27.7 C
Tirana
E premte, 7 Gusht 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Letërsi Bisedë me zanën

Bisedë me zanën

0
Gjon Marku

Nga Gjon Marku

Po pyet zana ç’ka rinia,
Pse përpara s’ecën Shqipëria?
A po më thua, moj motër,
Pse vajton nana në votër?

Pse vajtojnë ndër kroje zanat?
Pse kaq të forta qenkan gjamët?
Pse janë kullat bosh ndër male?
Pse Shqipëria kaq shumë halle?

E pse, po plagë bri më bri,
Po ikin krejt djemtë e ri?
Pse ka kaq lot e kaq shumë gjamë?
A po më thua ti, moj zanë?

A po din me m’a tregue,
Ndale vajin, pak m’kallëzue:
Pse ky vend e pse kjo tokë,
Kaq shumë gjamë e kaq shumë lot?

Po ku janë shqipet e malit?
Pse po lënë vorret e të parit?
E pse malet ulin kryet?
Ku shkojnë krojet? Jam tuj t’pyet.

Pse po i falin mal e bjeshkë?
Prej kah erdhën këta, ta besë?
Pse po shesin kroje e dete?
Pse mbi Shqipërinë gjithë këto kiamete?

Besa, zanë, s’po di me t’thanë;
Dikur burrat n’këto anë,
Si dragoj besa kanë qëndrue,
Fe, atdhe e gjuhën pa e ndrrue.

Eh, medet, sot ndër këto male,
Duan me i shitë, mos t’jenë shqiptare.
Duan detin me ia falë të huajit,
Pa menduar për fatin e të parit.

Shihi shkollat krejt rrënuar,
Shihi kullat si janë shkretuar.
Sot Shqipërinë veç po e vjedhin,
E në pazar të pasosur e nxjerrin.

Eh, moj zanë, po më pyet ti mua
Po ç’far më parë mund të tregue
A për halle, bre, a për derte,
A për vuajtje e për siklete,

A për kulla mbetur bosh,
A tradhtarë që s’ka kund t’i sosh,
A për nanat që po qajnë,
A për qyqet që s’ndalin vajin?

Dikur t’huajt turr me ushtri,
Sot po të shesin ty, Shqipëri.
Me det, bit e pa soj,
Duhet një Gjergj që t’a ndalojë.

Ta shkatërruan ty ushtrinë,
E deshën t’a shkemesin historinë,
Të pabesë flasin për besë,
E medet, Shqipëri e shkretë.

Mos vajto ti, zanë moj motër,
Se po klith shqiponja në votër.
Shih si turren shqipet e malit,
Për t’i dalë sot zot vatanit.

S’ka tradhti, s’ka tradhtarë,
S’ka hajdutë e sa zuzarë,
S’ka i pabesë që t’a ngulë thikën,
Se ke djem që s’e njohin frikën.

Prandaj, motër, mos vajto,
E me lot ti mos u loto,
Se sot në këmbë është ngritur rinia,
E therret: rroftë e qoftë Shqipëria!

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.