Fetah Sheholli
(Fëmijëve të mi, kur filluan mësimin në
shkollën zvicerane).
Ndërroj hapat, i humbur në mendime
Për fëmijët e mi, këta fidanë të njomë
Përgjithmonë do të jetë një çast kthesë
Kohë e pakëndshme, si lule pa aromë…
Zilja e buzëqeshjet si një simfoni
Më ledhatuan zemrën e trazuar
Shqipja e ëmbël humb në varfëri
Rrugëtim tjetër me rrënjë harruar…
Këputje gëzimi, alfabet lënë përgjysmë
Tërmet përbrenda, fëmijët të hutuar
Një thirrje zemre çeli fytyrën e zymtë:
„Kështu të duam Kosovë, të përparuar“
„Nuk e kemi lehtë“ – u thoshte fytyra
Gjithçka është e mundshme në këtë botë
Errësirën mund me shkëlqim vetëm drita
Majat pushtohen me vullnet të fortë…
Më 12 dhjetor 1994
FILLIMI I RRUGËTIMIT TË GJATË
Lenar, drejt vatrës së dijes,
U nise me hapin e shpresës;
Guximi të shihej në bebëzat e syrit,
I ndritshëm sikur rrezja e diellit.
Me vullnet të fortë, sikur çelik,
Mëso alfabetin, këtë çelës magjik;
Mendjes i duhet e gjithë jeta,
Për të kuptuar ç’është e vërteta.
Fati e deshi të bëhesh burrë,
Në fëmijëri që s’e deshte kurrë;
Idoli yt nuk të vjen në derë,
Duhet mund dimrin ta bësh verë.
Këto dy javët e klasës së parë
Ta kanë dhënë mësimin e artë:
„Pa sëpatë mos shko në pyll!“
Në qiellin e dijes u bëfsh Yll!
Në lozën tonë porsi mjaltë,
Vallëzojnë shkronjat ditë e natë;
Lexoje me ëndje, nipi im Lenar,
Edhe librin e gjyshit „Akull e zjarr“.
21 gusht 2026











