Dy vëllezërit dhe zana e malit

0
1306

Nexhat Halimi

Dea sapo arriti nga shkolla dhe unë i propozova të shkonim në Shalë të Bajgorës.
– Do të shkojmë për të mbushu ca bidon me ujë kroi, – mu përgjigj ajo me një copë buke të lyer me marmelatë.
– Jo.

– Do të shkojmë ta vizitojmë ekspozitën e Kristaleve të Trepçës. Apo nuk është as kjo?
– As kjo nuk është…
– Do të shkojmë ta vizitojë kullën e Isa Boletinit?
– Jo. Do të bëjmë përpjekje ta gjejmë një skicë në gur, e cila përshkruan Dy vëllezër dhe zanën e malit…

– Do të jetë joshëse kjo, – tha ajo dhe ma zgjati dorën, të të ecim dhe të ngjitemi malit, të zbukuruar me ngjyrat mahnitëse të vjeshtës…
– Në këtë ecje do të pyesësh sa herë të zgjoj kërshërinë ndonjë gjë. Ja …Dëgjo, Dea, në këtë mal, dhiares së të cilit po ecnim, të mahnitur nga ngjyrat magjepse të vjeshtës, mijëra e mijëra vjet më parë jetonte një Zanë shumë e bukur.

Një ditë ajo u takua me dy vëllezër viganë, Tomorin dhe Shpiragun.
Sikurse ndodh shumë herë ndër legjenda dhe shpesh në të vërtetë, të dy vëllezërit ranë në dashuri me Zanën e bukur. Kaq fort ua trazoi zemrat të dy vëllezërve dhe kaq thellë u hyri grindja për të, sa që shpërtheu lufta vëllavrasëse.

Tomori, duke pasur një shpatë të shkëlqyeshme, i ra vëllait të vet më të vogël brinjëve, ndërsa ky i fundit, i armatosur me një topuz shumë të rëndë, iu turr me furi duke e goditur sa mundte më fort.

Natyra, që shihte çdo gjë, u trishtua dhe u zëmërua prej pamjes aq të dhimbshme, grindjes aq të përgjakshme midis vëllezërve. Ata duheshin ndëshkuar për këtë mynxyrë që shkaktuan. Prandaj, Ai i ktheu fajtorët në gur dhe i dënoi të mbajnë ndër shekuj në trup gjurmët e këtij luftimi të tmerrshëm.

Që nga ajo kohë e lashtë e deri sot vëllai i madh, Tomori, i tregon diellit hapësirat e veta gropa – gropa dhe plasa të panumërta. Ndërsa, vëllait të vogël, Shpiragut, kushdo që kalon në këto treva, i sheh brinjët e copëtuara e të thelluara vija-vija.

Shkaktarja e kësaj mynxyre, Zana e bukur hirplotë, nuk duhej t’i shpëtonte zemërimit të natyrës, ndaj Ajo e ktheu në një hapësirë kodrinën shkëmbore, mbi të cilën një ditë filluan të vendosen gurë mbi gurë dhe u ndërtua një kodrinë e madhe, e bukur, që qëndron madhështore dhe e ndritur në këtë hapësirë malore rreth minierës së Stantërgut, ku nxirret xehja e plumbit dhe e zinkut të Trepçës.

Kjo e tëra, ndërsa minatorët nxjerrin xehen nga nëntoka, e përralla sillet e sillet rreth botës dhe këtë ngjarje nuk e lë të harrohet, vetëm e kujton me dhembje. E Zana e bukur, që i donte vëllezërit, e përjetonte zemërimin e tyre të derdhur mbi njeri-tjetrin dhe qau e qau pa ndërprerë. Kjo përrallë të tregohet gjatë kohë në Shalë të Bajgorës, në këtë trevë malore që shtrihet mes luginës së Ibrit dhe Llapit në rrëzat e Kopaonikut.

Ndjenja bëhet kaq e fuqishme, sa bëhet lumë, që e lëviz rrjedhën e ujit të kroit krejt afër kullës së heroit Isa Boletini, sipas legjendës, nuk është gjë tjetër veçse rrëkeja e lotëve, që lagën gurë e shkëmb dhe u derdhën mes dy vëllezërve prej Zanës hyjneshë, për t’u treguar se dhimbja për këtë fatkeqësi asnjëherë nuk do t’i shterë lotët…”

Dea, që e dëgjonte legjendën, asnjë herë nuk e largonte dorën nga dora ime. Herë – herë dridhej dhe e frikësuar ngjitej për mua dhe qante.

– Pse qan, – ia bëja. – Kjo është vetëm një përrallë, e cila tregohet në variante të ndryshme. Unë e kam dëgjuar dhe më ka pëlqyer dhe nuk do ta flisja sikur të merrja me mend se do të qaje.

Deas lotët i shkonin shi i ashpër dhe i pandërprerë, ndërsa mua më kujtohej varianti i gojëdhënës së Beratit, e cila thotë se shkaktarja e kësaj mynxyre, Zana e bukur hirplotë, nuk duhej t’i shpëtonte zemërimit të natyrës, ndaj Ajo e ktheu në një hapësirë kodrinën shkëmbore, mbi të cilën një ditë filluan të vendosen gurë mbi gurë dhe u ndërtua një kështjellë e madhe, e bukur, që qëndron madhështore dhe e ndritur mbi qytetin e Beratit.

– Cila është gojëdhëna më e mirë, – tha Dea dhe i fshiu lotët me duart e vogla.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.