyrtare të institucioneve amerikane.

    5)
    A mund të konsiderohet Albin Kurti “i padëshiruar” në Washington? Nga të dhënat publike nuk rezulton se ekziston ndonjë vendim apo qëndrim zyrtar i Shteteve të Bashkuara që e shpall Kryeministrin e Kosovës person të padëshiruar ose që vë në dyshim legjitimitetin e tij institucional. Megjithatë, është e arsyeshme të vlerësohet se niveli i besimit politik ndërmjet administratës amerikane dhe qeverisë së Kosovës ka pësuar luhatje të theksuar gjatë viteve të fundit. Në këtë kuptim, një formulim më i saktë është se marrëdhëniet politike kanë kaluar një periudhë vështirësish dhe se partneriteti ka kërkuar një proces rikonsolidimi. Një pjesë e analizave ndërkombëtare e kanë interpretuar vitin 2026 si një mundësi për rivendosjen e besimit dhe për rifreskimin e bashkëpunimit strategjik ndërmjet Washingtonit dhe Prishtinës, më tepër sesa si një shkëputje të pakthyeshme të marrëdhënieve.

    6) Paradoksi politik:
    Në vlerësimin e Bordit Drejtues të IS „Platforma për Referendum Kombëtar“, një nga paradokset më të rëndësishme të zhvillimeve aktuale qëndron në faktin se mbrojtja e sovranitetit shtetëror dhe ruajtja e partneriteteve strategjike nuk duhet të paraqiten si objektiva që përjashtojnë njëra-tjetrën. Republika e Kosovës e ka ndërtuar sigurinë dhe konsolidimin e saj ndërkombëtar mbi partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara, praninë e KFOR-it, bashkëpunimin me NATO-n dhe mbështetjen e aleatëve euroatlantikë. Po kështu, procesi i integrimit evropian mbetet i lidhur ngushtë me bashkëpunimin me Bashkimin Evropian, i cili përfaqëson një faktor kyç në zhvillimin ekonomik, institucional dhe politik të vendit. Për rrjedhojë, çdo tension i zgjatur me partnerët strategjikë mund të prodhojë kosto më të mëdha për interesat afatgjata të Republikës së Kosovës sesa për pozicionin politik të çdo qeverie të veçantë. Në këtë kuadër, pyetja thelbësore nuk është nëse mbrojtja e sovranitetit është legjitime, sepse ajo është një e drejtë themelore e çdo shteti demokratik, por nëse strategjia politike e ndjekur arrin të balancojë në mënyrë efektive sovranitetin me nevojën për koordinim dhe partneritet me aleatët kryesorë.

    B)
    Vlerësimi parimor i Bordit Drejtues: Bazuar në zhvillimet e deritanishme, Instituti Studimor “Platforma për Referendum Kombëtar” – Tiranë vlerëson se:
    1) Kriza institucionale në Kosovë është përgjegjësi e të gjithë aktorëve politikë, megjithëse barra kryesore politike bie mbi forcën që ushtron qeverisjen dhe ka detyrimin të krijojë kushtet për funksionimin normal të institucioneve.
    2) Nuk është e drejtë të cilësohet Kryeministri Albin Kurti si “i paaftë” vetëm mbi bazën e krizës aktuale. Megjithatë, vështirësitë në ndërtimin e kompromisit politik dhe të shumicave funksionale përbëjnë një sakrificë reale me rreziqe të mëdha, që ndikon në vlerësimin e kapaciteteve të qeverisjes.

    3) Ndonëse, ende nuk mbështetet në prova publike pohimi se Shtetet e Bashkuara e kanë refuzuar ose delegjitimuar Kryeministrin e Kosovës, trumbetimet publike nuk mungojnë. Megjithatë, ekzistojnë elemente që tregojnë se niveli i besimit politik ndërmjet palëve ka pësuar dobësim dhe kërkon rikonsolidim.
    4) Në analizat profesionale ndërkombëtare janë përdorur vlerësime kritike për stilin negociues dhe shkallën e fleksibilitetit të Kryeministrit Kurti. Këto janë interpretime analitike dhe (ende) nuk përbëjnë qëndrime zyrtare të institucioneve amerikane.

    5) Vështirësitë kryesore strategjike mbetet aftësia për të harmonizuar mbrojtjen e sovranitetit të Republikës së Kosovës me ruajtjen dhe forcimin e partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët euroatlantikë. Një politikë e suksesshme duhet të arrijë të ndërtojë njëkohësisht legjitimitet të brendshëm dhe besueshmëri ndërkombëtare. Nëse kriza institucionale vazhdon, sakrifica politike nuk do të kufizohet vetëm te funksionimi i institucioneve, por do të lidhet gjithnjë e më shumë me aftësinë e klasës politike për të ndërtuar konsensus, për të garantuar stabilitet demokratik dhe për të ruajtur partneritetet strategjike që përbëjnë një interes themelor të Republikës së Kosovës.

    6) Me këtë rast po citojmë edhe këtë mendim: „Një element që meriton vëmendje të veçantë është dallimi ndërmjet sigurisë dhe stabilitetit, dy koncepte që shpesh përdoren si sinonime, ndonëse nuk janë të njëjta. Stabiliteti politik është një vlerë e rëndësishme për çdo shoqëri demokratike, por ai nuk përbën qëllimin përfundimtar të shtetit. Detyra themelore e shtetit është garantimi i sigurisë: mbrojtja e qytetarëve, e rendit kushtetues, e sovranitetit, e institucioneve dhe e interesave kombëtare. Stabiliteti është i dëshirueshëm vetëm kur mbështetet mbi sigurinë, ligjin dhe besimin e qytetarëve, përndryshe ai mund të jetë vetëm një ekuilibër i përkohshëm“, (Dr. Pajtim Ribaj).

    Në marrëdhëniet ndërkombëtare, aktorët e jashtëm shpesh e vendosin theksin te ruajtja e stabilitetit rajonal, sepse ky lidhet me interesat e tyre strategjike dhe me parandalimin e krizave. Megjithatë, përgjegjësia për garantimin e sigurisë kombëtare mbetet, para së gjithash, detyrë e institucioneve të vetë shtetit. Askush nuk mund ta njohë, ta mbrojë dhe ta ndërtojë interesin kombëtar më mirë sesa vetë shteti dhe qytetarët e tij. Në këtë këndvështrim, po krijohet edhe një diferencë në mënyrën se si Shqipëria dhe Kosova po përballen me problemet e tyre. Të dy shtetet shqiptare veprojnë në rrethana të ndryshme politike dhe gjeopolitike, por të dyja përballen me të njëjtin detyrim strategjik: të ndërtojnë institucione që garantojnë sigurinë, të ruajnë besimin e qytetarëve dhe të forcojnë partneritetet me aleatët pa humbur busullën e interesave kombëtare. Pikërisht këtu lidershipi fiton rëndësi vendimtare.

    Busulla e tij nuk mund të orientohet vetëm nga nevojat e momentit politik, por duhet të drejtohet nga vlerat kombëtare dhe nga interesat afatgjata të shtetit. Sepse një komb nuk mbështetet vetëm mbi territorin që administron. Ai mbështetet mbi kujtesën e përbashkët, gjuhën, historinë, kulturën, traditat, simbolet kombëtare dhe vullnetin për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët. Këto janë themelet shpirtërore që krijojnë kohezionin shoqëror dhe rrisin aftësinë e shtetit për t’u përballur me krizat. Në këtë kuptim, shteti është trupi, ndërsa kombi është shpirti. Kur shteti largohet nga interesat kombëtare, dobësohet legjitimiteti i tij dhe kur kombi humbet besimin te shteti, dobësohet kohezioni kombëtar. Prandaj kultura strategjike kombëtare duhet të ndërtohet mbi bindjen se interesat afatgjata të kombit dhe të shtetit përbëjnë pikën e përbashkët që duhet të bashkojë forcat politike përtej dallimeve të tyre. Vetëm mbi këtë themel mund të ndërtohen siguria, stabiliteti dhe zhvillimi i qëndrueshëm i Shqipërisë dhe Kosovës.

  2. Rama – Kurti – Osmani: rivalitet politik, perceptime publike dhe krizat e lidershipit

Vlerësim i Bordit Drejtues të Institutit Studimor “Platforma për Referendum Kombëtar” – Tiranë

Marrëdhëniet ndërmjet Tiranës dhe Prishtinës nuk mund të analizohen vetëm përmes deklaratave publike. Në politikë, interesat strategjike shpesh peshojnë më shumë se retorika, ndërsa përplasjet politike nuk përjashtojnë bashkëpunimin institucional kur këtë e kërkon interesi shtetëror. Raporti ndërmjet Kryeministrit Edi Rama, Kryeministrit Albin Kurti dhe Presidentes Vjosa Osmani përfaqëson tri qasje të ndryshme politike. Deri më sot nuk ka prova që të mbështesin pretendimin për një koordinim të fshehtë ndërmjet Ramës dhe Kurtit. Megjithatë, në çështje të caktuara interesat politike ose shtetërore mund të kenë prodhuar përputhje taktike, pavarësisht rivalitetit publik.

Presidentja Vjosa Osmani, nga ana e saj, është identifikuar me një profil institucional më të orientuar drejt koordinimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian. Vlerësimet pozitive ndaj saj janë publike nga shumë diplomatë ndërkombëtarë. Kryeministri Kurti ka theksuar më shumë dimensionin e sovranitetit dhe pavarësisë vendimmarrëse, ndërsa Kryeministri Rama ka ndjekur një linjë më pragmatike në raport me partnerët euroatlantikë.

1) Episodi Spiropali dhe perceptimi publik: Vizita e Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, në Prishtinë është komentuar në mënyra të ndryshme nga analistë dhe opinionistë. Një pjesë e analizave kanë vlerësuar se polemikat publike të krijuara gjatë asaj vizite mund të kenë prodhuar një efekt të kundërt nga ai i synuar. Në Kosovë ekziston një ndjeshmëri e lartë ndaj çdo perceptimi për ndërhyrje në vendimmarrjen e brendshme. Për këtë arsye, një debat publik me përfaqësues të institucioneve të Shqipërisë mund të ketë forcuar narrativën politike të Kryeministrit Kurti si mbrojtës i sovranitetit të vendit. Megjithatë, në mungesë të të dhënave të konfirmuara dhe sondazheve të besueshme, nuk mund të konkludohet si fakt se njëra palë fitoi ose humbi betejën e opinionit publik. Mund të thuhet vetëm se ky episod krijoi një perceptim politik që, sipas disa analizave, mund të ketë favorizuar pozicionimin e Kryeministrit Kurti, i cili megjithatë ende nuk po arrinë të bëjë funksional institucionet shtetërore, përmes konstituimit legjitim?…

2) Një krahasim i domosdoshëm politik: Instituti ynë vlerëson se, ndonëse në kontekste të ndryshme, si Shqipëria ashtu edhe Kosova kanë përjetuar tensione politike që lidhen me raportin ndërmjet qeverive dhe partnerëve strategjikë.
a) Në Shqipëri, gjatë muajve të fundit janë zhvilluar protesta dhe reagime opozitare kundër politikave të qeverisë Rama, duke përfshirë kritika për mënyrën e qeverisjes dhe për çështje që lidhen me besimin publik dhe orientimin politik të vendit.
b) Në Kosovë, nga ana tjetër, debati është përqendruar më shumë te marrëdhëniet e qeverisë Kurti me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët euroatlantikë. Në një pjesë të opinionit publik është shprehur shqetësimi se tensionet e krijuara me partnerin strategjik më të rëndësishëm mund të kenë pasoja për interesat afatgjata të Republikës së Kosovës. Rezultatet e zgjedhjeve të fundit treguan një rënie të mbështetjes elektorale për Lëvizjen Vetëvendosje krahasuar me ciklin e mëparshëm zgjedhor. Megjithatë, shkaqet e kësaj rënieje janë të shumëfishta dhe nuk mund t’i atribuohen vetëm një faktori të vetëm.

3) Analistë të ndryshëm: Ndër të tjera kanë përmendur, polarizimin politik, mënyrën e ushtrimit të qeverisjes, marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë dhe pritshmëritë e papërmbushura të një pjese të elektoratit. Po kështu, edhe debatet politike që lidhen me raportet ndërmjet Kryeministrit Kurti dhe Presidentes Vjosa Osmani janë interpretuar në mënyra të ndryshme në hapësirën publike, shumë herë të panevojshme. Nuk është e mundur të pohohet si fakt se një zhvillim i caktuar ndërkombëtar ose një emërim i propozuar në një forum të caktuar ka qenë shkaku i këtyre tensioneve, pasi për këtë nuk ekzistojnë prova publike të mjaftueshme.

C) Vlerësimi i Bordit Drejtues: Bordi Drejtues i Institutit Studimor “Platforma për Referendum Kombëtar” vlerëson se një nga kërkesat më të mëdha të lidershipit politik në Shqipëri dhe në Kosovë është aftësia për ta balancuar legjitimitetin e brendshëm me besueshmërinë ndërkombëtare. Asnjë qeveri nuk mund të mbështetet vetëm te mbështetja elektorale, as vetëm te mbështetja ndërkombëtare. Stabiliteti politik ndërtohet mbi aftësinë për të krijuar konsensus të brendshëm, për të respektuar institucionet demokratike dhe për të ruajtur partneritetet strategjike. Në këtë kuptim, si Kryeministri Edi Rama ashtu edhe Kryeministri Albin Kurti përballen me rrethana të ndryshme, (të lejuara me vetëdije nën hijen e neglizhencës), por me një emërues të përbashkët: nevojën për të forcuar besimin qytetar dhe për të konsoliduar marrëdhëniet me aleatët strategjikë të kombit shqiptar. Instituti ynë gjykon se dialogu politik, maturia institucionale dhe koordinimi me partnerët euroatlantikë mbeten rruga më e sigurt për të garantuar stabilitetin demokratik dhe mbrojtjen e interesit kombëtar shqiptar.

Një këndvështrim alternativ është se legjitimiteti i çdo qeverie në një demokraci nuk matet vetëm nga rezultati zgjedhor, por edhe nga aftësia për të qeverisur në mënyrë efektive, për të garantuar sigurinë, për të ruajtur besimin e qytetarëve dhe për të menaxhuar marrëdhëniet me partnerët strategjikë. Kur këto elemente dobësohen në mënyrë të vazhdueshme dhe nuk ka më kapacitet për të rikthyer stabilitetin institucional, rruga demokratike mbetet kërkimi i një mandati të ri ose largimi nga qeverisja. Në Shqipëri, kriza e besimit ndaj qeverisë është shoqëruar prej kohësh me protesta të vazhdueshme dhe me kritika të forta, të cilat kanë tërhequr vëmendjen edhe në arenën ndërkombëtare. Në Kosovë, situata është e natyrës tjetër: debati nuk lidhet kryesisht me protesta masive qytetare, por me tensionet rreth marrëdhënieve me partnerët strategjikë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas një sërë mosmarrëveshjesh politike dhe perceptimit për mungesë koordinimi. Në të dy rastet, megjithëse për arsye të ndryshme, sakrifica dhe rreziku mbetet i njëjtë: një qeveri që nuk arrin të ruajë funksionalitetin institucional, besimin e qytetarëve dhe marrëdhëniet strategjike, përballet me një sprovë serioze të legjitimitetit të saj politik. Për këtë arsye, Instituti ynë vlerëson se dialogu politik, maturia institucionale, garantimi i sigurisë kombëtare dhe koordinimi i ngushtë me partnerët euroatlantikë mbeten rruga më e qëndrueshme për mbrojtjen e interesit kombëtar dhe forcimin e demokracisë në të dy shtetet shqiptare.

1) Ngërçi i zgjatur politik dhe bllokimi i përsëritur i formimit të institucioneve kushtetuese dëshmojnë se kultura e kompromisit demokratik ende nuk është konsoliduar në hapësirën politike shqiptare. Përkundrazi, praktikat e bllokimit institucional, të kushtëzimeve të skajshme dhe të interesit partiak mbi interesin shtetëror kujtojnë modele politike të trashëguara nga e kaluara autoritare, të cilat bien ndesh me standardet e një demokracie funksionale. Kjo tregon se shumica e klasës politike ende nuk ka përcaktuar kufirin etik dhe institucional përtej të cilit interesi i Republikës duhet të prevalojë mbi interesin partiak. Prandaj, deklarimet e vazhdueshme për respekt ndaj sakrificës së dëshmorëve, të luftëtarëve të lirisë dhe të qytetarëve që ndërtuan shtetin e Kosovës duhet të dëshmohen me përgjegjësi në qeverisje, me funksionim të institucioneve dhe me mbrojtje të interesit publik. Respekti për sakrificën kombëtare nuk provohet me ceremoni përkujtimore, por me kulturë shtetformuese, përgjegjësi politike dhe besnikëri ndaj vlerave për të cilat u ndërtua shteti.

2) Nga këndvështrimi i Institutit Studimor “Platforma për Referendum Kombëtar” – Tiranë, zgjidhja afatgjatë nuk kufizohet vetëm në ndryshimin e aktorëve politikë, por kërkon edhe ndryshimin e vetë modelit të vendimmarrjes. Për këtë arsye, Instituti ynë rithekson domosdoshmërinë e reformimit të sistemit politik përmes zgjerimit të instrumenteve të demokracisë së drejtpërdrejtë, në përputhje me programin e Platformës për Referendum Kombëtar. Çështjet me interes madhor kombëtar dhe institucional duhet t’u nënshtrohen më shumë vendimmarrjes së drejtpërdrejtë qytetare përmes referendumit dhe mekanizmave të tjerë të pjesëmarrjes demokratike. Vetëm një sistem që e bën qytetarin pjesëmarrës të drejtpërdrejtë në vendimmarrje mund të kufizojë arbitraritetin politik, të forcojë përgjegjësinë e institucioneve dhe të pengojë që interesat shtetërore të mbeten peng i kalkulimeve apo i qëndrimeve të ngurta të liderëve politikë.

III. Mendim unifikues për një paralelizëm politik ndërmjet Tiranës dhe Prishtinës

Një element që nuk mund të anashkalohet në këtë analizë është se si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë, po evidentohet një rritje e polarizimit politik dhe e pakënaqësisë qytetare, megjithëse për shkaqe të ndryshme. Në Shqipëri, prej muajsh janë zhvilluar protesta dhe kundërshtime të vazhdueshme ndaj qeverisë së Kryeministrit Edi Rama, të lidhura me mënyrën e qeverisjes, standardet demokratike, transparencën institucionale dhe akuzat e opozitës për keqqeverisje. Këto zhvillime tregojnë një krizë të besimit ndërmjet një pjese të qytetarëve dhe qeverisë. Në Kosovë, sfida kryesore ka marrë formën e bllokimit institucional dhe të debatit mbi marrëdhëniet me partnerët strategjikë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Edhe pse Kryeministri Albin Kurti vazhdon të gëzojë mbështetje të konsiderueshme, rezultatet e zgjedhjeve të fundit treguan një rënie të mbështetjes për Lëvizjen Vetëvendosje krahasuar me ciklin e mëparshëm zgjedhor. Analistë të ndryshëm e kanë lidhur këtë rënie edhe me faktorë të tjerë, edhe me tensionet e krijuara në raport me aleatët strategjikë dhe me perceptimin se qeveria ka treguar fleksibilitet të pamjaftueshëm në ndërtimin e konsensusit politik.

Nëse këto prirje vazhdojnë, është e arsyeshme të pritet që pakënaqësitë qytetare të shprehen edhe përmes protestave demokratike, ashtu siç ndodh në çdo shoqëri pluraliste. Kjo nuk përbën një parashikim, por një mundësi politike që lidhet me aftësinë ose pamundësinë e qeverive për të rikthyer besimin e qytetarëve dhe për të menaxhuar marrëdhëniet me partnerët strategjikë. Në vlerësimin e Institutit Studimor “Platforma për Referendum Kombëtar” – Tiranë, si Kryeministri Edi Rama, ashtu edhe Kryeministri Albin Kurti përballen me një sfidë të përbashkët: ruajtjen e legjitimitetit të brendshëm dhe njëkohësisht forcimin e besueshmërisë në raport me aleatët strategjikë. Asnjë qeveri nuk mund të sigurojë stabilitet afatgjatë vetëm mbi shumicën parlamentare. Por, stabiliteti kërkon besim qytetar, institucione funksionale dhe partneritete të qëndrueshme ndërkombëtare.  (07.08.2026)

Nga Bordi Drejtues: Instituti Studimor: „Platforma për Referendum Kombëtar“ Safet Sadiku, Dr. Pajtim Ribaj, Dr. Sandër Marku, Dodë Luli, Feriz Deliu – (Kabashi).

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.